Ky përkthim i poezisë ‘KORBI’ të Edgar Allan Poe, vjen në krah të përkthimit të Fan Nolit, përkthimi i atij Noli që ne e mbajmë për legjendar.
Unë e shijoj këtë përkthim më poshtë, perkthim kaq të lirshëm e të derdhur në një shqipe të bukur, përkthim te miku Lea, Achileas Garos
Edgar Allan Poe:
Korbi
Dymbëdhjetë ora tregonte, mesnatë qënkej porsi sonte,
si përherë dreqi më çonte në ato të lashtat fletë.
Kur i humbur në dremitje mu bë ndjeva një trokitje
se dikush derës i binte, me një druajtje të lehtë.
Ndonjë mik do jetë, mendova, ndaj troket e rri e pret,
ndryshe s’ ka se si të jetë.
Ah, s’ u thashë që binte borë, bënte ngricë, ishte dhjetor,
e në vatër prush’ i gjorë, lodërzonte si vegim.
Nata trurin ma trazonte, shpresë e marrë më ngushëllonte,
se do gjeja nëpër libra prapë Lenorën, shpirtin tim.
Vajzën, që tani veç ëngjëjt e qarkojnë me adhurim
e këtu la veç trishtim.
U drodh perdja prej mëndafshi, befas më përfshiu afshi,
oh, uroj që mos e pafshi, llahtarinë kur të mbërthen,
e me zë të lartë po flisja, frikën doja të degdisja,
-Vizitor do jetë, i vonët, që dot zilen nuk e gjen,
i pa gjumë si puna ime, që për muhabet po vjen.
Po, kjo është or derdimen!-
Shpirti fort m’ u gjallërua, rrahj’ e zemrës m’ u qetua.
-Mik, bërtita, burrë a grua, kërkoj ndjesë që po vonoj.
Nëpër libra isha zhytur, ndoshta gjysëm i dremitur,
nuk dëgjova ashtu mbytur tek trokisnit kësisoj.-
Me nxitim e hapa derën e ngrë sytë që të shikoj,
po veç natës gjë s’ dëgjoj.
Errësirën me sy shpoja, i ngurosur belbëzoja,
s’ është çudi që mu mor goja tek mendoja s’di se çfarë.
Qetësia më qarkonte ndërsa ora po kalonte,
kur një zë si të më zgjonte: – Lenorë! – thirri me të qarë.
-Leonorë! – klitha pa dashje, por ma ktheu jehona zvarrë,
dhe unë, mbeta si qyqar.
Kthehem brënda i mërzitur, shpirt trazuar i drobitur,
ndërkohë vesh’ i raskapitur zë e ndjen trokitje prapë.
-Oh, trokasin në dritare, si s’ më vajti mendja fare,
haj ta zgjidh tërë këtë marre, desh u bëra për sevap,
s’ i duroj më k’ to mistere, mos përto e shko një vrap,
mos fryn era nëpër natë.
Hap kanatin e penxheres e mbetem pa zë, o njërës,
tek vështroj ngjitur pas derës, si një korb hyn në sallon.
Kortezia nuk i duhet, e nga unë fare nuk druhet,
thuaj se kurgjë nuk luhet, ku të prëhet veç kërkon.
E mbërthehet përmbi bustin e Paladës që ndriçon.
Rri aty e më vështron.
E po u çlirova, qesha, mushkëritë me ajër ngjesha,
nga gjoksi më iku pesha, mora veten, domosdo!
-Or mik, kur ta prenë qeleshen, të përbuzën, të përqeshën,
zog që mbrojte perëndeshën, nëpër terr tani ç’ farë do,
po ke emër, jam i ngeshëm, pa ma thuaj, ma trego!
E më gjegjet! – Kurrë më, jo!
Batuta në buzë më ngriu, sa dëgjova zë njeriu,
se kur foli pendëziu, mbeta pezull, pa mendo!
Se vërtet ndodh mrekullia, e gojëshqyer nga habia,
këtë natë me sytë e mia, rri e shoh, në daç beso,
përmbi supet e Paladës korbi fol e unë dëgjo,
tek më çirret: – Kurrë më, jo!
Ndoshta thotë emrin e tija, thashë me vete, nga ta dija,
a ndoshta e ka nga pija, ngatërron atë ç’ ka do.
