Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC (titulli: ‘Image manipulation has always been around’: 10 early photographic ‘fakes’ that trick the eye)
Përkthimi: Telegrafi.com
Manipulimi i imazhit dhe pasiguria e mediave vizuale që konsumojmë, po shkaktojnë një shqetësim të gjerë. Çetboti i diskutueshëm me inteligjencë artificiale [IA] i Elon Muskut, Grok-u, i cili shkaktoi reagime të forta pasi u përdor për të ndryshuar imazhe njerëzish në mënyrë që të dukeshin sikur ishin pa rroba, është më i fundit në një seri mjetesh të sofistikuara të imazherisë digjitale që kanë falsifikuar fotografi dhe, në disa raste, kanë shkaktuar dëm serioz. Në janar, pas kritikave të përhapura, ky funksion u çaktivizua për shumicën e përdoruesve dhe Komisioni Evropian nisi një hetim për përdorimin e tij.
Megjithatë, kjo nuk do të mjaftojë për të rikthyer besimin tonë te imazhi fotografik. Që nga ditët e hershme të Photoshop-it në vitet ’90 të shekullit XX, zhvillimet në falsifikimin e imazheve kanë bërë që fotografitë t’i shohim me dyshim të shtuar. Por, ekspozita më e fundit e fotografisë e “Rijksmuseum” [në Amsterdam të Holandës] shtron një pyetje thelbësore: A e kanë treguar ndonjëherë fotografitë të vërtetën?
Duke u përqendruar në imazhe të realizuara midis viteve 1860 dhe 1940, [ekspozita që do të jetë e hapur deri më 25 maj 2026] Fals! Kolazhe dhe fotomontazhe të hershme fotografike nga koleksioni i “Rijksmuseum”-it [Fake! Early Photo Collages and Photomontages from the Rijksmuseum Collection] argumenton se falsifikimi i imazheve është larg së qenit një dukuri e kohëve të fundit dhe, kur përdoret me mençuri, madje mund të jetë një forcë për të mirë. Nga kolazhet e krijuara me gërshërë dhe ngjitës, te mashtrimet e zgjuara të fabrikuara në errësirën e dhomave të zhvillimit, fotografët gjithmonë kanë kënaqur veten duke mashtruar publikun e tyre. “Manipulimi i imazhit ka ekzistuar aq gjatë sa vetë fotografia”, i thotë BBC-së, kuratori i ekspozitës, Hans Rooseboom. “Është pjesë e gjithë historisë së fotografisë”. Ja 10 imazhe nga ekspozita që tregojnë historinë e ditëve të hershme të mashtrimeve fotografike.
(Burimi: Rijksmuseum)
1. Ëndrra me sy hapur (c. 1870–1890), autori anonim
Dy realitete përplasen në këtë carte de visite [kartëvizitë] të shekullit XIX, e cila me shumë gjasë është blerë për t’u koleksionuar dhe shkëmbyer. Cartes de visite ishin printime të vogla të prodhuara në masë, të ngjitura mbi karton, dhe ishin shumë të njohura në epokën viktoriane. Në këtë imazh shohim të tashmen: një grua dhe partneri i saj, të dy me mjetet e profesioneve të tyre; si dhe një e ardhme e imagjinuar: ëndrra e saj për t’u bërë nënë. Imazhi, shpjegon Rooseboom, ishte “një truk i dhomës së errët”, i realizuar duke mbuluar një pjesë të letrës fotografike nga drita dhe më pas duke i shtuar një negativ të dytë. Imazhet e tilla e çuan fotografinë në një dimension të ri, duke sugjeruar mendimet më të brendshme të subjekteve të tyre dhe duke hapur rrugën për stripat e së ardhmes me flluskat e dialogut dhe retë e mendimeve.
