Kthimi i kursit pranë vlerave të mëparshme ka ardhur kryesisht falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që në tre ditët e fundit ka ndërhyrë duke shitur euro, për t’iu përgjigjur kërkesës dhe për të qetësuar një lloj paniku që kishte përfshirë tregun valutor që prej fillimit të javës së kaluar.
Leku vazhdoi edhe ditën e sotme të rimëkëmbë pozitat e veta në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 123.72 lekë, afërsisht një pikë më pak krahasuar me ditën e djeshme.
Që nga dita e martë, kur euro pati arritur nivelin më të lartë në pothuajse dy vjet, kursi në raport me lekun ka rënë me 3.4 pikë.
Kthimi i kursit pranë vlerave të mëparshme ka ardhur kryesisht falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që në tre ditët e fundit ka ndërhyrë duke shitur euro, për t’iu përgjigjur kërkesës dhe për të qetësuar një lloj paniku që kishte përfshirë tregun valutor që prej fillimit të javës së kaluar.
Ngjarja që i dha shtysën kryesore forcimit të fortë të euros kishte qenë blerja në sasi të mëdha e valutës për nevoja të importit të energjisë elektrike nga kompanitë e këtij sektori. Gjithashtu, zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të konsumit kanë krijuar një pasiguri të lartë dhe shtim të blerjes së euros në tregun valutor.
Jo më pak i rëndësishëm në ditët e fundit ishte bërë edhe faktori psikologjik dhe pritshmëritë e krijuara, që në tërësinë e tyre ngushtuan ofertën dhe zgjeruan kërkesën për euro në tregun valutor, duke e nxitur më tej drejt rritjes kursin e monedhës europiane.
Edhe në këtë rast ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka rezultuar mjaft e efektshme dhe e ka qetësuar shpejt tregun. Vlerat e hedhur në treg do të bëhen të ditura në fund të tremujorit pasardhës, megjithatë për shkak të përmasave të vogla që ka tregu valutor në Shqipëri zakonisht injektimet e valutës së nevojshme për të qetësuar tregun në këto raste nuk janë shumë të mëdha.
Në fund të marsit 2020, Banka e Shqipërisë shiti pak më shumë se 20 milionë euor për të shuar efektin që krijoi shpërthimi i pandemisë. Stabilizimi i kursit të këmbimit në këtë situatë është i rëndësishëm, jo vetëm për të ruajtur stabuilitetin e tregut financiar, por edhe për të frenuar presionet inflacioniste shtesë, në një kohë kur ekonomia po përballet me një valë të rritjes së shpejtë të çmimeve, sidomos të mallrave të konsumit.
Rezerva relativisht e madhe valutore e vendit, prej afërsisht 5 miliardë eurosh në fund të janarit, përbën një faktor sigurie dhe një instrument për të amortizuar goditjet e këtij lloji në kursin e këmbimit. Megjithatë, ekspertët mendojnë se efektet globale të luftës në Ukrainë ngelen në vazhdimësi një faktor rreziku për inflacionin, kursin e këmbimit dhe balancat makroekonomike të vendit.
Përveçse ndaj euros, leku fitoi për të dytën ditë radhazi pikë edhe ndaj shumicës së valutave të tjera. Dollari amerikan u këmbye sot me afërsisht 112 lekë, ndërsa të martën kishte arritur nivelin e pothuajse 117 lekëve.
Edhe paundi britanik ra në 147.4 lekë, 7 pikë më pak krahasuar me kursin e ditës së martë, kur kishte arritur nivelin më të lartë të viteve të fundit. Në përgjithësi, kursi i monedhave të tjera me lekun reflekton pozitat e tyre kundrejt euros dhe është më pak i lidhur me faktorët e brendshëm të tregut valutor shqiptar./MONITOR/
A keni kujtuar ndonjëherë diçka me siguri të plotë, për ta zbuluar më vonë se…
Gratë shqiptare kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e kombit tonë, duke u…
Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…
Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…
Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…