Por ai nga busti s’ luan, ngjan sikur në mendje bluan,
e qetësoj: – sakën se vuan, paskam vend, mos u rëndo,
në agim sapo të nisesh, udhë të mbarë e na kujto!
Më përgjigjet! – Kurrë më, jo!
Të vërtetën, u tmerrova për së dyti, kur dëgjova,
-por kaq vetëm di, mendova, dhe e thotë sido kudo.
Ndoshta një nga ish pronarët vdiq e ky dëgjoi të qarët,
kur e vajtonin qyqarët, e si brengë që shkon ngado,
iu rrënjos në shpirt të gjorit, bëjnë vaki edhe këto,
e i mbeti: – Kurrë më, jo!
Pa iu shmanga pikëllimit, thashë ti jap udhë mirëkuptimit,
vë karriken karshi trimit, e i them vetes: fillo!
Po sa bëj të ulem shtruar, mendja një të fluturuar
e më thotë fort e dyzuar, përqëndroju!.. pa mendo!
Ky refren i dëshpëruar pse të ndjek ty vallë, ngado?
Pse thotë korbi : – Kurrë më, jo?!
Eshtë mister, është gjë a gjëzë, a mesazh nga vdekj’ e zezë?
Errësohem si varrezë, tek e ndjek turbull me vrik
edhe kthej kokën papritur, tek jasteku i saj i ndritur,
me një ngashërim të mbytur, një gulçim që ngec në grykë,
mbi kadifen manushaqe lot i hidhur, dhembje thikë!
Therr kujtimi i saj, or mik!
Dhe atëhere ndjej rreth meje, erë livani në frymë reje,
një buçimë, gërhimë rrufeje më qarkon me tym hyjnor.
-O i mjerë, veten qetova, zënë e Zotit e dëgjova,
serafimë të çon si sprova të të mbajnë sonte përdorë,
ngrehu, nisu, bëju gati, harro zonjëzën Lenorë.
– Kurrë më, jo! – thotë ai horr.
-Hej profet, them i dalldisur, por sa je demon i stisur,
qe vetë djalli ka ujdisur të më vish ng’ ajo skëterrë,
e mbi tokën e shkretuar, të braktisur, të mjeruar,
në shtëpinë nga djajtë pushtuar, plot fantazma, hije, tmerr.
Do gjej tokën e premtuar, ngushëllim atje në ferr?
– Kurrë më, jo! – përgjigjen nxjerr.
-O profet, nxirë me katran, s’ di çfarë je, zog a shejtan!
Ti që errësirën çan, në të ftohtë e në thëllim,
në Eden në ato pyje, do ti shoh dy sytë si yje,
veç këtë sikur të dije, të ma thoje miku im,
virgjëreshën që veç ëngjëjt e rrethojnë me përdëllim?!
– Kurrë më, jo! – thotë me përçmim.
-Pa m’u zhduk, ik nga ke ardhur, m’u qërro ende pa zbardhur,
shpend i humbur e i mardhur, n’ atë ferr nga dole shko!
Asnjë pendë këtu mos mbetet, para se nata të tretet,
të të kenë përpirë tërmetet, e të shuhen dhe ato!
Ler Paladën e Athinës, të urren e nuk të do!
Dhe përgjigjia: – Kurrë më, jo!
Që at’herë, aty, mbërthyer, korb i zi e i urryer,
mbi mermerin i zhgërryer tek hyjnesha vezullon,
me shikim të turbulluar, hijë e tij e stërrmallkuar,
si lubi më ka pushtuar e më ndrydh, më shpartallon,
oh, ky shpirt i skllavëruar që nuk zgjidhet dot, gjëmon!
K’ tu do mbetet përgjithmonë!
Shqipëroi Arqile Garo. Janninë, shtator 2013.
Marrë nga profili personal i Sadik Bejkos
Të dish grupin e gjakut, sipas mjekësisë kinezë do të thotë të dish shumë…
Arrin në Itali i nxehti i vërtetë, ai që të rëndon frymëmarrjen dhe të…
Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se siguria ushqimore duhet të jetë gjithmonë një prioritet,…
Çdo katër vjet, planeti duket sikur ndalon për një muaj. Rrugët boshatisen, ekranet mbushen me…
Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në…
Reaksioni nuk shfaqet menjëherë, prandaj shumë pacientë nuk e lidhin atë me atë që…