FYELLI
Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.
Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!
Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!
Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.
Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!
Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.
Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.
Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.
Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!
I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.
I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.
Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,
Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.
More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë.
– Poezi nga Naim Frashëri /InforCulture.info
Një mace shtatëvjeçare me emrin ‘Nimis’ është kthyer në një nga personazhet më…
Ndonjëherë, në trup shfaqen njolla me ngjyrë të kaltër, vjollcë apo të verdhë, edhe…
Koha që nevojitet për të humbur peshë ndryshon nga personi në person. Faktorë…
Nga Albert Vataj Një përbërës natyror i helmit të bletës, melitina, ka demonstruar aftësi të…
Në vitin 1902, në punishte të vogla të prodhimit të thikave në Francë, mund…
A mund të ofrojë një përllogaritje e re, e bazuar në dy tregues…