Categories: SHKENCË/TECHSOCIALE

Nëse robotët bëhen përkthyesit tanë, rrezikojmë një katastrofë kulturore

Nga: Claire Allfree / The Daily Telegraph
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur në vitin 2000 u botua përkthimi që Frenk Uini [Frank Wynne] i bëri romanit të Mishel Uelbekut [Michel Houellebecq] të vitit 1998, Asgjësim [Atomised], një lexues i ankohej Uinit se shkrimi i tij ishte “shumë sipërfaqësor”. “Iu përgjigja: nuk e ke idenë se sa shumë u mundova për ta bërë sipërfaqësor!” – thotë Uini për një roman, këndvështrimi nihilist i të cilit për jetën e përditshme reflektohet në prozën e tij. “Cilësia më e rëndësishme që i duhet një përkthyesi është aftësia për të shkruar”, shton ai. “Shumë njerëz pohojnë se përkthimet e Bodlerit [Charles Baudelaire] të Posë [Edgar Allan Poe] janë më interesante sesa origjinali. Përkthimi është shumë më tepër se thjesht një komunikim i kuptimit. Nuk mundesh thjesht të zëvendësosh fjalët dhe të paramendosh se do të përfundosh me të njëjtën gjë”.

Megjithatë, pranë shkatërrimit mund të jetë ky parim thelbësor i përkthimit letrar, i cili thekson rëndësinë e përshtatjes krijuese mbi përkthimin e fjalëpërfjalshëm. Këtë javë, botuesi më i madh në Holandë, “Veen Bosch & Keuning” – që është degë e botuesit britanik “Simon and Schuster” – njoftoi se është duke testuar përdorimin e inteligjencës artificiale [IA] për botimet në anglisht të romaneve holandeze.

“Do të ketë një fazë redaktimi dhe nga autorët është kërkuar që të japin miratimin e tyre për këtë”, tha një zëdhënës i VBK-së për “Bookseller”. Nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë vendim, por është pothuajse e sigurt se ka të bëjë me uljen e kostove: inteligjenca gjenerative artificiale aktualisht mund të shfrytëzohet pa pagesë dhe gjerësisht po përdoret në përkthimin e materialeve teknike, gjë që do të thotë se shumica e përkthyesve teknikë njerëzorë janë pothuajse të panevojshëm. Kompania ka theksuar se për momentin po testojnë vetëm romanet komerciale dhe se nuk kanë plane të përdorin inteligjencën artificiale në letërsinë e mirëfilltë.

Megjithatë, kjo ngjarje ka sjellë një valë frike te përkthyesit letrarë, të cilët kanë frikë se kjo shënon fillimin e fundit të përkthimit si një formë arti. “IA-ja nuk e kupton shkrimin apo tonin”, thotë Uini, përkthimet e suksesshme të të cilit përfshijnë Dritaret në botë [Windows on the World] të Frederik Begbederit [Frédéric Beigbeder]. “Nuk është në gjendje të kuptojë nëse një varg është menduar të jetë sarkastik apo se çfarë mund të nënkuptojë ndryshimi i tonit. Përse do të donte dikush që ka kaluar kohë dhe energji duke peshuar me kujdes çdo varg dhe duke krijuar çdo personazh, t’ia lërë robotit punën e komunikimit të asaj që ka dashur autori të thotë”? Ai fajëson industrinë e botimit që gjithnjë e më shumë nuk po e vlerëson artin e përkthimit.

“Ka një dështim thelbësor në mesin e redaktorëve të gjuhës angleze për të kuptuar se çfarë do të thotë përkthimi letrar. Është e tmerrshme, por jo shumë e habitshme. Kemi kaluar nga një industri ku botimet drejtoheshin nga redaktorët, në një të tillë ku drejtimi bëhet nga njerëzit që dikur ishin menaxherë të marketingut të supermarketeve. Këta njerëz për librat sot flasin në aspektin e produktit dhe të markës, prandaj gjithmonë do të synojnë të ulin shpenzimet”.

Përkthyesit letrarë kanë qenë gjithmonë “Hirushja” e industrisë së botimeve – të anashkaluar dhe ligsht të paguar: Uini llogarit se i duhet të përkthejë rreth pesë romane në vit për të arritur në një pagë mesatare. “Përkthyesit nuk janë thjesht sekretarë që marrin shënime; ata shkruajnë përsëri në gjuhën e tyre, që është një proces shumë i vështirë dhe krijues”, thotë përkthyesja amerikane Sharlot Mandel [Charlotte Mandell]. Ajo e vlerëson Çmimin Ndërkombëtar “Booker”, që u krijua në vitin 2016 për të vlerësuar romanet e përkthyera (shuma e çmimit prej 50 mijë funteve ndahet mes tyre dhe autorit), për ngritjen e profilit të kësaj forme arti.

