Historia: Si i morën armët e Skënderbeut austriakët – Nga Kristo Frashëri*

Ato janë të vetmet objekte origjinale të heroit tonë kombëtar, që ruhen deri më sot dhe ato ruhen në Austri në Muzenë e Vjenës.

Historia e tyre lidhet me jehonën e emrit dhe famës së Skënderbeut në Evropë në atë kohë e më pas. Në vitin 1567, djali i dytë i perandorit të Austrisë Ferdinandi rindërtoi kështjellën “Ambrar” në kryeqytetin e Tirolit, Insbruk dhe u mor me mbledhjen e sendeve artistike me vlerë e të relikeve.

Sekretari i tij Shrenke mblodhi kryesisht armë dhe i ruajti në kështjellën “Ambrar”.

Ai u shkroi letër personaliteteve të shquara të kohës dhe trashëgimtarëve të atyre që kishin vdekur, që t’i dërgonin veshje luftarake, armë, mjete lufte, piktura e biografi, sepse do t’i ekspozonte në armëtoren e tij në Kështjellën “Ambrar”.

Objektet e grumbulluara, Shrenkeja i sistemoi dhe i inventarizoi gjatë viteve 1585, 1593, 1596 dhe në vitin 1601 botoi në latinisht veprën: “Figura krejt të vërteta të perandorëve august, të mbretërve e shumë të ndriturve arqidukë, princave gjithashtu të kontëve, baronëve, fisnikëve dhepërshkrime të bëmave të tyre, armët e të cilëve ndodhen në armëtoren e kështjellës “Ambrar”.

Kjo vepër bëri të mundur që të njihet përkatësia e armëve dhe historia e çuarjes së tyre atje. Në vitin 1605, kështjella “Ambrar” u ble nga perandori i Austrisë dhe armët iu lanë atij. Në vitin 1806 reliket u mbartën në Vjenë dhe në vitin 1888 u kaluan në ndërtesën e re të Muzeumit të Vjenës, ku ndodhen edhe sot.
Armët e Skënderbeut i janë dorëzuar Ferdinandit ndërmjet viteve 1588-1593 me anën e Dukës së Urbinjos dhe atij të Areskotit. Në inventarin e vitit 1596 të Shrenker, me numër 71 është shënuar përkrenarja dhe me numër 92 dhe 345 dy shpatat.

Në veprën e Shrenken të botuar në vitin 1601, paraqitet dhe një gravurë e Skënderbeut në pozicion në këmbë, duke mbajtur në dorën e djathtë shpatën (nr 345) dhe pranë këmbëve përkrenaren. Armët e vizatuara të gravurës ngjasojnë me ato origjinale të Muzeumit të Vjenës.

***

…Nga jeta e Skënderbeut brenda në shtëpi kemi fare pak njoftime. Sipas Dh. Frëngut, ai hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë orë gjumë. E duronte vapën dhe acarin. Flinte përdhe mbi qilim. Shton se flinte i veshur me armët dhe ato nuk i hiqte nga brezi as kur flinte-sigurisht e ka fjalën për ditën e luftimeve. Duronte çdo lloj vuajtjeje fizike.

Njoftimet për armët e Skënderbeut i kemi në dy rrugë-nga burime të shkruara dhe nga vetë armët që kanë arritur deri në ditët tona.

Në burimet e shkruara flitet vetëm për shpatat. Dh.Frëngu thotë se shpata e Skënderbeut ishte një pallë e harkuar (una scimitarza storta) me tehe shumë të hollë dhe me damaskinë me shumë hijeshi, e cila për cilindo dukej e rëndë, kurse për të ishte e lehtë. Dikur mbante dy shpata, të cilat i vendoste në një mill.

Pastaj ai shton se njëherë pruri nga Italia një mjeshtër të shkëlqyer, i cili bëri tre palla shumë të mira. Njërën prej tyre, e cila mund të priste hekurin ia dërgoi dhuratë sulltanit. Dimë më në fund se në pritjen zyrtare që Papa Pali II i bëri Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466, ai i dhuroi Heroit një shpatë dhe një kësulë (una spada ed un capello).

