Një nga njerëzit që historia e mban në piedestalin e saj është edhe ai, i madhi Ymer Haxhi Prizreni, atdhetari dhe krytari i Lidhjes së Prizrenit. Ymer Haxhi Prizreni lindi dhe u rrit në fshatin Nashec të Bregut të Drinit dhe përkon me një varg masash që Porta e Lartë kish ndërmarrë në Shqipëri, në rrafsh të shtypjes së kryengritjeve shqiptare që kundërshtonin reformat e Tanzimatit.
Ymer Prizreni, tashmë i shkolluar dhe i edukuar në frymën fetare të kohës, predikon paqe mes bashkëkombasve të tij. Ai ndërhyn energjikisht, disa herë tek autoritet vendore turke, me ç’rast këto të mos kërkonin taksa ngase varfëria e shqiptarëve po arrinte kulmin.
Por thirrjet e sinqerta të Ymer Prizrenit, binin në veshin e shurdhër të tagrambledhësve turq. Këtej do të buronte ai zhgënjim shpirtëror i shqiptarit Ymer Prizëreni ndaj Portës së Lartë.
Tashmë për të ishte e qartë se kullat fetare në Stamboll e gjetkë, në mbarë Turqinë, predikonin nënshtrimin deri në baltë të identitetit kombëtar, përpara interesave madhore të Perandorisë Osmane. Me këtë akt përuljeje, nuk mund të pajtohej kurrsesi Prizreni, i cili u rrit sa me dashurinë dhe edukatën e lartë prindërore, aq edhe me legjendat trimërore të Bregut të Drinit, ku valët e këtij lumi, janë padyshim simfonia epike e maleve shqiptare.
Më pas, Ymer Efendiun e shohim të shpërngulet në qytetin e Prizrenit, në kujdesie të familjes së vet e cila fal provave, gëzonte një popullaritet të madh në ato vite. Megjithëse zotëron katër gjuhë, ka kulturë të përgjithshme të mjaftueshme, ai nuk mund të ulet as në ndonjë zyre të Portës së Lartë në Prizren, ngase disa herë, haptaz i është kundërvënë, vendimeve të ardhura nga Stambolli.
Sigurisht në vitet 70-të të shekullit të XIX, atëherë kur Porta e Lartë u gjend përballë të papriturave të mëdha, edhe fakti i Shqipërisë rrezikohej së tepërmi.
Në fillim të viteve 70-të, të shekullit të XIX, Ymer Prizrenin e shohim të propagandojë kundër Portës së Lartë e cila duke mos pasur fuqi të ndeshet me forcat madhore evropiane dhe të nënshtrojë me çdo mjet kombin shqiptar.
Një forcë e re e madhe do të përpiqej me çdo kusht që të formohej një shtet i madh sllav në Ballkan dhe kjo ishte Rusia që kërkonte me çdo kusht pushtimin dhe nënshtrimin e Kosovës.
Rusia kurrsesi nuk mund të shihte me sy të mirë bashkimin e vilajeteve shqiptare nën një administratë të vetme ç’ka donte të thoshte formimin e njësisë kombëtare me tendenca të pavarësisë. Për këtë, konsulli rus në Cetinjë i shkruante Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Giersit se:
“Shqiptarët nuk egzistojnë si racë si kombësi e veçantë, por formojnë vetëm një numër fisesh pa kohezion të mbrendshëm”.(Arkivi i Institutit të Historisë, sipas dokumenteve të Vjenës, dokumenti 18 , 3 prill 1878 ). Kështu, patriotët shqiptarë, të gjendur mes vrundujve të stuhive që donin të gëlltitnin tokat shqiptare, u mblodhën rreth besës së madhe që i patën dhënë atdheut.
Kjo Lidhje ishte një imperativ, një klithmë shprese që toka arbërore të ringritej pas pesë shekujsh robërie duke ndriçuar sërish virtytet e shenjta morale të saj. Në këtë rizgjim të vetëdijes sonë kombëtare, vepra e Ymer Prizrenit është e pazëvendësueshme.
Kjo vepër madhore ka rezervuar në dekadat që erdhën më pas me një tingëllim të çuditshëm. Ajo ka mbetur ende sot e skalitur në memorien e kombit tonë.
Në pranverën e vitit 1878, menjëherë pas themelimit të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” Ymer Prizreni merr kontakte me udhëheqës të këtij komiteti siç ishin Zija Prishtina dhe Abdyl Frashëri.
