Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar
Që t’ju ap pakëz dritë,
Natënë t’jua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
Që t’ju ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri tjatërin ta njihni.
Për ju do të rri të tretem,
As një çikë të mos mbetëm,
Të digjem, të qanj me lot
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem më dëshirë,
Sa të mundt t’ju ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur
Mos pandehni se kam vdekur :
Jam i gjall’ e jam në jetë,
Jam në dritët të vërtetë;
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj.
Më është falur durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Sa më kënda t’ju bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni, rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini
Në shpirtit kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë…
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’e urtësinë.
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si ju dua,
Njëri tjatrinë në doni
Të paudhë mos punoni…
Unë, duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar;
Kam qenë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë…
Dua shum fjalë t’ju them,
Po trembem mos ju bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë ‘zjarrtë ?
Naim Frashëri /InforCulture.info
Modelet e antitrupave në gjakun e njerëzve mund të parashikojnë shfaqjen e sëmundjes inflamatore…
Ne kemi kaq shumë gjëra të ndryshme për të menduar çdo ditë, ndërsa…
Nëse ka një grup njerëzish që janë të njohur në mbarë botën për…
Melanoma është kanceri më vdekjeprurës i lëkurës, që e merr origjinën nga melanocitet…
Kur shumë njerëz mendojnë për një pacient tipik me kancer të mushkërive, zakonisht…
Albert Camus, një prej shkrimtarëve dhe mendimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XX,…