Telegrafi sjell një pjesë të stenogramit të bisedës së Josip Broz Titos me kreun ushtarak në Karagjorgjevë, më 21 dhjetor 1979 dhe më 22 dhjetor 1979. Për të gjithë ata që kanë pasur mendim pozitiv për të, ky stenogram do të jetë tronditës, sepse shpërfaq më së miri mendimin e tij për shqiptarët dhe Kosovën. Madje, deklarohet se ishte kundër Kushtetutës së vitit 1974 dhe se mendon ta vë Kosovë nën pushtet ushtarak. Për më shumë, lexojeni një pjesë që zbërthen më së miri qëndrimin e tij, e edhe paranojën se Anglia e Amerika përmes Kosovës synojnë plane për shkatërrimin e Jugosllavisë. Ai nuk ka mendime të mira për udhëheqësit politikë të Kosovës, ndërsa shprehet se ata sillen si shtet në vete duke bashkëpunuar me Shqipërinë dhe se synojnë ta formojnë një armatë balliste.
“Shokë, së pari, Jua uroj Ditën e Armatës, të cilën e festojmë nesër. Pos juve, urime iu dërgoj edhe të gjithë pjesëtarëve të Armatës sonë.
Mirëpo, shokë, unë nuk ju kam ftuar që të festojmë Ditën e Armatës, ju kam ftuar që, bashkë me ju, komandantë të mi ushtarakë, t’i analizojmë disa çështje aktuale për të ardhmen e Armatës sonë, por edhe të Jugosllavisë. Të gjithë ju e dini se unë jam në moshë, se edhe pak muaj, në maj të vitit të ardhshëm, do t’i mbush 88 vjet, por e dini edhe atë se, veçanërisht pas Havanës, ndjehem i lodhur dhe se më është keqësuar gjendja shëndetësore dhe duhet të shtrihem në spital. Kjo edhe është arsye pse kam vendosur që, si Komandant juaji Suprem, me ju, bashkëpunëtorë të mi ushtarakë, të analizoj disa çështje që lidhen me gjendjen në APJ, por edhe për disa çështje politike që lidhen me detyrat që ka Armata jonë sipas Kushtetutës. Zaten, para Havanës unë kam pasur disa biseda disaditëshe me bashkëpunëtorët e mi të paraluftës dhe të luftës, të cilët tash janë në pension dhe nga ata kam marrë shumë informata për të cilat dëshiroj të bisedojmë bashkërisht sot dhe nesër, të marrim qëndrim unik se çka duhet bërë me qëllim që për ato informacione të mos flasë rruga, por edhe shtypi i jashtëm e shtypi ynë.
Unë, pas takimit me ju, do të kem takime edhe me kreun politik të Jugosllavisë, ndërkaq këtu tash janë të pranishëm Vladoja dhe Llazoja, në emër të Kryesisë së Partisë dhe të RSFJ-së, por është i pranishëm edhe Kosta, në emër të luftëtarëve të LNÇ-së.
Çështjet, për të cilat dua të flas me ju, janë të shumta, ndërsa ndër të parat është se unë, si Komandant juaji Suprem, dua të informohem mbi gjendjen në APJ.
Nga kreu ynë ushtarak kam marrë, si bazë për këtë bisedë, një informacion të gjerë me shkrim, të cilën ma ka dhënë gjenerali Lubiçiq, informatë të cilën e kanë nënshkruar edhe të gjithë komandantët e zonave ushtarake, si dhe komandanti i MLJ dhe i ALJ. Duke e lexuar atë informatë, kam qenë i shokuar me informacionet e theksuara mbi situatën në vend. E kam ditur se situata e sigurisë në Kosovë, e për këtë do të flasim gjerësisht pak më vonë, është e keqe, por nuk e kam ditur se marrëdhëniet ndër-republikane mes republikave tona kanë rënë në nivel aq të ulët. Kështu, në atë informatë theksohet se disa kuadro kroate, që edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë pasur ambicie të tilla nacionaliste, tash, në qarqe të njëjta bashkëmendimtarësh, flasin se kemi gabuar që Bosnjë-Hercegovina është formuar si republikë, se ajo i takon Kroacisë sikur në kohën e luftës kur ishte nën NDH. Veç kësaj, nga shokët që kanë qenë tek unë para Havanës kam dëgjuar se edhe në Slloveni nuk është duke shkuar puna ashtu si duhet, ndërsa në Serbi “vuajnë” se krahinat kanë fituar, sipas Kushtetutës së re, status shteti.
