Shkruan, Tahir Berisha
Adem Gllavica Vdiq Në Dhe Të Huaj, Në Australinë E Largët, Pa E Parë Kosovën Të Lirë, Por Kishte Lënë Amanet Që Eshtrat Ose Hirin T’ia Sjellin Në Vendlindje.
Për Adem Selim Gllavicën, njërën nga legjendat e rezistencës shqiptare në Kosovë dhe luftëtarin e paepur për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare, për herë të parë kam dëgjuar kah përfundimi i Luftës II Botërore. Atëherë Ademi me një grup bashkëluftëtarësh të vet, në rrugë e sipër për Greqi, qëndroi një ditë edhe në fshatin tonë Vërban të Vitisë. Ai me atë rast, në odën e Halim Vishit, u foli fshatarëve të tubuar dhe la përshtypje të mirë, duke u thënë se pa marrë parasysh situatën e vështirë momentale, Kosova herdo kurdo do ta fitojë lirinë dhe pavarësinë.
Më vonë, duke hulumtuar shënime për veteranët e arsimit, gjeta të dhëna interesante për te dhe bashkëshortën e tij Veziren, portretet e të cilëve i kam përfshirë në vëllimin I të librit “Emra që nuk harrohen – arsimtarët veteranë (1941-1951)”, Prishtinë 1994.Historia dhe fati i tyre, sikurse edhe i shumë shqiptarëve të tjerë, është interesant dhe i dhimbshëm. Ademi gjatë Luftës II Botërore shërbeu si profesor i Gjimnazit dhe i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse Vezirja si mësuese në shkollën fillore të Prishtinës. Kah fundi, Ademi një kohë ishte edhe nënperfekt në Ferizaj, kurse pas pushtimit të Kosovës nga forcat partizano-çetnike u arratis në male. Si kryetar i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës”, bashkë me forcat e tjera patriotike shqiptare, mori pjesë në sulmin për çlirimin e Ferizajit më 2 dhjetor 1944. Gjatë kësaj kohe Vezirja, që ishte shtatëzanë, u strehua tek të afërmit e bashkëshortit në Gllavicë të Ferizajit, ku dhe lindë djalë. Ademi pasi informohet në male, së bashku me dy përcjellës pas tri orë udhëtimi natën arrinë në Gllavicë dhe e gjenë në odë foshnjën të fjetur. Pasi e puthë në ballë e pagëzon me emrin Bardhyl dhe përshendetet me të shoqën e të afërmit e tjerë dhe për gati 50 vjetë më nuk shihet as me ta e as me djalin. Mirëpo, për këtë informohen organet e OZN-ës dhe Vezirja burgoset bashkë me foshnjën në burgun e Ferizajit. Ademi tinzisht nga malet u dërgon një letër shokëve të vet të shkollës, Hivzi Sylejmanit dhe Ali Shukriut, që atëherë ishin në pushtet, për intervenim dhe Vezirja si nënshtetase shqiptare lirohet nga burgu, pas dy-tri javësh dhe bashkë me Bardhylin e vogël kalon në Shqipëri. Ndërkohë edhe Ademi me një numër bashkëluftëtarësh arrinë të ikë në Greqi dhe, pasi një kohë qëndron në kampe të ndryshme të Evropës, kalon si emigrant politik në Australi.
