Një nga mrekullitë e shqisës sonë të të parit është aftësia e saj për të përcaktuar ngjyrat. Rëndësia e ngjyrave dhe truket që fshihen pas tyre, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me gjendjen shpirtërore. Ndikimi te gjëndja shpirtërore, psikike dhe shëndetësore është i pashmangshëm dhe tejet përcaktues. Ngjyra ka bashkëudhëtuar me njeriun duke u kujdesur ti tregojë kaq shumë gjëra, por edhe duke mbajtur sekrete, duke u fshehur pas të panjohurës. Kodi i ngjyrave është një nga ato aftësi të munguara të njeriut për të komunikuar përmes tonaliteteve, ftohtësisë, ngrohtësisë dhe gjendjes opake të ngjyrave. Ndoshta më afër deshifrimit të këtij sekreti të natyrës janë piktorët, të cilët, ashtu si dhe natyra kanë zgjedhur ngjyrën si gjuhë komunikimi, i kanë besuar asaj përçuesin e një impulsi të brendshëm, i kanë lënë ngjyrës gjithçka që ata duan të zgjedhin si kontakt, si ndjesi, si forcë depërtuese në shpërthimin jetësor.
Shpesh themi se jemi me humor të zi kur jemi të trishtuar: ngjyrat në fakt janë të lidhura shumë ngushtë me humorin tonë. Por cili është efekti i tyre real mbi gjendjen tonë shpirtërore? A është e nevojshme të besojmë te një “terapi ngjyrash” në rast stresi apo depresioni? Lexoni në vazhdim këtë artikull përpara se të zgjidhni ngjyrën për muret e sallonit të shtëpisë suaj.
Ngjyrat dhe humori
Ka mendime kontradiktore mbi ndikimin e ngjyrave. Natyrisht është e natyrshme të mendosh se ekziston një lidhje midis ngjyrave dhe humorit, sepse ne preferojmë të jetojmë në një dhomë “të gjallë” me ngjyra sesa mes katër mureve gri! Ne gjithashtu e dimë se gjatësitë e valëve të caktuara të dritës së diellit (pra ngjyrat) ushtrojnë një ndikim në humorin tonë dhe në fakt, seancat dhe terapitë e tilla, të lehta, janë të rekomanduara për të luftuar depresionin sezonal. Ngjyrat nuk janë gjë tjetër veçse valë drite me gjatësi valore të caktuara: disa studime duket se kanë gjetur një lidhje mes ngjyrave dhe humorit.
Ngjyrat e mia të preferuara
Duhet të pranohet se perceptimi ynë i ngjyrës është krejtësisht individual. Një ambient mund të rezultojë relaksues për ndonjë person, por stresues për dikë tjetër. Prandaj është e vështirë të përgjithësosh efektet e gjatësive valore të caktuara. Nga ana tjetër, një profesor zviceran, Maks Luscher (Max Luscher), është i bindur se nuk janë ngjyrat ato, të cilat ndikojnë në personalitetin tonë, por personaliteti ynë ndikon në preferencat tona në këtë drejtim. Luscher e ka vërtetuar tezën e tij me anë të testeve të ndryshme: për shembull, u dhuron disa personave tetë karta me ngjyra të ndryshme, sipas preferencave të tyre. Sipas pikëpamjes së tij, ata që zgjidhnin të njëjtin kombinim kanë të njëjtin personalitet. Bëhet fjalë për një test të thjeshtë që mund ta bëni edhe në shtëpi me partnerin/en (duke prerë tetë kartonë të vegjël me ngjyra të ndryshme) për të verifikuar se… “e shihni gjithçka të kuqe”.
Një ngjyrë, një emocion
Edhe pse ekzistojnë opinione kontradiktore mbi efektin e ngjyrave, për disa mendimi është unanim:
Bluja për t’u qetësuar
Bluja, që i përket gamës së ngjyrave “të ftohta”, njihet përgjithësisht si një ngjyrë relaksuese, që ndihmon në lehtësimin e stresit. Nga ana tjetër, duhet të jetë e mjaftueshme të ulesh në një tarracë dhe të shikosh qiellin dhe detin për t’u pushtuar nga një ndjenjë paqeje (akoma më shumë nëse në sfond është edhe murmurima e valëve). Por, nga ana tjetër, historia nuk na ka treguar se policia ka zgjedhur blunë e uniformës për t’i qetësuar njerëzit më lehtë…
Jeshile për t’u kthyer në natyrë
Jeshilja është padyshim ngjyra e natyrës, e vegjetacionit dhe ashtu si bluja, ajo ka një efekt qetësues. Në të vërtetë, duket se ajo është absolutisht ngjyra e qetësisë. Prania e bimëve duket se ushtron një efekt të dobishëm në nivelin psikologjik, siç dëshmohet nga shumë punonjës, të cilët mbajnë një filiz të gjelbër në një cep të zyrës.
