Dr. Hasan Luçi – Ngjarja e 28 tetorit 2018 në Bularat, ku terroristi ushtarak ekstremist grek qëlloi pa ngurrim kundër forcave të policisë dhe RENEA-s, dhe megjithëse u bisedua me të dhe iu bë thirrje të dorëzohej, ai u përgjigj me breshëri dhe kreu misionin e ngarkuar nga qarqet përkatëse, prandaj u vra sipas ligjit shtetëror kudo në botë. Ky andart i ri kreu provokacionin e radhës armiqësor të programuar me të pikërisht në këtë rast festiv, me pjesëmarrje të autoriteteve greke si Ministria e Kulturës, deputetë të “Agimit të Artë” fashist dhe deputetëve të pakicës greke, për të propaganduar si gjithmonë “Idenë e madhe” greke, ndoshta me mendimin se policia shqiptare nuk do ta vriste, siç ka ndodhur edhe herë tjetër.
Më poshtë do të bëj një historik të shkurtër të kësaj lëvizjeje të vjetër dhe të përshtatur në kushtet e reja të organizmave greke zyrtare e private, që i financojnë e drejtojnë grupet e bandat e përfshira në këto veprimtari të ndryshme antishqiptare, tashmë dy shekuj. Në këtë shekull të tretë kjo lëvizje “vorioepirote” ka tashmë shtrirje legale në Shqipëri për shumë arsye që i lejoi tranzicioni demokrat shqiptar dhe qëndrimi përulës e tolerues i qeverive shqiptare dhe gjoja “të drejtat” e fituara nga pakica greke, të cilës i janë lënë hapësira vepruese që përbëjnë ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar, me dhe pa dorën zyrtare të qeverive greke apo organizmave private shovene grekomëdha.
Lëvizja “vorioepirote” ka lindur nga lakmitë imperialiste helene në Ballkan, e cila është thelbi i platformës politike agresive e “Megali Idesë”. Qysh me shpalljen e pavarësisë së Greqisë nga Perandoria Osmane në 1821, qarqet e nacionalizmit ekstrem helen filluan të ëndërrojnë ringritjen e perandorisë bizantine dhe hartuan plane për t’i zgjeruar kufijtë e Greqisë. Ende pa u zyrtarizuar fitorja e plotë e lirisë e pavarësisë më 1830 u bënë edhe plane për krijimin e një federate Greqi-Shqipëri, ku vulën do ta kishte Greqia pa ndonjë kufi autonomie, pasi edhe disa bejlerë shqiptarë ua mbështetnin orekset panhelene.
Sipas shovenëve grekë, quhen “vorioepirotë” të gjithë njerëzit ortodoksë brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët kanë origjinën e tyre ose janë nga territori i Shqipërisë së Jugut, i ashtuquajtur prej tyre “Vorio Epir” (Epir i Veriut), pasi sipas tyre, edhe Pirro i Epirit, strategu i mirënjohur në histori qenka helen (Enciklopedia Britanica, “Epirus” 2013).
Më 1844 u zyrtarizua platforma shovene helene “Megali Idea” (Ideja e madhe), e cila planëzoi shtrirjen e kufijve të Greqisë nga gjiri i Burgasit në Detin e Zi dhe deri në Shkodër në detin Adriatik. Kjo ide është skalitur në balloren e parlamentit grek, ku lexohen lehtas krahinat shqiptare të përfshira, mbi palikarët grekë që bëjnë roje me fustanellën shqiptare. Mbi këtë platformë u planëzuan mëtimet për t’i përfshirë trojet shqiptare nën mbretërinë greke, në mënyrë të njëpasnjëshme kohë pas kohe, në përshtatje me zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan kundër perandorisë së “sëmurë” të Bosforit. Përfshirja në Greqi e trojeve shqiptare do të justifikohej me rimarrjen e “trashëgimisë osmane”, që gjoja paskësh pushtuar Epirin antik grek. Kështu nisi krijimi, organizimi dhe praktika ushtarake greke dhe e bandave të lëvizjes “vorioepirote”. Qysh në 1854 filluan sulmet e bandave të Grivas në territoret shqiptare për t’i përzënë banorët prej tyre. Më 1878 u bë zbarkimi ushtarak grek në Lëkurës të Sarandës, ku ata pësuan disfatë të plotë nga forcat shqiptare, nën drejtimin e nën prefektit të Himarës, Myslim Gjolekës, të birin e të mirënjohurit Zenel Hito Gjoleka, kryekomandat i kryengritjes së Tanzimatit më 1847. Me luftëra të përkohshme, me ndalimin e gjuhës shqipe e hapjen e shkollave greke e kishave greke, me vrasjen e atdhetarëve e priftërinjve mësues vijoi përballja me Greqinë mbretërore, me mbretër nga fuqitë e mëdha si Otoni gjerman. Pas tij kancelari gjerman, Bismarku deklaroi se Shqipëria qenkej vetëm shprehje gjeografike.