Idetë dhe vendimet e këtij komiteti, biri i Prizrenit, përpiqet t’i përcjellë tashmë në krejt viset e Kosovës, duke parë se ky komitet, i themeluar në Stamboll, menjëherë do të shpërngulej për në Shqipëri, Ymer Prizreni merr takime të fshehta edhe me kapedanët e shquar të asaj kohe në viset veriore shqiptare siç ishin Ali Ibra, Sef Kosharja, Ramadan Zaskoci e Sulejman Vokshi.
Ngase e njihte rëndësinë e propagandës, Ymer Prizreni, u vu në qendër të asaj lëvizjeje madhore të shqiptarëve të cilët, me anë të protestave dërguar fuqive të mëdha, i bënë të qartë opinionit evropian se ata jo vetëm që nuk do ta njohin copëtimin e vilajeteve shqiptare, por do të mbrojnë me çdo çmim atë.
Në pothuaj të gjitha protestat e popullit të Prizrenit në ato kohë, në krye të emrave gjendet emri i Haxhi Ymer Efendiut.
Për më tej, në maj të vitit 1878, në një protestë dërguar sulltanit në emër të qytetit të Prizrenit, përveç të tjerave, Haxhi Ymer Efendiu shprehej se “kërkonte respektimin e tërësisë së tokave shqiptare, bashkimin e tyre në një provincë të vetme dhe zbatimin e reformave për përparimin e vendit”( Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,doku.9, faqe. 20 )
Në tubimin e 10 qershorit të Lidhjes shqiptare, Haxhi Ymer Efendiu, mori pjesë në cilësinë e delegatit të Prizrenit. Ngase aktiviteti i tij ishte paraparë si tejet i madh në këtë rrafsh, me shumicë votash, Ymer Prizreni zgjidhet këtu anëtar i Këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare.
Fjala e matur e tij, mendimi i urtë dhe trimëror, ishin vendimtare në idetë e shprehura, në këtë kuvend madhor të shqiptarëve. Është me vend të kujtojmë, se në tubimin e parë të atdhetarëve që nënshkruan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, u vendos që kjo Lidhje domosdoshmërisht do të mbronte tërësinë tokësore shqiptare.
Ajo nuk do të njihte askurrë qeverinë bullgare e dalë prej Traktatit të Shën Stefanit ku mijëra kilometra katrorë toke shqiptare i dhuroheshin asaj. Por me shtrimin e disa ideve të Ymer Prizrenit, Lidhja mori vendim që nëse dikush nga radhët e saj nuk do t’i kryejë me përgjegjësi e ndërgjegje detyrat, nëse ai shpërdoron emrin e kësaj Lidhjeje për të kryer akte antinjerzore, ai do të dënohet sipas fajit dhe do t’i sekuestrohet krejt pasuria.
Biri i Prizrenit, u ndal në fjalën e tij edhe në bashkëjetesën vëllezërore që shqiptarët myslimanë duhet të kenë me ortodoksët apo katolikët. Religjonet fetare do të ishin ura të shenjta bashkimi dhe jo fole hasmërish. Menjëherë pas mbarimit të këtij tubimi, Haxhi Ymer Efendiu iu vu punës për të përballuar detyrat e mëdha të ngarkuara.
Në shoqërinë e Shuaip Spahiut, Sulejman Vokshit, Ibrës dhe Berishës, biri i Prizrenit diti të organizojë më së miri formacionet e para luftarake shqiptare duke i angazhuar ata në detyra konkrete. Por ngase Prizreni me rrethinë, paraqiste mjaft probleme edhe për organizimin e pushtetit vendor, ai brenda muajve qershor-korrik 1878, shkoi kullë më kullë prizrenase duke qarë hallet e duke gjetur zgjidhje sa më të përshtatshme për bashkëkombasit e vet.
Veçmas organizimi i tij në protestat ndaj padrejtësive që iu bënë Shqipërisë në Kongresin e Berlinit, do të ishte i madh. “Ymer Prizreni ishte i ngarkuar me detyra të rëndësishme në këshillin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…
Kështu gjatë periudhës kur vazhdonin punimet e kongresit të Berlinit dhe pas tij, Ymer Prizreni mori pjesë në organizimin dhe udhëheqjen e të gjitha aktiviteteve politike dhe aksioneve që u zhvilluan nga masat popullore kundër zbatimit të vendimeve të këtij kongresi dhe përpjekjeve të qeverisë osmane për realizimin e tyre
Ai zhvilloi një aktivitet intensiv për organizimin e rezistencës së masave popullore, kundër misionit të Mehmet Ali Pashë Maxharit” ( Instituti i Historisë Tiranë, konferenca e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, faqe 71 ).
Në fundgushtin e vitit 1878, krejt forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare, ishin mobilizuar për mbrojtjen e trojeve të tyre të Plavës dhe Gucisë. Ndërkaq Knjaz Nikolla kishte pasur disa bisedime të fshehta me Portën e Lartë, lidhur me këto përgatitje dhe kundërshtime të shqiptarëve.