E verdha për t’u përqendruar
E verdha është një ngjyrë e ngrohtë dhe ka një efekt stimulues në mendjen tonë; ajo përmirëson përqendrimin dhe aktivitetet organizative. Kështu që ambienti i punës do të dukej ideal me këtë ngjyrë (postierët janë më të favorizuar nga ky këndvështrim…).
Portokallia për buzëqeshjen
Edhe portokallia është një ngjyrë e ngrohtë, si e verdha, që stimulon mendjen. Ndërkaq, disa mendojnë se kjo ngjyrë ndikon veçanërisht te humori, duke hequr mendimet negative dhe duke sjellë buzëqeshjen në vend të tyre.
E kuqja, po… por me moderim
E kuqja është një ngjyrë shumë “ngarkuese” e referencave: gjaku, dhuna, seksi… Ajo nuk është gjë tjetër veçse një ngjyrë relaksuese, edhe pse opinionet mbi efektet e saj janë kontradiktore: disa argumentojnë se nxit zemërimin dhe nervozizmin, të tjerët thonë se është një nxitës i fortë që promovon përqendrimin dhe krijimtarinë. Në të vërtetë bëhet fjalë për çështje nuancash: një nuancë midis së kuqes dhe rozës (dorëzonjë e kuqe) do të ishte ideale.
Psikologjia e ngjyrave
Bashkë me notat dhe çelësin e muzikës si dhe shkronjat e alfabetit, ngjyrat sigurojnë blloqet ndërtuese të emocioneve tona. Nuk ndodh pa arsye që ne të themi “ndjehemi blu” ose “shohim të kuqe”. Çdo ngjyrë është lidhur në mënyrë të hollë me një rrjet eksperiencash dhe shoqërizimesh. Disa nga këto janë shumë karakteristike: një e verdhë e veçantë mund të na kujtojë kuzhinën e gjatë e të verdhë të gjyshes së vdekur ose një palë çizme që ne mbanim kur ishim fëmijë. Por të tjerat mbajnë mbi vete kuptime më shumë universale. Duke eksploruar shoqërizimet që ne kemi rreth ngjyrave mund të arrijmë të kuptojmë veten dhe po aq e rëndësishme, kjo na krijon një mundësi t’u tregojmë të tjerëve se kush jemi.
E VERDHA
SHPRESE
E verdha është e kujdesshme dhe plot besim. Nuk është në anën mbrojtëse. Vepron si një mburojë kundër dëshpërimit dhe ndjesive të poshtërimit. Është e etur për vëmendjen tonë, si një fëmijë i lumtur i gëzuar të jetë në qendër të gjërave. Me kohë energjia e saj mund të jetë shtypëse, por si ambasadori i saj më i famshëm – limoni – ka pak gjëra që nuk do t’i përshkallëzojë. Poeti Gjerman Johann Wolfgang von Goethe e dashuronte të verdhën, duke e konsideruar atë si ngjyrën e një sjelljeje të butë plot me shprese ndaj jetës. Ai zotëronte një koleksion prej njëzet jelekësh të verdhë, të cilët ai gjithmonë i çiftonte me pantallona të bardha – pasi donte shumë edhe qetësinë.
PORTOKALLIA
VITALITET
Portokallia është paksa më e pjekur, e fuqishme dhe kërcënuese sesa fqinja dhe simotra e saj, e verdha. Ajo pothuaj kalon në diçka frikësuese. Ka shumë prej saj në llavën e brendshme të diellit. Megjithatë në dozën korrekte, duket si një përqëndrim i një energjie dhe vitaliteti që shumë shpesh na mungon në mendjet dhe përditshmërinë tonë. T’ia japësh gjithë dhomës, makinës, flamurit ose veshjes këtë ngjyrë mund të jetë me rrezik, pasi mund të kalojë në ekstremitet dhe në obsesion, dhe megjithatë ta mohosh zgjuarsinë rastësore të ngjyrës duket të jetë gjithashtu gabim. Ne duhet të dimë sesi të ndërtojmë në momente të caktuara atë që portokallia përfaqëson në një jetë të mirëbalancuar.