(Burimi: Rijksmuseum)
2. Njeri i tronditur nga pasqyrimi i vet (c. 1870–1880), Leonard de Koningh
Në këtë memento mori komik, ku një burrë është ballë për ballë me fantazmën e tij, piktori dhe fotografi Leonard de Koningh ekspozoi vetëm gjysmën e pllakës fotografike, pastaj i kërkoi subjektit të merrte një pozë tjetër përpara se të ekspozonte gjysmën tjetër. Fotografia mund të ketë qenë një art relativisht i ri, por kalimi midis dy imazheve është i paperceptueshëm. “Është si një magjistar”, mahnitet Rooseboom. “E di që po mashtrohesh, por nuk e di se si fotografi e bën këtë”. Duke cituar Oscar Gustave Rejlanderin, një pionier i këtij lloji të printimit të kompozuar, fotografi Robert Sobieszek (1943–2005) deklaroi: “Kjo mënyrë pune nuk çoi në gënjeshtër, por tek e vërteta. Një imazh i bërë nga një negativ i vetëm [pretendonte Rejlander] ‘nuk është i vërtetë dhe nuk do të jetë kurrë i tillë – fokusi nuk mund të jetë kudo’”.
(Burimi: Rijksmuseum)
3. Prerja e kokës (c. 1880–1900), FM Hotchkiss
“Ne ende presim që fotografia të sjellë të vërtetën, por kjo ide në fakt u shfaq vetëm me revistat e ilustruara të viteve ’30 të shekullit XX, për t’u treguar lexuesve se si funksiononin gjërat në pjesë të tjera të botës”, thotë Rooseboom. Deri atëherë, liria krijuese për të ndryshuar imazhin nuk vihej në diskutim. “Çdo gjë e mundshme provohej dhe prodhohej”, thotë ai. “Nuk kishte kufizime etike për prodhimin e imazheve që nuk ishin realiste. Askush nuk do t’ju ndalonte ta bënit këtë”. Heqja dhe zhvendosja e kokës së dikujt, për shembull, paraqiste për fotografin një enigmë të këndshme. Në rastin e tij cabinet card-i [formati kabinet] – një stil fotografie i montuar mbi karton që deri në vitet ‘80 të shekullit XIX kishte zëvendësuar carte de visite-in më të vogël – me humorin e saj të zi, misioni krijues ishte shumë i suksesshëm. Vetëm pozicionimi i perdes, që do të kishte fshehur kokën origjinale, dhe disa retushime të lehta të dukshme nën mikroskop, japin të dhëna për mënyrën se si fotografi krijoi mashtrimin.
(Burimi: Rijksmuseum)
4. Fotomontazh i një burri që shtyn karrocën e dorës me një kokë brenda saj (c. 1900–1910), autori anonim
Ky fotomontazh, i krijuar nga dy negativë, u gjet në një album fotografik francez dhe u botua në revistën shkencore La Nature. Këtu, iluzioni i kokës së zhvendosur shkon një hap më tej, pasi fotografi luan me përmasat, duke paraprirë lëvizjen surrealiste që mori hov me kalimin e shekullit, duke prishur forma dhe madhësi konvencionale për të krijuar skena të çuditshme, si në ëndërr. Porta e hapur ofron një sfond të errët dhe të njëtrajtshëm, të përshtatshëm për të “fshehur” pjesën e prerë dhe të ngjitur përpara se imazhi të rifotografohej si i tërë. Disa prej këtyre imazheve me shumë gjasë bliheshin si portrete për t’ua treguar të tjerëve, për të parë reagimin e tyre nga habia. “Është e vështirë të dallosh se ku fillon dhe ku mbaron mashtrimi”, thotë Rooseboom. “Kjo është një shfaqje aftësish. Diçka është e pabesueshme, e pamundur, e pamundur të ndodhë, por megjithatë është aty në një imazh fotografik që sugjeron se po shohim një skenë reale që ka ndodhur vërtet para kamerës”.
