Gazeta Panorama.al në numrin e sotëm risjell për publikun prapaskenat dhe ngjarjet misterioze rreth gjyqit ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe drejtuesit të Sigurimit të Shtetit, Kadri Hazbiu, i vendosur në bankën e të akuzuarve si pjesë e organizatës kundërrevolucionare që donte të eliminonte Enver Hoxhën.
Vijon nga numri i kaluar
Shënimet për këtë proces misterioz janë mbajtur nga ish-shefi i Sigurimit të Bllokut, njeriu më i afërt i Mehmet Shehut, Gani Kodra, edhe ky i fundit pas vetëvrasjes së dyshimtë të kryeministrit përfundoi si i pjesw e kwsaj organizate.
Ndaj grupit të të akuzuarve, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Lambi Ziçishti dhe Gani Kodrës janë ushtruar dhunë dhe tortura në 17 muaj hetuesi, që këta të fundit të pranonin se ishin pjesë e organizatës që udhëhiqej nga Mehmet Shehu dhe që synonte rrëzimin e Komunizmit.
Në numrin e kaluar lexuesit u njohën me akuzat e berberit personal të Mehmet Shehut, i cili deponoi në gjyq se ishte agjent i rekrutuar nga jugosllavët dhe se kishte si synim të krijonte lidhjen me Kadri Hazbiun. Por ish-ministri i Brendshëm i ka hedhur poshtë këto pretendime, teksa ka mohuar të ketë njohje me berberin e Mehmetit.
Ndërkohë që rrëfimin e sotëm, Gani Kodra sjell bisedën private që kishte zhvilluar me berberin e Mehmet Shehut, ku sipas tij ky i fundit i rrëfeu se kishte marrë premtimin nga Hekuran Isai se do lirohej nga burgu nëse fundoste Kadri Hazbiun.
Ndërkohë që ish-ministri i Brendshëm u akuzua dhe për nxjerrjen e informacioneve sekrete dhe ndalimin e që i ishte bërë Sigurimit të Shtetit për të hetuar Jugosllavinë. Por Kadri Hazbiu tha në gjyq se ky urdhër për të cilin akuzohej ishte dhënë nga vetë Enveri.
DËSHMITË E NJERËZVE TË AFËRT TË HAZBIUT, TË RREME
Ato që thoshte Kadri Hazbiu para trupit gjykues për faktin se ku ndodhej natën e 17 dhjetorit 1981 kur vdiq Mehmet Shehu ishin më se të vërteta. Po ashtu, për sa deklaroi për mohimet që i bënin të vërtetës sekretarja e tij me të shoqin, radisti, shoferi dhe berberi i hotel “Dajtit” qëndronin absolutisht.
Më e veçanta ishte aludimi i Hazbiut për ato çka solli si dëshmi Xhavit Ismailaga, të cilin jo vetëm e injoroi për paaftësinë e mënyrës së bërjes së dëshmisë së rreme, por në një farë mënyre ai denoncoi dhe hetuesinë që mbështetej te njerëz që nuk kishin arsim dhe që përdoreshin kot më kot për gjëra që nuk kishin pasur asnjë lidhje. Në të vërtetë, Xhaviti ishte një njeri pa arsim, mbi 72 vjeç. Ai ishte njeri që as fjalën agjenturë nuk e kuptonte gjatë kohës që depononte kundër Kadriut.
Nga njëra anë thoshte se jugosllavët kërkonin takim me Kadriun dhe nga ana tjetër, po aty depononte se kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, kishte dhënë informacion për të huajt që bënin takim në hotel “Dajti” me njerëz të ndryshëm, qoftë shqiptarë ose të huaj apo për diplomatët që mblidheshin së bashku etj. Cilën prej deponimeve të tij duhej të besonin, atë që ishte në shërbim të jugosllavëve, apo që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Gjëja më e madhe që ishte për të qeshur, ishte kur prokurori Rrapi Mino tha: “Xhaviti ka qenë agjent i jugosllavëve. Kur e rekrutuan, atë e shpërblyen me 500 lekë të vjetra”. Kjo ishte me të vërtetë për të qeshur, për faktin se me një qethje që i bënte ndonjë diplomati të huaj Xhaviti fiton te 500 lekë bakshish.