Vezirja në Shqipëri së shpëjti zbulohet si “bashkëshorte e ballistit më të njohur kosovar” dhe “vëllezërit komunist” e mbajnë në burg më se një vit. Për shkak të izolimit total, ndërprerjes së çdo kontakti dhe mungeses së çfardo informate, vije deri te ndarja e tyre definitive. Vezirja, duke menduar se Ademi, ndoshta mund të jetë vrarë diku në malet e Kosovës ose duke kaluar kufirin, kurse Ademi duke mos ditur se ç’do të ketë ndodhur me bashkëshortën e tij 23 vjeçare, humbin çdo shpresë për ndonjë ribashkim, ndërsa jeta po kalonte. Prandaj, pas një kohe që të dy martohen. Ademi me një gjermane, e cila ia lindë një djalë dhe një vajzë, kurse Vezirja me një shqiptar, i cili i kishte ndihmuar që të lirohet nga burgu dhe përndjekjet në Shqipëri. Edhe Vezirës në bashkëshortësinë e re i kishin lindur 3 djemë dhe 1 vajzë. Ish bashkëshortët ishin takuar përsëri gati pas gjysmë shekulli, kur pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, Ademi kishte ardhur në Tiranë, ku ishin rrëfyer, i kishin treguar peripecitë e veta dhe kishin hasur në mirëkuptim reciprok. Aty Ademi, për herë të dytë e kishte parë të birin Bardhylin, tani burrë, i cili bashkë me të dy prindërit kishte kërkuar nga një gjykatë e Tiranës, që ta ndërrojë mbiemrin “Muezini” me mbiemrin e vërtetë “Selimi”.Në vitin 1998, kur në emër të Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës, me kryetarin Mehmet Gjevori, e vizituam Shqipërinë, në Tiranë për herë të parë e takova zonjën Vezire dhe ia dhurova librin “Emra që nuk harrohen…”. Ajo më falënderoi përzemërsisht dhe përsëri ma tregoi tërë historinë e saj të hidhur. Ajo më foli me respekt edhe për ishbashkëshortin e saj, Adem Gllavicën dhe m’i dorëzoi katër letra që ky ia kishte shkruar me dorë të vet nga Perthi, kryeqyteti i Australisë Perëndimore. Në to flitej edhe për luftën e rezistencën shqiptare, jetën në kampet e refugjatëve dhe përjetimet tjera gjatë kohës sa kishin jetuar të ndarë, por prapë kishin mbetur miqë dhe dashamirë të respektuar.
Gjatë qëndrimit tim këtu në Londër, më ra në dorë një intervistë e Adem Gllavicës dhënë Shpend Osmanit në qytetin Perth të Australisë në vitin 1998. Në hyrje të kësaj intervisteje thuhet se z.Gllavica është në gjendje shumë të ligë shëndetësore (ka lindur më 1916), por kishte deklaruar se “nuk do të vdesë pa e pa Kosovën të lirë”. Mjerisht, ai këtë dëshirë të ëndërruar nuk e arriti, pasi që para pak kohësh vdiq në dhe të huaj, por, siç jam informuar, paska lënë amanet që eshtrat ose hirin t’ia bartin në Kosovë. Do t’ë ishte shumë njerzore, që ky amanet t’i plotësohet. Por, shtrohet pyetja: Kush duhet ta realizojë këtë? Djemtë (njëri në Tiranë, e tjetri në Australi), bashkëluftëtarët e tij (që më nuk janë gjallë), apo populli shqiptar i Kosovës për lirinë e të cilit luftoi dhe vuajti aq shumë Adem Gllavica?
Në këtë intervistë A.Gllavica, pasi përmend bashkëpunimin që kishte pasur me Vasil Andonin (sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar), Abdyl Hencin, Luan Gashin, prof. Ibrahim Kelmendin, Selim Maqastenën dhe luftën e Shaban Polluzhës e të Mulla Idrizit, theks të veçantë i jep konfliktit me Shefqet Peçin, komandantin e Brigadës V Sulmuese të Shqipërisë, e cila në bazë të “miqësisë internacionaliste” kishte ardhur për të luftuar për çlirimin e “popujve vëllezër jugosllavë”, por ua kishte kthyer pushkën edhe luftëtarëve të lirisë që luftonin kundër forcave çetniko-partizane.”Ne dëshironim liri, pavarësi dhe bashkimin e tokave shqiptare – thotë Gllavica, kurse ata të Shqipërisë sikur nuk kishin sens patriotik. Ata ishin nën ndikimin e plotë të komunistëve jugosllavë. Në vend që të na ndihmonin, ata edhe na sulmuan …Shqipëria nuk përkrahu luftën tonë për liri dhe bashkim…Çdo të keqe që ka pasur lëvizja jonë dhe Kosova, ka ardhur nga Shefqet Peçi! Për bashkimin me Shqipërinë ai as që donte të dëgjonte. Mbizotëroi përkrahja ideologjike në vend të asaj strategjike kombëtare. Luftuam në dy fronte: edhe kundër komunistëve edhe shqiptarëve, të cilët