THOMPSONI DHE KUCEDRA
Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me-vrap.
Kuçedr’e Turqisë,
Hyen’e urisë,
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helmin në bark.
Kuçedrën e vrarë
E hasi më parë
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit
Me katërqint krahë, lubi’ e Dovletit;
E zuri për gryke, e shtriu përdhe
Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.
Pastaj për së dyti
Në Durrës e mbyti
Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,
Nga forca në pluhër, nga bregu në det,
Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.
Kuçedra e thyer,
Në turp e përlyer
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës
Dhe ngrihet m’e fortë, në Gjol, afër Urës.
Shqiptar’i verbuar vërsulet në det,
Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.
“Dy herë të theva,
Të shtriva, të ndeva,
Po prapë u-ngjalle dhe prapë u-ngrite,
Prit-më, the, prit-më!” Dhe prap’ iu-vërvite,
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!
Nga Ura, nga Ura
Po ikni, o burra?
Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,
Se urën e ruan, se Urë’n e mpron
Stihia – Shqiponjë, me qip e me thonj.
Te ura, te Ura,
Vajtoni, o burra,
Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.
Uniformat e zeza të SS-së janë ndër veshjet më të njohura të Gjermanisë naziste. Por…
Mund të befasoheni kur të mësoni që ka kombinime të ushqimeve që duhet…
Cilat ushqime ju mbajnë të ngopur më gjatë dhe ndihmojnë në kontrollin e urisë?…
Me uljen e temperaturave, gështenjat kthehen në një nga ushqimet më të preferuara…
Kanceri i gjirit nuk shfaqet gjithmonë përmes një gunge të dallueshme, pasi në…
Habit mjeku: Të gjithë hani lakër turshi, por askush nuk e di se…