E KUQE E LEHTË
AVENTURË
Një e kuqe e ndritshme dhe e lehtë është aventuriere, e zgjuar, madje dhe pa ndjenja. Nuk shqetësohet se çfarë mendojnë të tjerët. Dhe është e nevojshme dhe jep forcë kur, siç ndodh në shumicën e rasteve, ne jemi jashtëzakonisht në ankth prej opinionit të njerëzve të tjerë. E kuqja e lehtë nuk është e ashpër, thjesht e pavarur. Është më e interesuar të ndiqet sesa të jetë një pasuese. Është ngjyra e flamurit tuaj kur ju ndjeni se mund t’i kundërviheni botës (ose një pjese të saj që ka rëndësi për juve).
E KUQE E ERRËT
FUQI
Kur Napoleoni e kurorëzoi veten Perandor të Francës në 1804, ai veshi një pelerinë kadife në të kuqe të shkëlqyer. Kjo është ngjyra e froneve, e kardinalëve, e fuqisë dhe pompozitetit, e ceremonive dhe e festimeve. Autoriteti simpatizon të kuqen e errët dhe e kuqja e errët favorizon idenë e maturisë. Është pohuese dhe e sigurt, dhe mund të funksionojë si një kujtesë e një sjellje më shumë kërkuese e këmbëngulëse kur, përmes fatkeqësisë apo gabimeve tona, ne ligështohemi. I drejtohet fragmentit të sjelljes së Napoleonit, të varrosur në shpirtin e gjithsecilit.
MANUSHAQE
DYKUPTIMËSI
Manushaqja është e kuqe që është pothuajse transformuar në blu. Ka marrë pak nga të dyja, i kujton të dyja, e kjo e bën atë misterioze, të papërcaktuar dhe sugjestionuese. Artistët e Rilindjes së Hershme pëlqenin të përshkruanin engjëjt, të zënë me detyra mëshirëdhënëse midis qiellit e tokës, ndërsa mbanin veshur pelerina manushaqe. Ngjyra evokonte për ta idenë e një pafundësie “përtej” që nuk ishte kërcënuese apo e rrezikshme, dicka që mezi e prisnim, por që mbetej gjithmonë jashtë pamjes.
BLU E LEHTË
QARTËSI
Bluja e lehtë është pashmangshmërisht ngjyra e qartë e një qielli mëngjesi – me një përshtypje të qetë, të veriut ose të malësisë. Është një ngjyrë për të qenë aktivë. Është e papërkulshme, e gëzueshme, gati të marrë dhe të përballojë të gjithë gjërat që juve i keni lënë mënjanë. Hijet, konfuzioni, dyshimet dhe mendimet e pavendosura gjejnë një skutë të fshihen kur shfaqet bluja e lehtë. Nuk është kurrë mizore, thjesht e mbushur me vullnet të mirë si një fllad. Është llogjike, e qartë. Admiron të thjeshtën, fjalinë e drejtëpërdrejtë.
BLU E ERRËT
DISIPLINË
Kjo ngjyrë është ngjyra e rregullit dhe disiplinës. Na tregon neve të mos dorëzohemi, të kërkojmë për rezerva të elasticitetit. Është e vendosur, e besueshme. Bluja e errët nuk e kalon kufirin. Kapet pas detyrës kyçe, ndaj pikës kryesore. E mban parasysh gjithmonë qëllimin. Më shumë e fuqishme sesa e vështirë; kurajoze sesa e ashpër, është e civilizuar dhe e orientuar. Është fuqi në anën tonë, mbrojtëse dhe ndihmuese. Është ngjyra e një babai të mirë e të vërtetë.
