Pak histori
Duke parë këto hapësira të gjelbra dhe të pamata, sot askujt nuk i bie ndër mend dhe as e përfytyron dot, se gjithë kjo sipërfaqe dikur ka qenë kënetë, e mbuluar nga uji, zhuka dhe kallami. Është bërë një punë kolosale për tharjen e saj, në të shumtën me një punë të pa paguar.
Në kapërcimin e urës së kanalit kryesor, që i thonë emisar i Tërbufit dhe që kullon fushën duke u derdhur pastaj në det, më kujtohen pjesë të testamentit të pinjollit të fundit të Principatës së Muzakajve, Gjon Muzakës, të shkruar më 1451 në Napoli të Italisë, kur shkuan pas luftërave të Skënderbeut. Aty ai bën gjenealogjinë e fisit të tij nga fillimi e deri në fund, në shpërbërje, përmend zotërimet, ndër të cilat, më të rëndësishmin, grunarin e madh, që ishte Myzeqeja, përmend anzhuinët francezë, aleatët më të mirë të tyre për shumë kohë, të cilët kanë lënë gjurmë në toponiminë e Kavajës dhe të Myzeqesë. Megjithëse një kolegu im ma kundërshton, unë nuk heq dorë se fjala tërbuf, vjen nga frëngjishtja e vjetër ter-tokë dhe buf (bufalo) – buall, pra tokë e buajve. Po le ta lëmë këtë dhe të shkojmë më tej, atje ku dhe na presin.
Ata që njohin historinë e Myzeqesë, me siguri nuk mund të anashkalojë Divjakën, pyllin e tij legjendar, ku rriteshin në natyrë dhe zbuteshin më pas buajt e egër, kuajt, madje edhe gjelat e egër. Ende dhe sot brezat 50-70-vjeçarë mbajnë mend filmin “Pylli i Lirisë”, me personazh kryesor, Vlashin dhe kalin e zbutur, që ishte një kalë i egër rritur e hazdisur pyjeve të Divjakës. Edhe sot, pas atyre që kanë ndodhur në Shqipëri, përsëri pylli i Divjakës mbahet mirë. Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjithçka rrezaton bukuri dhe paqe. Ajo çka mund të vërehet lehtë është që harmonia, qetësia dhe bukuria nuk janë larguar ende nga kjo mrekulli e natyrës shqiptare, e cila nuk duket si vepër e njeriut.
Parku i Divjakës është një nga zonat me mbrojtje të zgjeruar në Shqipëri. Sipërfaqja totale e parkut është 22.230 hektar prej të cilave 1200 hektar janë pyll me pisha. Është një nga vendet më të bukura dhe të preferuara për pushuesit përgjatë bregdetit Adriatik dhe është i shkëlqyer për turizëm, relaks, piknik, kërkime shkencore dhe studime të ndryshme së bashku me karakteristikat biologjike dhe shkrirjen me biodiversitetin ekologjik.
Qytetarët e Divjakës gjithmonë e kanë ruajtur dhe mbrojtur me fanatizëm këtë “mushkëri” të qytetit. Në brendësi të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, mund të gjesh fare lehtë një mori speciesh, duke filluar nga shpendët e egër të llojeve të ndryshme dhe në veçanti ai më i spikaturi është pelikani kaçurrel, i cili zë 6.4 për qind të popullatës botërore dhe për të cilin duhet theksuar se është një shpend në zhdukje. Në Divjakë ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi në Evropë. Gjithashtu, në lagunat e shumta të parkut mund të gjejmë llojet e ndryshme të peshqve, të cilët vlerësohen për cilësinë dhe shijen e tyre. Levreku, qefulli, ngjala, dhe shumë lloje të tjerë, pak ose aspak mund të gjenden në zona të tjera të Shqipërisë. Së fundmi, është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve, për shkak të atraksioneve të shumta që ofron parku dhe punës së bërë nga pushteti vendor.