KAM TË DHËNA SE SPIUNËT DHE OFICERË TË LARTË TË “SIGURIMIT” LIGJËROJNË MARKSIZMIN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS DHE ISHA KUNDËR KUSHTETUTËS SË VITIT 1974
Këto janë çështjet për të cilat dua të bisedoj me ju dhe kjo aq më tepër kur APJ, sipas Kushtetutës, ka marrë detyrë të ruajë integritetin e Jugosllavisë, të jetë bartëse e unitetit në vend. Ka këtu edhe disa çështje të tjera, siç janë përmirësimi i disa të pavërtetave historike, të botuara deri më tash e të cilat, edhe për shkak të individëve, janë futur “nën rrogoz”. Por, të shkojmë sipas radhës.
Tashmë theksova se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është përditë e më e keqe. Është krijuar një humnerë dhe një mosdurueshmëri mes kuadrove të nacionalitetit serb e shqiptar. Kuadrot shqiptare nga Kosova mendojnë se nëse, sipas Kushtetutës së vitit 1974, kanë fituar më shumë të drejta, pjesërisht edhe shtetësinë, atëherë mund të zhvillojnë pavarësisht edhe aktivitete shtetërore, e unë po theksoj se kam qenë kundër kësaj Kushtetute. Kështu, është e palejueshme që ata të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë, jashtë Republikës së Serbisë, por edhe Federatës. Ata, me vetiniciativë, pa dijen tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria që në fakultete dhe në shkolla të ligjërojnë historinë sipas programit shqiptar, që t’i mësojnë fëmijët dhe studentët tanë se Kosova është pjesë përbërëse e Shqipërisë së Madhe të Skënderbeut, e cila përkohësisht ndodhet nën Jugosllavi.
Ose, ne dimë pak mbi aktivitetet e emigracionit shqiptar, ndërsa, shikoni shokë, ajo po mbledh “haraçin” për shkollimin e shqiptarëve për komandantë që do të komandojnë në “kryengritjen popullore” në Kosovë, të paralajmëruar shpesh. Kam të dhëna se spiunët e tyre dhe oficerë të lartë të “Sigurimit” ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, por më janë ofruar të dhëna se disa, si Bakalli, Hoxha dhe të tjerë, kanë Shërbimin e tyre “privat” të Spiunimit jo vetëm në rajonin e Serbisë, por edhe në republikat e tjera, veçanërisht për shkak të kontrabandimit të drogës përmes limaneve shqiptare. Zaten, është sekret publik se në kuadër të Marinës shqiptare ekziston njësit i veçantë për kontrabandë me drogë. E gjithë kjo ka ndodhur në Kosovë dhe, pas Plenumit IV të Brioneve dhe pas rënies së Rankoviqit, ata e kanë shkatërruar Shërbimin e Sigurimit dhe tash, në këtë Krahinë, “mbizotëron” jo vetëm “Sigurimi”, por edhe shërbime “private” të spiunimit.
Paramendoni, të gjithë ata që sot bërtasin “Kosova Republikë” dhe që udhëheqin me aksionin e tillë, kishin listat e përgatitura se cilët njerëz duhej hequr nga Shërbimi i Sigurimit në Kosovë. Shërbimi i Spiunimit nga Tirana, “Sigurimi”, sipas të dhënave tona, ka në këtë Krahinë mbi një mijë njerëz të vet, ndërsa ata kanë organizuar qendrat e veta edhe në Kroaci e në Slloveni, por për fat të keq edhe në Beograd. Edhe pse e gjithë kjo bëhet në mënyrë sekrete, megjithatë disa aktivitete të tyre janë zbuluar.
