Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Rezistenca e myftiut të Prizrenit Rrystem Shporta kundër pushtetit serb gjatëve viteve 1917-1924

Prof. Muhamed Mufaku/

Viti 1924 kishte domethënie për dy qytete me traditë, Prizrenin dhe Shkupin, pra qendra e parë dhe e dytë e Vilajetit të Kosovës, që ishin cak për ndryshime urbanistike dhe demografike të pushtetit të ri serb që i shpallte dy qendra të Serbisë mesjetare, që tani u quajt “Serbia e jugut”. Me këtë frymë, pushteti serb godiste e rrënonte simbolet e kulturës vendase në emër të planeve të reja urbanistike, gjë që i shtynte shqiptarët të bënin rezistencë politike e juridike për mbrojtjen e objekteve të tyre. Kështu, viti 1924 shënoi në Shkup rrënimin e Xhamisë së Burmalisë ,ose “Bukuroshen e Shkupit”, buzë Vardarit për ta ndërtuar në vendin e saj “Shtëpinë e oficerëve” që sa më shpejt të ndryshohet pamja e Shkupit.

Sa për Prizrenin, që vuajti shumë gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës I Botërore (1914-1918), popullsia shqiptare u sfidua shumë në ato vite duke e përjetuar shumë keq fatin e monumenteve kulturore. Kështu, Noel Malcom në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër” citon një raport të konsullit austriak nga janari 1914 që tregon se nga 32 xhami të qytetit, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla. Kuptohet, ky pushtim dhe keqtrajtim i xhamive të Prizrenit i preku thellë ndjenjat e popullsisë shqiptare.

Nga ana tjetër, në emër të urbanizimit të ri të qytetit, që filloi qysh nga 1913, tani u rrezikuan shumë shtëpitë tradicionale dhe monumente të kulturës në qytet. Kështu, pushteti serb me nxitim shkatërroi kompleksin e Mahmut Pashë Rrotllës me gjithë konakët, xhaminë dhe medresenë, si dhe shumë monumente të tjera duke përfshirë Shkollën e Mesme dhe Normalen që ishin në oborrin e Xhamisë së Sinan Pashës.

Beteja në mbrojtje të Xhamisë së Sinan Pashës

Xhamia e Sinan Pashës (e ndërtuar më 1615) ishte perla e Prizrenit dhe monument shumë simbolik për popullsinë vendase, ndaj u bë cak i pushtetit serb, sepse me shkatërrimin e këtyre simboleve të qytetit thyhej shpirti i popullsisë dhe shtyhej për t’u shpërngulur për në Turqi.

Megjithatë, rezistenca kundër rrënimit të xhamisë u shndërrua në një betejë juridike pasi që Kisha Ortodokse Serbe kërkoi të rrënohej Xhamia e Sinan Pashës dhe t’i kthehej trualli Kishës gjoja se kjo xhami u ndërtua me gurët e Manastirit të Arkangjelit të shenjtë afër Prizrenit. Kjo betejë juridike vazhdoi deri në fund të vitit 1940, kur Gjyqi i Qarkut në Prizren shpalli vendimin e prerë për rrëzimin e xhamisë pasi që u konsiderua pronë e Kishës serbe. Mirëpo, procedura vonoi pak deri në prill të vitit 1941 kur u shpartallua Mbretëria e Jugosllavisë dhe Prizreni u ngjall në kuadër të Shqipërisë etnike 1941-1944 dhe,kështu,Xhamia e Sinan pashës shpëtoi.

Në të vërtetë për këtë betejë rreth Xhamisë së Sinan Pashës, që në saje të Hasan Kaleshit u demaskua më 1972 legjenda serbe për shkatërrimin e manastirit që të ndërtohej xhamia, kam botuar diçka në këtë m; parë. Por tani është rendi të prezantohet figura e myftiut të Prizrenit, Rrystem Shporta, i cili doli në krye të demonstratave për të mbrojtur Xhaminë e Sinan Pashës dhe u burgos shumë vjet nëpër burgje në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë.