Prezantim i shkurtër
Në mes të parkut, në një godinë të bukur dhe karakteristike të zyrave të administratës së parkut, na pret drejtori, Ardian Koci. Na thonë se me Ardianin parku ka rënë në zot, është njeri pasionant dhe i dashuruar pas pyllit, ligatinave dhe gjallesave që zhvillohen në to. Ndryshe nga paraardhësit, ai koordinon punët dhe merret mirë vesh me drejtuesit dhe specialistët e shoqatave dhe organizatave mjedisore që veprojnë në Parkun e Divjakë-Karavastasë, Sajmirin, Rolandin, ekspertë të huaj etj. Këtu mësojmë se Pylli i Divjakës është unikal në Shqipëri për biodiversitetin, sidomos për pishën e butë detare, është më i paprekuri nga dëmtimet e viteve të tranzicionit që në disa vende kanë bërë kërdinë. Jo se këtu nuk ka patur dëmtime, por ato kanë qenë të vogla dhe të riparueshme. Përsa i përket faunës së egër, një ndihmë të madhe ka dhënë edhe ligji i moratoriumit të gjuetisë, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur rivitalizmi i faunës në tërësi edhe i pelikanit në veçanti.
Plazhi i Divjakës ka qenë nga më popullorët dhe më të frekuentuarit në kohën e socializmit dhe më pas. Ai për brezat e vjetër ngjall nostalgi dhe mall, pasi në ato kabina, që, sido si qymeze pulash, kanë kaluar çaste të bukura të rinisë dhe të fëmijërisë së tyre. Plazhi i Divjakës ka rreth 50 vjet që ka filluar të funksionojë në mënyrë të organizuar nga shteti, pasi para këtyre viteve çdo gjë ka qenë në mënyrë primitive. Tani së fundi ky plazh ka marrë jetë dhe nga viti në vit po përmirësohet. Të vjen keq që emri i Divjakës lakohet herë pas here në media për ngjarjet e këqija që kanë ndodhur atje si, zbarkimi i Xhevdet Mustafës në vitet e fundit të periudhës komuniste, avioni i drogës dhe mushkonjat, duke mos përmendur bukuritë e rralla që ka si plazh, si natyrë, por edhe si ushqim.
Laguna e Karavastasë, një tjetër mrekulli e Divjakës
Karavastaja ka qenë një qendër shumë e rëndësishme tregtare, ekonomike dhe seli feudalësh në mesjetë. Në ato kohë ka qenë edhe një liman për ankorimin e anijeve tregtare, i cili me kalimin e kohës u mbath nga kapriciot e lumenjve dhe kësisoj u formua këneta. Në kohët e vjetra në Karavasta ka qenë e njohur lagja me emrin “Menegatis”, e cila edhe sot e kësaj dite quhet me emrin “Mënga”. Është e njëjta gjë siç thuhet e shkruhet për lagjen Mengalem të Beratit që do të thotë “mëngë lumi”. Në këto troje në kohën e Matrëngasve dhe Muzakajve, anzhuinët, aleatë dhe mbrojtës të këtyre familjeve feudale, i dhanë emrin Kënetës së Terbufit (ter – tokë dhe buf (bufle) – buall – toka e buajve).
Në Karavasta janë disa ishuj të vegjël që janë krijuar nga kallamat dhe mbeturinat që notojnë. Këta quhen Hapa Shala, që vendësit e përkthejnë hap shalët, vend ku mund të vësh këmbët. E vërteta është se shpjegimi i këtyre fjalëve vjen prej anzhuinëve, prej frëngjishtes që, Shalá i thonë pelikanit. Kështu i thonë pelikanit edhe në brigjet e liqenit Viktoria në Tanzani (ish-koloni franceze). Dhe kjo shpjegohet me gjuhet Suahili që flitet në disa popuj afrikanë. Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri. Sigurisht laguna më e bukur në detin Adriatik, ajo ndodhet rreth një orë larg Fierit me makinë. Laguna ndahet prej detit nga pylli me pisha i Divjakës. Laguna është e përbërë prej një lagune të brendshme dhe një lagune të jashtme më të vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna është deklaruar Park Kombëtar dhe është e vetmja vendndodhje zyrtare e mbrojtur nga Konventa Ndërkombëtare e Ramstarit që prej vitit 1994.
