Çameria në mes të luftës italo-greke – Pushtimi fashist i Çamerisë

Para se të hynte në Greqi, ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare. Dy muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste e Metaksait kreu një akt ndofta pa precedent në historinë botërore. Të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5000 burra, u burgosën dhe u dërguan në ishujt e largët të Egjeut. Ky veprim u krye në bazë të vendimit të marrë më parë në Gumecinë nga një mbledhje e kryesuar nga Dhespoti i Janinës, Spiridoni, ku merrnin pjesë edhe zëvendës Prefekti i Gumenicës Jorgo Vasilako, komandanti i Korafilaqisë dhe përfaqësues të grekëve të Çamërisë. Nga ky kontingjent viktimash 350 veta u masakruan, 400 të tjerë vdiqën më vonë gjatë internimit nga torturat dhe uria. Në këtë mënyrë qeveria e vendosi elementin shqiptar, mysliman, haptazi në kampin e armikut duke e paragjykuar popullsinë çame.
Rekrutët çamë, si shtetas grekë të mobilizuar në vitet 1939 dhe 1940 që në atë kohë ndodheshin në shërbim ushtarak, me urdhër të Korparmatës së Janinës, u vunë të thyejnë gurë dhe të ndreqin rrugë në formën e punës së detyrueshme. Në takimin që pati Komandanti i Divizionit VIII të Epirit, gjenerali Kaçimitro, me 2000 djem çamë, u kërkonte mendime për rrezikun që i kanosej vendit nga Italia fashiste. Çamërit u treguan të gatshëm për të luftuar armikun e përbashkët. Por për çudi, në vend të armëve u dhanë kazma dhe lopata për të vepruar në prapavija për ndërtim rrugësh. Ishte një qëndrim mosbesimi i autoriteteve greke ndaj çamëve dhe njëherazi dhe një fyerje e poshtërim për ta, duke i trajtuar jo si bashkëluftëtarë, por si robër lufte. Nga ana tjetër, Italia gjatë përgatitjeve të luftës me Greqinë nuk mund të mos merrte në konsideratë për interesat e saj gjendjen diskriminuese të shqiptarëve të Çamërisë.


Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë, në gusht të vitit 1940, do t’i vinte në dukje ambasadorit grek në Romë se “Greqia është e vendosur me të gjitha mjetet që disponon të vazhdojë një program politik, ku ka diskriminuar në mënyrë tepër të rëndë shqiptarët në favor të grekëve. Dhe këtë e ka bërë në të gjitha fushat e veprimtarisë, që nga ajo e lirisë personale e në atë ekonomike, deri në atë të mësimit të gjuhës… i kanë larguar shqiptarët në rajone larg qendrave të mëdha, duke i mbajtur në kushte primitive”.
Më 10 gusht, Ciano i paraqiti Duçes versionin italian të vrasjes së patriotit shqiptar nga Çamëria Daut Hoxha dhe të nesërmen Mussolini kërkoi të dhëna rreth Çamërisë si dhe i dha urdhër agjencisë italiane të lajmeve “Stefani” të niste transmetime agjitative për këtë çështje. Brenda ditës shtypi italo-shqiptar botoi artikuj të pafund me tituj me shkronja të mëdha, që kritikonin ashpër shtypjen greke mbi popullin e Çamërisë. Më 12 gusht 1940 Mussolini i deklaroi Cianos, Jacomonit dhe Prascas se kur Korfuzi dhe Çamëria të mos i dorëzoheshin Italisë pa luftim “Italia do të kapërcente pragun”. Lufta u afrua edhe një hap më shumë kur një nëndetëse italiane fundosi kryqëzorin e vjetër grek “Helli” në ujërat greke, në datën 15 gusht.


Zbulimi i trupit pa kokë të prijësit rebel, Daut Hoxha ishte një pikë kthese. Koka e Hoxhës, e prerë siç thoshin nga agjentët grekë, qarkulloi nëpër fshatra të rajonit për të frikësuar banorët dhe për t’i detyruar të largoheshin. Në gusht 1940, ministri italian i Punëve të Jashtme, Konte Galeazzo Ciano , e përdori rastin e vrasjes së Daut Hoxhës për të krijuar një incident të madh diplomatik midis të dy vendeve dhe për të bindur Mussolinin për nevojën e pushtimit italian të Greqisë.


Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri.Është e kuptueshme se çamët, pas një çerekshekulli të trajtimit si qytetarë të dorës së dytë në Greqi, nuk kishin pse të kundërshtonin përmbysjen e regjimit grek. Shumë prej tyre ishin të bindur se pushtimi italian do të përmirësonte gjendjen e tyre, dhe, në një farë mase, dëshira e tyre u realizua por megjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt. “Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën-shkruan Jani Sharra-rrallë ndonjë çam u bashkua me ta”.


Edhe në situatat e vështira dhe të komplikuara, kur Greqisë po i trokiste lufta në derë, autoritetet greke me gjakftohtësi u përpoqën të përfitonin ç’të mundnin. Ata gjykuan se ishte krijuar një moment i përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë. Këtë e provon edhe fakti se pas shpërthimit të luftës, pasi u bë e qartë se kapitullimi i Greqisë përballë ushtrive italiane ishte i afërt, autoritetet lokale greke të Çamërisë përgatitën listat dhe po përpiqeshin të siguronin mjetet e nevojshme të mbartjes për të gjitha gratë dhe fëmijët që kishin mbetur në Çamëri me qëllim që kur të hynin ushtritë e huaja këtu, të mos gjenin këmbë shqiptari.Pas thyerjes së ushtrive italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re greke mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore.


Pas thyerjes së ushtrive italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re greke mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore.


Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, pritej që çamët e kthyer nga internimi të hakmerreshin ndaj forcave shoviniste greke që kishin qenë shkaktarë të vuajtjeve. Por ndodhi krejt ndryshe. Ata u ngritën mbi pasionet shoviniste dhe zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua nga pushtuesit e rinj gjermanë.


Alba Haruni /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Aleanca e Skënderbeut me mbretin e Napolit kundër osmanëve

  Data 26 mars e vitit 1451 kujtohet për aleancën që heroi kombëtar, Gjergj Kastriot…

5 hours ago

Pse keni dhimbje koke kur ndryshon moti?

  Nga stuhitë deri në ditët me diell, ndryshimet e motit mund të shkaktojnë dhimbje…

6 hours ago

Si ta përdorni xhenxhefilin kundër dhimbjeve të reumatizmës

  Miliona njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e osteoartritit, që shkakton dhimbje dhe vështirësi…

6 hours ago

Arabia Saudite instalon “fenerët laser” me energji diellore për të ndihmuar udhëtarët e humbur të shkretëtirës

Arabia Saudite ka nisur një iniciativë inovative për të ndihmuar udhëtarët e humbur të lëvizin…

2 days ago

Prika dhe dhuratat në familjet arbërore me rastin e martesës

Teuta SHALA-PELI PRIKA DHE DHURATAT NË FAMILJET ARBËRORE ME RASTIN E MARTESËS (GJYSMA E DYTË…

2 days ago

Kontaktet e qytetërimit islam në Ballkan para ardhjes së turqve

Fahrush REXHEPI, shkëputur nga revista KOSOVA, No. 20-21 (1999) Botuar: 2024-09-19 Kultura dhe qytetërimi islam është…

2 days ago