Nga Ingrid Spilde/“Science Norway”
Pleqëria. Kanceri. Një sëmundje e rrallë e sistemit nervor. Cilado qoftë arsyeja, fakti është aty: Një jetë është gati të mbarojë. Diku në ditët apo javët e ardhshme, vdekja do të jetë një fakt. Pikërisht gjatë kësaj periudhe mund të ndodhë diçka e veçantë.
Personi që është pranë vdekjes mund të zgjohet një mëngjes duke parë ëndrrën më të “gjallë” të mundshme, pra sikur të ishte e vërtetë. Tani sheh sikur takon nënën e tij apo të saj të vdekur prej kohësh, apo një mik të dashur që iu dorëzua sëmundjes disa vite më parë. Apo një fëmijë që vdiq shumë shpejt.
Në disa raste njeriu që po vdiste mund të mos kishte qenë në gjumë. Përkundrazi, vizionet e çuditshme iu shfaqën në mes të ditës, në mes të vizitës nga të dashurit e gjallë apo në momentin kur infermierja po kontrollonte gjendjen e tij. Pavarësisht nga rrethanat, ajo përvojë ishte më se e mundshme pozitive dhe domethënëse.
Takimi mund të ketë qenë për dashurinë, apo për një ndarje, pajtim apo falje për diçka që i kishte brejtur në ndërgjegje pacientin për një kohë të gjatë. Vizionet dhe ëndrrat që shihen afër fundit të jetës, janë raportuar si nga ata që vdiqën pak më vonë apo edhe të afërmit e tyre për shekuj me radhë.
Ata janë trashëguar nëpër kulturat popullore si thashetheme apo edhe rrëfime të gjata.
Por kohët e fundit ka ndodhur diçka e re. Këto lloj ëndrrash kanë hyrë në botën e shkencës. Kohët e fundit, kjo dukuri është dokumentuar në disa kultura të ndryshme. Për shembull, studiuesit nga Japonia zhvilluan një sondazh me të afërmit e pacientëve me kancer që kishin vdekur.
Mbi 20 për qind e anëtarëve të familjes e dinin se i ndjeri kishte përjetuar ëndrra ose vegime të veçanta përpara vdekjes. Një studim tek të afërmit e të vdekurve në Indi, tregoi se 30 për qind e tyre raportuan përvoja të tilla. Kjo shifër ishte gati40 për qind në një sondazh të kryer në Moldavi.
Një nga ekspertët që është marrë shumë me ëndrrat para vdekjes është Kristofer Kerr nga “Hospice & Palliative Care Buffalo” në SHBA. Kjo qendër është një vend për njerëzit që janë pranë vdekjes. Qëllimi i personelit shëndetësor që punon atje nuk është të shpëtojë jetë.
Ata qetësojnë, mbështesin dhe i ngushëllojnë pacientët në rrugën drejt fundit të jetës. Si një kardiolog i ri në profesion, Kerr aplikoi për një punë në fundjavë në “Hospice Buffalo”. Refleksi i tij ishte të luftonte vdekjen me çdo mjet të mundshëm. Por përvoja në këtë qendër ndryshoi pikëpamjen e mjekut të ri si për vdekjen, po ashtu edhe për vlerën e asaj që ndodh në një kohë kur është zhdukur vërtet çdo lloj shprese.
Kurioziteti i Kerrit mbi ëndrrat dhe vizionet para vdekjes, u nxit nga një ngjarje shumë e veçantë. Një nga pacientët e parë të Kerr në “Hospice Buffalo” ishte Meri 72-vjeçare. Një ditë mjeku i ri ishte i pranishëm në dhomën e saj, ndërsa familja ishte mbledhur për të kaluar disa minuta me gruan e sëmurë.
Befas Meri filloi të tundte një foshnjë të padukshme në krahët e saj, shkruan Kerr në librin e tij mbi këtë dukuri. Ajo e puthi dhe e përkëdheli foshnjën, të cilën e quante Deni, dhe dukej jashtëzakonisht paqësore dhe shumë e lumtur. Të pranishmit nuk kuptuan asgjë.
