Operacioni më i madh desant detar në historinë ushtarake të njerëzimit

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj 

Gjendja e forcave në prag të operacionit detar

Nga fundviti 1943 anglo-amerikanët vendosën të hapin Frontin e Dytë në Europën Perëndimore dhe jo më vonë se në mesin e vitit 1944, për të shpejtuar shpartallimin e Gjermanisë naziste. Në verën e vitit 1944 gjendja e Gjermanisë ishte shumë e rëndë. Duke pësuar një varg disfatash në frontin e Lindjes, Komanda e Lartë Gjermane, ishte e detyruar të furnizonte armatat e saj të dëmtuara me forca të reja. Në fundvitin 1943 dhe pranverën e vitit 1944 Komanda e Lartë Ruse planëzoi dhe zhvilloi disa operacione të mëdha kundërmësymëse. Gjermanët ishin të detyruar që në vendet e pushtuara të Europës të mbanin një sasi të konsiderueshme forcash për të përballuar lëvizjet e rezistencës (vetëm, në Shqipëri ishin disllokuar rreth 50.000 trupa). Për të ruajtur pozitat në Europën Qendrore, Komanda e Lartë Gjermane kishte përqëndruar sasi të konsiderueshme trupash në frontin e Italisë, në të cilin aleatët zhvillonin veprime aktive mësymëse. Edhe pse priste hapjen e frontit të dytë, Komanda Gjermane duke mos patur informacione të sakta, mbi rajonet e mundshme të zbarkimit të trupave të aleatëve, i kishte shpërndarë forcat dhe mjetet në mënyrë të barabartë në një front prej 1.650 km, nga bregdeti Holandez deri në lumin Luare të Francës Veriore. Përgatitja e mbrojtjes kundër desante në bregdetin francez ishte e pamjaftueshme. Ajo përfshinte një brez me thellësi 6-8 km dhe përbëhej nga pikëmbështetje dhe nyje të veçuara dhe pa lidhje zjarri me njëra-tjetrën. Sistemi i pengesave kundër tanke dhe kundër desante ishte me mangësi të theksuara dhe i paplotësuar. Fortifikimi i mbrojtjes në rajonin e Pa de Kalesë ishte plotësuar në masën 50%, kurse në rajonin e La Manshit vetëm 18%. “Muri i çeliktë i Atlantikut”, i propaganduar me shumë bujë nga Gjermanët në fakt nuk ekzistonte.

Misioni strategjik, hapja e frontit të dytë

Për të realizuar me sukses misionin strategjik të hapjes dhe zgjerimit të kryeurave në frontin e dytë, Komanda Aleate përqëndroi në Anglinë Jugore një sasi kolosale forcash dhe mjetesh. Në operacionin desant detar të Normandisë, me emrin e koduar “Overlord”, u planëzua për operacione luftarake Grup Armata amerikane, angleze dhe kanadeze. Për të realizuar zbarkimin dhe siguruar operacionin desant detar u parashikuan 5.200 mjete desante dhe rreth 860 anije luftarke, si anije lumore me artileri, anije mina heqëse, gjuajtës kundër nëndetëse, etj. Mbulimi nga ajri u parashikua të realizohej nga rreth 1.400 avionë luftarakë. Me mjetet e transportit dhe ato desanto zbarkuese në dispozicion mund të zbarkoheshin mjaf forca të skalionuara. Për të realizuar copëtimin e forcave bregdetare të Gjermanëve u planëzua që skalionet e parë të zbarkoheshin në disa rajone të ndryshme 5-20 km larg njëri-tjetrit. U parashikua gjithashtu që në thellësinë 10-15 km nga buza e ujit të hidheshin desant ajror amerikan dhe anglez. Fronti i zbarkimit u planëzua me dy zona zbarkimi: në Zonën Amerikane (perëndimore) dhe Zonën Angleze (lindore).