Laguna e Karavastasë është vendi më perëndimor në Evropë ku Pelikani Kaçurrel (Pelikanus Crispus) bën fole, gjithashtu rreth 5 për qind e popullsisë së shpendëve në të gjithë botën jeton në Karavasta dhe shpesh ju mund t’i shihni ata duke fluturuar, madje edhe mbi qytetin e Divjakës. Laguna gjithashtu strehon një numër të madh zogjsh uji shtegtarë. Në total janë numëruar 228 specie zogjsh. Ndërmjet zogjve që jetojnë në lagunë janë: pelikani kaçurrel, çafka e madhe e bardhë, rosa e egër, thëllëza, bajuka, lauresha, pata e egër, shqiponja e madhe, shqiponja e detit, dallëndyshja e detit, lejleku etj. Janë rreth 29 lloje të ndryshme amfibësh dhe reptilësh (duke përshirë breshkën e ujit të detit) dhe 25 lloje gjitarësh duke përshirë vidrën, nuselalën, kaprollin dhe dhelprën e kuqe.
Laguna e Karavastasë është një vend i mirë për vizitorët në kërkim të aventurave, dhe megjithëse nuk ka akoma një infrastrukturë turizmi në zonën e lagunës, ajo ofron mundësi shumë të mira eko-turizmi si dhe mundësi për të parë zogjtë dhe natyrën. Ju mund të merrni një shofer në Divjakë dhe t’i kërkoni atij që t’u çojë në Dajlan, vendi ku ndodhet kanali më i madh prej të tre kanaleve që lidhin lagunën me Adriatikun. Është një vend shumë i mirë për t’iu afruar pranë ujit dhe për t’i parë peshkatarët në punë. Gjithashtu ju mund të zbrisni nga autobusi i plazhit të Divjakës tek hyrja e pyllit dhe të ndiqni një prej rrugëve me zhavorr në të majtë (drejt jugut), dhe ato do t’ju çojnë në një labirint kanalesh të vegjël uji që përbëjnë pjesën veriore të lagunës.
E frikshme ajo që dëgjon për Karavastanë
Megjithëse thamë gjithë këto fjalë të mira për Parkun Kombëtar, për Divjakën dhe Karavastanë, është e frikshme ajo që dëgjon këto kohët e fundit nën zë (dhe jo fare nën zë, pasi është trajtuar edhe në media) se një miliarder manjat kosovar do të ndërtojë në Divjakë një resort gjigant turistik, nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe Evropë!
Qeveria s’ka hapur gojë deri tani, por fjalët ka rrezik të jenë hapur nga vetë ajo dhe nga manjati i interesuar për të “përgatitur opinionin”, një praktikë e njohur kjo për punë të liga dhe pisllëqe me të cilat shqiptarët janë mësuar.
Kush e njeh pak gjeografinë, gjeologjinë dhe gjeomorfologjinë por edhe një bujk i thjeshtë myzeqar e di se ligatinat, cektësitë, ku deti lidhet me tokën, janë delikate.
Ndaj dhe nëse ky kompleks do të ndërtohet, s’do të ketë më Divjakë dhe Karavasta, s’do të ketë më pyll, peshq e zogj, as det s’do të ketë, atë do ta zëvendësojnë pishinat gjigante. Gjithçka rreth e rrotull, sot e mahnitshme dhe e magjishme, do të kthehet në invers, përmbys, do të kemi një Divjakë virtuale, të betontë, të xhamtë. Një tokë të shitur, një “terra inkonjito” jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vetë divjakasit.
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…