XHAVITI MË KA PRANUAR MUA SE ISHTE DETYRUAR NGA HEKURANI PËR TË DËSHMUAR KUNDËR HAZBIUT
Kur mbaroi gjyqi ynë dhe pasi u dënuam, unë me Xhavitin ishim së bashku në burgun e Burrelit. Sigurisht që unë e kisha shok. Një ditë, gjatë një bisede i thashë: “Po ti ore burrë i dheut, arrite the atë çudi për Kadriun se gjoja jugosllavët të paskëshin kërkuar takim me të”. Aty për aty, pa u menduar fare, Xhaviti ma ktheu: “Siç je rrahur ti, jam rrahur edhe unë”. Megjithatë, unë nuk pranova të thosha gjë, pasi nuk dija. Por pas kësaj mua më thirri personalisht Hekuran Isai dhe më tha: “Të jap fjalën e burrit se po e akuzove Kadriun me fjalët që të themi ne, unë të liroj nga burgu dhe kjo që të them është fjalë burrash”. Kështu unë iu përgjigja: “Shkruani çfarë të doni dhe sillmani ta firmos”.
KADRI HAZBIU PËRCJELL AKUZAT TE ENVER HOXHA
Akuzat në drejtim të Kadriut vazhdonin në çdo drejtim në mënyrë që ta thyenin me çdo kusht, të paktën, të pranonte diçka, qoftë edhe një gabim pune, që këtë ta kthenin sikur e kishte bërë me qëllim sabotimi. Nga kryetari i trupit gjykues Kadriut iu bë një pyetje. “Përse ti Kadri në vitin 1956 iu ke dhënë urdhër të gjithë organeve të Sigurimit të Shtetit që të pushonin veprimtarinë agjenturore në drejtim të zbulimit të jugosllav dhe të mos bëhej asnjë veprim në drejtim të saj”?
Kadriu iu drejtua trupit gjykues duke i thënë: Që në fillim të hetuesisë nga akuzat që më bëheshin, kam kërkuar të gjitha materialet përkatëse që ndodheshin në dosjen përkatëse të arshivuara në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me gjithë insistimin tim që në ditën e parë të hapjes së gjyqit, prokuroria dhe ju trupi gjykues nuk m’i dhatë, duke mos e pranuar këtë kërkesë që është e drejta ime ligjore dhe që juve ligjërisht keni detyrë të ma plotësoni. Ajo dosje duhet patjetër këtu në proces me qëllim që dokumentet që ndodhen aty të ballafaqohen me të gjitha akuzat që më bëhen për të nxjerrë të vërtetën në shesh.
Por ju nuk e bëtë një gjë të tillë dhe kuptohet se juve nuk u intereson të m’i jepni. Megjithatë, unë do t’i përgjigjem pyetjes suaj falë memories që kam, sidomos për probleme parimore. Është e vërtetë se në vitin 1956 u dha urdhri që të pushohet puna jonë agjenturore në drejtim të zbulimit jugosllav. Por është aq e vërtetë që ky nuk ishte urdhri im.
Në dosjen e zbulimit jugosllav të arshivuar në arkivin e Ministrisë Brendshme ndodhet shkresa e ardhur nga Komiteti Qendror i Partisë drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila urdhëron organet e Sigurimit të Shtetit që të mos bëhet asnjë veprim në drejtim të zbulimit jugosllav. Kjo shkresë ka firmën e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë që kishte nën drejtim organet e Sigurimit. Në shënimet e tij Hysni Kapo jep udhëzime dhe porosi rigoroze për zbatimin e urdhrit të dhënë nga Enver Hoxha. Prandaj nuk jam unë që kam dhënë urdhrin, por është Enver Hoxha që e jep. Unë vetëm e kam zbatuar atë urdhër. Kështu, akuza që më bëhet nuk qëndron.
*
“Dua të shtoj,-vazhdoi Kadriu, se unë në punën time kam zbatuar gjithmonë urdhrat dhe udhëzimet që më vinin nga Komiteti Qendror i Partisë. Në të gjitha materialet që ndodhen në dosjet e arshivuara në arkivin e Ministrisë së Brendshme janë urdhrat që ka dhënë Enver Hoxha në lidhje me detyrat dhe veprimet që duhet të bëjnë organet e Sigurimit të shtetit. Përveç kësaj, çdo urdhër e veprim që jepesh nga Enver Hoxha, janë të zbërthyera nga Hysni Kapo, i cili e drejtonte personalisht Sigurimin e Shtetit nga ana partiake si sekretar i KQ që ishte.