TË GJITHË ATA QË VOTUAN PËR KUSHTETUTËN E VITIT 1974 DO TË JENË FAJTORË PËR FATIN E JUGOSLLAVISË
Më brengos veçanërisht përkrahja që i jepet separatizmit në Kosovë nga disa njerëz udhëheqës në Slloveni dhe në Kroaci. Nuk ishte e rastësishme që Kardeli, qysh më herët, ia tërhoqi vërejtjen udhëheqjes kosovare se me një politikë të tillë “po mbjellin erë, e do të korrin fortunë”. Që më herët, e sidomos nga viti 1974 dhe nga aprovimi i Kushtetutës së re të Krahinës, dhe veçanërisht në Kosovë, po luhen politika të mëdha shtetërore. Kështu, edhe në Kosovë, por edhe në Novi-Sad, “shtetarët” thonë: “Ne nuk kemi interesa të përbashkëta me Serbinë në çështjet e jashtme dhe në çështjet e tjera shtetërore”. E, krahinat të kujt janë ato, pos të Republikës së Serbisë? Një politikë e tillë duhet ndërprerë menjëherë. Ja, të mos e përsëris, në Kosovë kanë “importuar” profesorë nga Tirana, të cilët kanë bërë “kthesë” historike në Prishtinë, ndërsa në politikën e jashtme thonë: Ne jemi Krahinë dhe kemi të drejtë të ratifikojmë marrëveshje ndërshtetërore. Këtë “privilegj”, shokë, nuk e ka asnjë republikë në Jugosllavi, ndërsa në Prishtinë dhe në Novi-Sad ata e kanë përvetësuar edhe këtë të drejtë që e ka vetëm Federata.
Më kujtohet, shokë, dimri i vitit 1968, kur në Tetovë u shpartalluan demonstratat e nacionalistëve shqiptarë, shumë njerëz, e edhe të dënuar, ikën në Kosovë, ku pa pengesa vazhduan shkollimin ose fituan të drejta, ndërkaq disave iu dhanë edhe vende me përgjegjësi. Udhëheqja krahinore e nacionalitetit shqiptar pohonte se ata po ikin nga “shovinistët maqedonas” dhe se duhet t’u ndihmohet. Bile edhe në Zagreb e në Lubjanë kishte mendime të tilla. Nga ana tjetër, ardhacakëve nga Shqipëria u jepnin shtetësi jugosllave, me motivacion se po ikin nga Shqipëria për shkak të terrorit. Kush ua mundësoi këtë? Ne, shokë! Askush tjetër. Çka mbollëm, edhe do të korrim. Dhe, ja, pas Plenumit IV dhe pas rënies së Markut, nga Kosova deri më tash janë shpërngulur mbi dhjetë mijë serbë e malazez. Shtëpitë ua blenë shqiptarët me dollarë “të gjelbër” dhe atë me kushte të volitshme.
Shokë, më duhet të them, kur është fjala për Kosovën, se të gjithë ata që votuan për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë. I vetmi që pati guxim të votojë publikisht kundër Kushtetutës, ishte heroi i popullit Radenko Mandiqi, i cili pohoi se Kushtetuta e tillë është kundër parimeve të KAÇKJ-së (AVNOJ-it). A nuk është e rëndësishme edhe porosia e Kardelit, i cili, gjatë aprovimit të Kushtetutës, tha: “Nuk është i rëndësishëm shteti, porse ata që kanë pushtetin”. Dhe, po e shihni, tash, kur kemi këso kushtetute, e ajo na e pamundëson kontrollin, sidomos në hapat politikë në republika dhe në krahina, po merr hov nacionalizmi, sikur në Kosovë. Atëherë, sfera e interesit të nacionalizmit do të përqendrohet edhe në APJ-në dhe kjo është më e rrezikshmja për integritetin e Jugosllavisë. Unë kam ndjenjën, dëshiroj ta kem gabim, se edhe në APJ ka, sikur më 1971, kuadro të helmuara me nacionalizëm.
