<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>

Çfarë u tha Sami Frashëri, grekëve të “Megali ideas”!

Ali Tepelena dhe grekët
Çfarë u tha Sami Frashëri, grekëve të “Megali ideas”!
Samiut iu desh të përballej fuqishëm me armën që kishte në dorë gazetën “Terxhuman- i Shark” kundër gazetës greke “Neologos”, që dilte në Stamboll dhe që ishte hedhur haptas kundër shqiptarëve.
Grekët në gazetën e tyre “Neologos” përçmojnë figurën e Ali Tepelenës. Por Samiu nuk duron dot në njollosjen e një njeriu të tillë që i dha shumë Greqisë, i dha shembullin se si mund të shkëputej ajo nga Turqia, dha një kontribut konkret e të çmuar në Revolucionin grek. “Mençuria, zgjuarsia, trimëria, aftësia politike dhe shpirtmadhësia e Ali Tepelenës (Samiu nuk e përdor asnjëherë fjalën Pashë) kanë habitur Evropën, thotë Samiu. Kryerja e disa veprave pak mizore që i imponoheshin nga koha e atëhershme, nuk mund të shlyejë gjithë ato merita të tij dhe nuk ka si të njollosë një komb. A nuk ka pasur në periudhat më të qytetëruara të Greqisë së Vjetër e të Romës sundimtarë e komandantë, të cilët brenda një ore patën kryer aq akte dhune e barbarie sa bëri Tepelenasi gjatë tërë jetës së vet”.
Më tej, ai vazhdon se grekët duhet ta përmendin me respekt e nderim të madh emrin e Tepelenasit se ideja e shtetit të pavarur në pjesën jugperëndimore të Evropës Osmane për të parën herë i lindi në mendjen e Tepelenasit.
Gjysma e Iliadës dhe Odisesë është e shkruar në “shqip” nga Omeri, shkruan Samiu dhe shton se Idhujt grekë mbajnë emra “shqiptarë” (pellazgë). Jo me patetizëm, por urtë e qetë ai u tregon grekëve se burrat e dheut shqiptar, Aleksandri i Madh, Pirroja, Aristoteli, Ali Tepelena dhe familje të tjera të shquara, që kanë drejtuar perandoritë, me historitë e tyre kanë lënë gjurmë të tilla, që grekët s’mund t’i fshijnë dot me gënjeshtra të trasha.
Terxhuman-i Shark” kundër “Neologos”
Në kohën kur vepronte Samiu, pra në çerekun e fundit të shek. XIX, fuqitë e mëdha bënin plane për ndarjen e sferave të ndikimit. Ndërkaq, shtetet e reja ballkanike bënin plane për zgjerimin e tyre, duke mohuar ekzistencën dhe në kurriz të kombit shqiptar. Fatkeqësisht, një qëndrim të tillë mbante edhe Porta e Lartë. Duke parë qëndrimet e fuqive të mëdha dhe të Portës së Lartë, serbëve dhe grekëve iu hapën orekse të mëdha për të gllabëruar tokat shqiptare. Në këtë kohë, Samiut iu desh të përballej fuqishëm me armën që kishte në dorë gazetën “Terxhuman- i Shark” kundër gazetës greke “Neologos”, që dilte në Stamboll dhe që ishte hedhur haptas kundër shqiptarëve.
Mos u lodhni të nxirrni të vërtetën, u drejtohet ai aspirantëve të Megalo Idesë, (Idesë së Madhe), se e vërteta është në shesh. Ata që kanë lexuar, qoftë edhe një herë veprat që kanë shkruar historianët, gjeografët e udhëpërshkruesit e lashtë dhe ata të sotmit, e dinë të vërtetën, shkruan Samiu, dhe u përmend redaktorëve të “Neologosit” se duhet të kishin mësuar më mirë në shkollë hollësitë e betejave të Salaminës e të Maratonës për të mos nxjerrë në shesh injorancën e tyre.
Burra dhe jo barbarë
Në sulmet e gazetës greke vihet re një gjuhë e vrazhdë, një ndjenjë e hapur armiqësore dhe fyese, ndërsa përgjigjet e Samiut janë të matura, të thella, të argumentuara dhe me shembuj konkretë. Kështu, pretendimit grek se në Vorio Epir s’jetojnë më shumë se 220 mijë shqiptarë, myslimanë “përbindësha të tmerrshëm”, “turma barbare të gegëve”, siç i quan autori, Samiu i përgjigjet se ky vend i “përbindëshave të tmerrshëm” quhet Shqipëri, që famën e ka fituar që kur ka qenë pagane, një Shqipëri që e njeh historia dhe që s’ka asnjë njeri ta ketë turpëruar përpara njerëzimit.
Samiu rendit burrat më të shquar që ka nxjerrë Shqipëria duke përmendur Aleksandrin e Madh, Aristotelin, që ka lindur në Maqedoni, Sinan Pashën nga Luma (1520-1596) pesë herë vezir (kryeministër), komandant i shquar ushtarak, që mori epitetin “Pushtues i Jemenit”; Qyprilinjtë që i dhanë Perandorisë Osmane pesë kryeministra në vitet 1656-1710; Mehmet Ali Pashën, shqiptar nga Kavalla, mëkëmbës i Egjiptit (1804-1849); Ali Tepelenën ,etj.
…Shqiptarët, me zakone kalorësish
Në strategjinë greke për Vorio Epirin ishte injorimi dhe përçmimi i popullsisë shqiptare, veçanërisht asaj gege që, sipas grekëve, vrasin e presin pa dallim pleq e fëmijë. Samiu në gazetën “Texhumani shark” në vijim të polemikës jep këtë përgjigje; “Shqiptarët, jo vetëm që nuk kanë therur gra e fëmijë, por as armiqtë nuk i vrisnin kur i gjenin të paarmatosur. Këto sjellje e zakone të shqiptarëve, që i kanë patur vetëm kalorësit, dihen nga tërë bota. Prandaj këto shpifje nuk mund të ndikojnë te askush”.