JESHILE E LEHTË
MENDJE E SHËNDOSHË
Jeshilja e lehtë ka ndjesinë e freskët dhe natyrale të mendjes së shëndoshë. Thirret kur ne jemi mirënjohës sesa ziliqarë. Kur ne nuk kemi nevojë t’i ulim të tjerët për t’u ndjerë mirë për vetveten dhe kur ne jemi më shumë të interesuar të gjejmë se si të bëjmë gjërat të shkojnë mirë, sesa të ankohemi kur ato nuk shkojnë si duam. Ne mund ta përdorim këtë ngjyrë që të fokusohemi në fuqinë tonë për të bërë diçka – sesa të fajësojmë të tjerët për dështimet tona ose të dyshojmë në forcat tona.
JESHILE E THELLË
REALIZËM
Sferat zbutëse të jeshiles së thellë më gri kanë të bëjnë me realizmin. Kjo fjalë ka ndonjëherë shoqërizime të pafata, sikur të ishte e kundërta e shpresës, por në fakt, është diçka si maturia, shpresa realiste. Ky emocion na tregon ne se gjërat janë të vështira, por që e keqja do të kalojë, se ajo që kemi mund të jetë e mirë sa duhet, se ne do të menaxhojmë dhe bashkëpunojmë pavarësisht zhgënjimeve të paevitueshme dhe kompromiseve. Kjo është shpresa e atij që ka arritur një njohuri të duhur mbi shqetësimet e jetës – por nuk është dorëzuar. Na kthen neve tek durimi dhe moderimi si edhe vetëpëmbajtja.
KAFE E LEHTË
RELAKSUESE
Kjo është një ngjyrë që nuk dëshiron të tërheqi vëmendjen ndaj vetes. Është e ndërgjegjshme për kohët e shkuara dhe e ndjen tërheqjen e tyre. I pëlqen qetësia. Është medituese dhe e butë. Por nuk na vë në gjumë. Kafja e lehtë është mikja jonë kur ne duam të qetësohemi dhe të mënjanojmë stimulimin e jashtëm, me qëllim që të dëgjojmë zërat më të qetë të botës së brendshme – gjysëm kujtimet, shoqërizimet në tentativë, fillimet e momenteve delikate të një mendimi të ri.
KAFE E THELLË
DINJITET
Dinjitet do të thotë të mos fillosh të përpiqesh të impresionosh. Je i sigurt për vetveten – për atë që je, dhe kujt i përket. Mund të jetë ngjyra e një tavoline të vjetër, me një orë me tik-tak të lehtë në sfond. Koha është e ngadaltë dhe mëse e mjaftueshme, nuk ka pse të nxitohesh, apo të shpejtohesh. Kafja e errët nuk është ngjyrë hektike – është hija e rehatisë ose dheut të errët në një ditë me lagështirë. Jo pompoze, por thellësisht e mirë dhe plot besim. Është solide dhe që mund t’i besosh.
E ZEZË
AUTORITET
E zeza është ngjyra shumëvjeçare e modës dhe sofistikimit në botën moderne. Është e fuqishme, pa iluzione. Flirton me cinizëm. Është më pak naivja, më pak fëmijërorja e ngjyrave. Neve na duhet e zeza kur duam të ruajmë qetësinë; ne kemi parë shumë tashmë për t’u mbartur tej. Është një kujtuese e ndjesisë së të qënit paksa i ashpër, paksa kërkues dhe i vendosur.
Mistika e ngjyrave
Ashtu sikurse besohej për numrat dhe format e manifestimit mistik të ndikimit të tyre në jetën tonë të përditshme, jo vetëm urtësitë e lashta të civilizimeve të ndryshme, por edhe psikologjia jonë bashkëkohore, vlerëson rëndësinë e madhe të ndikimit të ngjyrave në krijimin e efekteve të ndryshme psikike dhe gjendjeve të caktuara emocionale dhe shpirtërore në përgjithësi.
Se ngjyrat, vërtet, kanë një ndikim të pamohueshëm në gjendjen tonë emocionale, atë mund ta ndjeni edhe vetë. Humori juaj fare nuk do të jetë i njëjtë në një ambient ku dominon ngjyra e kuqe dhe aty ku do të dominojë ndonjë ngjyrë tjetër më e çiltër.
Mu për këtë qëllim edhe arkitektët e enterierit të hapësirave publike dhe banesore, gjithnjë përkujdesen që dhomat dhe ambientet me dedikime të ndryshme, të kenë ngjyra të caktuara. E njëjta gjë është edhe me rrobat që ne i veshim. Edhe këtu, ngjyrat e kanë rolin e tyre vendimtar, si në shkaktimin e gjendjes së humorit në ne, ashtu edhe te krijimi i efekteve të caktuara tek të tjerët.
