Legjenda e Bjeshkëve të Namuna/ Ja përse quhen kështu

ë valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Namuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë, (burrin ia vranë ushtarët turq), mori rrugën drejt Bjeshkëve të Nalta sipër Rrafshit të Dukagjinit.

Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin. E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja e dy fëmijët tashmë jetim, kthente vështimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.

E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin; sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja akoma më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutëm ni pikë uj”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund një pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë kurse i madhi nuk nxirrte zë, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepte zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte askund dhe u ngjitën në Malit të Thatë. Kopetë e deleve dhe barinjtë, ishin zhdukur si t’i kishte përpirë toka a ngrënë ujku dhe asnjë këmbanë nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, siç quheshin dikur. S’kishte asnjë njeri të gjallë mbi faqen e dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat iu shteruan e nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, prandaj nisën të përpëliten dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si fëmijët po i shuheshin para syve. Por, para se fëmijët t’i kapte agonia, para se të ndodhte gjëma, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: ” Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqët që përpëliteshin në agoni. Dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkëve.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Bjeshkët e Namuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia, kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërxha që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot: zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Megjithatë në Bjeshkët e Namuna, më thoshte gjyshja, është një mur, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, me bohçe e me kovë uji. Barinjtë, kur kalojnë pranë shkëmbit, derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e fëmijëve.

Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Namuna. Sipas kësaj legjende, kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, duke ngjitur Bjeshkët, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar!” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, do me thënë “të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.

/botasot.info/

postbck postbck

Recent Posts

Aleanca e Skënderbeut me mbretin e Napolit kundër osmanëve

  Data 26 mars e vitit 1451 kujtohet për aleancën që heroi kombëtar, Gjergj Kastriot…

6 hours ago

Pse keni dhimbje koke kur ndryshon moti?

  Nga stuhitë deri në ditët me diell, ndryshimet e motit mund të shkaktojnë dhimbje…

7 hours ago

Si ta përdorni xhenxhefilin kundër dhimbjeve të reumatizmës

  Miliona njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e osteoartritit, që shkakton dhimbje dhe vështirësi…

7 hours ago

Arabia Saudite instalon “fenerët laser” me energji diellore për të ndihmuar udhëtarët e humbur të shkretëtirës

Arabia Saudite ka nisur një iniciativë inovative për të ndihmuar udhëtarët e humbur të lëvizin…

2 days ago

Prika dhe dhuratat në familjet arbërore me rastin e martesës

Teuta SHALA-PELI PRIKA DHE DHURATAT NË FAMILJET ARBËRORE ME RASTIN E MARTESËS (GJYSMA E DYTË…

2 days ago

Kontaktet e qytetërimit islam në Ballkan para ardhjes së turqve

Fahrush REXHEPI, shkëputur nga revista KOSOVA, No. 20-21 (1999) Botuar: 2024-09-19 Kultura dhe qytetërimi islam është…

2 days ago