PO FALSIFIKOHEN FAKTET PAS RËNIES SË RANKOVIQIT
Organizatat partiake, edhe atëherë, janë ndarë në “shqiptare” dhe në “joshqiptare”. Edhe atëherë hetohej nacionalizmi dhe sektarizmi. Shumica e shqiptarëve, nga viti 1941 e deri më 1945, ishte në anën e okupatorit. Vështirë ishte asokohe të jesh partizan në atë Krahinë. Nga njëra anë – okupatori, kurse nga ana tjetër – ballistët aktivë. Deri në nëntor të vitit 1944 dhe deri në largimin e okupatorit, atje nuk kishim asnjë pëllëmbë toke të çliruar. Ato pak njësi partizane, të formuara gjatë vitit 1943, luftuan në Jug të Serbisë dhe në Maqedoni, e në Kosovë – jo. Qemë detyruar që, për shkak të rezistencës së armatosur të shqiptarëve, në shkurt të vitit 1945 të aplikojmë administrim ushtarak në Kosovë. Para kësaj, në gusht të vitit 1944, edhe përkundër ftesës për ndërprerje të bashkëpunimit me gjermanët, shqiptarët edhe më tej bashkëpunonin me okupatorin. Tek në nëntor të vitit 1944, pos dezertimeve të mëdha dhe rezistencës së madhe, filloi mobilizimi, i cili, siç thashë, përfundoi me kryengritje të armatosur dhe me aplikimin e administrimit ushtarak.
Tash, pas rënies së Rankoviqit më 1966, shumë nga këto të vërteta dhe fakte po falsifikohen. Disa, si Hasani, Bakalli dhe Hoxha, minimizojnë numrin e pjesëmarrësve të kundërrevolucionit ushtarak dhe të kryengritjes ushtarake në dhjetor të vitit 1944. Në dimrin e rëndë 1944-1945, trazira nuk ndodhën vetëm në Kosovë. I kam shfletuar edhe dokumentet mbi kryengritjen e shqiptarëve që ishin të rekrutuar për plotësimin e njësive tona edhe në Frontin e Sremit. Këto kryengritje ishin të organizuara. Në Bor, për shembull, vetëm gjatë një nate, shqiptarët kryengritës kanë therë me thika të gjithë komisarët dhe komandantët e njësive të tyre. Në atë kryengritje morën pjesë rreth 600 shqiptarë, ndërkaq kryengritje të tilla pati edhe në Vërshac e në Pançevë, sepse shqiptarët nuk dëshironin të shkonin në front kundër gjermanëve.
NË KOSOVË DUAN TË FORMOJNË ARMATË BALLISTE
Po, kur më rikujtohen tash këto ngjarje, shumica më pyesin se pse nuk aplikojmë edhe tash administrim ushtarak në atë Krahinë. Kam menduar edhe për këtë solucion, por më kanë bindur që të mos e bëj këtë – këtu është edhe Vlado – ai dhe Edo Bevc. Unë e di se ajo që po ndodh në Kosovë është jo vetëm aktivitet antijugosllav, por edhe akt antishtetëror dhe këtë duhet ndalur urgjentisht. Më nuk mund të shkojë kështu. Po të ishte Bevci gjallë, do ta dërgoja edhe tash në Prishtinë, jo që ta shuajë zjarrin, por ta shuajë stihinë e zjarrit nga e cila është katandisur e tërë Kosova. Ç‘është e vërteta, kam dëgjuar se Hoxha, Hasani, Bakalli e shokët e tjerë nuk duan të bisedojnë me udhëheqjen republikane në Beograd, por kam dëgjuar edhe atë se as ne në Federatë, pa përjashtim, nuk u interesojmë.
Kur, më 1974, ishin kundër që krahinave, Kosovës dhe Vojvodinës, t’u jepet një mëvetësi e tillë – këtu është Vlado dhe do ta vërtetoj këtë – asokohe Bevci më qe përgjigjur se jam “i lemeritur” nga zgjimi i ndjenjave nacionale në këto republika dhe se, vërtet, nuk mund të përsëriten më vitet 1968 dhe 1971. Mirëpo, Bevci nuk është ndër të gjallët, por këtu është i pranishëm gjithashtu kreatori i atyre ndryshimeve kushtetuese, “dora e djathtë” e tij, Vlado, i cili asokohe kishte mendim të njëjtë me Bevcin, prandaj edhe ai mund të vërtetojë se kam qenë kundër atyre ndryshimeve dhe për këtë shkak edhe nuk e kam nënshkruar Kushtetutën e re. Kushtetutën e ka nënshkruar Mika Shpilaku, kjo është e vërtetë.