Që nga koha e Babilonisë së vjetër, astrologët kanë besuar se çdo planeti i takon një ngjyrë e caktuar dhe ajo, në mesin e shumë elementeve tjera, luan një rol të rëndësishëm në komentimin parathënës për shenjën e caktuar.
P.sh. Diellit, i ka takuar e verdha e arit dhe e portokallta; Hënës, ngjyra e bardhë; Marsit, e kuqja e mbylltë; Merkurit, tonet neutrale dhe jeshil e çelët; Venerës, jeshil e mbylltë dhe e kaltra; Jupiterit, e kaltra dhe ngjyra vjollcë; Merkurit, edhe ngjyra e zezë dhe e kaltra e mbylltë.
Përveç astrologjisë, urtësia e lashtë çifute Kaballeja, manipulon shumë me ritualin e ngjyrave. Sipas saj, vizualizimi mental i ngjyrës së caktuar dhe paralelisht shqiptimi i fjalëkalimit adekuat verbal, arrihet në gjendje transi, gjatë së cilës mund të kontaktohet me nivele të lartësuara hyjnore.
Edhe urtësitë tjera të lashta, sikurse janë: magjia, hermetizmi, okultizmi, alkimia etj., të gjitha ritualet e veta i mbështesin në veprimin e domethënies së simbolikës së ngjyrave.
Ndikimet e ngjyrave në hapësira të caktuara dhe në gjendjen e përgjithshme emocionale të njeriut, ata kanë përpiluar tabela të veçanta të klasifikimit të tyre, të cilat i ruanin si fshehtësi. Në përgjithësi, popujt e lashtë ngjyrat e i kanë klasifikuar si: ngjyra me ndikime pozitive, dhe ato që kanë ndikim negative.
Ngjyrat me ndikim pozitiv:
Ngjyra vjollcë simbolizon inteligjencën, dijen dhe triumfin;
Ngjyra e kaltër simbolizon natyrën e panënshtrueshme të njeriut;
Ngjyra jeshile simbolizon shpresën, besimin dhe fitoren;
Ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë, gëzimin dhe të vërtetën;
Ngjyra e kuqe simbolizon vlerën, fuqinë dhe shëndetin;
Ngjyra e verdha e artë simbolizon suksesin.
Ngjyrat me ndikim negativ:
Ngjyra e zezë simbolizon vdekjen, kobin dhe vajtimin;
Ngjyra e verdhë e mbylltë simbolizon tradhtinë, ambiciet dhe dyfytyrësinë;
Ngjyra hirtë simbolizon gabimet dhe pendimin;
E purpurt simbolizon shkatërrimin dhe disfatën;
Ngjyra e portokalltë simbolizon lakminë;
Ata që s’kanë dashur të rrezikojnë fatin e tyre, i kanë kushtuar një kujdes të veçantë kombinimit dhe kontrasteve të këtyre ngjyrave. Ngjyra e bardhë nuk duhet të përzihet me ngjyrën vjollcë; e verdha me të hirtën ose me të kaltrën e mbylltë; e kuqja me të portokalltën; jeshilja me të hirtën; e bardha me të kaltrën etj.
Si kombinime të ngjyrave që do të ndikonin pozitivisht në fatet njerëzore konsideroheshin: e kuqja me vjollcën; e kaltra e mbylltë me të portokalltën; e kaltra a hapur me jeshilen e mbylltë; e zeza me të verdhën etj.
Edhe ditët e javës i kishin ngjyrat e tyre: e hëna ishte me ngjyrë të bardhë: e marta me ngjyrë të kuqe, e mërkura kishte ngjyrë jeshile; e enjtja mbante ngjyrën e purpurt; e premtja identifikohej me të kaltrën; e shtuna me të kaltrën e mbylltë dhe e diela kishte ngjyrë portokalli. Ngjyrat që më së shumti përmenden në mitologjitë dhe besëtytnitë popullore janë: e bardha, e zeza, e kuqja, e kaltra, jeshilja dhe e verdha.
