Si u pushtua Shqipëria në 7 prill 1939 (FOTO)

Gjeneral Messe dhe trupat e drejtuara prej tij hynë në Tiranë mëngjesin e 8 prillit 1939. Me rënien e kryeqytetit në duart e Këmishave të Zeza, Braselierëve, batalioneve Alpine, kompanive të motorizuara, regjimenteve tankiste dhe trupave të zakonshme të këmbësorëve, Shqipëria cilësohej e pushtuar nga ushtria italiane.

Beteja për marrjen e territorit kishte filluar më shumë se 24 orë më parë, mëngjesin e 7 prillit 1939, kur kryqëzorët, anijet e tjera të luftës, si dhe nëndetëset, të udhëhequra nga gjeneral Alfredo Guzzoni, i ishin afruar bregdetit shqiptar të Durrësit deri në bankinën e portit.

Më parë se kaq, natën e 6 prillit 1939 të paktën 22 mijë burra, me uniforma ushtarake sipas reparteve dhe pajisje luftarake të përdorimit personal, ishin nisur me anije nga tre portet e jugut të Italisë, për të njëjtin qëllim: të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri.

Benito Musolini kishte firmosur aktin…

…Agresioni fashist ndaj Shqipërisë nisi në një atmosferë të rënduar politike e ushtarake, pikërisht kur boshti Romë-Berlin-Tokio po shkonte me shpejtësi drejt Luftës së II Botërore. Në bregdetin shqiptar, ushtarakë dhe vullnetarë bënë një rezistencë të pashembullt përballë trupave të rregullta të ushtrisë italiane, që zbarkuan nga deti, por që ndihmohej edhe nga ajri nga disa dhjetëra avionë që fluturonin në kuota fare të ulëta duke mitraluar pikat e zjarrit. Ndër ushtarakët shqiptarë që udhëhoqën frontin e rezistencës shquheshin disa nënoficerë si Mujo Ulqinaku e Hamit Dollani, por gradën më të lartë ndër qëndrestarët e mbante major Abaz Kupi.

Ndërkohë flota italiane përbëhej nga luftanijet e rënda “Giulio Cesare” dhe “Conte di Cavour”, 7 kryqëzorë, 9 destrojerë, 9 anije transporti, etj. Anija “Miraglia” ishte e destinuar për transportimin e tankeve. “Quarnaro”, një tjetër luftanije e rëndë ishte pjesë e skuadrionit operacional.

Nga të dhënat operative të ushtrisë italiane, anijet, të ndara në katër grupe zbarkuan në Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe Sarandë.

Sipas këtij plani ndërhyrja do të bëhej nga 4 kolona:

-Kolona e parë do të drejtohej nga Kolonel Scattini, i cili do të merrte Shëngjinin me objektiv Shkodrën, ndihmuar nga Batalioni i 28 Bersaglieri dhe dy kompani të Batalionit të Marinës “San Marco”.

-Kolona e dytë do të drejtohej nga General Messe, që do të hynte në Durrës me objektiv Tiranën. Ai do të udhëhiqte batalionin 27-të të Bersalierëve, Batalionin e Parë të Regjimentit të 47-të të Këmbësorisë, Batalionin e 8-të dhe10-të të Tankeve të Lehta, Batalionin e Parë dhe të Dytë Grenadier, si dhe një bateri 65 / 17mm, dhe një bateri kundërajror.

-Kolona e tretë do të drejtohej nga Kolonel Bernardi, i cili do të merrte Vlorën me objektiv Fierin nëpërmjet batalionit të 16-të të Bersalierëve dhe Batalionit 76-të i këmishave të zeza.

-Kolona e katërt do të udhëhiqej nga Kolonel Carasi, që do të hynte nga Saranda dhe objektiv ishte Gjirokastra, nëpërmjet Batalionit të 33-të Bersaglieri dhe Grupit të tretë “San Giorgio”.

Anija e parë që i është afruar bankinës së Durrësit, ku ishte përqendruar dhe fuqia më e madhe e zjarrit, ishte kaçiatorpedinieri “Lupo”.

Në fakt, planet origjinale italiane për pushtimin e Shqipërisë kishin të bënin me armatosjen e 50,000 njerëzve të mbështetur nga 51 njësi detare dhe 400 aeroplanë. Por vetëm 22,000 trupa morën pjesë në zbarkim.

Rezistenca e shqiptarëve u thye dhe brenda 5 orëve italianët morën qytetin e Durrësit. 24 orë më vonë ata do të futeshin në Tiranë.

Më poshtë ky dosier vjen në bazë të kujtimeve të dhëna nga ish-pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, të cilët tani nuk jetojnë më, por që kanë qenë pjesë e intervistave të gjata dhënë për autorin e shkrimit. Shifrat, sa i përket trupave të ushtrisë dhe mjeteve ushtarake janë kontradiktore, por gjithsesi ato ballafaqohen edhe me të dhënat e lançuara nga kronikat e kohës përgatitur prej shtypit italian, të cilat gjithashtu kanë pasaktësira të vogla.

Dëshmia e Xhemil Frashërit:

Në kujtimet e tij historiani Xhemil Frashëri ka thënë: “Në 7 prill 1939 ushtria fashiste italiane ndërmori sulmin e armatosur kundër Shqipërisë. Të dhënat mbi forcat pjesëmarrëse janë të ndryshme. Por me sa duket në të morën pjesë 35-40 mijë ushtarë, nënoficerë e oficerë italianë, 2 karrocata, 7 kryqëzorë dhe qindra aeroplanë. Trupat italiane u nisën nga portet e Barit, Brindizit e Tarantos.

E paharruar do të mbetet rezistenca e një grupi ushtarësh të drejtuar nga kapter Mujo Ulqinaku dhe prej vullnetarëve të popullit në portin e Durrësit kundër ushtrisë së huaj agresore. Vonesa në Durrës, e shkaktuar nga rezistenca e armatosur, e shqetësoi shumë Musolinin. Galeazzo Ciano në ditarin e tij dukë bërë fjalë për këtë çështje ka shkruar: “Duçja është i zemëruar. Kjo vonesë mund të ketë pasoja shumë të rënda. Ne kemi nevojë të hyjmë në kryeqytet që të bëjmë manovrën tonë politike”.

Por lufta në Durrës pengoi realizimin këtyre planeve. Në këto rrethana, fashistët italianë u munduan të justifikoheshin me pretekstin bosh se përparimin e paskësh penguar mungesa e karburanteve.

Në 8 prill 1938 kolona e komanduar nga gjeneral Messe hyri në Tiranë.

Agresionin fashist italian e pritën me qetësi dhe pa e kundërshtuar Fuqitë e Mëdha të Perëndimit”.

Dëshmia e Ylli Poloskës

Ylli Poloska ka qenë një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit. Nga dëshmia e tij kemi veçuar:

“Më 7 Prill 1939 forcat ushtarake fashiste italiane, mbi 50.000 veta të transportuar me 173 mjete detare dhe me 60 avionë, e sulmuan Shqipërinë e vogël me rreth 1.200.000 banorë. Ahmet Zogu i vetëshpallur mbret i Shqipërisë vodhi arin e thesarin e kombit shqiptar, mori oborrtarët e vet besnikë dhe u arratis fillimisht në Greqi. Ushtria dhe qeveria zogiste u shpartallua. Populli ynë i indinjuar dhe i revoltuar mbeti jetim. Në kontinentin tonë Evropian, Shqipëria u bë viktima e parë, ku boshti ushtarak agresiv: Romë – Berlin – Tokio bënë eksperimentin e parë si duhej të pushtonin radhazi vende e popuj të globit tonë.

