Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famëshme, në ndihmë të të vërfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonëshme për të ndihmuar bashkëatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkomëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.
Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Letra e ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, më 29 gusht 1969
AMBASSADE DE LA REPUBLIQUE POPULAIRE D ALBANIE EN FRANCE
131 Rue de la Pompe 16
Nr.5/60 Prot.
E thjeshtë
Paris 29 gusht 1969
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME
Tiranë
Bashkangjitur po ju dërgojmë Aide – Memoire-n, datë 29 gusht 1969 që Ministria e Punëve të Jashtme Franceze, i dorëzoi të ngarkuarit me punë të kësaj ambasade përmbajtjen e së cilës jua kemi komunikuar më parë.
I NGARKUARI ME PUNE
Nos Qosja
ANNEXE
Roza BOJAXHIU née á PRIZREN le 18.4.1883
Agatha BOJAXHIU née á SKOPJE le 6.3.1905
Adresse: Ruga R. Perlat ND 5, ap. 4 TIRANA / Albanie
Nationalité: albanaise
Mére et sour de:
Mother Teresa, 54 A Lower Circular RD.
Calcutta 16 India
Informacion ditor datë 4.10.1969
Mbi Roza e Agatha Bojaxhiun për të cilat, interesohet Ministria e Punëve të Jashtme franceze dhe vetë ministri Moris Schuman:
Të sipërmet kanë shtetësi shqiptare dhe banojnë në rrugën “Perlat Rexhepi” në Tiranë, në një apartament dy dhoma e një guzhinë. Roza është mbi 85 vjeç. Kohët e fundit është paralizuar dhe nuk lëviz fare nga shtrati. Ndërsa vajza e saj Agatha, është 54 vjeç, e pamartuar dhe punon rrobaqepëse private në shtëpi.
Kanë ardhur në vendin tonë nga Shkupi, në vitin 1930 dhe që në atë kohë, janë vendosur me banim në Tiranë. Bashkë me to ka ardhur dhe djali i Rozës, që ka qenë ish oficer i Zogut. Ky në vitin 1940, shkoi në Itali dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Aktualisht punon farmacist në një qytet të Italisë.
Si gjatë luftës dhe tani, të dyja ato kanë mbajtur qëndrim indiferent dhe nuk janë përzier në politikë. Agatha, angazhohet në një farë mënyre në problemet e lagjes.
Në Shqipëri, nuk kanë ndonjë pjesëtar tjetër të familjes apo të afërm. Në lagje qëndron mirë dhe mban sjellje korrekte. Jetojnë me të hollat, që nxjerr Agatha nga puna si rrobaqepëse në shtëpi dhe me ndonjë ndihmë të vogël, që u dërgon i vëllai nga Italia, qoftë në emër të tij, qoftë në emër të motrës tjetër të tyre që është murgeshë në Indi.
Letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, dërguar ambasadës shqiptare në Paris, për Roza dhe Agatha Bojaxhiun
Tiranë më 16.4.1970
DREJTORIA E IV
LËNDA: Mbi kërkesën e MPJ të Francës, lidhur me Roza dhe Agatha Bojaxhiun.
AMBASADËS SË R.P. TË SHQIPËRISË
PARIS
Kërkesa që ka bërë MPJ e Francës, rreth Roza e Agatha Bojaxhiut që të vijnë në fillim aty si vizitore dhe më pas, të merren në ngarkim nga organizata “Caritas International” e të vendosen me banim të përhershëm në Vatikan, nuk mund të merret parasysh. Për këtë shoku, Nos Qosja, ka marrë takim në ministri, me drejtorin e çështjeve politike, që e ka trajtuar këtë problem dhe verbalisht me korrektësinë e duhur dhe t’i thotë se autoritetet kompetente shqiptare, shqyrtuan kërkesën e tyre dhe rezulton se ata nuk kanë marrë ndonjë kërkesë, nga të mësipërmet për të lënë Shqipërinë.
Dhe as që mendojnë që të shkojnë pranë vajzës së tyre në Indi. Shoku Nos, ti thotë gjithashtu se Roza është 86 vjeç dhe nuk mund të lëvizë nga shtrati. Në fund t’i thotë në taktin e duhur, se nga ana jonë janë marrë të gjitha masat e nevojshme si për të gjithë shtetasit e Republikë Popullore të Shqipërisë, që atyre të mos ju mungojë asgjë.
Mbasi të bëni takimin, na njoftoni lidhur me reagimin e tyre për këtë çështje.