na i kthyen tytat e pushkëve…Kur u takuam në katundin Cërnillë (afër Ferizajit), Shefqet Peçi na tha se këto që jeni ju duke thënë për bashkimin e tokave shqiptare janë pallavra e asgjë tjetër. Ju duhet bashkangjitur arradhave komuniste të Shqipërisë, ngase shpëtim tjetër nuk keni – na thoshte Shefqet Peçi. Ne e bënim luftën për bashkim me Shqipërinë, ndërsa ai na thoshte që duhet t’i bashkohemi komunizmit! Fatëkeqësisht, Shqipëri në atë kohë nuk kishte. Ne mbetëm, siç thuhet, si kojrilat në mjegull…Pa bashkim dhe veprim të koordinuar, kurrë nuk do të lirohen tokat tona. Qyshdoqoftë, shpresoj dhe lutem që kjo gjeneratë të mos përsëritë gabimet që gjenerata jonë i bëri. Ne mbetëm të ndarë në të katër anët e botës, pa atdhe me sy qe njëqind vjetë…Liria nuk falet, ajo fitohet. Edhe Kosova do ta fitojë lirinë.” – e përfundon Adem Gllavica intervistën e vet nga Australia e largët, pak kohë para vdekjes.Se Shefqet Peçi, vërtetë paskesh qenë tamam i atillë sikurse e ka përshkruar Adem Gllavica u binda edhe vetë, duke lexuar librin e tij “Ngjarje të ditëve të vështira”, Tiranë 1989, në të cilin Peçi paraqet edhe disa episoda nga koha e qëndrimit të tij në Kosovë me Brigadën e V Sulmuese. Kështu kur në tetor 1944 në fshatin Shishtavec një plak e pyet Shefqet Peçin pse ushtria shqiptare shkon për të luftuar në tokën e Jugosllavisë, kur ajo s’ka nevojë pasi është më e madhe se Shqipëria, Shefqeti i përgjigjet se “…Në këtë luftë ne do të vëllazrohemi në mënyrë internacionaliste me popujt e Jugosllavisë e të gjithë shteteve të Ballkanit – Mos ma merr për keq – i thotë plaku, por këta fqinjët e kanë me të drejtë këtë vëllazërim si e kemi ne?” (fq.219)
Në shënimin tjetër me titull “Një takim me mercenarët”, Peçi përshkruan se si afër Prizrenit nga fundi i vitit 1944, tre – katër oficerë shqiptarë, në krye me nënkolonel Fuad Dibrën, kishin kërkuar takim me Shtabin e Brigadës V Sulmuese për t’u marrë vesh me ta në emër të 400-500 forcave ushtarake dhe civile, në mesin e të cilëve ishin 58 oficerë shqiptarë. “Natyrisht i pritëm me përbuzje pa u dhënë as dorën” – shkruan Shefqet Peçi e mandej u drejtohet:
– Nuk keni turp, kërkoni marrëveshje tani në prakun e kapitullimit të Gjermanisë naziste! Nuk e shikoni që Prizreni është i rrethuar nga forcat tona. Apo ju dërguan gjermanët këtu?…Mos flisni për marrëveshje në një kohë kur ne ju kemi rrethuar si miun në çark!” Më poshtë, përshkruan se si pas hyrjes në Prizren i tubojnë këta “zotërinjë” i çarmatosin dhe vendosin “t’i qerojnë të gjithë”, por ndërkohë marrin telegram nga “Shoku Enver” që t’i nisin për Tiranë për t’i gjykuar si tradhëtarë para gjyqit të popullit. E ndalin vetëm Sitki Shkupin, ish kryetar gjyqi në Prishtinë dhe e pushkatojnë me vendimin e gjyqit të brigadës në Prizren.(f.223-225)
Shembuj të këtillë kur njerëzit dënoheshin me vendimet e gjyqeve të brigadës e të batalionave kishte mjaft. Mirëpo, në këtë libër hasëm edhe në një “xhevahir” tjetër nga i cili shihet se si e çmuan dhe e vlerësuan këtë ndihmë e sakrificë të partizanëve shqiptarë “vëllezërit jugosllavë”.Peçi thotë se forcat e rregullta të Brigadës V në Prizren, pas luftimeve hapën depo e magazina me municion e pajime të tjera. Në to gjetën edhe 1000 palë uniforma të reja ushtarake bullgare. “Meqë forcat tona ishin të zhveshura e të zbathura, Shtabi i Brigadës dha urdhër që ato të visheshin” – shkruan Peçi. Mirëpo, autoritetet jugosllave, kur e morën vesh u revoltuan dhe menjëherë protestuan në mënyrë të pahijshme. Dhe këtë e bënin ndaj shokëve që u kishin shkuar në ndihmë për të luftuar armikun e përbashkët hitlerian. Kjo sjellje – vazhdon Peçi, doemos na zemëroi…Veç nuk deshëm që këto mosmarreveshje t’i marrin vesh shtabet e batalioneve, as të mos hapeshin midis partizanëve, sepse helmohej atmosfera e miqësisë internacionaliste… Këtë qëndrim të tyre partizanët tanë e peshonin me kandarin e Partisë sonë, e shikonin me syrin e miqësisë internacionaliste midis popujve tanë dhe ushtrive tona” – përfundon Shefqet Peçi.
