Diane Cole shkruan për një ekspozitë që rrëfen historitë e veprave të artit që nazistët ua vodhën hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pjesë të shkrimit të saj të publikuar në BBC, sjellim më poshtë.
Në historinë e gjatë të artit bashkëjeton edhe historia pothuajse aq e gjatë e veprave të vjedhura të artit. Mahnitemi me thesaret e vendeve të largëta dhe të epokave të lashta, por jemi goxha të padijshëm për origjinën e tyre. Zakonisht nuk përmenden mënyrat e tyre të blerjes e as se shumë shpesh ato janë marrë brutalisht nga shtëpitë dhe nga pronarët e parë si plaçkë lufte, në kohët e pushtimeve koloniale ose nga diktati i despotëve.
Deri tash …
Po lexojmë më shumë se kurrë për mosmarrëveshjet ndërkombëtare mbi pronësinë dhe kthimin, përfshirë pretendimet e kësaj jave se muzeu më i madh i artit në Zvicër mund të shfaqë deri në 90 vepra arti me origjinë problematike. Po ashtu, kohëve të fundit ka kontroversa për origjinën – dhe fatin – e skulpturave të bronzit nga Benini. Disa prej tyre tashmë janë në proces të gjetjes së rrugës për t’u kthyer – në Nigeri dhe në Republikën Demokratike të Kongos – nga vendet dhe nga muzetë ku sundimtarët kolonialë i shpërndanë ato, përfshirë Belgjikën, Gjermaninë, Britaninë dhe ShBA-në.
Histori të tilla vjedhjeje dhe të shpëtimit bëhen reale në një ekspozitë të re të fuqishme në Muzeun Hebraik të Nju-Jorkut: “Jeta e përtejme: Rikuperimi i historive të humbura të artit të grabitur”. Ato prezantohen përmes thesareve artistike e kulturore.
Në hapje shohim kanavaca të jashtëzakonshme nga Pierre Bonnard, Marc Chagall, Paul Cézanne, Henri Matisse, Camille Pissarro dhe piktorët tjerë të mëdhenj modernistë evropianë, secila me një histori që flet për grabitjet nga regjimi nazist. Shumë prej këtyre veprave iu sekuestruan koleksionistëve dhe artistëve që rastisën të jenë hebrenj; të tjerat nazistët i konfiskuan dhe i lanë në harresë sepse nuk përputheshin me përkufizimin e ngushtë të Hitlerit se çfarë duhet të ishte arti arian – domethënë u etiketuan si “të degjeneruara”.
Pastaj është një grup i bukur i objekteve rituale prej argjendi, të punuara në mënyrë delikate e që dikur i zbukuronin shtëpitë dhe sinagogat e hebrenjve të Evropës. Ato duhet të admirohen për zejtarinë. Por, në kontekstin e kësaj ekspozite flasin fuqishëm për grabitjen prej pronarëve që dikur i përdornin për të mirëpritur Shabatin, për të nderuar festat dhe për të ndjekur momentet historike të jetës e të vdekjes. Nuk mund të ecësh nëpër këto galeri pa menduar për rrënimin shpirtëror që përjetuan shumë njerëz të kulturave të tjera gjatë historisë. Prekja emocionale është shumë e thellë.
Këto objekte janë mbijetesa materiale e komuniteteve hebraike të Evropës, secila me një histori të veçantë, një “jetë të përtejme” mbijetese për t’u zbuluar. Rrugët e ndryshme drejt një jete të tillë të përtejme janë të dukshme që në momentin kur hyni në ekspozitë. Përshëndetni së pari nga piktura e mrekullueshme e artistit ekspresionist gjerman, Franz Marc. Vepra Kuajt e mëdhenj të kaltër e pikturuar në vitin 1911, paraqet tre kuaj me të kaltrën e ndritshme, të grumbulluar në mënyrë sensuale. Megjithëse Marcu vdiq duke luftuar për Gjermaninë në Luftën e Parë Botërore, Hitleri i ndaloi veprat e tij. Por, vepra i shpëtoi dorës së Rajhut sepse, në vitin 1938, pronari gjerman e dërgoi në Londër për të qenë pjesë e një ekspozite “anti-Hitleri”, nga ku udhëtoi drejtë një ekspozite tjetër në ShBA të quajtur “Arti i ndaluar gjerman i shekullit XX” (aty një amerikan e bleu për koleksionin që tani është pjesë e Qendrës së Artit “Walker” në Mineapolis).
Pranë është një pikturë ndjellëse e Max Pechsteinit, e vitit 1912, Nudot në peizazh, që këtë verë – nga Qeveria franceze – iu kthye trashëgimtarëve të bankierit dhe koleksionistit të artit, hebreut nga Gjermania, Hugo Simon. Rrugëtimi i kësaj vepre është pasqyrë e rrugës shpeshherë të gjatë e të përdredhur – nga grabitja drejt rikthimit përfundimtar. Edhe rrugëtimi i Simonit ishte i pasigurt. U largua nga Berlini për në Paris kur Hitleri e merr pushtetin më 1933. Pasi Franca ra nën Gjermaninë më 1940, u arratis edhe një herë – këtë herë për në Brazil. Por, piktura mbeti në Paris dhe atë e morën nazistët. Nuk u shfaq kurrë më deri në vitin 1966 kur u gjet në ndërtesën “Palais de Tokyo” në Paris. Nga viti 1998 u vendos në muzeun e artit modern, në Nansi të Francës.