MINISTRI
(Nesti Nase)
Telegrami sekret i ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me interesin e shtetit francez për nënën dhe motrën e Gonxhe Bojaxhiut, që jetonin në Tiranë
D E SH I F R I M
Nga: Parisi
Nr. 348 Datë: 7.3.1970
MINISTRISË SE JASHTME
Në një takim që pati Nosi, në MPJ të Francës me nëndrejtorin për çështjet politike, Jurgenser, i komunikoi atij përgjigjen tonë lidhur me çështjen e motrave Bojaxhiu. Ai tha se do të njoftojë për këtë, Moris Schumanin. Dhe se beson që ministri, do të mbetet i kënaqur nga përgjigja. Pastaj Jurgenser e pyeti Nosin, për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë si dhe për qëndrimin tonë lidhur me Konferencën e Sigurimit Evropian.
(vijon)
DESHIFRIM
Nga: Parisi
Nr. 349 Data: e dyta
Pasi Nosi, i shpjegoi qëndrimin tonë Jurgensen i tha se qëndrimi zyrtar francez, puqej me atë të qeverisë shqiptare. Franca, është kundër qëndrimit të ushtrive amerikane e sovjetike nëpër vendet e ndryshme të Evropës dhe të flotave të tyre në Mesdhe. Edhe Franca mendon se kjo konferencë nuk do të sjelli asgjë me rëndësi.
(vijon)
DESHIFRIM
Nga: Parisi
Nr. 350 Data: e treta
Por nisur nga fakti që shumë vende evropiane e duan këtë konferencë, mundet që të mos kundërshtohej mbajtja e saj. Edhe një gjë theksoi Jurgenseni: Vendimet që do të marri konferenca, do t’ju lënë rrugë të lirë shteteve të Paktit të Varshavës dhe Jugosllavisë, që në rast agresioni (si ai i Çekosllovakisë) të kërkojnë ndihmën e shteteve të tjera evropiane për vetëmbrojtje.
Relacioni i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, për ministrin e Punëve të Jashtme në Tiranë, Reiz Malile, lidhur me interesimin e prof. arbëresh, Giuseppe Del Gaudio, i cili kërkonte të lejohej Nënë Tereza të vinte në Shqipëri, duke dhënë edhe biografinë e saj.
AMBASCIATA 00199 Roma 1.6.1989
DELLA REPUBBLICA SOCIALISTA D”ALBANIA VIA.ASMARA, 9
IN ITALIA TEL.83.80.725
MINISTRISE PUNEVE TE JASHTME
(Shokut Reis Malile)
Bashkangjitur, po ju përcjell një letër që me drejton prof. Giuseppe Del Gaudio, arbëresh nga Catanzaro, mik i vendit tonë, i cili parashtron dy kërkesa:
Dëshira e Madre Tereza për të bërë këtë vizitë në Shqipëri, na ka dalë edhe herë të tjera, nëpërmjet njohjeve tona në rrethet arbëreshe. Si mbas tyre: Madre Tereza, gjatë gjithë veprimtarisë së saj asnjëherë nuk është shprehur kundër politikës dhe sistemit tonë në fuqi, përkundrazi, vazhdimisht ajo përmend me mburrje, faktin që është nga Shqipëria; ka kontribuar në mënyrë aktive, moralisht e materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës; institucionit që drejton dhe vetë ajo disponon shuma të mëdha financiare, të cilat ajo i jep në shërbim të qendrave shëndetësore për fëmijë e pleq, në të gjithë botën, vizita e saj në Shqipëri, do të shërbente si barrier ndaj ndonjë fushate të mundshme propagandistike, kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, që mund të shfrytëzohet në dëm të vendit tonë, sidomos mbas vdekjes së saj, për mos plotësimin e kësaj dëshire.
Ambasadori
(Dashnor Dervishi)
DREJTORIA E TRETE
Viti 1989
I N F O R M A C I O N Dosja 1204
Prof. Giusepe Del Gaudio, arbëresh nga Katanzaro, mik i vendit tonë dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh, në një letër që i dërgon ambasadorit tonë në Romë, parashtron dy kërkesa:
Ambasada jonë në Romë sqaron se dëshira e G. Bojaxhiut për të bërë këtë vizitë në Shqipëri, ka dalë edhe herë të tjera nëpërmjet njohjeve në rrethet arbëreshe. Sipas tyre, ajo gjatë gjithë veprimtarisë së saj, asnjëherë nuk është shprehur kundër politikës dhe sistemit tonë në fuqi, përkundrazi, vazhdimisht ajo përmend me mburrje faktin që është nga Shqipëria, ka kontribuar në mënyrë aktive, moralisht e materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës, institucioni që ajo drejton, disponon shuma të mëdha financiare, të cilat ajo i jep në shërbim të qendrave shëndetësore, për fëmijë e pleq, në të gjithë botën, vizita e saj në Shqipëri, do të shërbente si barrier ndaj ndonjë fush të mundshme propagandistike kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, që mund të shfrytëzohet në dëm të vendit tonë, sidomos mbas vdekjes së saj për mos plotësimin e kësaj dëshire.
