Sipas studimeve, 20 për qind e blerjeve janë të paplanifikuara. Na është bërë e zakonshme të hyjmë në supermarkete pa e vrarë shumë mendjen për arredimin e tyre. Por ajo që ne nuk dimë, është se personat që i menaxhojnë, janë siguruar që të na i bëjnë një labirint të mbushur me kurthe, prej të cilit të mos shpëtojmë pa shpenzuar shuma të konsiderueshme.
1. Përgatitja në hyrje
Supermarketet vendosin lule me aroma të ndryshme, produkte bukurie ose seksione bukëpjekjeje dhe ëmbëlsirash në hyrje të tyre. Kjo, sepse ngjyrat dhe aromat i bëjnë konsumatorët të vijnë në gjendje të mirë shpirtërore. Nuhatja e një trëndafili ose e një kroasanti të shijshëm na tërheqin pa masë dhe në një farë mënyre na rehatojnë.
2. Karrocat e mëdha
Karrocat që përdoren për të mbajtur ushqimet gjatë bërjes së pazarit po zmadhohen gjithnjë e më shumë, aq sa mund të mbajnë 100 produkte të ndryshme. A e keni pyetur ndonjëherë veten përse? Sepse supermarketi do që ju ta mbushni atë karrocë. Sa herë të shkoni në supermarket, mos e merrni automatikisht karrocën më të madhe, por zgjidhni diçka që do t’u përshtatet blerjeve tuaja. Sipas profesorit Ras Uiner (Russ Winer), nëse nuk doni të blini më shumë seç duhet gjëra, atëherë merrni një karrocë të vogël, ndryshe produktet do ta gjejnë vetë vendin në karrocën tuaj. Ai këshillon gjithashtu të shkoni në një supermarket të vogël, nëse s’keni shumë për të blerë.
3. Raftet e bezdisshme
Duhet ta keni vënë re se gjërat elementare si kanoçet dhe produktet e paketuara në kuti, gjenden në mes të supermarketit. Shkoni fillimisht atje nëse këto produkte janë në listën tuaj. Nëse blini ato që ju nevojiten sa më parë, atëherë do të përgatiteni mendërisht të jeni më përzgjedhës dhe më kritikues ndaj atyre që mund të blini më pas.
4. Të domosdoshmet
Supermarketet i vënë produktet e domosdoshme si qumështi dhe vezët në fund të mjedisit, që t’ju tundojnë me gjëra nga më të shijshmet gjatë rrugës për atje. Sipas ekspertëve, rregullojini ushqimet në karrocë duke lënë në fund ose përpara saj një hapësirë të bollshme që t’ju kujtojnë vazhdimisht se çfarë ju duhet në të vërtetë të blini.
5. Renditja strategjike
Ushqimet më të shtrenjta të drithit që konsumohen në mëngjes, të quajtura ndryshe çereali, vendosen shpesh në lartësinë e syrit të fëmijës, ndërkohë që ato më të lirat vendosen sa më lart. Artikujt që supermarketi do që të mos i lini pa parë, zakonisht vendosen në vendet më të përshtatshme. Këshilla e ekspertëve është t’i ndryshoni shpesh vendet ku bëni pazar. Kështu do të shihni pak më shumë produkte nga ato që do njëri ose tjetri supermarket. Stërviteni syrin të shohë ato që ju duhen, jo ato që duan të tjerët të shihni. Bëni mirë të lodheni pak, duke u ulur ose ngritur lart për të marrë artikujt më të lirë.
6. Shijimi
Shumë menaxherë marketingu ofrojnë një pjesë të vogël pice të freskët ose një filxhan kafeje gjatë kohës që jeni në supermarket. Kjo bëhet për t’ju shtuar urinë dhe dëshirën për ta blerë atë produkt. Këshilla më e mirë? Bëni pazar me stomakun e mbushur. Gjithashtu përpiquni të qëndroni larg gjërave tunduese që nuk ju duhen në të vërtetë.
7. E freskët apo e ngrirë?
Fakti se shumë peshq që shihni në seksionin e prodhimeve të detit janë të pastruar dhe të ngrirë, nuk ka të bëjë aspak me freskinë e asaj që ju ofrohet të blini. Frutat dhe perimet e ngrira zakonisht merren kur kanë stinën dhe ngrihen që të shiten me çmimin më të mirë më pas. Nëse doni të kurseni disi, blijini gjërat e ngrira dhe më pas shkrijini për t’i përdorur. Kështu do të kurseni 40 për qind të çmimit aktual.
8. Produktet e paqarta
Mund të mendoni se disa produkte që gjenden në fund të rafteve që bien më shumë në sy kanë për të qenë gjithnjë aty, por në fakt ato janë në shitje vetëm gjysmën e kohës. Nëse shihni produkte që nuk kanë një etiketë çmimi, atëherë ai nuk ka ndryshuar. Por nëse shihni artikuj që shkruajnë se janë me ofertë, atëherë sigurohuni ta kuptoni sesa është sasia e parave që kurseni, sepse mund edhe të mos fitoni asnjë qindarkë prej tyre.
9. Blerjet impulsive
Në fund të çdo supermarketi, në vendin ku paguhet fatura, gjenden artikuj ‘tundues’, që bëjnë pjesë në blerjet impulsive. Nëse jeni të lodhur, të mërzitur dhe gati për të paguar, atëherë këto produkte do t’ju nxisin të merrni edhe diçka më shumë për të luftuar stresin e momentit. Bëhuni të përgjegjshëm për këtë dhe mos i kushtoni shumë rëndësi kur të jeni duke dalë, janë thjesht një kurth tjetër për t’ju marrë edhe paratë e fundit.
10. Kartat e anëtarësisë
Jo vetëm që këto karta shënojnë se çfarë blini, por në fakt mund të jenë një nga kurthet më të avancuara të supermarketeve për t’ju bërë klientë të rregullt. Pavarësisht faktit se mund të përfitoni disa ulje të papërfillshme prej tyre, zakonisht këto karta me pikë ose dhurata, ju shtyjnë të shpenzoni më shumë sesa ju duhet dhe pa e kuptuar fare. Kjo sepse do të mendoni se fundja gjithçka shpenzoni do t’ju shpërblehet./GSH
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…