Babai i shovinizmit grekomadh, Elefteris Venizellosi, ende pa u përcaktuar kufijtë mes Shqipërisë e Greqisë nga Fuqitë e Mëdha, ndërhyri ushtarakisht, pushtoi Janinën më 1913 dhe Shqipërinë e Jugut deri në Himarë-Berat. Gjenocidi shoven grek shkretoi jugun e Shqipërisë dhe një pjesë e popullsisë shpëtoi në ullishtat e Vlorës, nga ku u kthye nga 1916 për ta rindërtuar jetën nga e para. Edhe sot Greqia s’e ka dënuar këtë gjenocid e as ka kërkuar të falur. Për qëndresën shqiptare që gjeti Venizellosi deklaroi: “Le të jetë një çikë Shqipëri po mos ketë Labëri”, ku theu jo pak hundët. Edhe Napolon Zerva deklaroi “Le të jetë sa të dojë Shqipëria, Labëri mos ketë”!
Pasi u caktuan kufijtë e Greqisë në dëm tragjik të trojeve shqiptare më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Greqia rivlerësoi dhe u dha kërkesa të reja “vorioepirotëve”, duke e vetëquajtur si lëvizje për aneksimin e Epirit të Veriut dhe bandat andarte greke filluan sulmet. Lufta për caktimin e kufijve ka qenë e rreptë, pasi grekët bënë shumë mashtrime me miqtë dhe me agjenturat e tyre vendëse.
Lëvizja “vorioepirote” përbëhet nga dy rryma shovenësh: njëra ekstreme mëton të gjithë territorin shqiptar që shtrihet në jug të lumit Shkumbin si minimum dhe maksimum deri në lumin Mat, tjetra e moderuar mëton territoret Korçë, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë dhe krahinën e Himarës.
Pushtimi i Shqipërisë Jugore nga Greqia më 1912-1913 cenoi interesat e Fuqive të Mëdha e të satelitëve fqinjë, në radhë të parë të Serbisë, Italisë e Malit të Zi. Italia mëtonte prej kohe pjesën jugore shqiptare nga Sazani, Vlora, Tepelena, Gjirokastra deri në Sarandë. Musolini e donte Sarandën “Porto Eda”, ndërsa grekët e mëtojnë që nga lufta e Lëkurësit në 1878, kur kthyen qafën nga Labëria.
Rivaliteti mes fqinjëve tanë dhe miqve të tyre të mëdhenj bëri që të nënshkruhej mes Fuqive të Mëdha “Protokolli i Firences” në dhjetor 1913, në Itali. Kështu u krijua komisioni për saktësimin tragjik të kufijve të Shqipërisë, megjithëse brenda të cilëve u përfshinë edhe qyteti i Korçës e Gjirokastrës, por fundi nuk dihej. Mbi këtë bazë fuqitë e mëdha i dërguan Venizellos ultimatumin për t’i tërhequr menjëherë trupat ushtarake dhe bandat nga Shqipëria e Jugut deri në kufijtë e përcaktuar nga “Protokolli i Firences”.