Operacioni desant detar i Normandisë u planëzua që të kryhej në tre etapa: etapa e parë do te zgjaste dy ditë dhe do të realizonte zbarkimin e skalioneve të sulmit dhe kapjen e dy kryeurave, në Zonën Amerikane me gjerësi 15-20 km e thellesi 10-15 km, ndërsa në Zonën Angleze me gjerësi 50 km dhe thellësi 15-20 km. Etapa e dytë do te zgjaste pesë ditë dhe do të realizonte zbarkimin e skalioneve të dyta të Armatave, bashkimin e dy kryeurave të kapura nga skalionet e sulmit në një kryeurë të vetme me gjerësi 100 km e thellësi 40 km dhe daljen në vijën: Lasej-Kane-Senlo. Etapa e tretë parashikonte futjen në luftim të forcave të reja të armatave amerikane dhe pushtimin e Gadishullit Kontentin, zgjerimin e mëtejshëm të kryeurës dhe kapjen pas dhjetë ditë luftimesh (ditën e shtatëmbëdhjetë të operacionit) të vijës: Avranches, Domfront, Falaise, Cabourg, për të krijuar kushte që ditën e njëzetenjë të operacionit të zhvillohej mësymja për pushtimin e Bretanjës dhe daljen në lumenjtë Luare dhe Siene. Për të siguruar zbarkimin e valëve të para të desantit detar, u parashikua që neutralizimi i vijës së parë të mbrojtjes gjermane të realizohej me zjarrin e artilerisë së anijeve. Përpunimi me artileri u planëzua të fillonte në mbrëmje dhe të vazhdonte deri në agim. Zbarkimi do të fillonte gjysëm ore pas zhvendosjes së zjarrit të artilerisë së anijeve më në thellësi. Data e fillimit të operacionit desant detar u caktua 5 Qershori 1944, sepse që nga kjo ditë baticat ishin më të dobëta dhe fillonin në agim. Forcat Detare u ndanë në dy skuadra, që do të siguronin secila zbarkimin e trupave amerikane dhe angleze. Skuadra Perëndimore përbëhej nga katër detashmente, dy prej të cilëve siguronin zbarkimin e skalionit të parë. Skuadra Lindore përbëhej nga pesë detashmentë, tre prej të cilëve siguronin zbarkimin e divizioneve të skalionit të parë. Detashmenti i katërt i Skuadrës Perëndimore dhe detashmenti i pestë i Skuadrës Lindore kishin për detyrë të siguronin të dy krahët e forcave që zbarkonin nga goditjet e Flotës Luftarake Gjermane. Skalionet e dyta në të dy zonat e zbarkimit siguroheshin me nga një detashment të Forcave Detare Aleate.

Detashmentet e skuadrave që siguronin zbarkimin e skalionit të parë të forcave të desantit u caktuan me fuqi më të madhe zjarri. Ato kishin për detyrë të siguronin kalimin në det, të neutralizonin me zjarr mbrojtjen Gjermane dhe të mbështësnin sulmin për zbarkim edhe në thellësi të vijës së parë. Për të realizuar këto detyra çdo detashment i skalionit të parë u nda në grupin e mbështetjes së afert dhe grupin e mbështetjes së largët. Grupet e mbështetjes së largët dhe kishin për detyrë që të neutralizonin fortifikimet dhe artilerinë bregdetare të vendosur në bregdet. Grupet e mbështetjes së afërt u formuan me mjete kundërtanke dhe kishin për detyrë neutralizimin e fortifikimeve të lehta fushore, të forcës së gjallë dhe teknikës luftarake të gjermanëve. Në përbërjen e grupeve të mbështëtjes së afërt, me qëllim rritjen e fuqisë së zjarrit dhe dendësinë e tij, u futën anije me artileri reaktive. Korigjimi i zjarrit të artilerisë së anijeve u parashikua të realizohej me anë të avionëve të korigjimit të zjarrit dhe postave të korigjimit të zjarrit të anijeve që zbarkuan në breg së bashku me trupat desante. U parashikua neutralizimi i aviacionit luftarak gjerman me qëllim izolimin e Normandisë nga pjesët e tjera të vendit dhe për të penguar manovrën dhe afrimin e forcave gjermane nga thellësia për në zonën e operacionit. Gjatë përgatitjes me aviacion, detyrë kryesore e tij në operacion ishte asgjësimi i artilerisë bregdetare dhe artilerisë fushore gjermane.

Përpilimi i planit të mashtrimit

Për sigurimin e befasisë operative dhe taktike u përpilua plani i mashtrimit. Komanda aleate u përpoq që të forconte bindjen e gjermanëve se zbarkimi do të bëhej në Pa de Kale. U pergatitën forca dhe mjete për të siguruar zbarkimin në drejtimin e rremë të Pa de Kalesë, që përfshinte anije maket, shtabe të rreme të operacionit desant detar që planëzonin operacionin desant në drejtim të Kalesë etj. Kundërzbulimi anglez organizoi survejimin e agjentëve të njohur gjermanë që vepronin në Angli dhe i furnizoi ata me mjeshtëri me të dhëna të ndryshme për operacionin desant të Pa de Kalesë, që gjoja do të kryhej në muajin korrik. Këto masa vazhdoi ti zbatonte deri në 25 korrik 1944, duke krijuar bindjen tek Komanda e Lartë Gjermane se zbarkimi në Normandi kishte karakter ndihmues dhe se goditja kryesore do të jepej në drejtim të Pa de Kalesë. U ndalua komunikimi me forcat e caktuara në operacionin e invadimit. Për të përcaktuar rendimin luftarak dhe vendosjen e forcave gjermane në rajon u krye zbulim ajror i pandërprerë.