Përkundrazi nga pajimet personale, që kanë arritur deri në ditët tona, ne kemi katër objekte-dy shpata, një përkrenare dhe një libër uratash. Përkrenarja dhe dy shpatat tani ndodhen në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë, kurse Libri i Uratave, i cili sikurse u tha, ia dhuroi heroit familja Di Capua e Napolit ndodhet në fondet e Shtëpisë Botuese “Shelley House” në Çelsi (Chelsea), Londër.

Përkrenarja dhe shpatat kanë fillimisht një histori të errët. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato i morën me vete, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Se kush i pati pas vdekjes së tyre nuk dihet. Ato shfaqen në burimet dokumentare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XVI.

Në vitin 1590, përkrenarja dhe dy shpatat nuk ndodheshin në një dorë të vetme. Përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Wolfang i Sturbenbengut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeumin e Armëve (siç del nga inventari i hartuar më 30 tetor 1590) të arkidukës Karl i Stirisë, biri i Perandorit të Gjermanisë në Gratz (Austri). Ai që i bashkoi ato ishte biri tjetër i perandorit gjerman (vëllai i Karlit) arkiduka Ferdinand i Tirolit, me porosinë e të cilit, kancelari i tij, J. Shrenke (Jacob Schrenk von Gotzing), i shtiu ato në dorë (me blerje).

E to ai pasuroi Muzeun që Ferdinandi ngriti në Ambras pranë Tirolit në Austri, të cilin e mbushi me veshje luftarake, mjete lufte, sende artistike dhe piktura të ndryshme të perandorëve, mbretërve, princërve, kontëve dhe figurave të shquara të shekullit XV-XVI. Në inventarin e hartuar në vitin 1595 përkrenarja dhe dy shpatat e heroit renditen ndër objektet e Muzeut të Ambrasit.

Që këtej, një shekull e ca më vonë, në vitin 1806, ato u transferuan në Muzeun Perandorak të Vjenës, por përsëri të veçuara. Përkrenarja dhe shpata me trup të drejtë u vendosën në sallën e quajtur të Maksimilianit (salla XXV, nr.71 dhe 92), kurse shpata tjetër me trup të harkuar (palla), në sallën e quajtur të Karlit V (salla XXVII, nr.345).

Ato u veçuan ngase drejtuesit e Muzeut të Vjenës, nuk ishin plotësisht të bindur nëse palla, e shkëputur nga përkrenarja, i takonte me të vërtetë Skënderbeut. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, dyshimet u davaritën. Si rrjedhim në pragun e 500 vjetorit të Heroit, ato u bashkuan në të njëjtën sallë, madje në të njëjtën vitrinë, të po atij institucioni që tani quhet (Muzeu i Historisë së Artit (Kunsthistorisches Museum, Wien).

Përkrenarja e Skënderbeut është punuar me metal të bardhë, pajisur me një rrip (ruban) të larë me ar.

Në majë të saj është vendosur një kokë dhije me brirë, punuar në bronx të larë në ar. Në pjesën e poshtme të saj, ka rreth e rrotull një rrip bakri me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndarë midis tyre me rozeta: IM*PE*RA*TO*RE*BT, që do të thotë: Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae*Terrori Osmanorum*Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të bekon ty Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanllinjve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me këto gjashtë monograme duket se është vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me shtimin e titujve do t’ia rritnin atij vlerën, kurse, siç u tha, ai nuk ka mbajtur asnjë nga këto tituj, por vetëm “Zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae).

Elementi kryesor që të bis në sy në përkrenare është koka e dhisë, që qëndron në majë të saj. Se çfarë ajo simbolizon mbi përkrenaren e Skënderbeut, është vështirë të shpjegohet me saktësi. Mund të shpjegohet me kultin e dhisë së egër, simbolin e zanave shqiptare, të cilat jetojnë, sipas legjendës, edhe sot në bjeshkët e larta, përfshirë edhe në atë të Gjelagjoshit, mali që qëndron mbi krye të Qidhnës së Dibrës. Ka shenja që tregojnë së kulti i dhisë së egër është shumë i lashtë. Shkrimtari romak i shekullit të I-II të erës sonë S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjatë luftës kundër Batos së ilirëve, kur arriti në Apoloni, preu për nder të fitores së tij, një monedhë argjendi me kokën e dhisë së egër.