Mirëpo, tash, kur duhet të flasim për stuhinë e zjarrit të nacionalizmit në Kosovë, por edhe të autonomashëve në Vojvodinë, është vështirë të jesh i mençur se çfarë duhet bërë: të aplikojmë administrim ushtarak apo të provojmë edhe më tej që me aksion politik ta pengojmë këtë. Paramendoni, shokë, se sa larg kanë shkuar disa udhëheqës kosovarë, duke kërkuar nga kreu ynë ushtarak, dhe atë zyrtarisht, që të rinjtë nga kjo Krahinë të kryejnë shërbimin ushtarak vetëm në atë Krahinë, por edhe që të hapet debati që gjatë stërvitjes së rekrutëve të përdoret vetëm gjuha shqipe. Unë kam fituar përshtypjen se ata duan të formojnë njëfarë armate të veten, të formatit ballist.
Këto ditë, kur të bisedoj me kreun politik të Jugosllavisë, kësaj teme duhet t’i japim jo vetëm rëndësi dhe peshë politike, por edhe rëndësi tjetër, në përpjekje për të shpartalluar separatizmin në këtë Krahinë dhe ta ruajmë integritetin e vendit. Sepse, unë nuk do të lejoj kurrfarë separatizmi ose përralle se “i ka ardhur fundi sistemit monolit në Jugosllavi” dhe se një raport i tillë në republikat tona u ka hyrë në damarë të gjakut disa kuadrove, e veçanërisht atyre në Kosovë.
NË KOSOVË KA PROBLEME ME AKTIVITETE NACIONALISTE-SEPARATISTE TË FUNKSIONARËVE KRAHINORË
Unë, shokë, po e përsëris, por më duhet t’ua them këtë, jam i brengosur me gjendjen politike dhe të sigurisë në këtë Krahinë. Domethënë, në atë informatë që kam marrë nga gjenerali Lubiçiq, ka edhe të dhëna që flasin se edhe eprorët ushtarakë të nacionalitetit shqiptar shpesh solidarizohen me një politikë të tillë separatiste dhe se janë aktivizuar që edhe ata t’i japin, në forma të ndryshme të kamufluara, përkrahje asaj platforme separatiste. Ministri i Punëve të Brendshme ma ka dhënë, para shkuarjes time në Havanë, një informatë se edhe forcat tona të sigurisë në Kosovë kanë probleme me aktivitete të tilla nacionaliste-separatiste të funksionarëve krahinorë.
Paramendoni, nëpër qendrat e SPB-së në Prishtinë dhe në qytetet e tjera në Kosovë ka qarkulluar letra në të cilën ftohen udhëheqësit e SPB-së, të nacionalitetit shqiptar, që t’i japin përkrahje një politike të tillë dhe veçanërisht asaj se në Kosovë, së paku 90 për qind e milicëve, duhet të jenë nga Kosova dhe atë të nacionalitetit shqiptar. Në SPB është arritur që të shpartallohet një aktivitet i tillë politik, por, sipas të dhënave që kam marrë, tash një aktivitet i tillë po zhvillohet në mënyrë sekrete dhe, siç thuhet në atë informatë, ata flasin dhe atë publikisht: “Tash nuk është më Rankoviqi dhe askush nuk ka të drejtë t’i përgjojë dhe t’i kontrollojë”. Po, ata duan pavarësi, republikë të veten, por sipas informatave që kam unë, ata duan edhe diç më tepër. Edhe pse po më bindin që kjo nuk është e vërtetë, sipas informatave që kam unë, ata tashmë e kanë planin e krijimit të Shqipërisë së Madhe të Skënderbeut.
Po, shokë, kjo është vetëm një pjesë e problemit të kësaj krahine. Unë kam marrë informata se kreu i krahinës edhe më herët, por veçanërisht pas vitit 1974, po i shpenzon me salltanet paratë që po i jepen si pjesës së pazhvilluar të vendit tonë. Dhe, jo vetëm kaq. Kam fakte se ndërmarrjeve nga Sllovenia e Kroacia nuk po ua paguajnë llogaritë për punët e kryera ose për mallin e blerë; e kur intervenohet, a e dini se çka propozojnë: që pesëdhjetë për qind e vlerës t’u shlyhet, ndërsa pjesën tjetër do ta paguajnë. Kjo, më nuk mund të shkojë kështu. Dikush duhet të japë përgjigje edhe për këtë çështje. Sepse, kur në Krahinë kemi situatë të keqe politike dhe të sigurisë, nuk mund të lejoj që me kërcënime e shantazhe, po ata udhëheqës krahinorë, ta shkatërrojnë ekonominë e republikave të tjera.