(Burimi: Rijksmuseum)
5. Duke çuar patat tona në treg (1909), Martin Post Card Company
Prirja për të luajtur me imazhe me përmasa të pamundura krijoi një zhanër të njohur si Exaggerations [ekzagjerim] ose Tall Tales [histori të ekzagjeruara]. Kjo fotografi amerikane u shtyp gjatë “Epokës së Artë” të kartolinave me fotografi, pak pasi ShBA-ja vendosi që mesazhet mund të shkruheshin në anën e kartolinës për adresë. Edhe këtu shohim rolin pionier që manipulimi fotografik luan në zhvillimet artistike, si surrealizmi, por përdorimi i përmasës në këtë rast është gjithashtu një strategji marketingu për të krijuar mite rreth epërsisë bujqësore të një rajoni. Në këtë rast, bëhet fjalë për patat e famshme të majmura të Uotërtaunit në Uiskonsin. Diku tjetër në ekspozitë, Nebraska krenohet me prodhimet e saj të bollshme me një kalli misri sa gjatësia e një karroce të tërhequr nga kuajt. Siç vuri në dukje autori dhe folkloristi amerikan Roger Welsch në Kartolinat e historive të ekzagjeruara [Tall Tale Postcards, 1976]: “Fotografia solli në ekzistencë efektet vizuale të cilat tregimtarët e historive të ekzagjeruara gjatë shekujve i kishin parë vetëm në imagjinatën e tyre të bujshme”.
(Burimi: Rijksmuseum)
6. Makina që fluturon mbi parkun Molberi Bend të Nju-Jorkut (1908), Theodor Eismann
Fotografitë e rreme aktivizonin imagjinatën, duke paraqitur mundësi të imagjinuara që ende nuk kishin ardhur. Ky shembull i një toekomstbeeld-it [vizion i së ardhmes] parashikon një botë ku makinat mund të fluturojnë. Diku tjetër në ekspozitë shohim peizazhe futuriste urbane: qendra qytetesh të transformuara prej hekurudhave ajrore dhe zeppelinëve falë prerjeve dhe ngjitjeve të realizuara me mjeshtëri, si dhe vizitorë që fluturojnë mbi Boston, Hamburg dhe Hagë në skena që të kujtojnë Mari Popinsin. Fotomontazhi i Nju Jorkut nga Eismanni [sipër] tani paraqitet me ngjyra, por nuk është më shumë i vërtetë; gama e kufizuar e bojërave u shtua gjatë procesit të shtypjes sipas dëshirës së dizajnerit.
(Burimi: Rijksmuseum)
7. Reklamë për motrat Transfeld (c. 1904–1918), autori anonim
Me fillimin e shekullit të 20-të, fotografia mori një rol gjithnjë e më të madh në reklamë, duke tërhequr vëmendjen me dizajne interesante si kjo reklamë e hershme për aktin vaudeville [estradë] të motrave Transfield. Fotomontazhet përdornin fotografi me madhësi të ndryshme, të realizuara nga kënde të ndryshme, duke krijuar “një gjuhë dinamike vizuale, që pasqyronte një epokë ndryshimesh të shpejta”. Bashkimi i reklamës me fotografinë solli një “ndërveprim mes trillimit dhe fakteve”, shpjegon Rooseboom. “Kjo lojë mes asaj që mund ta besosh dhe asaj që nuk mund ta besosh, mes të mundshmes dhe të pamundurës, është loja e vogël që ata po luajnë në të gjitha këto imazhe”.