Megjithatë, mund të thuhet se kjo ende nuk mjafton: në vitin 2022, përkthyesja amerikane Xhenifer Kroft [Jennifer Croft] nisi një fushatë për të vendosur emrat e përkthyesve në kopertinat e librave, duke theksuar se që nga krijimi i Çmimit Ndërkombëtar “Booker”, asnjë nga librat e përzgjedhur për këtë çmim nuk ka pasur emrin e përkthyesit në kopertinën e përparme. “Ekziston një ndjenjë thuajse ne jemi të padukshëm”, thotë Majkël Hofmën [Michael Hofmann], i cili ka përkthyer shumë romane gjermane në anglisht dhe i cili vitin e kaluar fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Booker” me autoren gjermane Xheni Erpenbek [Jenny Erpenbeck] për romanin e saj Kajrosi [Kairos]. “Nëse dikush ka lexuar një roman të përkthyer, pothuajse asnjëherë nuk e di se kush e ka përkthyer. Ndoshta kjo e bën më të lehtë për botuesit të mendojnë se mund t’i heqin qafe ata”.

Megjithatë, pa përkthime, letërsia angleze siç ne e njohim, nuk do të ekzistonte më. Një nga librat e parë të botuar në Angli ishte përkthimi i Uiliam Kekstonit [William Caxton] i Fabulave të Ezopit, në vitin 1484. “Lorens Sterni [Laurence Sterne] nuk mund të kishte shkruar Tristrëm Shendin [Tristram Shandy] pa përkthimin e Don Kishotit të Servantesit [Miguel de Cervantes]”, thekson Uini. “Ndikimi i Stendalit [Stendhal] te Xhorxh Elioti [George Eliot], ndikimi i Eliotit te Tolstoi [Leo Tolstoy] dhe te Prusti [Marcel Proust]: gjithçka është e lidhur. Përrallat që na lexonin si fëmijë ishin të përkthyera nga Grimët [Grimm], shumica e feve që na mësuan vinin nga hebraishtja dhe aramaishtja, të gjitha mitet nga grekët e lashtë: shpesh as që kuptojmë se jemi duke lexuar përkthime.”

Librat e tillë shpesh ndryshojnë përgjithmonë zakonet tona të leximit: Konstansë Garneti [Constance Garnett] ishte e para që na solli të përkthyer Çehovin [Anton Chekhov] dhe Dostojevskin [Fyodor Dostoevsky] – shumica e 71 veprave të saj të përkthyera mbeten ende në qarkullim; ndërsa Hemingueji [Ernest Hemingway] njëherë pati thënë se përkthimi i saj i Luftës dhe paqes ishte i vetmi që e bënte romanin të lexueshëm. Çarls Skot Monkrifi [Charles Scott Moncrieff] na solli Prustin – titulli i tij Kujtimi i gjërave/Remembrance of Things nuk është përkthim i fjalëpërfjalshëm, por një frazë që ai mori nga një sonet i Shekspirit [William Shakespeare].

Dhe, aty ku dikur tregu dominohej nga gjuhët frënge dhe ruse, sot janë japonishtja dhe gjuha koreane. Titujt e përkthyer nga japonishtja në anglisht u shitën në mbi 490 mijë kopje në vitin 2022, duke qenë gjuha e renditur më lart në shitjet e letërsisë së përkthyer në Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, shitjet po rriten: letërsia e përkthyer u rrit me 22 për qind midis viteve 2021 dhe 2023, me lexuesit nën 35 vjeç që kanë përgjegjësinë për gati gjysmën e të gjithë librave të shitur.

“Nuk jemi më në një epokë kur letërsia e përkthyer konsiderohej paksa e vështirë dhe eksperimentale”, thotë Lora Mekoli [Laura Macauley], drejtoreshë në shtëpinë e pavarur botuese “Pushkin Press”. Ajo përmend suksesin e madh të Elenë Ferantes [Elena Ferrante] të përkthyer nga En Goldstajn [Ann Goldstein], fenomenin e krimit nordik [Scandi noir], përkrah Suitës franceze [Suite Française] të Irenë Nemirovskit [Irene Nemirovsky] më 2004, Hijen e erës [Shadow of the Wind] nga Zafoni [Carlos Ruiz Zafón] më 2000 dhe Lehtësinë e padurueshme të qenies [The Unbearable Lightness of Being] të Ekos [Umberto Eco] më 1984. “Të gjithë këta libra kanë qenë bestsellerë. Shërbejnë si porta hyrëse për sasinë e madhe të letërsisë së përkthyer që mbetet aty jashtë diku”.

Gjithë kjo e bën edhe më të habitshëm vendimin për të ulur vlerën e përkthimit me anë të përdorimit të IA-së. Ajo vë në dukje se përdorimi i IA-së duket se gjithashtu bie në kundërshtim me përqendrimin e industrisë në politikat identitare. “Po shoh gjithnjë e më shumë përqendrim në botime mbi autenticitetin dhe zërat individualë. Unë ndjej se kjo është krejt në kundërshti me përdorimin e IA-së”. Ndërkohë, Mandeli thjesht qesh me idenë që një makinë mund të kopjojë një përkthim njerëzor.

Kohët e fundit ajo përktheu Luftën [War], nga autori francez i shekullit XX, Selini [Louis-Ferdinand Céline]. “Selini është shumë i njohur për përdorimin e zhargonit të viteve 1920 dhe 1930, shumë prej të cilave i shpikte vetë, si dhe për përdorimin e tri pikave. Donte të shkruante siç flisnin njerëzit, kështu që përdorte disa fjalë dhe lexuesi duhej të plotësonte pjesën tjetër vetë. Nuk mendoj se një makinë do të mund t’ia dilte mbanë me këtë”. Ajo së fundmi provoi të përkthente një fragment me “Google Translate”. “Ishte qesharake. Kishte një fjalë që do të thotë paksa e kripur, por gjithashtu do të thotë tutor prostitutash, dhe kjo ishte ajo që Selini kishte synuar. “Google” e përdori ‘kripën’. Nuk kishte kuptim fare”.

Për më tepër, aty ku letërsia origjinale mbetet e pandryshueshme, letërsia e përkthyer është gjithmonë e gjallë. Mandeli aktualisht është duke përkthyer volumin e dytë të Në kërkim të kohës së humbur për OUP-in [Oxford University Press]. “Scot Monkrifi tentoi të shmangte disa nga nënkuptimet seksuale të Prustit”, thotë ajo. “Ka shumë vajza në këtë vëllim të dytë. Nuk mendoj se Monkrifi ka mbërthyer zërin e tyre. Po përpiqem t’i sjell ato përsëri në jetë”.

Ajo argumenton se për nuancat e tilla nuk shqetësohet IA-ja. “Mund të kaloj një orë e gjysmë me përkthyes të tjerë duke diskutuar se si duhet të përkthehet rreshti më i famshëm hapës në historinë e letërsisë: ‘Nëna vdiq sot, ose ndoshta dje, nuk e di – nga I huaji [L’étranger] i Kamysë [Albert Camus]”, thotë Uini. “’DeepL’ [një përkthyes online i bazuar në IA] mund të japë diçka në gjashtë sekonda, por a do të mendojë nëse duhet të përdorë fjalën ‘nënë’ apo ‘mama’? Nëse, Zoti na ndihmoftë, përkthen Zgjimin e Fineganit [Finnegans Wake], a do të vërë re që e gjithë vepra është një cikël i përsëritur, në të cilin fjalia hapëse përfundon atë që është në fund”?

Mekoli pyet nëse është mbivlerësuar kërcënimi ndaj letërsisë së përkthyer. “Teknologjia në të vërtetë ekziston. Por, për momentin, ndryshimi në cilësi është aq i madh saqë çdo lexues do të ishte në gjendje ta dallonte. Nuk ka asnjë krahasim. Megjithatë, mund të paramendoj se do të ketë një rol të ardhshëm në disa botime më komerciale. Dhe, sigurisht, çështja e IA-së është se ajo gjatë gjithë kohës po përmirësohet”.

Me fjalë të tjera, kërcënimi ekzistencial vetëm sa rritet. Një sondazh i fundit nga Shoqëria e Autorëve [Society of Authors] zbuloi se një e katërta e ilustratorëve (26 për qind) dhe më shumë se një e treta e përkthyesve (36 për qind) tashmë kanë humbur punën për shkak të IA-së gjenerative. “Është e mundur që me kohën IA-ja do të mund të prezantojë një simulim të artit, por nuk do të jetë njerëzor”, thotë Uini. “Por, nëse me të vërtetë besojmë se kultura është diçka që mund të prodhohet nga makinat, atëherë do të marrim kulturën që meritojmë”. /Telegrafi/

admin admin

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

8 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

9 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

9 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

10 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

10 hours ago