A ishte ky një halucinacion? Një reagim ndaj ilaçeve? Askush nuk njihte ndonjë fëmijë të quajtur Deni.Kur të nesërmen mbërriti në qendër motra e Merit, misteri u zgjidh. Ajo tregoi se Deni ishte emri i një fëmije të vdekur që Meri kishte pasur përpara se të lindnin fëmijët e tjerë të saj.
Ajo ishte shumë e trazuar nga kjo ngjarje, por nuk i tregoi asnjëherë familjes së saj për atë ngjarje tragjike. Por Kerr e kuptoi se rasti i Merit nuk ishte unik. Stafi i qendrës tregonte shpesh se shumë nga pacientët e tyre kishin ëndrra dhe vizione të veçanta në kohën para vdekjes së tyre.
Kerr takoi një numër të madh njerëzish që po vdisnin, dhe që patën këto përvoja. Interesi i tij u rrit shumë. Çfarë ishin në fakt këto ngjarje të çuditshme, të cilat në shumë raste kishin kuptim të thellë ekzistencial për pacientët? Dhe pse nuk përmendej asgjë për këtë në tekstet shkollore?
Kerr filloi të kërkonte në literaturën kërkimore, por për këtë dukuri kishte shumë pak informacione. Studimet që ekzistonin, bazoheshin shpesh në një ngjarje të vetme apo në përshkrime nga mjekët dhe infermierët, jo nga vetë pacientët.
Dhe tek shumica e sondazheve, u duk se studiuesit ishin më të interesuar të interpretonin fenomenin sipas bindjeve të tyre. Për para-psikologët, ëndrrat shërbejnë si dëshmi e fantazmave apo e një jete të përtejme. Frojdianët i shihnin ato si një shprehje e dëshirave të ndrydhura.
Për teologët, ëndrrat sugjeronin ekzistencën e Zotit. Por Kerr donte të dinte:Si përjetohet ky fenomeni nga pacientët? Dhe çfarë kuptimi kanë ëndrrat për ta, dhe për përgatitjen për t`u përballur me vdekjen? Tani, 20 vjet më vonë, Kerr dhe kolegët e tij kanë publikuar një seri studimesh mbi ëndrrat dhe vizionet e fundit të jetës.
Sondazhet bazohen në intervista me pacientë që studiuesit i morën gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit të jetës së tyre. Gjetjet e tyre tregojnë se ky fenomeni është shumë i zakonshëm. Një studim i vitit 2014, arrin në përfundimin se shumica e pacientëve kishin të paktën një episod ku përjetuan ëndrra ose vizione të veçanta që ndiheshin shumë të gjalla. Gjysma e tyre patën përvoja gjatë gjumit, dhe pjesa tjetër pa vizione kur ishin zgjuar.
Shumë nga ëndrrat përfshinin takime me miq të vdekur ose të gjallë apo anëtarë të familjes, dhe nganjëherë kafshë shtëpiake. Sa më afër vdekjes të ishte pacienti, aq më shpesh shfaqeshin të vdekurit në ëndrrat e tyre. Këto takime gjithashtu dukej se ofronin më shumë rehati, sesa ëndrrat me njerëz të gjallë ose ngjarje të tjera.
Në shumë raste, pacientët raportuan se ëndrrat ofronin rehati dhe paqe, ose pajtim me ngjarje të vështira në jetë, madje pajtim dhe paqe përballë vetë vdekjes. Pavarësisht natyrës shqetësuese të disa prej ëndrrave, një studim i vitit 2020, tregoi se pacientët që kishin ëndrra të veçanta përjetonin më shpesh rritje post-traumatike dhe ndiheshin më të fortë fizikisht dhe mendërisht pas ëndrrave të tyre.
Shumë pacientë hezitojnë të flasin për vizionet e tyre. Ata kanë frikë të konsiderohen të çmendur dhe mund të mos guxojnë të ndajnë përvojat e tyre, madje edhe me të dashurit e tyre. Shumë pak njerëz e kuptojnë se ky fenomen është i zakonshëm, dhe t’u thuash njerëzve se po shihni gjëra që nuk ekzistojnë rrallë është e dobishme.
Marrë me shkurtime nga Science Norway – Bota.al
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…