Filozofi i lashtë Filioni nga Alaksandria, konsideronte se i tërë universi është i ndërtuar nga katër ngjyrat që i simbolizojnë të katër elementet: e bardha, tokën; e jeshilja, ujin; ngjyra vjollcë, ajrin, dhe e kuqja, zjarrin. Ndërsa, të shtatë ngjyrat tjera që pasojnë, sipas Filionit, kanë përputhshmëri numerike dhe harmoninë e shtatë ditëve të javës, shtatë notave muzikore, shtatë qiejve, shtatë planetëve etj. Edhe psikiatri bashkëkohor Karl Gustav Jungu ka konstatuar se në koncepcionin e psikanalizës, ngjyrat shpalosin funksionet themelore psikike të njeriut.
Në vazhdim do ta paraqesim domethënien simbolike të gjashtë ngjyrave më të rëndësishme që konsiderohen si bazë e formimit të shumë nuancave tjera kolorite:
NGJYRA E BARDHË
‐ Edhe pse në Kinë dhe Japoni ngjyra e bardhë simbolizon zinë dhe vdekjen, ajo në besimet e popujve tjerë të botës, ka domethënien ngjyrës së dritës. Është ngjyrë që simbolizon pastërtinë dhe kthjelltësinë, gjendje humori, festën, gëzimin dhe harenë, pafajësinë dhe virgjërinë femërore, sinqeritetin etj. Por, tek disa popuj ekziston besëtytnia që prania e disa llojeve të luleve të bardha në shtëpi nuk sjellin fat.
NGJYRA E ZEZË
‐ Zakonisht është negative dhe ka të bëjë me: terrin, vdekjen, varfërinë, kobin, kaosin… Ngjyra e zezë është ngjyra e sotonës, e djajve, shtrigave dhe e demonëve.
Gjithmonë kjo ngjyrë shprehet si manifestim i së keqes. Në letrat e fatit Tarot, ka domethënien e vdekjes.
Tek shumë popuj besohet se vezët e zeza kanë fuqi magjike, ndërsa pula me ngjyrë të zezë parathonë varfërinë. Nëse buqetën e luleve e lidhim me fjongo të zezë, kjo parathotë vdekjen. Në hieroglifët egjiptiane, pëllumbi i zi ka qenë simboli i femrës, e cila gjatë tërë jetës ka mbetur e ve.
Ndërsa, Kalorësi i Apokalipsës (paralajmëruesi i shkatërrimit të botës), tregohet se kalëron në kali të zezë. Edhe te ne shqiptarët besohet se, nëse ju prehet rruga nga macja e zezë, nuk do të keni fat, ndërsa romakët e vjetër ditën e “pafat” e kanë shënjuar me gur të zi. Në Bibël thuhet se Juda që e tradhtoi Jezusin është i mbuluar me të zezë. Por, e zeza, si simbol, shpesh nuk përdorej në kontestin negativ.
Ta zëmë, nëse me vete mbani dhëmbin e qenit të zi, atëherë kurrë nuk do të sulmoheni dhe as të kafshoheni nga qentë tjerë. Ose, në kulturat e pasura tradicionale të shumë popujve, lidhja e shiritit të zi është përdorur për largimin e zënies së frymës, dhimbjes së kokës dhe dhimbjeve të dhëmbëve.
NGJYRA E KUQE
‐ Ngjyra e kuqe është njëra ndër ngjyrat më të rëndësishme të simbolikës rituale okulistike. Konsiderohet si ngjyra e gurit alkimist të të urtëve që në vete mban vulën e shenjës së diellit. Është ngjyrë e shpirtit të shenjtë, e viktimizmit, zjarreve hyjnore, bukurisë, begatisë dhe dashurisë. Po ashtu, konsiderohet edhe si ngjyrë e luftës, gjakut, shqetësimeve kolektive, emocioneve dhe urrejtjes.
Jo vetëm kaq!
Më tej, ngjyra e kuqe trajtohet si ngjyrë e shpirtit, epshit (libidosë), e zrmës, dijenisë, mençurisë si dhe urtësisë ezoterike. Të gjithë magjistarët, gjatë ritualeve të tyre magjike, vishnin pelerinat me ngjyrë të kuqe. Edhe sipas mësimeve biblike, gjatë krijimit të njeriut të parë (Ademit) është përdorur dheu i kuq. Në Japoni, e kuqja është ngjyra e sinqeritetit dhe besnikërisë. Atje, zakonisht, në veshjet e tyre tradicionale, të kuqen e bartin femrat.
