Kruja është zemra e botës.
Zef Skiro’ Di Maxho
Kruja si kryeqendra e qendresës arbëre në shekullin e XV ka qenë në vëmendjen e humanizmit evropian. Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit, Arbërinë dhe kryeqendrën e shtetit të tij Krujën. Ky shtim i veçantë i vëmendjes politike e kulturore u arrit nëpërmjet thirrjeve për ndihmë në krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e mbrojtjes së Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër të ‘pabesëve” .Nga ana tjetër kjo përpjekje e tyre pasqyron realitetin që gjejnë në Arbëri dhe kryeqendrën e saj Krujën. Vetë, udhëheqësi shqiptar, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi anglez John of Neëport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali.
Përmes këtyre burimeve historike është bërë e mundur të hidhet dritë mbi aksionin politik dhe jetën e Skënderbeut, por pak është hedhur dritë nga gërmimet arkeologjike përsa i përket sesi mund të ketë qenë qyteti mesjetar i Krujës. Por nëse është vështirë që të rindërtohet një model arkitekturor mesjetar i Krujës, në librin “Historia e Skënderbeut” të shkruar nga Marin Barleti në gjuhën latine e të përkthyer në gjermanisht mund të gjejmë Krujën imagjinare. Në gjuhën gjermane vepra e Barletit u përkthye nga Johann Pinicianus (1478 – 1542). Kjo vepër pati dy botime në 1537 dhe në 1578 . Skenderbeu paraqitej në botën gjermanike pas një kontrasti të madh kulturor që kishte formuar ndarja e Europës në dy pjesë pas invazionit osman. Në vitin e largët të 1450, kur Johanes Gutenberg shpiku shtypshkronjën, Kruja, kryeqyteti i Shqipërisë në kohën e Skënderbeut po vuante rrethimin e saj të parë nga Sulltan Murat II. Ishte koha kur Skënderbeu me fitoret e tij mbi osmanët filloi të kthehej në shpresën dhe vullnetin e Evropës. Skënderbeu mbrojti me sukses Krujën kundër tre rrethimeve të organizuara nga Murat II dhe Mehmet II, dy nga pushtuesit më të tmerrshëm të asaj periudhe, që udhëhoqën ushtritë më të fuqishme në botë. Por në të vërtetë Skënderbeu ishte më shumë se sa thjesht një komandant i talentuar ushtarak; ai ishte gjithashtu një njeri i Rilindjes Evropiane dhe Humanizmit që po niste të shfaqej në atë kohë në Evropë. Veprimet e tij ushtarake kundër osmanëve ishin njëkohësisht edhe veprime kulturore dhe politike. Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman, (1539-1591). Gravura më e rëndësishme e Jost Ammanit në këtë botim të vitit 1578 të Frankfurtit është ilustrimi i një beteje të osmanëve në muret e Krujës. Në një nga këtë gravurë kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si një qytet mesjetar europian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.[1]Jost Amman nuk ka qenë në Arbëri por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë europiane të kohës. Ky vizatim i Amman nën ndikimin e frymës humaniste përforcon një proces historik më të hershëm që kishte filluar në territoret e Arbërit. Në brigjet e Adriatikut lindor evolojnë qendrat urbane në qytete republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj. Kështu p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu Gjon Muzaka në veprën e vet “Gjenealogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen që nga ajo e heroit mitologjik Herkulit.
Kruja do të mbetet në kujtesën europiane si simbol i rezistencës antiosmane. Si e tillë ajo nuk do t’i shpëtonte vëmendjes së udhëtarëve të huaj që vijnë në Shqipëri në gjysmën e shekullit të XIX. Një nga udhëtarët e parë europianë që e viziton në 1848 është Edëard Lear, udhëtari dhe pejsazhisti britanik. Pas vizitës në Tiranë , gjatë rrugës për në Shkodër ai ndalon në Krujë. Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj”.[2]Prej Lirit kemi disa tablo dhe skica të mureve të jashtme të Krujës por jo dëshmi të godinave të qytetit të Krujës. Një vizitë e një diplomati të huaj, konsullit francez të Shkodrës A.Degrand në 1901 na ka lënë një dëshmi të rëndësishme të Krujës mesjetare. Në vitin 1901 ai botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe per dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, e derdhur në bronz në vitin 1462 (MCCCCLXII), me përzjerje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në levizje tregtarët e relikeve e antikuareve,por fatmirësisht këtë relike të çmuar që iu trashëgua shqiptarve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre e bleu i mirinformuari Shtjefën Gjeçovi, i cili më pas e skicoi,( vizatim në dy pamjet, që ruhet në AQSH, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor.) Pas peripecish të shumta kjo këmbanë gjendet në Muzeun e Krujës , dhe është ndër objektet më me vlerë të këtij Muzeu. Këtë këmbanë e ka dëgjuar dhe Skënderbeu (pasi është e asaj kohe) dhe mendohet se ajo i përkiste Kishës së Shën Andreas.[3]Nuk është fort e qartë nëse Shën Andrea ishte shenjti mbrojtës i Krujës siç dimë për Shkodrën që është Shën Stefani por me siguri ka qenë një nga kishat kryesore të Krujës.