Si duket dyshimet e plakut të Shishtavecit dhe vërejtjet kritike të Adem Gllavicës, dolën më të sakta dhe më largpamëse sesa parashikimet “internacionaliste” të Shefqet Peçit dhe të partisë së tij “marksiste – leniniste”.
LETRAT E ADEM GLLAVICËS DËRGUAR NGA MËRGIMI, ISH BASHKËSHORTES SË TIJ, VETERANËS SË ARSIMIT – VEZIRE GJERAKUT
Munchen, 23.9.1989
Vezi e dashun,
Sot u ktheva prej Austrije, ku kalova dhjetë ditë të bukura e të qeta, me plot shetitje nëpër male e pyje, dhe gjeta dy letrat tua të dashuna (25. 8. e 8. 9). Që e keni festuar ditëlindjen e Lulit tonë të dashun në një atmosferë familiare, u kënaqa dhe u mallëngjeva shumë.
Ish(te) 25 gushti dhe ndodheshim në katundin Vërbicë. Ishim atë natë për darkë të mixha Brahim, nji veteran patriot i shquar, dhe ndigjumë ca krisje pushke. U ngritëm nga sofra dhe rrokëm armët. Mixha Brahim na tha: “Uluni, ju lutem, se katundi po shtjen pushkë, si haber i mirë, se Adem Gllavicës i ka lindun nji djalë”. Përnjëherë na tre: Unë, Beqa, Haxhia, u ngritëm, morëm rrugën e Gllavicës, ku mrrimë dikur mbas mesnatës. Bebeja ishte në odën e Haxhisë, hala me sy myllë, e kjo ishte hera e parë dhe e fundit, që e kam pa Lulin.
Ke plot të drejtë. Unë ma nuk do të përpiqem me u takue me askend. Në qoftë se i ep qeveria leje me ardhë, mirë o zot. Por, në qoftë se jo, unë nuk sekelldisem ma, se me kohë të gjitha punët do të rregullohen, si a ma mirë. Kush ka thanë dhe ka mendue, se unë, nji ditë, do të jam në gjendje me korrespondue me Vezin tim të dashun lirisht? Pra, kjo u realizue dhe unë do të jem i lumtun që kjo gja do të vazhdojë sot e tutje, gjithnji deri në vdekje. Unë Ty kurrë s’kam për të harrue, se çfarë sakrifice ke ba ti, jane vetëm nanat shqiptare që e bëjnë këtë. Aj dhëndri im në Izmir (unë nuk e njof, por jam në korrespondencë të rregullt me te), i kish pas folë Bahrijes keq për ty, dhe ai kish qenë i bindun se Ti nuk ke qenë nji vajzë patriotike. (Bahrija hala nuk ja ka falë atë vërejtje të tij). Ky tash, me që unë ja kam shpjegue çështjen, i ka ra pishman, por Bahrija nuk llafos me të, edhe pse janë fqinj. Ky tash, Ty të çon në qiell, por unë nuk i kam kallxue, as që i kallxoj kurrë, se jam në lidhje me Ty e me Lulin. Për lidhjen tonë dijnë vetëm edhe Beqa e Selimi, por jo gratë e tyne, dhe kështu do të jetë puna edhe më tutje… “Ma mirë hiç, se gjithnji kiç”
M’i dërgo masat e bluxhinsit për djemtë. Këpucat dhe ca plaçka të tjera, ja kam nisë me 11. 9. Posa të m’i dërgoni masat për xhins, i nisi përnjiherë. Viollca po më shkruan edhe për paratë që ua dërgova. Ato nuk i paska marrë dhe mund të bëhen edhe dy-tre muaj deri sa t’i marrë. Allahu na ruejt prej gazepit. Për mua hiç mos u bën marak, se prova e jetës më ka mësue se si me i përballua të këqijat e telashet.
Puthje e përqafime me mall,
Demushi yt për jetë
Australi, 18. 12. 1989
Vezi e dashun,
Sot po të shkruaj qi edhe njiherë me ta urue Motin e Ri, qoftë me kambë të mbarë, me plot shëndet, dashuri e lumtuni! Dashtë Perendia motin tjetër në Kosovë, mu aty ku e bëmë dasmën tonë, aq të bukur e me aq shumë krushq. Major Rexhep Gjilani, na e la në dispozicion tonin veturën e tij ushtarake (sigurisht do ta kenë vra të shkretin, ashtu siç i vrajtën kolonel Fuad Dibrën me oficerët e tij).
Unë jam me shëndet shumë mirë, e këto tri javë ndodhem vetëm në shtëpi. Betty është ke Nina në Mildura. Po mendoj: “Sikur të kishe krahë me fluturue, e me ardhë te Demushi yt, që kurrë s’ të ka harrue”. Gjithnjë mendjen e ka pasë ke ty, se për mua humbe edhe Ti rininë tënde. Shpeshherë mendojsha – kur ndodhesha në Greqi, nën kondita shumë të këqija: “Sebep meje, humbe edhe Ti jetën”. Por, e ngushëlloja veten, se vendimin qi e mora në vitin 1943, për të luftue për bashkimin me Shqipni, mbasi parija e Prishtinës erdhi në farmën shtetërore, aty ku banojshim, dhe më kërkuan që unë ta marr kryesinë e Komitetit Shqiptar-kosovar, për mbrojtjen e Kosovës, e për bashkimin e saj me nonën Shqipni; unë, për ta pranue nji gja të tillë u këshillova edhe me Ty, dhe Ti, si grue fisnike e patriotike që ishe, më the: “Prano, se çdo shqiptarë e ka për detyrë me liftue për mbrojtjen e Atdheut”. Pra, ky inkurajim qi ma dhe, më ka mbajtë gjallë, jo vetëm dy vjet e gjysmë, tue liftue nëpër fushat e malet e Kosovës (Mitrovicë, Shkup, Preshevë, Pejë), në borë e në shi, hangër e pa hangër, por inkurajimi që ma dhe, më ka mbajt gjallë, dhe më mban edhe sot. Ti përpiqu e ruaje shëndetin tënd, se mirëqenja jote, është jeta ime.
Këtu po ta dërgoj një foto të tashme, qi ta kesh për kujtim. Ato fotot e bukura tua, qi i kam mbajtë në kuletë për 45 vjet, më humben, m’i vodhën. M’i vodhën edhe paratë. Por, mbasi hajduti u kap, paratë m’u kthyen dhe teshat m’u paguan, por fotot humbën.
Puthje e përqafime me mallë gjithnji,
Demushi yt.
Përqafimet e mia Viollcës, Lulit, Gentit, Indridit, si edhe Nazit e Jetës.