Në Romën e lashtë, ngjyra e kuqe ka qenë ngjyrë e fisnikëve, gjeneralëve dhe shtresës elite të patricëve. Në Kinë dhe Rusi, ngjyra e kuqe u paraprinte të gjitha riteve popullore e veçanërisht atyre që i kushtohen pranverës, fejesës dhe lindjes ‐ pjellshmërisë. Për fëmijët e shëndoshë, thuhet se është i kuq si gjaku. E, nëse e ëndërron të kuqen, do të thotë fat në dashuri.
NGJYRA E JESHILËT
‐ Në besimet e popujve që nga lashtësia dhe në kohërat e sotme, ngjyra e gjelbër simbolizon fuqinë, besimin, ringjalljen, natyrën, qetësinë shpirtërore dhe mirëqenien në përgjithësi, andaj edhe jo rastësisht është përvetësuar si ngjyra bazë e besimit mysliman. Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe popuj të tjerë që këtë ngjyrë e konsiderojnë si të pafat dhe ngjyrë e njerëzve të vegjël, “e vegjëlisë”.
Në këto besime, ajo konsiderohet se është e pafat, veçanërisht tek të dashuruarit kur ata me vete mbajnë eventualisht ndonjë veshje apo send që ka këtë ngjyrë. Në Anglinë e vjetër, ngjyra e jeshilët simbolizonte pranverën, rilindjen dhe shëndetin e mirë. Të dhuruarit dikujt në mëngjes ndonjë send me ngjyrë jeshile është konsideruar si fatsjellëse.
NGJYRA E KALTËR
‐ Kjo ngjyrë konsiderohet si ngjyra e qiellit dhe e shpirtit. Në planin psikik, e kaltra është ngjyra e mendimeve, ndërsa e kndërta në orientin e lashtë, kjo ngjyrë simbolizonte brengën dhe dhembshurinë, ndërsa në besimet e disa popujve tjerë ajo shpreh sinqeritetin dhe aftësinë kreative. Po ashtu, është shumë i përhapur besimi se ngjyra e kaltër sjell fat dhe na mbron nga ndikimet negative psikike dhe shpirtrat e ligë.
Të veshësh veshje me ngjyrë të kaltër në ditën e parë të martesës është besuar se bashkëshortëve të ardhshëm në jetën e përbashkët bashkëshortore do t’iu sjellë fat, harmoni dhe lumturi. Po ashtu, duhet përmendur edhe një besim që është tejet i përhapur edhe në kohën e sotme dhe ka të bëjë me bartjen e zinxhirit apo qafores me guralacë të kaltër rreth qafe, se ato na ruajnë nga gripi, ftohjet dhe inflamacionet e ndryshme.
NGJYRA E VERDHË
‐ Është ngjyra e arit, dritës diellore dhe inteligjencës kreative. Në besimet e popujve të lindjes, kjo ngjyrë simbolizon dobësinë dhe sëmundjen. Ndërsa, zakonisht konsiderohet se veshjet me ngjyrë të verdhë, në veçanti femrave u sjellin magnetizmin, tërheqjen, gëzimin dhe harenë.
Në marketingun bashkëkohor, ngjyra e verdhë konsiderohet si ngjyrë që më së shumti e tërheq vëmendjen e të tjerëve, andaj edhe shumë punime publicistike për qëllime të reklamimeve të ndryshme, gjithnjë krijohen nga ngjyra e verdhë
Të tjera sekrete që fshehin ngjyrat
Kërkuesit kanë zbuluar se në mënyrë të pavetëdijshme, njerëzit bëjnë një vlerësim pamor të shpejtë në 90 sekondat e para që shohin një mjedis apo produkt.
Ekspertët e marketingut shprehen se kur njerëzit blejnë diçka, 93 për qind e tyre mbështeten te pamja e jashtme e produktit, 6 për qind shohin materialin dhe vetëm 1 për qind i kushton rëndësi aromës që mban sendi.
Përdorimi i ngjyrave përmirëson aftësinë për të mësuar nga 55-68 për qind, aftësinë për të lexuar me 40 për qind dhe rrit me 73 për qind mundësinë e të kuptuarit të diçkaje. Ja sekretet që fshihen pas çdo ngjyre kryesore.