PERËNDIMI PRET VDEKJEN TIME
Kam bindjen, shokë, se këtu janë të përzier edhe “miqtë” tanë nga Perëndimi. I besoj informatës së gjeneralit Lubiçiq se shërbimet ushtarake të spiunimit të SHBA-ve, veçanërisht CIA e tyre, me shifrën “Breshka” ose “Kërcimi i bretkocës”, kanë influencë të madhe në situatën politike dhe të sigurisë në atë pjesë të Jugosllavisë. Tekefundit, si mund të shpjegohet ndryshe fakti se funksionarë të lartë jo vetëm nga Amerika, por edhe nga Gjermania e Anglia, e këtë po e dëgjojmë për çdo ditë në radioemisionet e “Zërit të Amerikës”, po interesohen aq shumë për këtë Krahinë tonën dhe po brengosen për fatin e qytetarëve të nacionalitetit shqiptar në Kosovë. Ata emetojnë informatat më banale edhe kur shqiptari e serbi rrahen për një vajzë. Unë kam edhe informata të tjera që vërtetojnë këtë. Me fjalë të tjera, disa në Perëndim mendojnë se ka ardhur koha “t’i përziejnë duart” në Jugosllavi. Pohojnë se duhet të jemi të gatshëm për ditën “D”, ditë kjo kur më nuk do të ketë Tito, sepse ai, pohojnë ata, është personi i vetëm i stabilitetit të Jugosllavisë.
Po, unë jam përgjegjës para popujve të këtij shteti për integritetin e tij, për stabilitetin, por po të mos ishit ju, Armata jonë, çfarë do të mund të bëja unë në situatat çfarë është kjo tash në Kosovë. Asgjë. Sepse, paramendoni të vërtetën që udhëheqja në Prishtinë, e sidomos aktivistët e saj ilegalë, është e informuar mirë mbi strategjitë e Perëndimit.
Siç jam informuar, Fadil Hoxha ka folur për këtë temë me Stane Dollancin, por edhe Sinan Hasani ka folur me Llazon, me kujdes që të mos lëndojë “aleatët perëndimorë”, për numrin përditë e më të madh të perëndimorëve që vizitojnë Prishtinën dhe për bisedat që zhvillojnë. Atyre nuk u intereson që të ndihmojnë, por që të gjejnë “aleatë” për planet e tyre. Do të konsultohem edhe më tej, kur të bisedoj me kreun partiak, por qysh tash jam duke menduar seriozisht që në Prishtinë të dërgoj një komision, e unë do të insistoj që në krye të tij të jetë Vlado, dhe që haptazi të bisedohet rreth situatës së krijuar e të jepet përgjigje e prerë se kush është fajtor për një situatë të tillë destabilizuese në Krahinë.
Thashë se disa, si për shembull Tempoja, propozojnë që, sikur më 1945, në tërë territorin e Kosovës të aplikoj administrimin ushtarak, sepse kjo është zgjidhja e vetme për qetësimin e situatës në Krahinë. Do të pres raportin e komisionit dhe, nëse bindem se nuk ka solucione të tjera, do të jem i detyruar, pavarësisht nga ajo se çka do të mendojnë në Perëndim, të aplikoj administrimin ushtarak. Nëse vendos për të ndërmarrë këtë hap, e përditë e më shumë jam i sigurt se më duhet ta bëj këtë, atëherë disa nga udhëheqësit krahinorë do të përgjigjen jo vetëm politikisht, por edhe para gjyqit për një politikë të tillë. Lëre, pashë Zotin, po kjo nuk është vetëm mosdëgjesë politike, por edhe akt antishtetëror për të cilin, dikush që është fajtor, kjo është më se e qartë, duhet të përgjigjet…”!
Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…
Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…
Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…
“Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…
Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…
Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…