Lehtësia relative e kësaj gjetjeje e bën kthimin të tingëllojë si diçka e lehtë. Por, ecni disa hapa për në dhomën tjetër dhe një tjetër vepër në ekspozitë thekson angazhimin e vazhdueshëm, ndoshta të pafundmë të rikthimit, nëse bazoheni në kanavacën gjeometrike kubiste të vitit 1939 të artisti hebraik Fédor Löwenstein që tek tash Qeveria franceze e ka vënë në proces të dorëzimit te trashëgimtarët e pronarëve fillestarë. Pas konfiskimit vepra ishte zhvendosur në një hapësirë ruajtjeje në galerinë “Jeu de Paume” në Paris që njihej si “Dhoma e martirëve”. Aty oficerët gjermanë mund të zgjidhnin diçka sipas dëshirës e të largoheshin me kryevepra; ato që mbetën, shpeshherë konsideroheshin si të degjeneruara dhe të planifikuara për shkatërrim. Por, kjo vepër rrëshqiti nëpër të çarat dhe mbijetoi, ndoshta me ndihmën e historianes së artit Rose Valland që shënoi 20 mijë veprat e dërguara atje, regjistrime këto që luajtën rol vendimtar pas luftës për rikthimin e pjesës më të madhe të veprave të vjedhura të artit. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të saj, Valland nuk mundi t’i shpëtonte që të gjithat. Një foto bardhezi, ndoshta nga viti 1942, shfaq disa piktura, ndër të tjera nga artistët André Derain dhe Claude Monet, që nuk u panë pas luftës meqë ka gjasa të jenë shkatërruar.
Vizitorët nuk duhet të injorojnë jetën dhe fatet e familjeve të cilave u përkisnin këto pasuri materiale. Një seri fotografish të vjetra familjare janë renditur për të treguar se si dukej jeta normale familjare e hebrenjve të klasës së mesme, përpara se nazistët t’i detyronin të largoheshin. Dhe, më pas, duke ndjekur vijën kohore të tmerrit nazist, vjen një koleksion portretesh dhe vizatimesh të bëra në fshehtësi nga artistët e vrarë në kampet naziste të përqendrimit.
Nuk është çudi se, duke ecur nëpër galeri, shpesh ndihesh i zhytur në një botë të kaptuar nga vjedhja, sidomos kur shikon vitrinat e objekteve rituale hebraike të rreshtuara pranë njëra-tjetrës si për shitje masive në një magazinë, pa asnjë person të gjallë për t’i kërkuar ato. Kështu ishte derisa komunitetet e mbijetuara hebraike jashtë Evropës – përfshirë Muzeun Hebraik në Nju-Jork – nuk ndërhynë pas luftës për të ndihmuar shpëtimin e objekteve e mbetura si jetimë. Të gjitha veprat ceremoniale të ekspozuara këtu e gjetën jetën e tyre të përtejme si pjesë e koleksionit të përhershëm të muzeut, pjesë e asaj përpjekjeje masive për të shpëtuar mbetjet e kulturës hebraike evropiane.
Arti dhe objektet e vjedhura kulturore kanë lënë pasoja edhe te brezat tjerë: veprat e reja janë porositur nga katër artistë e rinj bashkëkohorë që jetojnë në Izrael, në Berlin dhe në Bruklin, si: Maria Eichhorn, Hadar Gad, Dor Guez dhe Lisa Oppenheim. Secili nga këta artistë i qaset kësaj historie nga një këndvështrim ndryshe. Artistja konceptuale Eichhorn na zhyt në vet punën e gjetjes dhe kthimit të objekteve të grabitura. Ajo e bën këtë duke na rrethuar me rastet aktuale, me letra arkivore, regjistra, raporte, libra etj. të nevojshme këto për të verifikuar, për vërtetuar, për të analizuar e vërtetuar çdo objekt. Në instalacionin e tij, Dor Guez – djali i një nëne palestineze dhe një babai hebraik nga Afrika e Veriut – e krijon një ekspozitë të stilit muzeor të objekteve, të dokumenteve dhe të printimeve, për të sjellë në jetë shumësinë e humbjeve të familjes dhe kulturës së tij hebraike, tuniziane dhe arabike. Piktura e Hadar Gadit bazohen në fotografitë historike të pasojave të shkatërrimit të pronës hebraike nga ushtarët nazistë. Së fundi, Lisa Oppenheim e bazon serinë e saj të fotokolazheve të mjegulluara në imazhin e vetëm të mbetur të një pikture të natyrës së qetë nga piktori franko-flaman, Jean-Baptiste Monnoyer, që u zhduk pasi u konfiskua nga një familje hebraike në Paris.
Këto pra janë jetët e përtejme. Ndikimi emocional i ekspozitës është i jashtëzakonshëm: gëzimi dhe mirënjohja për shpëtimin e kaq shumë veprave të shkëlqyera të artit; pikëllimi për humbjet e pësuara nga komunitetet e shkatërruara hebraike të Evropës; dhe, në fund, ngushëllimi se historitë nuk do të shuhen. Mund të jetë edhe një fije shprese se këto histori mund të sjellin gjithashtu një perspektivë në zgjidhjen e shumë rasteve të vazhdueshme të kthimit të veprave, nga mbarë bota.
Nga: Shasivar Kabashi Shemsedin Samiu apo Sami Frasheri, siç rendomë njihet ndër shqiptarë, ishte figura…
Dashnor Kaloçi Historia e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka ngjallur vazhdimisht një interes…
Nga: Sami ARIFI Ramiz Ahmet Cernica u lind më 1903 në fshatin Cernicë-komuna e Gjilanit, ai…
Historia është e mbushur me kultura të humbura dhe liderë të mëdhenj të lënë në…
Djathi është ndoshta një nga ushqimet më të debatuara kur bëhet fjalë për ushqimin…
Kur këndon me gjuhën e shpirtit . (Dëgjojeni deri në fund, në min e…