Mbrojtja bregdetare e gjermanëve megjithëse e propaganduar si “Muri i Atlantikut” nuk ishte e pajisur nga pikëpamja e fortifikemeve xhenjere. Përveç armatimit artileri të njësive të dislokuara në bregdet, në rajone të fortifikuara në zonën e Kalesë dhe të Bulonit ishin instaluar bateri kundërajrore të fuqishme. Në përgjithësi në të gjithë bregdetin ishin përhapur artileri me bateri me nga gjashtë gryka zjarri. Për të realizuar një raport dërrmues kundër mbrojtjes gjermane, komanda aleate grumbulloi në rajon forca shumë të mëdha detare, ajrore dhe tokësore. Forcat tokësore u futën në përbërje të Grup Armatës amerikane, angleze dhe kanadeze që përbënin një fuqi njerëzore në 2.876.439 luftëtarë, së bashku me forcat ushtarake ajrore dhe forcat ushtarake detare.

Fillimi dhe zhvillimi i operacionit

Në orët e para të datës 06. 06. 1944 anijet e përpunimit të bregut me artileri hodhën spirancat duke përcaktuar dhe lënë të lira korridorët e afrimit të anijeve desantuese. Aviacioni luftarak i aleatëve zuri rajonet për të siguruar MKA dhe në të dy krahët e zonës u organizua mbrojtja kundërnëndetëse. Më 6 qershor amerikanët zbarkuan në rajonet e Sent Mer Egelizit dhe Karantenit, forcat e disa divizioneve dhe parashutist me detyrë për kapjen dhe mbajtjen e nyjeve rrugore dhe urave. Në gjysmën e dytë të natës në verilindje të Kanës zbarkuan forcat e divizionit parashutist anglez. Në orët e para të mëngjezit pas zhvendosjes së zjarrit të artilerisë së anijeve dhe aviacionit më në thellësi të vijës së parë, valët e para të desantit detar mbërritën në breg.

Në ditët e para të operacionit, në rajon vepronin 30 nëndetëse gjermane. Megjithë mbrojtjen e organizuar kundër tyre, deri afër fundit të gushtit 1944 ato mundën të mbytin pesë anije të mbështëtjes me artileri, dymbëdhjetë anije të mëdha transporti dhe katër anije desante. Gjithashtu dëmtuan edhe pesë anije të mëdha transporti. Më 26 gusht nga të 30 nëndetëset gjermane kishin mbetur pa u mbytur vetëm dhjetë prej tyre të cilat në këtë datë u larguan nga Gjiri i Senës. Ditën e parë në sektor kishin desantuar deri në 200.000 ushtarë të cilët pas tri javësh do të arrinin në mbi 2 milionë duke shënuar kështu hapjen e Frontit Perëndimor.

Operacioni desant detar i Normandisë është operacioni më i madh i të gjitha kohërave. Të gjitha format e luftimeve, organizimit të llojeve të mbrojtjes, përdorimit të armatimit dhe teknikës luftarake, realizimit të masave të sigurimit luftarak, etj u përdorën gjatë këtij operacioni. Në stërvitjet e të gjitha ushtrive që parashikonin të zhvillonin luftime desante nga deti, pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë u përdorën, përsosën dhe u morën si bazë normat taktiko-operative dhe format e luftimit që gjetën zbatim gjatë këtij operacioni. Fakti që fitorja dukej thjesht e pamundur është pjesë e asaj që e bën këtë ditë të paharrueshme. Kjo e ka burimin te qartësia e qëllimit me të cilin u zhvillua kjo luftë. Sot, në këtë 77 vjetor kthejmë kokën pas dhe kujtojmë ata që bënë gjithçka që Evropa të ishte e lirë dhe demokratike. Po kështu mirënjohja shkon për të gjithë ata dëshmorë e luftëtarë që dhanë jetë për një çështje të shenjtë dhe të drejtë siç është liria.

postbck postbck

Recent Posts

Si u spraps më 1912 armata e tretë serbe nga veriu! Beteja e Drinit dhe thirrja e Isa Boletinit

BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…

19 hours ago

Hakmarrja serbe një vit pas humbjes së madhe në betejën e Kolesjanit! M*sakrat e tmerrshme në Dibër, u vr’anë gra, fëmijë dhe pleq

HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…

20 hours ago

Kodi kalorsiak shqiptar në folklorin sllav

Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…

21 hours ago

Musolini në Shqipëri/ Kur makina i mbetej në baltë

Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…

21 hours ago

Përpjekje të reja për të studiuar historinë e klimës në Tokë

Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…

2 days ago

Ngjyrat që nuk ekzistojnë: Mit apo realitet?

  Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…

2 days ago