Në zbatimin e urdhrave të Enver Hoxhës, Hysniu jepte udhëzime sesi duheshin zbatuar këto urdhra. Prandaj unë kam zbatuar këto urdhra dhe kam ndjekur rrugën e këtyre udhëzimeve. Shikoni mirë të gjithë dokumentacionin në arshive dhe sektorë (megjithëse jam i sigurt se i kini parë) dhe do të bindeni se të gjithë këto akuza që më bëhen mua janë të qëllimshme.
U HODH PËR SHQYRTIM ÇËSHTJA E DORËZIMIT TE SOVJETIKËT TË PLATFORMËS SË SIGURIMIT
“Atëherë si e shpjegon ti; i pandehur, atë që tha Llambi Peçini se iu ka dhënë këshilltarëve sovjetikë platformën e organeve të Sigurimit të aprovuar nga Byroja Politike, ku dhe ju kishit dijeni”? pyeti kryetari i trupit gjykues Kadriun, duke i thënë se platforma ishte një sekret me rëndë si të madhe shtetërore.
Kadriu iu përgjigj se “Llambi Peçini, po ashtu edhe ju vetë, ngatërroheni kot së koti për faktin se platformën e organeve të Sigurimit e kishin përpiluar vetë këshilltarët sovjetikë, duke e kopjuar nga vetë platforma e organeve të sigurimit të Bashkimit Sovjetik. Platforma mbasi u përpilua nga sovjetikët iu paraqit Byrosë Politike të partisë sonë, e cila e miratoi dhe mbi bazën e parimeve të kësaj platforme punuan në atë kohë organet e sigurimit tonë.
Prandaj ju dhe Llambi Peçini nuk kini të drejtë kur thoni se është nxjerrë një sekret me shumë rëndësi i shtetit tonë duke ia dhënë një shteti tjetër. Kurse këtu nuk ka asnjë nxjerrje sekreti nga ana jonë, përkundrazi sovjetikët na dhanë sekretin e tyre, duke shpjeguar se si e kishin ndërtuar ata platformën e organeve të sigurimit të tyre”.
MEMORIA DHE AFTËSITË E KADRIUT NË PROCES, TË JASHTËZAKONSHME
Në çdo përgjigje Kadriu ishte shumë i matur dhe mjaft i qetë, ai kishte një memorie të çuditshme, mbante mend ndodhi dhe probleme që kishin ndodhur më parë, sidomos urdhrat dhe detyrat që kishte marrë nga lart. Në shumë raste mbante mend jo vitet, por edhe muajt. Në çdo pyetje që i bëhej ai ishte shumë i saktë në përgjigjet e tij duke hedhur poshtë çdo akuzë me fakte bindëse, saqë trupi gjykues nga përgjigjet që merrte detyrohesh të kalonte nga një pyetje në një tjetër pyetje që nuk kishte lidhje me të parën, pasi nuk ishte në gjendje dhe nuk kishte fakte në përgjigjet bindëse që jepte Kadriu.
Një nga qëllimet kryesore të hetuesisë dhe të zhvillimit të procesit në gjyqin e zhvilluar ishte që të dilte me çdo kusht akuza që i bëhej Kadri Hazbiut se kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Mehmet Shehut dhe krahu i djathtë i tij dhe që të dy sëbashku kishin drejtuar gjoja “organizatën kundërrevolucionare” për të rrëzuar udhëheqjen e partisë, për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri.
Mirëpo kur panë se Kadriu nuk pranoi kategorikisht asnjë akuzë në këtë drejtim, atëherë trupi gjykues filloi të përdorë dëshmitarët të cilët ishin përgatitur me shumë kujdes nga hetuesia për të akuzuar Kadriun me gjëra të paqena dhe të sajuara me mjeshtëri me qëllim që të hidhnin poshtë mbrojtjen që iu bënte Kadriu akuzave të tij./ Panorama
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…