Lidhur me vizitën e grupit të shkrimtarëve arbëreshë si të ftuar të Lidhjes së Shkrimtarëve, mendojmë të merret mendimi i Lidhjes dhe të ftohet kryetari prof. Del Gaudio, me 2-3 bashkëpunëtorë të afërt dhe jo 20 vetë. Ose të vijnë si grup turistik.
Për sa i përket kërkesës së Nënë Terezës, për vizitë private në Shqipëri, nisur edhe nga mendimi i ambasadës mendojmë të shikohet pozitivisht.
BIOGRAFIA E NËNË TEREZES
Viti 1989
(Anjezë Gonxhe Bojaxhi) Dosja 1204
Nënë Tereza, lindi më 27 gusht 1910-ën, qyteti maqedon të Shkupit, i cili atëherë ishte nën sundimin e Perandorisë Otomane. Ajo ishte e bija e një fshatari shqiptar dhe emrin vashëror e kishte Anjeze Gonxhe Bojaxhiu. E nxitur nga vizita misionare, që një prift katolik i qendrës misionare të Kalkutës, bëri në shkollën elementare të Shkupit, në vitin 1922, ajo vendosi që t’i përkushtohej ndihmës për të varfrit. Ajo zgjodhi Indinë, si fushë të punës së saj dhe nëpërmjet mësimit të gjuhës, u përgatit për veprimtarinë e saj të ardhshme.
Në vitin 1928, ajo hyri në manastirin “Motrat e Loretos” në Rathfarnham, pranë Dublinit. Pas disa muajsh, ajo u dërgua në Darjelin për të kryer arsimimin si murgeshë. Atje ajo mori njëkohësisht arsimin si mësuese e gjeografisë. Po atje, në të njëjtin vit, ajo bëri betimin fetar. Në vitin 1929, u dërgua në shkollën e mesme “Shën Maria” në Kalkutë, ku në fillim punoi si mësuese gjeografie dhe më pas si drejtoreshë. Pas ndarjes së nën kontinentit indian në dy shtete, Indi dhe Pakistan, në Kalkutë vërshuan kolonat e refugjatëve në Pakistani Lindor (sot Bangladeshi). Pikërisht në atë kohë, gjatë një udhëtimi me tren, për në Darjeling, ajo përjetoi atë, që ajo vetë e ka cilësuar si “përvojë e saj e Damaskut”.
Duke parë vuajtjet, para së gjithash, të fëmijëve, ajo i dërgoi një lutje Vatikanit, me anë të së cilës i kërkonte që, në vend që t’u jepet mësim vajzave të rritura, të mund të punonte në lagjet e varfra të Kalkutës. Miratimin e mori në vitin 1948 dhe nënë Tereza, vendoset në lagjen e varfër Tiljala, tek një familje me 7 pjesëtarë. Qëndrimi i saj i vrullshëm në këtë lagje, i nxiti banorët e saj që, pak ditë më vonë t’i dorëzonin nën Terezës, fëmijët e tyre për përkujdesje. Më 19 mars 1949, tek ajo u paraqit vajza e parë bengale dhe kërkoi të pranohej si ndihmëse vullnetare.
Më 7 tetor 1950, me miratimin e Vatikanit, ajo themeloi Urdhërin e “Misionarëve të dashurisë për tjetrin”, i cili sot numëron afro 1600 motra dhe më tepër se 300 vëllezër (këta të dytë i përkasin degës “Misionerët e dashurisë për tjetrin”, i krijuar në vitin 1963) si dhe më tepër se 120 000, ndihmës vullnetarë që u shërbejnë të sëmurëve me sëmundje shëruese dhe vdekje prurës. Përveç këtyre, ky urdhër ka krijuar gjithashtu 158 qendra në afro 15 vende: qendra mes të sëmurë që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, spitale kundër leprozës, spitale të ndryshme, çerdhe për fëmijë, shkolla – jashtë Indisë, sipas radhës, këto qendra u krijuan: në vitin 1965 në Karakas, në vitin 1968, në Tanzani dhe Romë, në vitin 1969 në Australia për aborigjente, me 1970 në Jordani dhe Londër, me 1971 në lagjet e zezakëve, në New York, në Belfast në një lagje të prekur nga lufta civile dhe në Bangladesh, një vatër për viktimat e akteve të dhunës, nga ushtarët pakistanezë, më 1973 një qendër kundër leprozës në Jemen, si dhe qendra në Rripin e Gazës në Izrael, në Etiopi dhe në Vietnam, më 1974 në Papua Guinea, Palermo dhe Kamboxhia, në vitin 1975 në Napoli, në 1976 krijoi qendra për të sëmurë me sëmundje vdekjeprurëse në Bombej dhe Dar es-Salaam, më 1977, hapi një mision në Romë, një spital për të sëmurët, pa shpresë në Manilë, qendra të tjera në Peru, në Tahiti, në vitin 1978, në Argjentinë Roterdam, në 1979 në Esen. Brenfa Indisë, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të nënë Terezës, janë 65 qendra në 25 qytete.