Por, ky ultimatum u prishte të gjitha planet shovene të qeverisë së Venizellosit, i cili në fillim u detyrua të zbatonte ultimatumin dhe të tërhiqej nga territori shqiptar. Por, ai dredhoi dhe nuk hoqi dorë nga mëtimet e tij, duke ndryshuar taktikën e strategjisë armiqësore ndaj Shqipërisë. Venizellosi e përkrahësit e vet nxitën, organizuan dhe financuan të ashtuquajturën “Lëvizje Autonome Vorioepirote” në Shqipërinë e Jugut. Në mënyrë mashtruese, kjo lëvizje u quajt si lëvizje “vorioepirote” e pavarur nga qeveria greke. Në fakt, repartet e ushtrisë greke sulmuese përbëheshin nga oficerë e ushtarë të ushtrisë së rregullt greke, të veshur si civilë që u quajtën “vorioepirotë”. Në këtë lëvizje u përfshinë edhe banditë e kriminelë, të cilët u liruan me kusht nga burgjet greke për t’u bërë mish për top për Greqinë.
Më 1914 u shpall publikisht në Gjirokastër “Autonomia e Vorio-Epirit”, pasi u mbajt kongresi i lëvizjes “vorioepirote”. Në këtë autonomi përfshiheshin krahinat e Korçës, Gjirokastrës e Himarës. U krijua edhe qeveria e përkohshme vorioepirote me kryetar Kristaq Zografon nga Lunxhëria e Gjirokastrës. Gjithashtu, tradhtari ushtarak grek, Spiro Milo, nga Himara, i cili kishte zbarkuar më herët në Himarë me bandat e ushtarë grekë, shpalli autonominë e Himarës. Në fakt, ai i kishte filluar sulmet ndaj Kurveleshit edhe me plotë grekomanët himarjotë në vijën frontale Llogora-Kuç-Borsh. Kundër agresorit himarjot grekomadh u bë edhe Kuvendi i Katundit në Kuç nga popullsia e Kurveleshit, Lumit të Vlorës etj., për t’i bërë ballë agresionit grek, me porositë e Ismail Qemalit. Zografo kërkoi që edhe Lunxhëria të shpallej zonë pakice greke, se ia paskësh lënë babai ndofsha.
Më 14 maj 1914 qeveria e Venizellosit dhe ajo e Zografos, me nxitjen, përkrahjen e ndihmën e fuqive të mëdha, nënshkruan “Protokollin e Korfuzit”, si një marrëveshje që vuloste të drejtat dhe aneksimin e trojeve shqiptare të Shqipërisë së jugut, në mënyrë të tërthortë si kërkesë popullore etnike ortodokse, duke i njohur Greqisë mëtimet mbi “Vorio Epirin”, gjë që pasqyrohet qartë në këtë protokoll, me këto vendime konkrete, veç të tjerave:
Në konferencën e Korfuzit, ku u nënshkrua protokolli mori pjesë edhe delegacioni shqiptar i dërguar nga qeveria e princ Vidit, me kryetar Mehdi Frashërin, i cili ra plotësisht në grackë dhe përkrahu vendimet, që u morën atje kundër lirisë e pavarësisë së shtetit të cunguar tragjikisht shqiptar dhe kombit tonë. Sipas këtij protokolli, në Shqipërinë e Jugut do të zbatohej një regjim i posaçëm dhe jo ai i shtetit shqiptar, pasi i lejohej qeverisë greke fushë e lirë vepruese për të ndërhyrë në punët e brendshme shqiptare, nën shkakun e kujdestarisë për problemet në jug të vendit.
Ky “Protokoll i Korfuzit” për “Autonominë e Vorioepirit” u njoh nga fuqitë e mëdha dhe nga “Traktati i Londrës” të 1915, që u përdor e përdoret ende nga qeveritë greke edhe sot me synimet e praktikën e tyre diplomatike me Shqipërinë si argumente për të justifikuar e mbajtur gjallë praktikisht e juridikisht mëtimet territoriale mitike greke në Shqipëri.
Duke përfituar nga statusi i veçantë mbi këto baza “juridike”, me përkrahje të fuqive të mëdha, qeveria greke nxitoi, ndërmori dhe organizoi një rrjet të gjerë agjenturor, jo vetëm përmes konsullatave greke të shumta në jug (Gjirokastër, Berat, Sarandë, Durrës, Shkodër), por edhe përmes mësuesve e priftërinjve të shumtë që ndodheshin apo u dërguan menjëherë nga Greqia në Shqipëri. Priftërinjtë grekë vepruan me shpejtësi për ta shtuar e nxitur këtë rrjet agjenturor në çdo drejtim antishqiptar.
