Në dhjetor të vitit 1975, një inxhinier i ri në kompaninë amerikane Eastman Kodak realizoi fotografinë e parë në botë me një kamerë digjitale dore, një moment që do të ndryshonte përgjithmonë industrinë e imazhit.
Steve Sasson iu bashkua Kodak në vitin 1973, në kohën kur kompania ishte gjiganti global i fotografisë me film. Në atë periudhë, çdo fazë e procesit, nga filmi dhe kimikatet te letër-fotografitë kontrollohej nga vetë Kodak.
Por Sasson, një inxhinier elektrik, nuk ishte i entuziazmuar nga procesi i gjatë i zhvillimit të filmit. I frymëzuar nga teknologjitë futuriste të “Star Trek”, ai nisi të pyeste veten: Po sikur fotografia të bëhej e gjitha elektronikisht, pa film dhe pa kimikate?
Teknologjia që do të mundësonte kamerën digjitale ekzistonte: sensori CCD, një qark i aftë të regjistronte dritën si ngarkesë elektrike. Eprori i tij i kërkoi vetëm që “ta studionte”, por Sasson pa mundësinë për të krijuar diçka krejt të re.
Me mungesë fondesh dhe pa mbështetje zyrtare, ai e ndërtoi prototipin me pjesë të mbledhura në laboratorët e Kodak: një lentë aparati filmik, një kasetofon për ruajtjen e të dhënave, një konvertues analog-në-digjital dhe një mikroprocesor Motorola shumë të shtrenjtë, të blerë përmes një kërkese teknike që nuk përmendte kamerën.
Pas më shumë se një viti punë me kolegun Jim Schueckler, prototipi u finalizua: një pajisje e madhe prej 3.6 kg, që ruante një foto brenda 23 sekondave në kasetë audio dhe e shfaqte në televizor përmes një njësie të veçantë riprodhimi.
Fotografia e parë u realizua mbi një kolege, Joy Marshall. Fillimisht imazhi ishte i deformuar, por pas disa rregullimeve teknike, pamja u duk qartë: ishte fotografia e parë digjitale e shkrepur me një kamerë dore.
Sasson nisi ta demonstronte shpikjen tek drejtuesit e kompanisë. Reagimet nuk ishin teknike, por strategjike. I pyetur për afatet, Sasson dha një parashikim të bazuar në ligjin e Moore: 15–20 vjet. Në vitin 1995, Kodak prezantoi DC40, kamerën e saj të parë digjitale, pikërisht 18 vjet më pas.
Në vitin 1978, Kodak mori patentën e parë për kamerën digjitale, e cila më vonë i solli kompanisë miliarda dollarë përmes licencimeve. Megjithatë, ekspertët thonë se Kodak nuk ishte e papërgatitur, teknologjia thjesht erdhi më shpejt se tregu.
Shpikja e Sasson-it u bë vërtet e kuptueshme për publikun vetëm pas shpërthimit të kompjuterëve personalë dhe internetit në vitet ’90.
Në vitin 1998, gjatë një udhëtimi familjar në Yellowstone, ai pa turmat që po prisnin shpërthimin e gejzerit Old Faithful: disa me aparate filmike, disa me kamera video, e shumë të tjerë me kamera digjitale. “I thashë gruas time: Po ndodh”, kujton ai.
Sot, prototipi origjinal ruhet në Muzeun George Eastman në Rochester, ndërsa teknologjia që Sasson nisi me një ide të thjeshtë në vitin 1975 është shndërruar në bazën e fotografisë moderne, nga kamerat profesionale deri te celularët e përditshëm.
Të dish grupin e gjakut, sipas mjekësisë kinezë do të thotë të dish shumë…
Arrin në Itali i nxehti i vërtetë, ai që të rëndon frymëmarrjen dhe të…
Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se siguria ushqimore duhet të jetë gjithmonë një prioritet,…
Çdo katër vjet, planeti duket sikur ndalon për një muaj. Rrugët boshatisen, ekranet mbushen me…
Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në…
Reaksioni nuk shfaqet menjëherë, prandaj shumë pacientë nuk e lidhin atë me atë që…