Pjesëtarët e këtij urdhëri në Indi, veshin rroba të ngjashme me ato që mbante nënë Tereza, kur u vendos për herë të parë në Tiljala: sari i bardhë, si ato që mbajnë zakonisht fshatarët, me bordurë blu dhe me një kryq në shpatull. Vlerësimi i parë publik asaj ju bë në vitin 1971, kur Papa Pavli i 6-të i dha Çmimin e Paqes (15 milion lireta) në vitin 1972 India i dha asaj Çmimin, Nehru, në vitin 1973 ajo mori Çmimin e Institucionit Tempëllton (34 mijë stërlina), në vitin 1976, asaj iu dha tituli i Doktorit të Nderit të Universitetit të New Delhit dhe në mars të vitit 1979, asaj iu dha dekorata e Institucionit Balzan, për nxitjen e paqes dhe vëllazërisë midis kombeve (500 mijë franka zviceriane).
Të gjitha këto çmime, u motivuan “për shkak të aktivitetit të saj vetëmohues dhe plot sakrifica në dobi të të uriturve, të sëmurëve të zakonshëm dhe atyre pa shpresë”.
Ndër detyrat e Urdhërit, është ai që asnjëherë të mos punohet për para dhe për pasuri; skema e shërbimit është në thellb kudo e njëjta. Që me lindjen e diellit bëhen vizita në lagjen e të varfërve, mblidhen ata që po vdesin dhe foshnjat e braktisura, dërgohen të sëmurët në qendrat e leprozëve dhe shpërndahen ilaçe dhe ushqime, në vende të caktuara.
Motot e këtij urdhëri janë: “Mos lejo kurrë që të takohesh me dikë dhe pas takimit tënd ai të mos jetë më i lumtur”. “Sëmundja më e keqe nuk është leproza ose tuberkulozi, por ndjenja që askush nuk kujdeset për ty, askush nuk të do më dhe se të kanë braktisur të gjithë”. “Dashuria e zotit duhet të zëvendësohet nga veprim për tjetrin, nëpërmjet këtij veprimi, një hindu bëhet një hindu i mirë, budistit bëhet budistë i mirë, i krishteri bëhet i krishterë më i mirë”, “në vendet e pasura ekziston një varfëri e cila është shumë më e madhe, se sa varfëria që shohim në Afrikë: varfëria e vetmisë dhe e braktisjes”.
Një gazetar e pyeti atë nëse ja vlente të kujdesej për disa foshnje, në një kohë kur në Indi, ka një numër kaq të madh njerëzish. Ja si e komentoi ai përgjigjen e saj: “Për atë kjo ishte një pyetje e cila i kundërvihej kaq shumë këndvështrimit të saj për jetën, sa që ajo e kishte të vështirë ta kuptonte pyetjen. Mendimi se në rrethana të caktuara mund të kishte më shumë fëmijë, se sa duhej, ishte për të po aq i pakuptueshëm sikur t’i kishin thënë në pyje ka më tepër lulekëmborë, në qiell më tepër yje se sa duhet”. Malkom Magariç, ka shkruar për nënën Terezën: “Kjo ka pamjen e një shenjtoreje. Është një grua e jashtëzakonshme, që më ka mbetur në mendje që nga takimi im i parë me të.
Ashtu si të gjithë njerëzit e shenjtë, ajo i kupton hallet e kësaj bote, jashtëzakonisht mirë. Nuk sheh as television dhe as lexon gazeta, megjithatë ka një kuptim të shkëlqyer të atyre që ndodhin në botë. Ashtu si të gjithë njerëzit e shenjtë, ajo nuk do të ndryshojë kurrë dhe do të vazhdojë të jetë shumë e lumtur. Ajo asnjëherë nuk flet keq për dikë tjetër. Në qenien e saj nuk shihet asnjë gjurmë egoizmi”. /Memorie.al
Marrë nga botimi gjermano perëndimor “Arkiv der gegenvard”.
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…