Më tej Samiu thotë se nuk do të merremi me sofizma të stolisura, me fyerje e sharje që janë në kundërshtim me artin e polemikës dhe me etikën. Dhe si kalorës fjale, veç argumenteve e analizave për çdo gjë, kur e do puna ai harbutit i përgjigjet harbutçe, kur shkruan: “E sigurojmë “Neologos”-in se shqiptarët poshtërime të atilla nuk i pranojnë. Të paktën mund të hakmerren me një të pështyrë në fytyrë të atij që ka shkruar kundër tyre, në se ky veprim për të mund të konsiderohet poshtërim”.
Shqetësimi i Portës së Lartë
Polemika me gazetën greke ka vazhduar gjatë, aq sa ka ndërhyrë edhe Drejtoria e Lartë e Shtypit e Portës së Lartë për ta ndërprerë. Dhe Samiu ka qenë dakord, por meqenëse “pronarët e letrave greke”, siç i quan ai autorët e “Neologos”-it, kërkojnë argumente shkencore dhe të provohet se Aleksandri i Maqedonisë, Aristoteli, Pirroja kanë qenë gjak shqiptar dhe se krahina e quajtur Epir, ka qenë e Shqipërisë, që nga koha e vjetër, Samiu thotë se jemi të gatshëm që me fakte që pranohen sheshit dhe me thëniet e dijetarëve më të shquar të Greqisë së Vjetër dhe të Evropës, të cilat vlerësohen si dokumente, ta bëjmë një gjë të tillë.
Pyesni bostanxhinjtë
Në një artikujt e tij të shumtë, Samiu është i detyruar të nxjerrë nga statistikat zyrtare të dhënat për popullsinë e sanxhakut të Prevezës, qytetit të Janinës etj, pasi zëdhënësit e Megalo Idesë nxirrnin se vetëm një e treta e popullsisë janë myslimanë dhe flasin shqip, të tjerët janë grekë. Por të dhënat numerike dhe harta që ka përpiluar Samiu është e saktë dhe e pakundërshtueshme.
“Po të kishte pyetur “Neologosi”, qoftë edhe një nga ata që shesin perime do të kishte mësuar se myslimanët e Epirit nuk e flasin greqishten”, thotë Samiu. Dhe vazhdon: “A mund të pranohet të thuhet se në sanxhakun e Beratit dy të treta flasin shqip dhe një e treta flet greqisht?” Le të na tregojë “Neologosi” një fshat, një shtëpi, një njeri që flet greqisht, në këto anë, me përjashtim të në fshati muhaxhirësh prej 25 shtëpish, që quhet Fajo Arta (Narta e Vlorës)” pas këtyre pasazheve nuk është vështirë të kuptosh përpjekjet e penëmprehtit Sami për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe nxitjen e masave popullore, që ato të bëhen zot të tokave shqiptare.
Avokat i shqiptarëve
Me gjithë urdhrin e Portës së Lartë për ndërprerjen e polemikës së ashpër të gazetës së Sami Frashërit “Terxhumani – Shark” dhe gazetës greke “Neologos”, kjo polemikë vazhdoi. Grekët si gjithnjë, me sharje e fyerje, nga ana tjetër Samiu me përgjigje dinjitoze, shkencore, të matura e të thella. Ai triumfon deri në atë masë sa edhe kundërshtarët e pranojnë humbjen.
Ja si shkruan Samiu: “Neologosit mua më quajnë “avokat të kërkesave të shqiptarëve”. Po të kuptoja interesat e shqiptarëve ndaras nga interesat e përgjithshme osmane, këtë atribut do ta pranoja. Mirëpo me interesat e shqiptarëve përfshihen edhe interesat e të nënshtruarave të perandorisë. Nëse konsiderohem mbartës i fuqishëm të jem avokat i interesave të veçanta të atdheut tim amë, i cili është një pjesë nga interesat e përgjithshme të të nënshtruarve, këtë atribut e pranoj me krenari, përgjigjet Samiu, në një nga replikat e tij të vazhdueshme në qarqet e caktuara greke. /Kalendari Enciklopedik Shqipëtar

postbck postbck

Recent Posts

Studim/Pse të sëmurët me skizofreni dëgjojnë zëra?

    Një studim australian ka dhënë prova të reja mbi arsyen pse njerëzit me…

19 minutes ago

Studim/Vajzat autike diagnostikohen më vonë!

  Sipas një studimi, femrat mund të jenë po aq të prirura për të qenë…

3 hours ago

Mehmet Gradica, një patriot i rrallë, komando i pathyeshëm i xhandarmërisë shqiptare

MEHMET GRADICA (1913-1945) Mehmet Gradica u lind më 1913 në Gradicë të Drenicës, në një…

22 hours ago

Eliminimi i opozitës dhe rruga e Zogut drejt Presidencës së parë!

Nga: Romeo Gurakuqi Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për…

23 hours ago

Dorëshkrim i rrallë i Esat Pashë Toptanit, letër drejtuar parisë së Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë

Bajraktari i Bushkashit e Krenët Sod po ju baj me dit me anët Kësaj letrës…

24 hours ago

Shqiptarët në holok’aust para heb’renjve

Isuf B.Bajrami Golgotha Shqiptare Leo Freundlich, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga…

24 hours ago