Por ka edhe një shpjegim tjetër me ndikim historik. Shefqet Pllana sjell një njoftim të dhënë nga Sami Frashëri në “Kamus-al-alam” në zërin Dhu l’Karnejn se togfjalësi Dh l’Karnejn (pronar i dy brinjëve) ishte apelativ që në kohët e lashta madje edhe në Kuran, i Aleksandrit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, L.Malltezi shton pohimin e Plutarkut…Pra, nuk përjashtohet mundësia që motivin e brirëve të dhisë, Skënderbeu ta ketë huazuar, sipas dy historianëve të përmendur ose drejtpërdrejt nga legjenda e Aleksandrit të Maqedonisë, ose, siç duket më bindëse, nga pohimi i Plutarkut, meqenëse në Mesjetë shqiptarët e mbanin veten si pasardhësit e Aleksandrit të Maqedonisë, sidomos të Pirros së Epirit, aq më tepër se për Pirron e Epirit, Skënderbeu ka pohuar shkoqur se shqiptarët janë pasardhësit e tij.

Duket se shpjegimi i dytë ka më tepër të ngjarë të anohet nga e vërteta, mbasi teoria e vazhdimësisë maqedone-shqiptare dhe epirote-shqiptare ishte tepër e rrënjosur jo vetëm në opinionin shqiptar, por edhe në atë evropian. Ky opinion përshkon fund e krye sidomos veprën e Marin Barletit. Mjafton të riprodhojmë një fragment të historisë së tij monumentale, ku ai shkruan:”Njerëzit kur vështronin atë rini luftarake dhe kur shikonin atë lule burrash rreth Skëndërbeut, nuk u dukej aq çudi që fuqitë e Muratit ishin thyer prej shqiptarëvet. Me të vërtetë ishin kthyer atëhere përsëri shkëlqimi i lashtë i Maqedonisë dhe dukej se kishin ardhur prapë tamam, siç ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros”.

Me porosi të qeverisë shqiptare të paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937 nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun historik të Tiranës.

Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej sëbashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Eshtë e gjatë 85.5 centimetra, e gjerë 5.7centimetra dhe peshon 1.3kilogram. Ka mëhill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Sëbashku me dorezën është 121 centimetra e gjatë dhe peshon 3.2 kilogram. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine- ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F.Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: (Libehadur Allah Iskander beg-Kampioni i Perëndisë, Skënderbeu). Sipas Faik Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Doreza e larë në argjend dhe mëhilli i veshur me kadife, janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për muzeun e Tiranës së paraluftës. Sot ndodhen në Muzeun Historik të kryeqytetit.

Ndër dy shpatat, ka mundësi që Skënderbeu në fushën e betejës të mos përdorte atë me trup të drejtë, por pallën me trup të harkuar (siç nënkuptohet nga Dh. Frëngu), për arsye se e para ishte e shkurtër për shtatin e tij të gjatë, kurse me pallën, të cilën e kishte në përdorim ushtria osmane, ai është familjarizuar më tepër se me të parën. Këtyre mund t’u shtohet dhe një arsye tjetër: me të parën luftëtari e kishte më të lehtë ta godiste kundërshtarin horizontalisht, kurse me të dytën kishte përfitim, sidomos kur ishte trupmadh, ta asgjesonte më lehtë armikun me një të rënë të fuqishme vertikalisht. E njëjta gjë mund të thuhet dhe me përkrenaren, e cila nuk duhet të ketë qenë komode në fushën e betejës. Përfundimisht, mund të thuhet se si përkrenarja ashtu edhe shpata me trup të drejtë i kanë shërbyer që kjo e dyta të jetë shpata që Papa Pali II i dhuroi Heroit, natën e Krishtlindjeve së vitit 1466.
*Marrë nga monografia e autorit për Skënderbeun /voal.ch /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Besëpremja dhe tradhtia në disa këngë shqiptare

Shkruan: Ahmet QERIQI  Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…

5 hours ago

Publikohet letra e rrallë, e nënshkruar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu

  Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…

10 hours ago

Zbulohet mbishkrimi i lashtë për emrin e Shkodrës

  Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…

10 hours ago

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

12 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

1 day ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

1 day ago