Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Represioni komunist mbi klerin mysliman: Hoxhë Selimi Brahja u vra te xhamia e Saukut! Ndërsa Hafiz Ali Korça u survejua nga Sigurimi deri në moshën 80-vjeçare…

I dënuar që në vitin 1945 e, deri sa vdiq, Hafiz Ali Korça u vu në survejim të Sigurimit të Shtetit, deri pas të tetëdhjetave, kohë kur u vendos që dosja të mbyllej. Dy djemtë e tij po ashtu, u dënuan si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje, deri kur mbylli sytë. Sot, në këtë ditë reflektimi, sjellim në vëmendje klerikët myslimanë të survejuar, të dënuar politikisht dhe të përndjekur në vite, dhe kontributin e tyre të çmuar për atdheun, shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi, për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, është dhe Hafiz Ali Korça, i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor, korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij.

Hoxha i përndjekur

Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofje-Stamboll, iu kapën librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në Mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës, ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës, e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje, u fal. Më 1924, u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925, botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma e shkatërrimi i njerëzimit”.

Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale, në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë, më 1910), “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë”, (Botuar në Tiranë, më 1931, fq. 288), “Jusufi me Zelihanë”, (Botuar në Elbasan, më 1923), “Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918, “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë, më 1944), “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924, “Rubaijjati Khajjam” (Hajjam, përkthim nga Omar Kajami, 1930-Ribotim 1942, në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu, edhe tekstet shkollore si: “Abetare shqip” (1910), “Fe-Rrëfënjësi morali” (1914), “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime”, (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat, si; “Gjylistani”, “Rubairat”, si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj, si Saadiun, Omar Kajamin, etj.

Hafiz Ali Korça, qe ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë, edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i asaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, etj.

Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash e personalitetesh që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.

Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.

                                                                            ***

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë e, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të gjatë, që regjimi komunist aplikoi, ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte ai.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit, si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar, në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re, me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar.

Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkë-fetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive, si dhe transmetimin e tyre tek populli. Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare, atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë Hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes), i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu në Stamboll, mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës, më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça, mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi, iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri, ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim ,të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin Hafiz, në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij. Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai, kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare, që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame, të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926), prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame, ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924. Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë, në Medresenë e Tiranës. Botimet e tij fetare, si; “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat), e shumta të mbajtura prej tij, në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe, nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Atdheu i klerikut

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar, të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar, si një; “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët, që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët, pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet, vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë, në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij, për kombin dhe popullin tonë, të zbatoheshin në praktikë. Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë, si ai i komunistëve. Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë, që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

“Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit,

Çelët do ta kenë luftën,

Gjer ditën e Kijametit”.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur, në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm; “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet, thotë:

“Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën t’ime,

Nuk rëfehet se sa hoqa,

se shteti m’i njihte krime”.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës, është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima, (të cilit Hafiz Ali Korça, i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë). Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres, ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e tij, kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi, në librin e tij, “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi, në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi. Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Roald A. Hysa, ka ndarë këtë persekutim, e përndjekje në komunizëm, të klerikëve myslimanë, duke shënuar në gazetën “Drita Islame”, 2017, këto fakte: “Një pjesë e madhe e historisë sonë, u fsheh nga historiografia komuniste dhe persekutimi e vrasjet e hoxhallarëve të mirënjohur, është pikërisht një pjesë e rëndësishme për të cilën nuk flitet apo flitet shumë pak edhe sot. Me gjithë bujën me të cilën u festua 100 vjetori i Pavarësisë, asnjë nga figurat e Komunitetit Mysliman, nuk u dekorua apo, të përkujtohej. Regjimi komunist nuk i toleronte fetë, për shkak se i konsideronte si ideologji alternative e konkurruese, për politikat dhe ideologjinë marksiste leniniste.

Nisur nga kjo, ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme, dy fetë kryesore në Shqipëri, Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë dhe për këtë i përndoqi vazhdimisht. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo, edhe të regjimit zogollian. Kjo u bë për të minimizuar fillimisht rezistencën antikomuniste e, më pas për të shkuar drejt zhdukjes së saj. Pa dyshim që nga këto lloj politikash, e sidomos prej urrejtjes klasore, kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, figura të mirënjohura lokale apo edhe në rang kombëtar.

Madje, para se të merrnin në dorë pushtetin, komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë, thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore, me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më qartë, këtu po japim dy raste, të hoxhë Selim Brahjes, i njohur në popull si Hoxha i Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, Seit Idriz Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin ta merrnin komunistët. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943, m’u në hyrje të xhamisë së Saukut, (ku ai shërbente) në ditët e para të muajit të Ramazanit. Shkaku për vrasjen e tij ishte pse nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët dhe të shërbente politikisht për ta, kur anëtarë të njësitit të Pezës, i kishin kërkuar që ai të kalonte me ta.

Ndërsa hoxhë Seiti iu thoshte fshatarëve nëpër biseda të lira, se; komunistët do t’ua marrin tokën e, do t’ua marrin të gjitha pronat, ashtu si kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës më pas. Gjykohet dhe vritet me akuzën për; “agjitacion e propagandë”, kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu, kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Po ashtu arrestohen shumë myftinjtë, si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda, që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i Parlamentit Shqiptar, i cili do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot e kësaj dite, nuk dihet se ku e ka varrin. Në vijim, po publikojmë një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se ende nuk kanë dalë nga arkivat, shumë fakte që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist, për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë të vrarë nga komunistët

Hoxhë Selim Brahja – i njohur si “Hoxha i Saukut”, vrarë në gusht 1943, nga njësiti i Çetës së Pezës.

Imam Seit Idriz Shehu, nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaroi studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit, i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore, më 1948.

Imam Liman Shabani – vdekur në burg, më 1945.

Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi, me 30 vjet burgim. Vdiq në burg më 20 maj 1947, në rrethana të panjohura.

Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg, më 1945-ën, në rrethana të panjohura.

Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur më 1947. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, në vitin 1955, në moshën 77 vjeçare, pa pasur dijeni familjarët, as për varrin e tij.

Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 persona të tjerë, më 3 shkurt 1953 dhe vdiq në hetuesi po atë vit, nga torturat çnjerëzore në Burgun e madh të Shkodrës.

Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-myfti i Peqinit, pushkatuar më 1946, me akuzën si “armik i popullit”.

Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit, në tetor të vitit 1949.

Qazim Rroji (1915-1946) myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, më 10 shtator 1946. Ende sot nuk i dihet varri.

Imam Halil Hoxha (1881-1946), me origjinë nga Bytyçi i Tropojës, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si “kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve”, së bashku me të, dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha, me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij, Demush e Shaban Qerimi, me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim i të treve, ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës. Memorie.al

admin admin

Recent Posts

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

2 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

17 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

18 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

19 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

20 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

20 hours ago