Një jetë nëpër burgje

Rrystem Shporta (1864-1937) mund të konsiderohet një ndër figurat më të shquara të Prizrenit gjatë sundimit serb e jugosllav 1918-1941 qoftë si patriot ose si njeri i kulturës që dinte disa gjuhë dhe la një bibliotekë të pasur që përfshinte disa vepra të tij. Ai, si i tillë, meriton që sivjet të përkujtohet 160-vjetori i lindjes nga Arkivi i Kosovës, që posedon disa vepra të tij origjinale.

Vërtet, të dhënat për këtë figurë ishin të pakta deri më 2010, kur Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti botuan librin e tyre “H. Rrystem ef. Shporta: Jeta dhe vepra (1864-1937)”. Por mund të thuhet se edhe ky libër nuk u hetua dhe nuk u prezantua sa duhet saqë Rrystem Shporta të përfshihet në elitën patriotike dhe kulturore në Kosovë gjatë viteve 10-30 të shekullit XX.

Rrystem Shporta u lind në Prizren në një familje me origjinë nga rrethi i Kukësit, që kishte një han të njohur në Qafë Pazar, saqë ajo rrugë u quajt “Rruga e Shportajeve”. Në Prizren kreu mësimet e para te mësuesi Abdulhalimi efendiu, i cili u internua nga administrata osmane, kurse studimet do të kryente në Medresenë e Mehmet Pashës në Prizren më 1896. Po atë vit shkoi në haxh dhe u kthye me një bibliotekë të pasur në gjuhët arabe, turke dhe perse, që do të pasurohej më vonë duke treguar nivelin e tij kulturor me ato vepra që i shkroi qoftë në liri ose në burg.

Ai më vonë do të fillonte punën në Medresenë e Mehmet Pashës si ligjërues i gramatikës arabe. Ndër studentët e tij ishte poeti Vejsel Xhelaludin Guta (1905-1986), i cili ruajti traditën e poezisë shqipe me alfabet arab në Kosovë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Më 1917 u emërua myfti i Prizrenit, që e vazhdoi me ndërprerje deri në arrestimin e tij më 1924. Pas arrestimit të tij, një nga ish-studentët e tij (Nysret Galibi) u bë myftiu i Prizrenit.

Rrystem Shporta u bë myftiu në kohën kur Prizreni ishte nën pushtimin bullgar, i cili mbahet mend në popull si “vitet e zisë së bukës” kur njerëzit vdisnin prej urisë, kurse më 1918 u kthye pushtimi serb me mbulesë të Mbretërisë së SHS-së. Pushteti i ri tregoi dhëmbët menjëherë në emër të modernizimit të qytetit duke përgatitur një plan të urbanizimit të Prizrenit që do të ndryshonte pamjen e tij. Për këtë qëllim, pushteti angazhoi dy arkitektë serbë, arkitektin ushtarak, toger Momir Kuronoviq dhe arkitektin Dushan S. Milosavleviq, të cilët e hartuan planin e ri urbanistik të Prizrenit deri në fillim të 1924-tës. Ndërkohë, para së të aprovohej plani u aktivizua edhe inxhinieri nga Beogradi Ivan Vangelov për ta rrënuar Xhaminë e Sinan Pashës. Aksioni për shkatërrimin e xhamisë filloi me rrënimin e hajateve të xhamisë në praninë e inxhinierit Vanglelov, për çka shpërtheu një protestë në rrugë në krye me myftiun Rrystem Shporta. Në saje të rrëmujës në rrugë para xhamisë u vra inxhinieri Vangelov.

Si pasojë, autoritetet serbe arrestuan myfti Rrystemin me akuzë që ai e pagoi për vrasjen e inxhinierit Vangelov, për çka më 25 korrik 1924 u dënua me 20 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, gjë që u ndie keq në popull pasi ajo ditë qe fundi i Ramazanit dhe nata e Bajramit të Madh. Megjithatë, kjo protestë në rrugë para xhamisë vlente, sepse rrënimi i xhamisë u ndal dhe kaloi konflikti tani në gjyq.