E kuqja është ngjyra më e preferuar e të gjitha kohërave, ndoshta sepse ajo përfaqëson një emocion shumë të fortë siç është dashuria. Ajo lidhet me pasionin dhe intensitetin e ndjenjave të ndryshme. Trëndafilat e kuq janë lulet më të shitura ditën më të veçantë të dashurisë, atë të Shën Valentinit.
Në fushën e marketingut, ngjyra e kuqe përdoret më së shumti në restorante, pasi mendohet se nxit oreksin. Siç mund ta keni vënë re, ngjyra e kuqe përdoret edhe për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve në raste ofertash apo shitjesh, sepse nxit një lloj impulsi të tërheqjes te njerëzit. E kuqja përdoret edhe për të sinjalizuar një rrezik apo urgjencë, siç është rasti i ambulancave, semaforëve dhe tabelave rrugore. Kompani të mëdha që e përdorin ngjyrën e kuqe në logot e tyre janë: “Mc Donald’s”, “YouTube”, “Lay’s” “H&M”, “CNN”, “Nintendo”, “Red Bull”, “Toyota” dhe “Adobe”.
E verdha është ngjyra e lidhur me lumturinë dhe gëzimin. Për sytë, ajo është një ngjyrë që shkakton lodhje dhe tendosje. Sa herë që një bebe shikon ngjyrën e verdhë, ka shumë mundësi që ajo të qajë. Kjo ngjyrë nxit komunikimin dhe stimulon sistemin nervor.
Në fushën politike e verdha përfaqëson liberalët. Në marketing, ajo është sinonim i rinisë dhe optimizmit. Përdoret në reklama apo në vitrina për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Ngjyra e verdhë nënkupton qartësinë dhe pastërtinë.
Bluja është e lidhur me paqen dhe ujin. Pëlqehet më së shumti nga meshkujt dhe prezanton qetësinë e kthjelltësinë. Fakti interesant për ngjyrën blu është se ajo parandalon urinë. Është një ngjyrë gjithnjë e pranishme për njerëzit, pasi është ngjyra e qiellit dhe e detit. Nga pikëpamja psikologjike, bluja rrit produktivitetin dhe për këtë arsye përdoret më së shumti në zyra.
Në politikë, ngjyra blu është përfaqësuese e atyre me pikëpamje konservatore dhe përdoret më së shumti nga partitë demokratike të shteteve.
Në marketing, ngjyra blu përdoret për të rritur rendimentin e punës dhe për të qenë sa më qetësuese. Markat e njohura e përdorin ngjyrën blu në produktet e tyre, pasi ajo rrit sigurinë dhe besimin.
Portokallia është ngjyra që lidhet me entuziazmin dhe ekzaltimin. Reflekton ngrohtësi dhe përdoret për të dhënë paralajmërime.
Në pikëpamje politike, portokallia paraqet Vendet e Ulëta dhe familjet e tyre mbretërore. Në marketing, portokallia është simbol i agresionit, nxit ndërmarrjen e veprimeve si blerja dhe shitja, mendohet se i shkakton impulse të shumta blerësve dhe përfaqëson markat miqësore, të gëzuara dhe të besueshme.
E gjelbra është një nga ngjyrat më të pëlqyera dhe më qetësuese. Ajo lidhet me shëndetin dhe natyrën. Ngjyra e gjelbër simbolizon edhe paratë. E gjelbra parandalon dhembjet e stomakut tek punëtorët që punojnë në një mjedis të gjelbër dhe ul ndjeshëm nivelin e depresionit. Kjo ngjyrë përdoret tek syzet e natës, pasi syri ynë është shumë më i ndjeshëm për të dalluar forma nën efektin e së gjelbrës.
Vjollca është ngjyra që përfaqëson më së miri shëndetin, suksesin dhe diturinë. Për shkak se shumë mbretër preferonin ngjyrën vjollcë për veshjet e tyre, nga pikëpamja politike, ajo përfaqëson mbretërinë.
Në marketing vjollca përdoret për produktet që reklamojnë bukurinë dhe luftën ndaj plakjes. Ajo i transmeton klientit rehatinë dhe qetësinë. Në marka të njohura, ngjyra vjollcë përdoret për të nxitur imagjinatën, krijimtarinë dhe mençurinë. Një nga kompanitë më të njohura që përdor këtë ngjyrë është “Yahoo”.
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…