Është kjo arsyeja që nga Stambolli shkon në Prizren më 25 gusht, një autoritet i lartë i Portës, me ç’rast kërkon të bisedojë me udhëheqësit e lartë të Lidhjes. Më 26 gusht 1878,në ndërtesën e vogël të komitetit Qendror të kësaj Lidhjeje Ymer Prizreni bëri mbi tre orë debat me të ardhurin nga Stambolli, me ç’rast i shpjegoi se ishte Mali i Zi që duhet të hiqte dorë nga trojet shqiptare autoktone dhe jo shqiptarët të ulnin armët përballë kësaj padrejtësie që i bënë Fuqitë e Mëdha.
Në vitet 1879-1880,me porosi të vetë Abdyl Frashërit, Ymer Prizreni u ngarkua të mobilizojë dhe organizojë masat e gjëra popullore, në zbatim të ideve ushtarake të Lidhjes Shqiptare. Këtë detyrë kaq të vështirë për moshën e tij ai e kreu me energji thuajse djaloshare.
Kudo ku shkeli këmba e tij, në Prizren, Gjilan, Lumë, Manastir, Tetovë, Gostivar etj, dyert e kullave u çelën. Këto kulla dhanë për luftën, për trojet e Plavës e Gucisë jo vetëm të holla, ushqime dhe armë, por edhe qindra e mijëra djem të njomë në mbrojtje të at’dheut të tyre.
Ymer Prizreni hasi në plot pengesa që i ngritën shqiptarë të gënjyer e mashtruar nga Porta e Lartë. Gjykimi i tij do të përballej me nënpunësit turq të administratës të cilët në pamundësi për të vjedhur e mashtruar popullin, detyroheshin të merrnin vetë rrugën drejt Stambollit.
Aq të pafuqishëm e ndjenin veten e tyre këta administratorët, saqë në një raport të konsullit austrohungarez në Prizren, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vienë, thuhej veç të tjerave tekstualisht:
“Po shtohet çdo ditë e më shumë veprimtaria dhe prepotenca e qeverisë faktike që është e dalë prej Lidhjes. Kjo prepotencë po rritet dukshëm dhe kryetari i Lidhjes së këtushme, Ymer Prizreni, po e zbaton këtë terror kundër administratës turke, në bashkëpunim me nënpresidentin dhe oratorin e komitetit Shuaip Agën”.(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë,sipas dokumentave të Vjenës, dokumenti nr.53 datë 23 qershor 1880).
Po sipas burimeve arkivore të Vienës, është pikërisht konsulli austrohungarez i cili njofton Ministrinë e Jashtme në Vienë se lidhur me vendimet e fundit të Berlinit “Haxhi Ymer Efendiu nuk nguroi t’i dërgonte në rrugë telegrafike, në emër të të gjithë shqiptarëve, një protestë kërcënuese konferencës së Ambasadorëve në Berlin”.
E vërteta është se në vjeshtën e vitit 1880, Lidhja Shqiptarë, pati shtrirë pushtetin e saj administrativ, ushtarak dhe politik në mjaft krahina siç ishin ato të Prizrenit, Gjakovës, Vuçitërnit, Preshevës, Pejës, Plavës, Gucisë, Manastirit, Tetovës, Dibrës, Korçës e deri në Janinë.
Ky pushtet, u kujdes së pari për mbrojtjen e kufijve të vilajeteve shqiptare e mandej për rregullimin e jetës në vend. Njëherazi, kjo shtrirje gjeografike e Lidhjes, nxori në pah domosdoshmërinë e një organizimi të ri.
Kësisoj në dhjetorin e vitit 1880, burrat e shquar të kësaj Lidhjeje u mblodhën sërish në Prizren. Aty u soll krejt çka Lidhja Shqiptare kish humbur e kish fituar në gati tri vjetët e egzistencës së saj dhe natyrisht debatet kanë qenë të mëdha. Grupi konservator i këtij organizimi, bëri çmos të lidhte synimet dhe idetë e Prizrenit, pas qerres së Portës së Lartë.
Por ata u ndeshën në qëndrimin e burrave të tillë si Iljaz Pashë Dibra, Shuaip Spahiu, Abdyl Frashëri, Jakup Ferri dhe Ymer Prizreni të cilët kumtuan në çdo rast se punët e Shqipërisë mund t’i zgjidhnin veçse shqiptarët. Në organizimin e ri të Lidhjes, u vendos që ajo të merrte përsipër atributet e një qeverie të përkohshme dhe unanimisht patriotët e mbledhur aty zgjodhën në krye të kësaj qeverie Ymer Prizrenin.