Në këto rrethana të rënda, në skenën e historisë dolën disa patriotë të shquar dhe i bënë thirrje popullit që të rrokte armët dhe pushtuesin fashist ta priste jo me lule, por me plumbin ballit. Brenda datës 6 Prill 1939 u ngritën 15.000 bij të popullit tonë dhe u vendosën në pozicione luftimi në vende të mundshme, ku fashistët mundën që të zbarkonin. Këto vende ishin skelat dhe portet detare: Velipojë, Shëngjin, Durrës, Seman, Vlorë etj. Forcat armike në orët e para të mëngjesit të 7 Prillit zbarkuan. Kudo që hodhën këmbë u pritën me plumba dhe brenda datave 7 dhe 8 Prill ata pësuan rreth 144 të vrarë. Edhe nga Mbrojtësit e Atdheut ranë 8 dëshmorët e parë: Mujo Ulqinaku vetë i pestë në Durrës dhe toger Nafiz Babani vetë i tretë në Sarandë. Pra, përpjekja me pushtuesit u bë që në ditën e parë të pushtimit fashist. Në mbarë vendin pjesa dërrmuese e popullit u ngrit në demonstrata kundër pushtimit fashist, madje dhe në aksione me armë kundër zaptuesve”.

Dëshmia e Sherbet Karulit:

Sherbet Karuli, ish-ushtarak me detyra të rëndësishme në Korpusin e Mbrojtjes Bregdetare, por më parë se kaq dhe partizan në njësitin luftarak të Pezës e ka kujtuar në këtë mënyrë zbarkimin e ushtarëve italiane:

“7 prillin 1939 e kujtoj me trishtim, sepse është një ditë e zezë në historinë kombëtare. Në këtë ditë Italia fashiste e Musolinit sulmoi pabesisht Shqipërinë. Kjo ndodhi pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të mëparshme, nga ana e mbretit Zog.

Ditët para agresionit, u karakterizuan nga protesta masive rinore studentore, punëtore, fshatare etj. Në Tiranë, Korçë, Vlorë etj., etj. Por në 7 Prill 1939, ushtria fashiste italiane e komanduar nga gjenerali Guzzoni, ndërmori sulmin e armatosur me rreth 40 mijë forca ushtarake të armatosura deri në dhëmbë, për t’u ndeshur me një popull të pa armatosur.

Ushtarakët madhorë ia mbathën me mbretin. Ndërsa rezistenca trimërore u bë vullnetare, nga një grusht ushtarakësh me në krye Heroin Mujo Ulqinaku. Agresorët fashistë, u pritën me armë nga luftëtarë vullnetarë edhe në Portin e Sarandës, Vlorës, Shëngjinit, në Shkodër etj. Ky marshim pushtuesish u zmbraps tre herë nga Mujo Ulqinaku e vullnetarët e tij. Gjatë rezistencës u vranë 12 luftëtarë shqiptarë dhe disa-dhjetëra ushtarë italianë. Megjithatë trupat fashiste, me bersalierët në krye, hynë në Tiranë më 8 Prill 1939”.

Gjeneral Alfredo Guzzoni, ushtaraku që drejtoi operacionin për pushtimin e Shqipërisë

