Robert Elsie ishte i njohur si studiues i gjuhës shqipe dhe përkthyes i shumë gjuhëve si në anglisht, gjermanisht, frengjisht etj. Ai ka mbi njëzet vite punë shkencore në fushën e Albanologjisë. Dr. Robert Elsie i lindur në Kanada ka studiuar edhe në Universitetin e Bonit dhe ka qenë përkthyes i dy delegacioneve nga Gjermania dhe Shqipëria për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes tyre në vitet 80′. Me zotin Elsie bisedoi Mimoza Cika-Kelmendi.
Me 2 tetor u mbushën 25 vjet nga nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike gjermano-shqiptare. Një ngjarje kjo shumë e rëndësishme për Shqipërinë e asaj kohe komuniste. A mendoni se kjo marrëdhënie ka qenë e vonuar dhe nëse po, pse?
Në krahasim me shumicën e vendeve të Evropës perëndimore, marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë (perëndimore) si dhe marrëdhëniet diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar (Anglinë) sigurisht u vonuan shumë. Problemi kryesor ishte qëndrimi i paparashikueshëm i regjimit komunist në Shqipëri, pra luhatjet e brendshme të politikës shqiptare.
Thuhej në atë kohë se pengesa kryesore ishte kompensimi i lartë i kërkuar nga Shqipëria komuniste për dëmet e shkaktuara nga regjimi nazist gjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë në vitet 1943-1944, kurse pengesa me Mbretërinë e Bashkuar ishte ari i thesarit të shtetit zogist i cili kishte përfunduar në Bankën e Anglisë në Londër dhe i cili nuk iu kthye Shqipërisë për shkak të incidentit të Kanalit të Otrantos.
Por hedhim një sy posaçërisht mbi marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Në vitet ‘50, Shqipëria ishte anëtare e Paktit të Varshavës dhe kishte kështu marrëdhënie të ngushta, ndër të tjera, me Republikën Demokratike Gjermane (RDGj), pra me Gjermaninë lindore komuniste, por jo me shtetin tjetër gjerman. Me kalimin e kohës dhe me “Ostpolitik-ën” e Gjermanisë perëndimore, Republika Federale e Gjermanisë (RFGj) lidhi marrëdhënie diplomatike me “republikat popullore” të Evropës lindore, përfshirë në fund edhe me Republikën Demokratike Gjermane (1972), por jo me Shqipërinë. Duke patur marrëdhënie diplomatike me gjithë botën komuniste, RFGj-ja nuk kishte pse të mos lidhte marrëdhënie zyrtare edhe me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Problemi qëndroi kryesisht në këmbënguljen dhe ekstremizmin politik të drejtuesve të regjimit stalinist në Shqipëri, por duhet të pranojmë gjithashtu se Gjermania nuk tregoi asnjë interes të veçantë për Shqipërinë, një vend i vogël, tepër i prapambetur dhe pa interes gjeopolitik apo ekonomik.”
Zoti Elsie, cilët ishin faktorët favorizues për vendosjen e marrëdhënieve pikërisht në këtë kohë, pra në vitet 80′?
Në vitet ‘80 situata ndryshoi. Megjithëse Shqipëria, si i vetmi shtet evropian, nuk nënshkroi Aktin e Helsinki-t në vitin 1975, u pranua përgjithësisht se nuk shkonte më, që dy shtete evropiane të mos kenë të paktën marrëdhënie zyrtare diplomatike. Edhe fryma në Shqipëri kishte ndryshuar rrënjësisht. Pas prishjes së aleancës me Kinën revolucionare në vitin 1978, Shqipëria ngeli pa aleatë dhe – akoma më e rëndësishme – mbeti pa ndihmë ekonomike, të themi troç pa bukë. Politika e izolimit të skajshëm ishte treguar e dëmshme për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe regjimi filloi të interesohej sadopak për të përforcuar marrëdhëniet e saj me vendet të Evropës perëndimore për të kompensuar ndihmën jugosllave…, sovjetike…, dhe kineze…. Prodhimet e saj të pakta (kryesisht agrare) kishin nevojë edhe për tregun gjerman.
Unë pata fat të merrja pjesë drejtpërdrejt në procesin e afrimit të të dy shteteve. Në vitet ‘80 punoja për Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme, atëherë në Bon, si përkthyes, kryesisht për anglishten. Më 26-27 prill 1984 na erdhi një delegacion nga Shqipëria për të trajtuar çështjen e fillimit të bisedimeve për marrëdhëniet diplomatike. Në Ministri ende nuk kishte një përkthyes të kualifikuar për shqipen dhe i vetmi njeri që dinte dy fjalë shqip isha unë. Prandaj u caktova përkthyes për bisedimet. Të them të drejtën, kisha shumë merak dhe stres sepse nuk kuptoja mirë shqipen dhe edhe sot nuk di se si arrita të kryeja funksionin tim të ndërmjetësimit.”