Qyteti i Krujës do të rifitonte rëndësinë e vet muzeale e për rrjedhojë dhe në memorjen kolektive europiane me ndërtimin e qendrës muzeale kushtuar Skënderbeut. Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është inaguruar më 1 Nëntor 1982 ,ndërtuar në kështjellën e Krujës, në të majtë të hyrjes së saj. Ndërtesa ka karakterin e një memoriali. Në zgjidhjen arkitektonike të jashtme shquhen dy vëllime kryesore, pjesa e shtrirë horizontale me sallat e mëdha kryesore dhe pjesa me theksim vertikal e trajtuar si kullat shqiptare të veriut. Hapësirat e brendshme janë zgjidhur në mënyrë që mjediset të ndërthuren duke krijuar një hapësirë të vetme të pandërprerë ,ashtu sic është përmbajtja e historisë së paraqitur. Historia ,arkitektura dhe arti përbëjnë një të vetme.Janë përdorur elementë arkitektonikë historikë,si trarë të rëndë e harqe guri.Veprat e artit ,gdhëndjet në gur,në dru, hekuri i rrahur si dhe hartat, grafiket, pikturat në xham kanë vlerat e një materiali ndihmës historik. Muzeu hapet me një grup skulpturor që paraqet Skënderbeun në mes të popullit. Figurat e luftëtarëve nuk janë të emërtuara,veshjet e tyre dhe mbulesat e kokave tregojnë pjesmarrjen e të gjitha krahinave në luftë për të mbrojtur vendin.Figura e gruas tregon pjesmarrjen e grave në luftime. Ky grup skulpturor është realizuar nga skulptorët Janaq Paço dhe Genc Hajdari.[4]Në ambjentet e këtij muzeu gjendet edhe afresku me përmasa “ Qyteti mesjetar i Krujës” i piktorit Fatmir Thaçi. Afresku është një paraqitje imagjinare e Krujës mesjetare, ku shquajnë në sfond kambanorja e sotme e Krujës, disa shtëpi monumentale në një stil të përzier të kullave të veriut dhe arkitekturës së qyteteve Gjirokastër e Berat. Ashtu si dhe gravurën e Amman në sfond mbi kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut. Nuk e di sesa piktori Fatmir Thaçi e ka njohur gravurën e Amman pasi kompozimi i tyre është i ngjashëm përsa i përket hapësirës monumentale por në të njëjtën kohë dhe i ndryshëm përsa i përket atmosferës historike kulturore që përçon. Në qendër të afreskut ndodhet një kalorës i veshur me kostum tradicional të Labërisë çka sëbashku me shtëpitë monumentale të krijojnë përshtypjen se më shumë sesa në Krujë ndodhesh në Gjirokastër. Në këtë mënyrë atmosfera e Krujës mesjetare prezantohet me një arkitekturë dhe kostumografi të disa shekujve më vonë. Ndërtimi dhe kompozimi i qendrave muzeale në Shqipëri gjatë periudhës komuniste iu nënshtruan ideologjisë së bashkimit nacional komunist dhe përçimit të një kulture të thjeshtë në prezantimin e vlerave historike të së shkuarës. Në sallat e mesjetës së vonë fustanellat e bardha propozohen natyrshëm si elementë lidhës me periudhën. Mes mitit e legjendës këto ura kohore ofrohen si elementë të domosdodhëm lidhës për një tregim linear të historisë së vendit[5]. Në qendër të tablove historike u pasqyrua populli anonim si ilustrim i denjë i estetikës sovjetike të përçuar në Shqipëri nga estetët shqiptarë që studiuan në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1948-1960. Arti duhet të pasqyronte pikëpamjen marksiste të rolit të masave të thjeshta në çdo ngjarje historike duke zhveshur historinë mesjetare arbëre nga atmosfera kalorsiake e kohës. Gjatë viteve 70’-80’ në kohën kur ndërtohen qendrat muzeale dhe muzetë në Shqipëri mbizotëron realizmi imagjinar që nënkuptonte pasqyrimin në art të vërtetave të padiskutueshme historike dhe shpesh herë veprat e artit ilustronin edhe vetë muret e muzeve historike. Kjo tendencë nisi me drojë në mesin e viteve 50’, për ta huazuar dhe implementuar me metodën zyrtare të Realizmit Socialist e strukturuar denjësisht në tablotë e mëdha kompozicionale përgjatë viteve 70’-80’[6]. Tablotë historike janë nga gjinitë më të vështira të artit pamor. Ato kërkojnë një studim të mirë të epokës historike dhe një gërshetim sa më të mirë të epokës me mesazhin universalist që duhet të përçojnë. Një tablo e Krujës mesjetare me ngjyra sipas stilit të gravurës së Amman-it do të qendronte më afër historisë së qytetit mesjetar të Krujës nëse Muzeu Historik Gjergj Kastriot Skënderbeu do të rikonceptohej.
Bibliografi:
1]Moikom Zeqo. Gravuristi Jost Amman, Skënderbeiada e artit. Drita. – 1 prill, 2007
[2]Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 28-29
[3]Fondi Muzeor i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Krujë
[4]Po aty
[5]Ermir Hoxha. Realizmi Socialist Shqiptar. Galeria Kombëtare e Artit, 2017, fq 25
[6]Po aty fq 25
Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më parë për…
Ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir…
Hudhra është një ushqimet më mirëbërëse për organizmin. Përdorimi i saj i rregullt çdo…
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…
Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…
RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY