Folklori, Art dhe Histori ! – Nga Eduard Demo

Kur dëgjon këngën Labe kënduar nga i Madhi Hysen Ruka , ske se si të mos mbash frymën e të përqëndrohesh për ti shijuar në maksimun çastet e gëzuara që të dhuron ajo. I gjithë grupi në një harmoni të plotë zërash melodioz, pa asnjë stonaturë, me një ritëm të plotë, të saktë dhe të ëmbël duke i përmbledhur të gjitha notat e pentagramit, kënga të ngazëllen.Të duket sikur një orkestër e madhe harqesh dhe veglash muzikore frymore, dirigjohen me shumë saktësi nga maestro Hysen Ruka. Baritoni brilant Hysen Ruka me zërin e tij të pastër dhe të qartë që kumbon si jehonë e maleve Smokthinjote shoqërohet në ritëm e në kohë dhe ndërthuret me tenorë të shkëlqyer të grupit duke i kënduar fjalët thellë, të plota, të japin ndjesinë sikur dëgjon një Kor të stërmadh, laureuar në Akademitë e Arteve më me emër të botës. Marrësi këngës, dirigjenti Hysen Ruka me virtuozitetin e tij e shtrin vargun me shumë muzikalitet duke i treguar Hedhësit ose kthyesit të jetë i vëmendshën për të mos humbur asnjë notë muzikore, grupit të gjerë të Isos të jenë të gjithë në një tonalitet pa rënduar harmoninë muzikore.

 


E duke e dëgjuar dhe shijuar çdo varg nuk mundet kurrësesi mos ta ndjesh thellësinë e vargjeve popullore , të cilat në dhjetra vargje, përmbledhin brenda tyre periudha të mëdha historike, prijësa të Mëdhenj të Labërisë që kanë bërë Shqipërinë Shqipëri.

Ja si shprehet poeti ynë i Madh Lasgush Poradeci për artin e bukur të të shkruarit, por edhe të të kënduarit : “Mallkuar qoftë jeta materiale që ndalon artin, gëzimprurësin e math të njeriut – po i lavduruar, lart dhe fellë dhe gjatë dhe gjërë dhe fortërisht dhe krejtësisht dhe përjetësisht i lavduruar qoftë arti, i madhi gëzimprurës – i cili, shpirt prej shpirtit më të kulluar, formë prej formës më të purifikuar, e mposht dhe e mund materjen dyke u sakrifikuar.”
Poeti popull shkruan :
Do qaj unë Labërinë
Për Çelon që mbet n’Athinë
Gjolek kordhë këqinë
Bashkë me Hodo Alinë
Njëri Rjekë tjetri Cetinjë
Për të mbrojtur kufinë
Çke që qan moj Këndrevicë
E larta mbi male gjithë
Qaj për trimn e Shqipërisë
I shkreti Hodo Nivicë
Bën dyfek në Podgoricë
Bam ja bëjnë e dot se vrisnë
Plumbat mbi të s’kolisnë
Rrobat e shkreta ja grisnë.

Brenda katërmbëdhjetë vargjeve poeti popull përmbledh heroizmin e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e të parëve, kufijtë etnikë e gjeografikë pra tutje tutje në Greqi, e akoma më tutje në Rijekë, por edhe Cetinja nuk është pranë Labërisë. Dhe kjo këngë, krijuar në mesin e shekull XIX , para 170 vjetësh e trasmetuar bres pasbrezi deri sot në ditët tona, e pandryshueshme, si jehonë mbushur me krenari është madhështore. Ardhur sot në ditët tona, si një margaritar i rallë, gojë mbas goje, këngatar mbas këngëtarësh, nga breza të tërë bashkëqytetarësh, qindra vjetë më parë të cilët kurrë nuk e kanë harruar, e nuk e harrojnë edhe sot në kohëra moderne. Kënga të detyron ti kthehesh për ta rilexuar, e përsëri duke të venë në mendime, duke të mbushur edhe me krenari për të parët tanë, pse jo. Çdo varg edhe veçmas ta lexosh, është kuptimplotë në thellësi mendimi, madhështor, në harmoni fjalesh të gjetura të vendosura si megalite,të radhitura në mënyrë të përpiktë për çdo fjalë duke i treguar dëgjuesit dhe lexuesit pavdekësinë e Tij. Shumë këngë janë krijuar më parë e krijohen edhe sot, duke ju kënduar interesave të ditës, personale të individëve kushdo, po ato kanë fatin e shumë shumë këngëve të tilla, të mëparshme të cilat jetgjatësinë e tyre e kanë patur disa ditë ose më e shumta, dhjetra ditë.
Dhe vargu i parë :
“Do qaj unë Labërinë”

Kush unë, poeti ?!