Bisedimet paraprake janë zhvilluar në Vjenë, apo jo. Por nëse ju kujtohet si ishin këto bisedime, a kishte mosmarëveshje mes palëve ose le të themi në gjuhën diplomatike, kushte për vendosjen e këtyre marrëdhënieve? Ju kujtohet atmosfera e atëhershme?
Bisedimet zyrtare filluan gjashtë muaj më vonë. Ishte hera e parë që unë merrja pjesë në një delegacion diplomatik jashtë Gjermanisë. Bisedimet u zhvilluan në Austri – shtet neutral ku edhe Shqipëria kishte një ambasadë – më 8-9 nëntor 1984, kështu që u nisëm me Zotin von Braunmühl dhe 2-3 të tjerë me trenin e natës dhe arritëm në Vjenë të nesërmen. Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar ishin Sofokli Lazri, Engjëll Kolaneci dhe Anton Bërxholli. Me gjithë se bisedimet ishin tepër sekrete, kishte një atmosferë disi festive. Përveç bisedimeve, mbaj mend pritje dhe darka në hotelet dhe restaurantet më luksoze dhe më të shtrejnta të Vjenës. Zoti von Braunmühl, i cili u vra pak më vonë nga terroristët, u shpreh i habitur se pala shqiptare harxhonte kaq shumë para për t’u përfaqësuar si vend gjoja i begatë evropian, pasi i kisha shpjeguar atij privatisht se niveli i jetesës në Shqipëri ngjante më shumë Afrikë se sa Evropë.
Në bisedime u trajtua fillimisht çështja e kompensimit për dëmet e Luftës së Dytë Botërore. Pala shqiptare prezantoi një faturë tepër të fryer për dëmet e shkaktuara. Nga ana e saj, Gjermania tregoi mirëkuptim në parim, me gjithë se jo për shumën e kërkuar, por shpjegoi se sipas Marrëvëshjes së Londrës për borxhin gjerman (Londoner Schuldenabkommen) të vitit 1953 nuk mund t’i paguante asgjë Shqipërisë, pa rregulluar paraprakisht kompensim me të gjithë shtetet e Evropës në tërësi. Në bisedimet për marrëdhëniet diplomatike me shtetet e tjera të Evropës lindore, Gjermania kishte gjetur një zgjidhje për problemin e kompensimit: jo me kompensim financiar, i cili ishte ndaluar sipas Marrëveshjes së Londrës, por me kredi financiare me kushte të lehtësuara. Mirëpo në rastin e Shqipërisë, kjo zgjidhje nuk ishte e mundur për shkak se, në kushtetutën e saj komuniste, Shqipëria e kishte të ndaluar marrjen e kredive.”
Por pas shumë përpjekjesh, u arrit që këto vende të vendosin mes tyre marrëdhëniet diplomatike, edhe pse pak të vonuara?
Më 1 tetor 1987 u lidhën marrëdhënie diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dhe tri javë më vonë, më 23 tetor 1987, erdhi Ministri i Punëve të Jashtme, Hans-Ditrih Gensher, në Tiranë për një vizitë zyrtare gjashtëorëshe. Që në janar 1988 erdhi ambasadori i parë gjerman (perëndimor), Dr Friedrich Kroneck, në Tiranë, kur selia e ambasadës gjermane ishte ende në Hotel Dajti. Me në fund, në qershor 1990 u hap ndërtesa e re e ambasadës gjermane në Rrugën e Skënderbeut. Nje muaj më vonë, kjo ndërtesë u demolua nga që mësynë rreth 3000 shqiptarë të cilët kërkuan strehim politik në atë kohë aty, dhe ambasada u mbyll prapë.”/
Doktoresh Nusha Zhuba është kërkuese në Arkivat e Vatikanit, duke bërë zbulime të shumta herë…
Një gazetar italian rrëfen takimin me heroin e Kosovës. Në një shkrim të botuar, në…
Në një botë ku rutina e përditshme shpesh duket e vrullshme dhe stresuese, disa…
Mitrovica, një qytet me histori të pasur kulturore, ka gjetur në muzikën jazz një…
Bota është e mbushur me informacione dhe fakte mahnitëse që shpesh kalojnë pa u vënë…
Zana Islami Për shumë vite, filma shkencorë dhe libra fantastiko-shkencorë kanë trajtuar idenë e robotëve…