<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>

Mulliri i Ali Pashës në Tepelenë që akoma bluan si 200 vite më parë

Nuk është vetëm Uji i Ftohtë në Tepelenë, një atraksion dhe pikë e njohur nga gjithkush që i bie rruga kësaj ane. Ka të tjera pika që vizitorët me ambicie që “gjurmojnë” mrekullitë historike, ekoturistike e arkeologjike të jugut, mund t’i prekin lehtë për të marrë ndjesi të pashlyera.

Tashmë në guidat e Tepelenës, janë shtuar të tjera pika të vizitueshme, rrëfen Aleksandër Toti, djaloshi i bashkisë me origjinë nga Lekli i Thanas Vajës, që merret me promovimin e vlerave turistike në këtë vis të jugut, ngjitur me sarajet e dikurshme të Aliut ku priti Bajronin para se ky i fundit të rrugëtonte për Janinë.

Toti tregon se nga Kalaja e Tepelenës turisti mund të shkojë një çap më tej, buzë lumit të kristaltë të Bënçës, tatëpjetë Veliqotit për të parë një tjetër kuriozitet, Mullirin e kohës së Pashait që vazhdon të bluaj si 200 vite më parë.

Duke hyrë në mjediset e Mullirit me dy kate, ti sheh si punon mokër e vjetër që miellzon si me magji grurin e këtyre anëve. Pastaj, sheh vijën e ujit apo jazin e Mullirit me ujin kristal që vjen prej kanioneve të Bënçës për të rënë me presion të qilimat e velencat e leshit të punuara në tezgjah nga duart e labëreshave të kësaj treve dhe për të marrë sërish ngjyrat e mrekullueshme të ylberit.

At e bir, që mbajnë gjallë këtë art

Vitet e fundit, ata që e mirëmbajnë Mullirin e lashtë janë familja e të paharruarit mjeshtër, Lefter Bleta. Atë e bir, kanë përcjellë artin e mirëmbajtjes së mullirit me dërstilë.

Lefteri, kishte duar të arta dhe e punonte drurin duke i dhënë shpirt e bukuri të beftë.

Tani, këtë traditë e vijon i biri, Ermali që nuk i ka lënë gjë mangut talentit të të atit, po edhe zonja Bleta, nëna e tij.

Shumë vite më parë të tregojnë se mullirin e lashtë e kanë mirëmbajtur të tjerë ustallarë si Kamber Canaj, Hysni Brahimi dhe Baki Shehu, mjeshtër i punimeve në dru. Dhe kështu, mjeshtër pas mjeshtri lanë gjurmët e duarve dhe mendjes edhe specialistët e gdhendjes së mokrës që bluante drithin.

Mulliri i kohes se Ali Pashës ende bluan…dhe ne centrifugen gjigante të ujit të borës, që bie me vërtik, llamburisin nga larja: qilima, flokata, rrugica e sixhade prej leshi me lulet e maleve e të lëndinave alpine këtej rrotull.

Turistët

Në mulli herë pas here vazhdojnë të shkojnë vizitorë vendas e të huaj si për të parë një copë mesjete të vonë që ka mbërritur e funksionon në kohët moderne.

Ermali, ka vizionin e tij dhe do që të shtojë në këtë kompleks: mulli, dërstila, manganë, këtë elementin e tretë: dy manganë, si çekiçë gjigantë prej druri që rrahin rrobat e shajakta në vendin ku kanë qenë e punuar dikur.

Mulliri, ndanë rrugës së vjetër Tepelenë-Vlorë, nuk është as 1 km larg nga Sheshi “Lord Bajron” i qytetit.

Turisti, pasi ka frekuentuar Kalanë e Ali Pashe Tepelenës me rehabilitimet e kohëve të fundit, pasi ka lënë pas sheshin e madh të qytetit, nga me të bukurit në jug të vendit, mund të vazhdojë guidën edhe më tej. Në Bënçë, fshatin e polifonisë së famshme të këngëve të Golik Jaupit po edhe të Ekovilës interesante punuar nga duart e Sheme Maçit.

Me tej akoma, turisti mund të rrugëtojë më në lartësi, për pak kilometra, në një udhë automobilistike me peizazh mahnitës ku sot po kryhen me intensitet rehabilitimet e rrugës që pritet të asfaltohet brenda vitit. Rruga që nis përballë Mullirit të lashtë të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të shpie në pllajën e Kurveleshit të Sipërm me befasira gjeonatyrore e historike, atje, ku guida pasurohet me vende të një peizazhi me alternime të thyerjet tektonike të gëlqerorëve me gjelbërimin e përhershëm të makieve mesdhetare.

Prej këtej, zë fill rruga turistike që e lidh Tepelenën me Kurveleshin e Sipërm për të mbërritur në peizazhet e bregdetit të Himarës.

-E di sa zgjat udhëtimi nga Tepelena dhe Mulliri i Ali Pashës për në plazhin e Borshit?- m’u drejtua Aleksandër Toti.

Dhe pa pritur ndonjë përgjigje, m’u drejtua sërish:

-Vetëm 60 minuta, or mik!

postbck postbck

Recent Posts

Kënga e një emri të lavdishëm të historisë, që mbrojti atdheun duke mposhtur Cërnagoren dhe Rusinë

Salih Kabashi KËNGA E NJË EMRI TË LAVDISHËM TË HISTORISË, QË MBROJTI ATDHEUN DUKE MPOSHTUR…

14 hours ago

Kush e ngriti e kush e solli flamurin ndër malësor

Kush e ngriti e kush e solli flamurin ndër malësor. Tri referenca shkencore të pa…

14 hours ago

Gravura e vitit 1886 tregon mullirin e hershëm të Prishtinës

Një gravurë e vitit 1886, nga arkitekti dhe piktori çek Vladislav Titelbach, e publikuar në…

3 days ago

Xhubleta Shqiptare – Thesar i Trashëgimisë Kulturore

Xhubleta është një nga veshjet më të vjetra tradicionale shqiptare dhe një simbol unik i…

3 days ago

Boshnjakizimi i fiseve shqiptare në Sanxhak

Baki Shala Shpërndarja fisnore e shqiptarëve në Sanxhak tregon qartë prejardhjen e tyre nga Malësia…

3 days ago

Droni sa një insekt, Kina sjell zbulimin që sfidon syrin njerëzor

Kina ka prezantuar një zhvillim të ri në fushën e teknologjisë së avancuar, duke sjellë…

3 days ago