<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>

A është kjo shpella me e thellë në botë?

Me një rekord prej 2.212 metrash, shpella Verjovkina është më e thella në botë e zbuluar deri më sot. Ajo ndodhet në Masivin malor Arabika në Abkhazi, një rajon i shkëputur i Gjeorgjisë që mbështetet nga Rusia.

Pavarësisht gjeopolitikës së tij të ndërlikuar, rajoni është shtëpia e jo një por 4 nga shpellat më të thella në Tokë. Verjovkina u zbulua për herë të parë në vitin 1968 nga speleologët sovjetikë, të cilët eksploruan vetëm një segment prej 115 metrash të thellë, dhe nuk mundën të kuptonin shkallën e vërtetë të këtij sistemi shpellor gjigant.

Ndërkohë në vitin 1983, një ekspeditë e udhëhequr nga Oleg Parfenov hyri në një pus që i çoi studiuesit në një degë të re të shpellës, ku ata regjistruan një thellësi prej 440 metrash. Vetëm shumë kohë më vonë, në fillim të viteve 2000, në Verjovkina u organizuan ekspedita të reja nga organizatat “Perovo Speleo” dhe “Speleoclub Perovo” me qendër në Moskë.

Puna ishte shumë e vështirë dhe plot të papritura. Sa më thellë shkonin studiuesit, aq më shumë iu desh që të nxirrnin në sipërfaqe materialin e gërmuar, dhe aq më i madh ishte rreziku vdekjeprurës i shembjeve. Pas disa ekspeditash të vogla, studiuesit arritën më në fund të depërtonin në seksione të reja në një thellësi mbi 1.000 metra.

Ajo arritje i frymëzoi speleologët rusë të vazhdonin të eksploronin, duke ndërmarrë ekspedita çdo 2-3 muaj, derisa arritën në vitin 2017 në thellësinë më të madhe në botë për një sistem shpellor. Duke përdorur një sërë kampesh të ngritura gjatë rrugës, anëtarëve të ekspeditës iu deshën më shumë se 4 ditë për të arritur në pikën fundore të shpellës, në thellësinë 2.212 metra.

Ndërkohë iu desh përafërsisht e njëjta kohë për të dalë prej andej. Kështu studiuesit rusë kaluan të paktën një javë brenda shpellës, që është një kohë shumë e gjatë për një mjedis kaq ekstrem. Për shkak të natës së pafundme, ekspertët ndryshuan shumë bioritmet e tyre, duke punuar natën dhe duke fjetur ditën.

Fatmirësisht, linjat e komunikimit i dhanë mundësi të ruanin kontaktet me botë jashtë, dhe dhe të ndanin informacione të përditshme rreth përparimit të punës së tyre. Atyre iu desh të zbrisnin mijëra metra me litarë, dhe të zvarriteshin nëpër zgavra të ngushta të përmbytura nga uji dhe balta.

Shpella zbret pothuajse vertikalisht nën tokë, dhe është plot me puse me kalime të vogla horizontale. Duke filluar nga thellësia 800 metra, uji që rrjedh nëpër degë të vogla bashkohet me ujin nëpër rrugëkalimet e ngushta. Kjo e bën shpellën jashtëzakonisht të lagësht. Lagështia është në fakt 100 për qind, dhe me temperaturën që varion nga 4 deri në 7 °C,

kjo nënkupton se kushdo që zbret atje i pa përgatitur do të ngrijë rrugës. Gjatë rrugëtimit të tyre, studiuesit mblodhën mostra të karkalecave dhe akrepave të rrallë, dhe disa lloje të reja mikroorganizmash.

Aty ka edhe fosile kryesisht të ngulitura në shkëmbinj, që ofrojnë të dhëna se si mund të dukeshin organizmat e shpellës miliona vjet më parë, se si u krijua vetë shpella dhe malet përreth. Pavel Demidov, kreu i ekspeditës që e vendosi këtë rekord, ishte një nga të parët që arriti në fund.

Ai e përshkroi Verjovkinën si “të shihje anën e pasme të Hënës”, duke iu referuar mjedisit shumë të panjohur të të shpellës. Demidov ndërroi jetë më 23 gusht 2020, në Abkhazi teksa zbriste në një shpellë të pa eksploruar në vargmalin Arabika, jo shumë larg Verjovkinës.

49-vjeçar gjeti vdekjen nga një shembje masive gurrësh në thellësinë 305 metra. Vdekja tragjike e Demidov, tregon se me sa shumë rreziqe përballen speleologët në ekspeditat e tyre. Në vitin 2018, ekipi i Demidov, ku bënte pjesë Petër Ljubimov, Konstantin Zverev, Andrej Shuvalov, Evgenij Ribka dhe Andrej Ziznikov, si dhe fotografët e “National Geographic” Robi Shon dhe Xhef Ueid, mezi dolën të gjallë pasi shpella u përmbyt.

Shirat e dendur mund të sjellin grumbullimin e ujit nëpër xhepat e shpellës, që pastaj për shkak të vëllimit mund të vërshojnë papritur. Pavarësisht kushteve ekstreme, studiuesit vazhdojnë të eksplorojnë Verjovkinën dhe shpella të tjera të ngjashme në Arabika për projekte të ndryshme paleontologjike, biologjike dhe mikrobiologjike. Kështu studiuesit mendojnë se disa organizma që jetojnë në këtë shpellë, mund të jenë të dobishme për zhvillimin e antibiotikëve.

postbck postbck

Recent Posts

Sëmundja e Parkinsonit: Këto janë shenjat e hershme që shfaqen deri në 10 vjet para diagnozës

    Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje neurodegjenerative e shkaktuar nga vdekja progresive e…

19 hours ago

Sa të dëmshëm janë detergjentët me aromë?

    Detergjentët e aromatizuar, përfshirë edhe produktet që tregtohen si “natyrale” dhe përmbajnë vajra…

20 hours ago

Mos i shtrydhni puçrrat, ja çfarë mund t’i shkaktoni fytyrës

    Pastrimi i papastërtive dhe puçrrave nga fytyra nuk këshillohet të bëhet me gishta,…

21 hours ago

Shumë njerëz hanë speca çdo ditë, pak e dinë se si ndikojnë në organizëm

Speci është një nga perimet më të gjithanshme. Është i domosdoshëm në sallata, në skarë…

1 day ago

A është ushqimi djegës i shëndetshëm apo i dëmshëm për trupin?

    Kafshimi i parë është vetëm fillimi, me kafshimin e dytë fillon ndjesia e…

1 day ago

Pse vdiq kaq i ri Aleksandri i Madh?

    Kur Aleksandri i Madh vdiq në Babiloni në vitin 323 para Krishtit, sipas…

1 day ago