Është me vend të theksohet se prej kësaj dite e deri atëherë kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me zjarr e hekur, personaliteti i Ymer Prizërenit u shfaq dukshëm në krejt dimensionin e vet atdhetar. Vitet mbi supe nuk mund t’ia pakësonin energjitë këtij 60- vjeçari.
Dihet se Porta e Lartë, nën presionin e Fuqive të Mëdha Evropiane, dërgoi në drejtim të Kosovës një ushtri disa mijëshe të armatosur deri në dhëmbë, të kryesuar prej Dervish Pashës. Qëllimi i këtij inkursioni ishte shkatërrimi i plotë i funksionimit të Lidhjes së Prizrenit, përndryshe, vazhdimi i pushtetit turk me dhunë, në viset shqiptare, 15 mijë ushtarë e oficerë të Portës së Lartë, mbërritën në Shkup në ditët e para të prillit 1881 dhe s’ishte e vështirë të kuptoje qëllimet e mbrame të Perandorisë Turke.
Qeveria e përkohshme e kryesuar prej Ymer Prizërenit me t’u lajmëruar për mbërritjen në Shkup të kësaj ushtrie, dha kushtrim. Prej Gjakove, Dibre, Prizreni, Lume e Vuçitërni u mblodhën rreth 7 mijë luftëtarë të cilët, të udhëhequr nga Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Sef Kosharja e dhjetëra burra të tjerë, nisën të organizojnë rezistencën madhore.
Ata nuk do të frikësoheshin këtij sulmi, ashtu siç u ishin frikësuar qindra betejave, në disa decenie me radhë. Ymer Prizreni e Abdyl Frashëri, duke organizuar qëndresën, ndërrmarin edhe disa veprime diplomatike me konsujt evropianë në Prizren, Prishtinë e Shkodër.
Për më tej ata i dërgojnë edhe një memorandum Portës së Lartë duke mos harruar të shkruajnë në fund se “Shqiptarët do të mbrojnë atdheun dhe nderin e tyre deri në fund e do të ndjekin rrugën e qytetërimit”.
Por mijërat e ushtarëve dhe oficerëve turq, mijërat e grykave të zjarrit, batalionet e tëra të artilerisë dhe kalorësisë do të bënin punën e vet. Betejat e Shtimjes, Suharekës, Slivovës etj, natyrisht edhe pse përfunduan me humbje kanë vlerat e tyre të pallogaritshme në moralin dhe vetëdijen nacionale shqiptare.
Ymer Prizreni, ishte dhe mbeti deri në fund krahu politik i këtyre betejave. Ai jo vetëm që nuk u tremb por rrëmbeu armët edhe vet, në atë moshë madhore, për t’u bërë ballë sulmeve të hordhive turke. Mbas thyerjes së rezistencës shqiptare, Ymer Prizreni, me ndihmën e disa miqve të vet shkon në Ulqin.
Aty jeton me ndihmat e disa shqiptarëve që ia njohin jo vetëm vlerat si prijës por edhe si atdhetar i vendosur. Disa përpjekje të Portës së Lartë, për ta burgosur dështojnë ngase shqiptarët e Ulqinit e duan si babanë e vëllain e tyre, kësisoj, për pesë vjet me radhë, Ymer Prizëreni, i plakur, i ligështuar, jetonte në një dhomë të thjeshtë të Ulqinit, larg familjes, të cilën Dervish Pasha ìa pat mërguar në Turqi.
Në pranverën e vitit 1886, atëherë kur në trevat shqiptarë po ravijëzohej sërish një kryengritje tjetër, në shtëpinë e birit të Prizrenit troket i dërguari i Portës së Lartë, një hoxhë prej Ulqini. Ai i thotë se nëse Ymer Efendia do të ndikonte në Dibër, Prizren e Tetovë, tek miqtë e vet, që kjo rezistencë të mos gatuhej, do t’i falej jeta e do t’i jepeshin disa qese floriri.
Por përgjigjja e burrit do të ishte: “Shko nga erdhe se edhe sikur në fron të vet, të më vëre sulltani, nuk dua të di ma, për Turqinë”.(Xh. Belegu, Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj, Tiranë 1939, faqe 191 ). Disa ditë më pas, Haxhi Ymer Prizreni, do të gjendej i masakruar në shtëpinë e vet. Mbyllej kësisoj tragjikisht, një jetë trimi e cila në çdo ditë të saj, shkroi faqe atdhedashurie.
Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më parë për…
Ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir…
Hudhra është një ushqimet më mirëbërëse për organizmin. Përdorimi i saj i rregullt çdo…
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…
Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…
RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY