<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>
Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

C. G. Brown: Bubulina, një shqiptare, me shqipen si gjuhë amtare, një nga gratë më të shquara luftëtare, ruan ndikimin më të madh në imagjinatën greke

C. G. BROWN:
BUBULINA, NJË SHQIPTARE, ME SHQIPEN SI GJUHË AMTARE, NJË NGA GRATË MË TË SHQUARA LUFTËTARE, RUAN NDIKIMIN MË TË MADH NË IMAGJINATËN GREKE

Bouboulina, Laskarina (rreth 1770–1825) – Heroinë e Luftës së Pavarësisë.
Laskarina Bouboulina lindi në Kostandinopojë, ku i ati i saj Stavriano Pinoçi u burgos për pjesëmarrjen e tij në revolucionin e Orlovit, të vitit 1770. Pas vdekjes së Pinoçit në burgun e Heptapyrgionit, gruaja e tij Shqevoja emigroi nga vendlindja e saj, Hidra, në Speca, ku u martua me Dhimitër Lazarin, një kapedan deti i pasur. Të dy ishujt ishin të banuar në fillim të shekullit XVIII nga shqiptarë, veprimtaritë detare të së cilëve ishin të përjashtuara nga administrimi fiskal i Portës; së bashku me ishujt grekë Psara dhe Kasos, që gëzonin përjashtime të ngjashme, këta ishuj do të kontribuonin me numrin më të madh të anijeve për çështjen greke gjatë Luftës së Pavarësisë.

Tek u bë shtatgjatë, e zeshkët dhe truphedhur, Laskarina u martua me Dhimitër Jonuzin, një kapedan detar, ndoshta aty nga viti 1788. Ajo i lindi atij tre fëmijë para vdekjes së tij, në det, në vitin 1797. Emri me të cilin ajo njihet në mënyrë popullore rrjedh nga emri i burrit të saj të dytë, Dhimitër Bubulit, një pronar anijesh dhe kapedan i pasur nga Speca, të cilit i lindi edhe tre fëmijë të tjerë. Me vdekjen e tij në vitin 1811, Bubulina u bë një grua e pasur. Kur Porta kërkoi të konfiskonte trashëgiminë e saj me arsyetimin e pjesëmarrjes së Bubulit në Luftën Ruso-Turke, ajo kërkoi mbrojtjen e ambasadorit rus Stroganoff; duke siguruar një dëgjesë me nënën e sulltanit, ajo fitoi mbrojtje për pronën e saj.

Bubulina duket se u anëtarësua në shoqërinē Filiki Eteria gjatë një qëndrimi në Kostandinopojë. Pas kthimit të saj në Speca, ajo ndërmori ndërtimin e disa anijeve. Me 48 kubitë dhe 18 topa, fregata Agamemnon tejkalonte kufijtë e përcaktuar për anijet private; thuhet se Bubulina kishte korruptuar kapitenin Hysen Pasha për t’i lejuar përdorimin e saj.
Gjatë luftërave napoleonike, Speca dhe Hidra kishin përfituar nga kërkesa e Evropës Perëndimore për drithëra të importuara. Ky prosperitet u zbeh kur çmimet e drithit ranë, pas paqes së vitit 1815 dhe përsëri pas korrjes së mirë evropiane të vitit 1820. Eteria gjeti te marinarët dhe tregtarët e papunë të ishujve një gatishmëri për të pranuar premtimet për mbështetje ruse për një kryengritje. Speca ishte ishulli i parë që shpalli pavarësinë, në fund të marsit ose në fillim të prillit 1821.

Më 4 prill 1821 forcat greke rrethuan Nauplinë; në të njëjtën ditë Bubulina dhe Agamemnoni mbërritën në Gjirin e Argosit së bashku me anijen e fisnikut speciot Gjikë Boçasi. Bubulina siguroi disa anije të tjera nga Speca dhe u krijua një bllokadë e Nauplisë. Më 10 prill, të dielën e Pashkëve, turqit thyen rrethimin tokësor. Bubulina zbarkoi në Mullinjtë e Argosit (Mylos), dhe në ditën e katërt pas Pashkëve ajo hyri në Argos me një pritje madhështore. Sipas Philemonit, populli i Argosit e pa atë si një Telesilla tjetër, poeteshën argjive që armatosi gratë e Argosit pas disfatës nga Kleomeni i Spartës (Plutarku, Moralia, 245 c–f). Bubulina dhe Boçasi siguruan para, municione dhe një shtysë morale për grekët, e cila mundësoi rifillimin e rrethimit të Nauplisë. Më 25 prill djali i saj Jani Jonuzi, u vra në mbrojtje të Argosit. Thuhet se Bubulina raportoi te administrata e Specës: “Djali im vdiq, por Argosi është ende i yni.” Në maj ajo la vëllanë e saj në krye të bllokadës së Nauplisë dhe u nis me Agamemnonin për të ndihmuar në bllokadën e Monemvasisë.

Fortesa e pathyeshme u detyrua të dorëzohej nga uria më 5 gusht 1821. Nga mesi i shtatorit Bubulina u largua nga Mullinjtë e Argosit për të qenë e pranishme në rënien e pritur të Tripolicës. Kollokotroni dhe Petrobej Mavromihali e lejuan të hynte në qytet për të bindur haremin e Khurshid Pashës të dorëzonte paratë dhe bizhuteritë, në këmbim të sigurisë. Ndërsa ushtria greke u bë e vetëdijshme se rrethimi gjashtëmujor po zgjatej nga negociata të tilla private për të rezervuar plaçkën për krerët e tyre, indinjata e tyre ishte e tillë sa arritën të sulmonin qytetin pa udhëheqësit e tyre, më 5 tetor 1821. Plaçkitja anarkike e Tripolicës, gjatë së cilës me gjasa u vranë 8000 turq, ishte një goditje për autoritetin e Kollokotronit. Menjëherë pas kësaj, vajza e Bubulinës, Eleni, u fejua me djalin e madh të Kollokotronit, Panon.

Bubulina u kthye më pas në rrethimin e Nauplisë; kur qyteti ra në dhjetor, ajo u akuzua përsëri për intriga me Kollokotronin për pasurinë e grave osmane. Frantzis raporton se, kur u dërgua për të vëzhguar gratë osmane, Bubulina fshehu shumë sende me vlerë në gjoksin e saj, pak prej të cilave u deklaruan në komisionin shtetëror. Pano Kollokotroni dhe Eleni Bubuli u martuan me madhështi në Naupli. Panoja u emërua komandant i garnizonit dhe Bubulina u konsiderua si figura kryesore e qytetit.

Ishin farefisi i Bubulinës l, nga Hidra dhe Speca, që do ta rrëzonin atë. Miratimi i një kredie britanike për Greqinë në shumën prej 300 000 paundësh u bë shkak për një luftë civile që vuri përballë palën e Kollokotronit, përfshirë Bubulinën, kundër qeverisë së speciotit Boçari dhe hidrjotit të shquarit, Kondurioti, i cili si president ishte caktuar përfitues i kredisë. Kjo “luftë e Kollokotronit” u zgjidh në qershor 1824 kur Pano Kollokotroni pranoi të dorëzonte Nauplinë në këmbim të një pjese të parave. Kondurioti, nga ana e tij, refuzoi të hynte në qytet derisa Bubulina të largohej.

Bubulina u kthye në Speca, ku udhëtarët Emerson dhe Pecchio e takuan atë në maj të 1825-s. Ata raportojnë përgjigjen e saj ndaj lajmit për lirimin e afërt të Kollokotronit: “Nëse është e vërtetë, do të kthehem në ushtri me të për të luftuar turqit.” Në fakt, ajo u vra më 22 maj nga Jani Kuçi [shënim – shqiptar dhe ky], si hakmarrje [nderi] për arratisjen e motrës së tij me djalin e Bubulinës.

Nga shumë gratë e lidhura me revolucionin grek, si Mado Mavrogenous, me të cilën mund të krahasohet, Laskarina Bubulina, – një arvanitase dhe folëse amtare e shqipes, – ruan ndikimin më të madh në imagjinatën greke. Ajo është përshkruar në poezi nga Soutzos e të tjerë; romane dhe një tragjedi janë shkruar për të. Skulptura e saj mund të shihet në Tinos dhe Speca, dhe shtëpia e saj në Speca është e hapur për publikun.

Biografia:
Një folëse e shqipes amtare, Bubulina lindi në Kostandinopojë rreth vitit 1770. Duke u kthyer në Hidra me nënën e saj, ajo u zhvendos në Speca dhe në vitin 1788 u martua me Dhimitër Lazarin, një kapedan anijeje. Pas vdekjes së tij në 1797, ajo u martua me Dhimitër Bubulin, një armëtar i pasur. Ai vdiq në 1811. Ajo iu bashkua Filiki Eteria-s dhe pranoi të ofronte anije për kryengritjen luftarake, veçanërisht për rrethimin e Nauplisë në 1821. U vra në vitin 1825.
FB: Thënie për shqiptarët
___________
Titulli: “Bouboulina, Laskarina, c. 1770–1825
Heroine of the War of Independence”, Encyclopedia of Greece and the Hellenic Tradition
Autori: C. G. Brown
Redaktori: Graham Speake
Botuesi: Taylor & Francis, 2021

admin admin

Recent Posts

A e dini se deri në vitin 1930, iftari dhe syfyri njoftoheshin përmes rënies së topave?

Nga: Gazmend Arifi A e dini se deri në vitin 1930, iftari dhe syfyri njoftoheshin…

8 hours ago

87 vjet më parë…Telegrami i Mehdi Frashërit për Benito Musolinin: Më mirë vdekjen se sa çnderimin…

87 vjet më parë...Telegrami i Mehdi Frashërit për Benito Musolinin: Më mirë vdekjen se sa…

8 hours ago

Trenat panoramikë më të bukur të Europës

Glacier Express njihet si “treni ekspres më i ngadalshëm në botë” Të udhëtosh me tren…

9 hours ago

Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

Përdoret shpesh për urthin dhe duket e padëmshme, por soda e bukës mund të ndërveprojë…

9 hours ago

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të hapet ekspozita – Rrok Zojzi: Ekspedita etnografike

𝐑𝐫𝐨𝐤 𝐙𝐨𝐣𝐳𝐢: 𝐄𝐤𝐬𝐩𝐞𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞𝐭𝐧𝐨𝐠𝐫𝐚𝐟𝐢𝐤𝐞 Kuruar nga Nebi Bardhoshi 📍Hapja e ekspozitës 🗓E premte, 10.04.2026, ora…

9 hours ago

Filmi malazez në gjuhën shqipe “Nderi”, kandidat zyrtar për Oscar

“Nderi”, filmi i suksesshëm malazez në gjuhën shqipe, vjen për herë të parë në Tiranë…

10 hours ago