Thesari i fshehur i Ilirisë. Ja pasuria e mbretit Gent

Historia e popullit tonë është e lavdishme që në gjenezën e saj. Dhe pa dyshim një prej emrave më të mëdhenj të kësaj lashtësie është dhe mbreti Gent. Ai do të vinte në fuqi në vitin 181 pes dhe që sa mori frenat e mbretit në dorë ai do krijonte kontradikta me perandorinë romake, e cila do e luftonte me tërë forcën e saj.

Romakët e akuzuan atë se drejtonte ilirët piratë ndaj në vitin 178 do të caktojë një flotë me 10 anije e cila do të vepronte në Adriatik dhe do të inspektonte ujërat mes Ankonës dhe Tarantos. Romakët do të luftonin kundër tij dhe me dredhi. Vetë Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë, e cila dallohej për tendencat proromake.

Gentin nuk e ndali asgjë në këtë luftë, në të cilën ai sakrifikoi edhe të vëllain, Platorin, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij. Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë. Ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet midis masave me karakter ekonomik është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën për prerjen e monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve . Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë.

Një rëndësi të veçantë Genti i kushtoi njehsimit të monedhës në mbretërinë e tij. Monedha kryesore e Skodrës në kohën e Gentit mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë ka si simbol anijen ilire.

Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera u shtrinë deri në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.

Mbreti Gent në politikën që ndoqi në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformator i vërtetë. Kjo i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e pakundërshtuar është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi ka dokumentuar faktin se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve .

Dendësimi i prerjeve monetare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte dhe bëhej më evident, prandaj edhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.

Në kohën e Gentit, Mbretëria Ilire shtrihej në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit. Kryeqendër e mbretërisë ishte Skodra. Njësitë admininstrative kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën.

Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Kjo nuk mund të kërkohet për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk ishte e zhvilluar. Këtu rolin e qendrave e kanë luajtuar fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.

Genti mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Bërthamën kryesore të ushtrisë e përbënin kontingjentet e rregullta ushtarake. Ai kontrollonte punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat, kurse burgjet garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti. Në botën e jashtme shtetin e përfaqësonte mbreti. Ai ishte vendimarësi për të shpallur luftën dhe për të përfunduar paqen. Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte.

Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”. Shteti ilir në këtë periudhë paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar dhe social që mplekseshin me ato të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Marrëdhëniet të ndërlikuarara me Romën, bënë që Genti të kujdesej të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë.

Ai qysh në fillim ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjin lindor, Mbretërinë Dardane. Bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës i kishin diktuar Ilirve një politikë, e cila e detyronte të kishte një mardhënie të mirë me fqinjët. Në fund të viteve 80, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.

Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinastie të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës. Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë.

Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Të dy sovranëve gjendja u impononte nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Genti u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Senati dëshironte që ta izolonte plotësisht Perseun dhe të bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon.

Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre. Në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm edhe në viset e tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.Genti grumbulloi në Lis një forcë të konsiderueshme prej 15 000 vetash dhe u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë dhe të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të veriut.

Romakët, të cilët kishin përqendruar forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër mbretit në Basania.Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra, ku shpresonte shumë në këtë qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt. I rrethuar nga dy lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të përballonte me sukses një rrethim të gjatë.

Ai nuk organizoi një mbrojtje të mirë dhe në vend që forcat ilire të qëndronin brenda mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike. Genti u dorëzua pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark. Dhjetë ditë më vonë me rënien e Skodrës, në Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëkohësisht me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti bashkë me familjen e tij u dërguan në Romë. Keshtu u nenshkruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në keto krahina sundimi Romak.

postbck postbck

Recent Posts

Shkaktarët e Vet.evrasjes: Një pasqyrë e ndërlikuar e faktorëve psikologjikë, shoqërorë dhe biologjikë

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Vetevrasja është një temë tepër e ndjeshme dhe komplekse që prek…

11 hours ago

Si u spraps më 1912 armata e tretë serbe nga veriu! Beteja e Drinit dhe thirrja e Isa Boletinit

BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…

1 day ago

Hakmarrja serbe një vit pas humbjes së madhe në betejën e Kolesjanit! M*sakrat e tmerrshme në Dibër, u vr’anë gra, fëmijë dhe pleq

HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…

1 day ago

Kodi kalorsiak shqiptar në folklorin sllav

Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…

1 day ago

Musolini në Shqipëri/ Kur makina i mbetej në baltë

Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…

1 day ago

Përpjekje të reja për të studiuar historinë e klimës në Tokë

Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…

2 days ago