Nga arkivat

Ja fuqia e ushtrisë italiane që sulmoi Shqipërinë

*Nga fundi i marsit 1939 regjimi fashist i Benito Musolinit përgatiti planin agresor ushtarak mbi Shqipërinë. Drejtimi i ushtrisë prej gati 40 mijë trupash, iu besua gjeneral Guzzonit. Faktet tregojnë se ushtria monarkiste nuk mori masa për të bërë një mbrojtje frontale ndaj integritetit të Shqipërisë. Ndërsa shtetet e tjera nuk e ngritën zërin ndaj këtij agresioni, që përkonte me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në orën 18.00 të 6 prillit, forcat fashiste që do të bënin agresionin mbi Shqipërinë, u nisën nga portet e Italisë së jugut. Ishte një ushtri e organizuar mirë, me disa dhjetëra-mijë trupa të organizuar në 2 divizione këmbësorie, 4 regjimente bersalierësh, 3 batalione tankesh, 2 batalione këmishëzinjsh, 1 regjiment granatierësh, 2 grupe të artilerisë së kalibrit të mesëm, reparte të veçanta xhenierësh, ndërlidhësash, 1 batalion special “San Marino”. Flota që transportonte këto trupa e armatime shoqërohej nga 2 karocata, 7 kryqëzorë, dhjetëra torpedinerë e nëndetëse si dhe një flotë ajrore prej disa qindra aeroplanësh.

*Pa gdhirë mirë e premtja e 7 prillit, kolona e caktuar për të zbarkuar në Durrës me anijet përkatëse u shfaq në ujërat e Shqipërisë, përballë portit kryesor të vendit. Anija e parë që i është afruar bankinës, ishte kaçiatorpedinieri “Lupo”. Të parët zbritën këmbësorët e kësaj anijeje. Me pas zbritën dhe forcat e tjera. Kur kompania pararojë italiane u afrua 250-300 metra nga Kulla e Durrësit, jepet urdhri për zjarr. Ishte një luftë që vazhdoi pa ndërprerje për disa orë. Deri në orën 7.00 kishin dështuar plotësisht përpjekjet e fashistëve për të thyer rezistencën. Nga ora 7.30 u dukën në qiellin e Durrësit aeroplanët e parë që mitraluan mbi pozicionet e vullnetarëve të rezistencës. Anija e posaçme që transportonte tanket, mundi të futej në port mbas orës 9.15’. Zjarri i mëtejshëm i ushtrisë italiane u përqendrua tek Kulla e Marinës dhe vija e mbrojtësve në të dy krahët e saj. Në orën 10.30 në Durrës kishin pushuar armët.

*Në ekspeditën italiane kundër Shqipërisë do të merrnin pjesë 22 mijë ushtarë në skalionin e parë, të cilët do mbarteshin nëpër det me dy koracata të tipit “Cavour”, 7 kryqëzorë, katër të rëndë e 3 të lehtë, 16 kaçatorperdinierë dhe 14 toperdinierë. Flota kishte në përbërje 10 nëndetëse, anija “Miraglia” për transportin e tankeve, anija “Quarnaro”, 5 motoçisterna, 22 piroskafe e 4 skuadrilje për zbulim detar. Veç forcave detare e tokësore, zbarkimi u mbështet nga 261 aeroplanë, ku do vepronin dy shtorme bombardimi me secili nga 40-50 avionë si edhe tre shtorme transporti me secili 80-90 aeroplanë. Në bregdetin shqiptar do të kishte katër pika zbarkimi. Këtyre u dha si detyrë arritja me shpejtësinë maksimale e qendrave si Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Vlora, zona e Devollit dhe Saranda. Më pas, do fillonte shtrirja në terren, ku do kryhej pushtimi i Elbasanit, Korçës, Krujës, Kukësit e Peshkopisë.

Ranë dëshmorë ditën e 7 prillit 1939

Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit)
Hamit Dollani
Haxhi Tabaku
Isak Metalla (Metaliaj)
Ismail Reçi
Hysen Kalçi
Ramazan Lezha
Ibrahim Osmani
Hamit Veshko
Mitro Dhimërtika
Tonç Toma
Zenel Blana

postbck postbck

Recent Posts

Besëpremja dhe tradhtia në disa këngë shqiptare

Shkruan: Ahmet QERIQI  Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…

17 hours ago

Publikohet letra e rrallë, e nënshkruar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu

  Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…

22 hours ago

Zbulohet mbishkrimi i lashtë për emrin e Shkodrës

  Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…

23 hours ago

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

1 day ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

2 days ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

2 days ago