Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Fan Noli (pjesë nga “Historia e Skënderbeut”)

Skënderbeu pasi priti përgëzimet e zakonta, u majti këtë fjalë krerëve dhe popullit të mbledhur, sipas Barletit:

“Kapedanë dhe ushtarë trima: Nuk është as e re, as e papritur pamja që kam sot përpara syve.

Ashtu si ju kujtonja, ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër dhe bujare, trima dhe besnikë të patronditur të atdheut tuaj. Edhe pse jam i lumtur tani që mund t’jua hap zemrën. Ju them pa mburrje që sa kam rrojtur, kam patur gjithnjë këtë mall për atdhenë dhe këtë dashuri për lirinë.

Kur më ftuat për këtë vepër nga shërimi i Sulltanit, kisha në zemër atë dëshirë që kishit edhe ju.

Nofta ju shkoi nga mendja që e kisha harruar edhe atdhenë, edhe lirinë kur ju ktheja prapë të helmuar pa ju dhënë asnjë shpresë, dhe pa ju treguar asnjë ndjenjë fisikërie dhe shpirtmadhe.

Po unë sillesha në atë mënyrë se ashtu e deshte shpëtimi juaj edhe imi, se puna ishte e atillë që duhej bërë, dhe jo thënë, se shikonja që kishit më tepër nevojë për fre se sa për shtyrje.

Jua fsheha planet e mia dhe nuk jua çfaqa dëshirën që kisha në zemër kaq vjet, jo se nuk ju kisha besim, jo se nuk jua dinja shpirti, posa ju ishit të parët që e ngritët zëri dhe e nisët këtë valle, po se puna duhej mejtuar thellë, se duheshin gjetur mjetet, se duhej zgjedhur mirë koha.

Ndryshe, do të ishte derdhur gjak më kot, edhe përfudimi do të ishtë një robëri më e keqe se para, edhe atëherë çdo shpresë për të ardhmen fluturonte, se një punë si kjo niset njëherë e mirë, dhe në mos vaftë mbarë, rasti dhe mjetet për ta nisur përsëri iki dhe nuk kthehen prapë.

Prandanj nuk ja tregoja planin tim as vetes time, dhe ruhesha mos më shkiste gjuha e mos më dëgjonin muret.

Kam për dëshmorë Hamzanë tim-nip, që e kam patur përkrahës, këshilltar, dhe shok armësh me disa të tjerë të pakët, me besnikërinë e të cilëve e vumë këtë plan në veprim.

Tani ndonëse rronim edhe hanim tok, edhe kishim një zemër edhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta nuk më kishte dëgjuar ndonjëherë të zë në gojë atdhenë, lirinë edhe Krishtërimi, gjersa erdhi rasti në betejën e Nishit.

Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një tjatër çlirimtar, se Shqipërisë nuk i mungojë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora ime, ndonëse vonë, se kështu nofta deshi vetë i madhi zot.

Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaq kohë robërinë e barbarëve, duke pritur të më shikoni një ditë në kryen tuaj.

Po vallë a meritonj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni?

Lirinë nuk jua solla unë, po e gjeta këtu në mesin tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa ma dëgjuat emrin, renttë të gjithë më dualltë përpara kush e kush më shpejt, sikur të ishin ngritur nga varret atërit, vëllezërit edhe bijtë tuaj, sikur të kishte zbritur nga qielli vetë Perëndia.

Më prittë me aq dashuri dhe gëzim, më sualltë shërbime aq të çmuara dhe të panumërta, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj, se sa unë të lirë ju.

Këtë fortesë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë , po ma dhuruat ju, armët nuk jua ngjesha unë, po ju gjeta të armatosur , lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë, dhe në ushtat, si gardianë besnikë, të emëruar prej tim eti, ju ma vutë mi krye këtë kurorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë këtë kryezot të kësaj principate, të cilin ma keni ruajtuar me aq besë, me aq kujdes dhe me aq mundime.

Shpjermëni tani , me ndihmën e Perëndisë, që ta çlirojmë tërë Shqipërinë.

Pjesën më të madhe , pothuaj tërë punën e mbaruat. Kruja dhe tërë krahina e saj u fitua, Dibra dhe malësitë u bashkuan me ne, armikut nuk i mbeti as emri, as shenja në fushat tona, qëndrojnë vetëm fortesat.

Kam shpresë ti marrim edhe këto me hir e me pahir, me dhelpëri a me trimëri, ndonëse garnizonet Turke janë të forta, dhe kështjellat janë vendosur në shkëmbinj të ashpër dhe të paafrueshëm. Armiku është i rrethuar i dëshpëruar dhe nuk i kanë mbetur veçse muret e fortesave.

Po për këto do të këshillohemi, dhe do të përfundojumë më mirë, kur të vemi në vent, edhe kur të kemi armët në dorë dhe armikun përpara, se sa tani për së largu dhe pa e ditur se ç’kemi përballë.

Do të nisim nga Petrela më parë, jo se kjo është më e lehtë për të fituar. Përkundër, është një fortesë prej natyre, dhe ka një garnizon të fortë.

Po ndodhet më afër kryeqytetit, edhe jam i sigurtë që lajma e mirë e ngjarjeve të Krujës ka arrirë atje, dhe ua ka ngrirë gjakun armiqve.

Të tmerruar nga trimëria juaj dhe nga çkatërrimi i garnizonit të Krujës, nofta do të na e lëshojë fortesën me të mirë.

Në mos, po do t’i shtrëngojmë të na e japin me të keq. Një gjë vetëm duhet të kini ndërment:
Në mos e marrim Petrelën, asnjë nga ne nuk duhet të kthehet prapë i gjallë.

Ngrejeni pra flamurin përpara, dhe tregohuni burra si gjithnjë. Perëndia, si gjer tani, ashtu dhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O burrani!” 

admin admin

Recent Posts

Shenja në këmbë që paralajmëron “sulmin në zemër” dhe “goditjen në tru”

  Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…

21 hours ago

Një parazit i përhapur në Britani, besohet se po shkakton simptoma “si të kancerit të zorrëve”

  Britanikët u paralajmëruan sot për një parazit që shkakton diarre të rëndë, pasi Mbretëria…

21 hours ago

Ja për çka shërben pambuku në shishet e barnave

  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka propozuar që pambuku të eliminohet, sepse përmban lagështi brenda…

22 hours ago

Si ta ngushtoni belin në cilëndo moshë

  Sa herë keni dëgjuar se është e pamundur që ta ngushtoni belin në qoftë…

22 hours ago

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës

  Në nderim të intelektualit të madh, studiuesit dhe shkrimtarit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova,…

22 hours ago

ASK publikon statistikën: Sa kosovarë mbajnë emrin Ismail?

  Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se janë 3 mijë e 800 qytetarë…

22 hours ago