Dënimi i myfti Rrystemit ishte i rëndë, sepse ai jetoi nëpër burgje të ndryshme, por kurrë nuk u thye. Kështu, së pari u dërgua në burgun e Prizrenit, ku mbeti 1.368 ditë sipas fjalëve të tij, kurse më pas u dërgua në burgun e Shkupit, për të kaluar atje 277 ditë, e prej andej në burgun e Nishit, ku qëndroi 893 ditë. Më në fund, pjesën më të madhe e kaloi në burgun e Zenicës në Bosnjë, ku mbeti atje deri në fund të marsit 1935, kurse u kthye i rraskapitur në Prizren më 1 prill 1935. Kuptohet, pas asaj jete nëpër burgje, myfti Rrystemi nuk qëndroi shumë dhe vdiq më 5 tetor 1937.

Qëndresa e myfti Rrystemit nuk ishte vetëm në jetën publike, por edhe në këto burgje, duke pasur kujdes që ta ruante dinjitetin dhe të vazhdonte me shkrime të ndryshme. Punimi i tij i parë “Trajtesë për durim” ishte në burgun e Prizrenit, ku qëndroi 1.368 ditë siç shënoi në fund të trajtesës, pra duke treguar durim të madh në përballje me pushtetin që e burgosi. Megjithatë, ai u trajtua dhe respektua vetëm në ato vjet të burgut në Zenicë. Kështu, ai vazhdonte atje profesionin e tij si mësimdhënës, por tani duke mbajtur mësim besimi për myslimanët në burg. Me punën e tij, si dhe me njohjen e tij me imamin e xhamisë së Sejmanit, Osman Shestiqi, ai u bë emër i njohur në Bosnjë. Në ditën e lirimit ai u prit te porta e burgut nga një grup në krye me imam Osmanin, prej nga shkoi në Sarajevë dhe u prit atje prej figurave të njohura të Bashkësisë Islame. Siç duket, ai la në mesin e tyre përshtypje të mira, saqë me vdekjen e tij u botua në Sarajevë një nekrolog nga Mehmet Hanxhiqi, një nga figurat më të njohura boshnjake të asaj kohe, në të cilin thuhet: “Me vdekjen e tij, Prizrenin dhe rrethinën i ka gjetur një humbje e pakompensueshme”.

Respekti për myftiun Rrystem Shporta, në 100-vjetorin e burgosjes së tij ose me 160-vjetorin e lindjes, do të ishte rast që të theksohet kontributi i autorëve të monografisë “Rrystem Shporta: jeta dhe vepra” dhe të mendohet për një ekspozitë me veprat dhe biblioteka e tij personale me dorëshkrime të vlefshme, si dhe me ribotimin e monografisë me përditësimin e saj në bazë të dokumenteve dhe të shtypit të kohës në lidhje me rezistencën e shqiptarëve kundër pushtetit serb për ta ruajtur Prizrenin e vjetër që e kemi tani.

 

https://gazetadielli.com/

admin admin

Recent Posts

Si ndikojnë të ftohtit dhe kushtet atmosferike në venat dhe cilat simptoma kërkojnë reagim urgjent

Lehtësimi dimëror shpesh i mashtron pacientët që ta shtyjnë trajtimin, ndërsa disa simptoma tregojnë qartë…

17 hours ago

17 fakte të habitshme rreth borës

Ja një stuhi me fakte të mrekullueshme për dëborën… Bora nuk është e bardhë "Gjëja…

18 hours ago

E ndjeni të ftohtin më shumë se të tjerët? Kujdes nga këto sëmundje që mund të shkaktojnë këtë ndjesi

  Disa njerëz mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj të ftohtit.   Ka njerëz…

19 hours ago

“Budallait hapi rrugë!”, fjalë të urta popullore

Ndër veçoritë më të dallueshme të popullit shqiptar janë padyshim fjalët e urta popullore. Ato…

19 hours ago

“Ne luftojmë dhe ndoshta nuk do e gëzojmë lirinë, por ata që vinë mbas nesh, do i gjejnë shenjat tona…”/ Kryengritja e vitit 1915: Çfarë tha Hasan Prishtina

Nga: Sheradin Berisha Ndonëse Shqipëria në periudhën 7 mars 1914 – 3 shtator 1914, administrohej nga…

20 hours ago

Ja pse zemra nuk preket pothuajse kurrë nga kanceri

  Kanceri është një nga sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë në botë.Të dhëna e…

20 hours ago