Për ta drejtuar në mënyrë të organizuar e të centralizuar lëvizjen “vorioepirote”, qeveria greke krijoi më 1918 “Komitetin Qendror të Përpjekjeve Vorioepirote” (QEVA), si organ drejtues, bashkëpunues e bashkëveprues për të zbatuar politikën e aneksimit të trojeve shqiptare. QEVA bëri plane, nxiti e drejtoi veprimtarinë e gjithanshme brenda e jashtë Greqisë në diasporë. Me vendimet e këtij komiteti u krijuan edhe brenda territorit grek, sidomos në zonën e Epirit si Janinë, Follorinë, Korfuz etj., një seri degësh “vorioepirote”, me qëllim që kjo lëvizje për aneksimin e “Vorioepirit” të shtrihej e zgjerohej në gjithë Greqinë e në diasporë. Degë të QEVA-s u krijuan edhe brenda territorit shqiptar si në Përmet, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Himarë, Vlorë etj. Këto degë merreshin jo vetëm me veprimtari propagande kundër Shqipërisë, por kryesisht me veprimtari spiunazhi, terrori, veçanërisht kundër atdhetarëve shqiptarë, që punonin e luftonin për ruajtjen e gjuhës shqipe, të fesë shqipe, për mbrojtjen e trojeve tona nga copëtimi i mëtejshëm tragjik i fuqive të mëdha, që kënaqën vendet fqinje.
Me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris më 1919, pas Luftës së Parë Botërore, me Luftën e Vlorës më 192), protokollin e ri më 1920 dhe me njohjen e kufijve më 1921 nga “Protokolli i Firences”, siç u caktua nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, u goditën pjesërisht disa plane të mëtimeve të mëtejshme të fqinjëve ndaj trojeve shqiptare, por mbeti jashtë varrit litari i ‘Nastradinit’, rrjeti agjenturor edhe në familje të mëdha shqiptare për orekset gllabëruese të fqinjëve tanë, që historikisht nuk kanë pësuar ndonjë agresion nga shqiptarët, veç mbrojtjes së territoreve etnike natyrorë historikë.
Në vitet 1920-1940, megjithëse qeveritë shqiptare e njohën pakicën greke zyrtarisht, qeveria greke vijoi veprimtarinë armiqësore ndaj Shqipërisë përmes QEVA-s, me forma e metoda të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, Greqia e rriti veprimtarinë agjenturore për të studiuar, përgatitur dhe ngritur baza të reja armiqësore agjenturore për të krijuar kushtet e favorshme për realizimin e qëllimeve aneksioniste, duke nuhatur luftën e ardhshme. Në 1925-1926, A.Zogu lidhi 4 marrëveshje me qeverinë greke, e cila synoi të krijonte federatën e ëndërruar, por në vitet 1930 u godit duke mbyllur edhe shkollat greke, pasi Greqia kaloi çdo kufi me ndërhyrjen në punët e brendshme shqiptare.
Qysh më 1940, pasi u shpartallua në frontin grek ushtria italiane agresore ndaj Greqisë, ushtria greke hyri në territoret shqiptare në Korçë e Gjirokastër, Kurvelesh, Lumin e Vlorës, Llogora. Kështu, Greqia ringriti e rifuqizoi më mirë punën e saj, sidomos në trojet shqiptare të pushtuara. Ajo jo vetëm ripërtriti rrjetin agjenturor, që pjesërisht ishte goditur nga regjimi i A.Zogut e pushtuesit italianë, por krijoi edhe bërthamën e pushtetit grek në këto krahina. Ushtria greke bëri dëme të mëdha ekonomike e mjedisore në tokat e pushtuara, veç internimeve në ishujt grekë të atdhetarëve që iu kundërvunë veprimeve antishqiptare në vend. Për veprimtari të tillë jam dëshmitar, megjithëse fëmijë, se fronti u ndal edhe në territorin ku banoja unë në Kuç të Labërisë dhe ushtria greke nga rrëmbeu në 1941 tërë kopenë e dhenve e dhive pa asnjë pagesë, veç kafshët e ngarkesës, si gjithë krahinës dhe më gjerë….
(Ish-kuadër i lartë i Zbulimit Shqiptar, diplomat dhe pedagog) /voal.ch
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…