Ademi
Perth, më 23.V.1990
Vezi e dashur,
Të falem shumë nderit për letrën tënde të fundit, së bashku me atë të Lulit (28 maj – gabim, 28 prill duhet të jetë). Këto tri letra janë vonue, se është shënue adresa gabim – të tregon Luli pse ka qenë gabim – por, ma në fund i mora. Që je mirë – u kënaqa shumë. Edhe unë jam fare mirë. Nailen e kam parë. Fluturoj me 2 qershor në orën 2 e 45, mbas dreke me avionin australian “Qantas” dhe me 3 qershor në orën 10 e 45 para dreke, jam në Munchen. Mora lajmin e gëzueshëm se Luli e paska marrë pasaportin, e tash duhet t’i merr vizat, si atë të Italisë, ashtu edhe atë të Gjermanisë. Është mirë ta merr edhe vizën e Austrisë, se mund të bëjmë edhe atje nji shetitje të shkurtë. Tash që u hapën dyert, nuk është çudi që edhe Ti të mund të dalish jashtë e të shifemi e të çmallemi. Nejse, tash njiherë po e shof Lulin – frutin tonë të përbashkët. Jam krenar që të kam pasë bashkëshorte e që e ke rritë dhe shkollua Lulin nëpërmjet vuajtjeve që ke kalue në Kosovë. Ti ishe në burg në Ferizaj, e unë ndodhesha në bjeshkën e Jezercit, e i shkruajta nji letër Hivzi Sulejmanit.e Ali Shukriut Që m’u përgjegjën që të kem pak durim, se do të lirohesh. Për lirimin tënd mësova në Greqi ( Hivziu dhe Aliu ishin ishë shokë të shkollës, e kishin pozita të nalta në Kosovë). Nga friga që mos po të burgosin prapë, të shkrova që të shkojsh në Shqipni. Hala nuk e dij a bana mirë, apo keq, por unë Ty të humba. Tash fëmijtë i ke të rritur, e kam shpresë edhe ekonomikisht je mirë. Të kesh kujdes vetëm për shëndetin tënd, e asgjë tjetër. Dridhja e tokës (termeti) që paskeni pasë, më frigoi shumë, por shyqyr Perëndisë që s’ paskeni pasë ndonji dëm.
Vezi e dashun, mbetsh me shëndet e mirë u pafshim. Puthje e përqafime me mall,
Gjithnji Ademi yt
Munchen, 1. 8. 1991
Vezi e dashun,
E mora letrën tënde (5. 6.), por nuk e kuptoj pse kjo vonesë prej dy muajsh. Siç shifet, ca letra tuat, si edhe të mijat, kanë humbë fare, si ajo, për shembëll, letra që ta dërgovame 20 dollarë mbrenda, për ditëlindjen, atë që s’ e kishe marrë fare. Përpara e dij se i mbante cenzura në Tiranë. Tash besoj s’ka ma cenzurë, por letrat prap po vonohen.
Po e shof se vdekja e Hajros të ka pikëllue. Edhe unë jam deshrprue shumë, se katër vllezër vdiqën mrena dy vjetësh. Familja Bytyqi, siç duket paska qenë e mallkume. Unë kam ardhë në kontakt me të me korrespo-ndencë para tre vjetësh, kur i vdiq vjehrri – Zeqa, e kështu nëpërmjet korres-pondencës e njof. Ai me tregoi se është nxën (zon) me Bahrijen për shkak tend, se i ka thanë Bahrijes si Vezirja u martue me nji komunist në Tiranë. Ma para ke zanë me Zeqën, po përt këtë gjë, por Zeqa nuk i ka dhënë asnji përgjegje. Bile, dy vjet nuk kanë folë njeni me tjetrin. Ma hapi edhe mue po këtë muhabet, dhe unë ja shpjegova çështhjen se si ka ndodhë. I thash se Vezirja ka qenë në mal me mue, prandaj nuk mund të jetë komuniste. Atëherë ky e kuptoi të vërtetën, e u përpoq që të përmirësohet (mdreqet) me Bahrijen. Por, çka di unë, Bahrija është nji grue mjaft nakse, e s’ e ka përfill fare. Nejse, kjo gjë është e shkume, “E i vdekuni me të vdekunin, e i gjalli me të gjallin”, e thonë nji i fhjalë.
Ti si je vetë me shëndet, e si po kalon me vapë? Djemtë, mësova prej Lulit, qenkan stabilizue mirë në Greqi, e paskan tërjekë edhe familjen, e Ti paske mbetë vetëm me Ilirianën, gjë që të qetëson, se me të vërtetë ke pasë nji gajle mjaft të madhe. Edhe Luli u merzitke shumë për këtë gjë, por tash siç po e shof, është qetësue. Unë vetë jam deri diku mirë, por kam probleme, përveç me tensionin e gjakut, edhe me veshë e dhambë. Mund bëhet që dhimbja e veshit ka lidhje me tensionin e gjakut. Tash jam në pritje e sipër për ardhjen e Viollcës e Gentit, i cili kish marue maturën me shkëlqim. I lumtë!.
Përqafime me mall,
Ademi
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…