(Burimi: Rijksmuseum)
8. Përplasje midis një makine dhe një lokomitive (1915), Alfred Stanley Johnson Jr
Kemi arritur ta mendojmë mashtrimin fotografik si diçka e keqe, por në kërkimet e tij mbi përdorimin e tillë në fotografinë e hershme, Rooseboomi thotë se u befasua kur zbuloi se “tri të katërtat e të gjitha imazheve ishin bërë për argëtim”. Në këtë fotomontazh të realizuar nga Alfred Stanley Johnson Jr, vendosja e zgjuar e një serie imazhesh individuale – ndonjëherë të mbivendosura – krijon një moment qesharak të ngrirë në kohë. Skena jashtëzakonisht dinamike, e mbushur me veprim, paraqet bishta palltosh që fluturojnë dhe të brendshmet me pala të grave, ndërsa pasagjerët e një makine hidhen në ajër, duke ftuar shikuesin të imagjinojë një rrëfim “para” dhe “pas” ngjarjes. “Shumë fotomontazhe paraqesin qartësisht situata të pamundura”, thuhet në një tekst të ekspozitës. “Qëllimi nuk ishte të mashtrohej, por të zbavitej shikuesi”.
(Burimi: Rijksmuseum)
9. Kolazh fotografik (1929), Albert Huyot
Prerja e imazheve dhe riorganizimi i tyre mbi letër me ngjitës dikur ishte një mënyrë e përhapur e zbavitjes. Njerëzit krijonin kuize me fotografi të personazheve të njohur, ndonjëherë duke paraqitur vetëm një hundë ose sytë; dhe fytyrat e fotografuara të miqve e familjarëve vendoseshin mbi vizatime për efekt komik. Kolazhe fotografike realizonin edhe artistë të njohur. Në këtë vepër, e ndikuar nga dadaizmi dhe kubizmi, artisti francez Albert Huyot manipulon fragmente imazhesh fotografike në forma të reja befasuese artistike. Veprat më të ndërlikuara fotografike mund të shihen në ekspozitë në faqet e librit me ndikim të artistit hungarez László Moholy-Nagy, Piktura, fotografia, filmi [Painting, Photography, Film, 1925]. Në të ai argumenton se fotografia nuk ka të bëjë vetëm me regjistrimin e realitetit; përkundrazi, ajo duhet të eksplorojë gjuhën vizuale unike të mediumit të saj.
(Burimi: Rijksmuseum)
10. Mimika (Joseph Goebbels duke maskuar Hitlerin si Karl Marxin për të qetësuar punëtorët) (1934), John Heartfield
Ndonjëherë, në një kthesë befasuese, mashtrimi fotografik ishte një mjet për të përcjellë një të vërtetë të perceptuar. Aktivisti anti-nazist Helmut Herzfeld, i cili e ndryshoi emrin e tij në formën angleye John Heartfield – në shenjë proteste kundër regjimit të Hitlerit – krijoi mbi 200 fotomontazhe politike të punuara me dorë për botimin e majtë AIZ, shumë prej të cilave synonin të zbulonin rreziqet e fshehura të diktaturës naziste dhe gënjeshtrat që ajo përhapte. Mimika paraqet Joseph Goebbelsin, ministrin nazist të Propagandës, duke e maskuar Hitlerin si revolucionarin komunist të shekullit XIX, Karl Marx. Artisti paralajmëron klasat punëtore të mos mashtrohen nga premtimet e Hitlerit se ai mbështet vërtet të drejtat e punëtorëve. Veprat e tilla krahasohen me memet e sotme politike që synojnë të thonë të vërtetën për pushtetin. Manipulimi i imazhit mund të na mashtrojë, por edhe të na ndihmojë të gjejmë rrugën tonë. /Telegrafi/
Pasuri rekord në botë, e përqendruar në duart e vetëm 3 mijë personave. Ata posedojnë…
Ashpërsia e viruseve më të zakonshme varet nga faktorë të ndryshëm, nga sa…
Nga: Nue Oroshi Meqenëse masakrimi i shqiptarëve në periudhën kohore nëntor 1912 deri në mars 1913…
Kosovë|1943: Ushtarët gjermanë ulur pranë sofrës në një odë diku në një fshat të Kosovës,…
Një rrugëtim drejt etimologjisë së “Emrit” dhe vazhdimësisë kulturore Pellazgo-Ilire Në analet e historisë botërore,…
Në zemër të Stambollit, në lagjen e ngjeshur të Mecidiyeköy, një stadium i vogël por…