Ky “Unë“ është madhështor e i pambarimtë, ka mbi dyqindë vjet që ka krijuar këtë këngë e mijra e mijëra vjet e nuk ka vdekur! Vazhdon dhe mbetet në përjetësi, e do të vazhdojë të mbetet edhe kur brezat tanë që e dëgjojmë sot këngën, të mos jenë më. Sigurisht nuk është Zoti vetë, por pavdekësinë e ka fituar dhe këtë të drejtë, as Zoti vetë nuk ja merr dot më. Vazhdon dhe përcjell në breza jo vetëm me këngë por edhe me fjalë. Ja miklon qysh me qumshtin e nënave që kërthi në djep, në ninullat e përkundjeve dhe përkëdheljet e tyre. Ja ushqen brezave në rini, në burrëri edhe në moshën e madhe nuk i le të humbasin, por tregon me shumë dashuri e vëmendje për të mos harruar asnjë fjalë, për tua ngulitur atyre thellë në shpirtin e pastër dhe të papërlyer si fëmijë.

Kush, Këngëtari ?!

Gjithë jetën është përpjekur të nxjerrë zërin sa më melodioz, sa më të ëmbël dhe të qartë si gurgullimë uji burimi i kristaltë që nuk pranon asnjë ndotje, që të pëlqehet deri në pafundësi e të mos humbitet.

Apo gjithë Labëria mbarë ?!

Ajo përzgjedh, nuk gabon kurrë, nuk trasmeton përçudnira, stonatura ose budallëqe. Ajo përcjell shembuj sinjifikativë me vlera dhe virtyte të larta, heroizmi dhe patriotizmi, hidhërimi dhe gëzimi, jete dhe vdekjeje.

Apo gjithë Shqipëria ?!

Ah Shqipëria ! Ajo është Altari. Kurrë nuk trasmeton bres pas brezi gaztorët e pallatit. Palaçot, Ajo i shpërfill, i injoron edhe me veprime edhe me gjithçka, e jo vetëm ata individualisht, por Ajo i përbuz ata me të gjithë shpurën e tyre lapangjoze. Me të gjithë kopenë e tyre të zagarëve dhe langove të cilët turren të lëpijnë në një zallamahi trubulluese kockat ditore.
Pra“Do qaj unë Labërinë“ e përmasave madhështore. Labërinë !

Siç thotë Rexhep Qosja i Madh “ … Labëria (ashtu siç unë e përjetova) është Shqipëria natyrore, kjo do me thënë Shqipëria etnike.” “Në këngën labe, të djeshme dhe të sotme jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve kombëtare shqiptare …. “

Do tu tregoj “Unë” sepse, do t’ju këndoj sepse, do t’jua recitoj sepse, jo me vaje arkmorti por me këngë. E me këngë të përjetshme, të papërsëritshme, të paharrueshme, të thella dhe të gjera, të ndihen deri në kockë dhe jo me fjalë tmerri por me fjalë burri kurajoz, me fjalë trimi dhe guximtari, me fjalë Ati e me fjalë biri. E për të bërë këtë jam “Unë“,Poeti, këngëtari popull..
Dhe vazhdon si më poshtë :
“Për Çelon që mbet n’Athinë
Gjolek kordhë këqinë
Bashkë me Hodo Alinë “


Po, emrat janë të përveçëm, sepse kanë bërë historinë e Shqipërisë. Janë trimat e saj që kanë luftuar për Të, kanë skrifikuar edhe më sublimem për Të. E sigurisht këta kapedanë nga poeti popull kanë veçmas të tre shumë e shumë këngë, shumë e shumë vjersha dhe shumë e shumë rrefenja të vertata të bëmave të tyre. Janë kapedanët e saj trima të shquar, luftëtarë të pa epur, shpëtimtarë të saj prandaj nuk është e nevojshme që poeti popull ti japë hollësira të tjera. E kanë shkruar me veprimtarinë e tyre historinë e jetës të tre kapedanët dhe nuk është aspak e nevojshme të ti thotë e ti përsëritë. E kanë shkruar historinë duke ju kundëvënë një perandorie të madhe e cila në kohën për të cilën kënga është krijuar shtrihej në tre kontinente, por duke ju kundërvënë edhe shteteve lilipute fqinje. Kanë lindur për të mos vdekur më. E kapedanë të cilët ishin nga Labëria, pra Toskëria. Emra që kanë mbetur në përjetësi. Është kënduar e thurur vjersha e do vazhdohet të kendohet e shkruhet për këta kapedanë pa reshtur përherë e me pathos të lartë. Vetë bashkëluftëtarët, bashkëqytetarët, bashëmoshatarët e tyre e kanë ngritur këngën. Dhe kënga nuk është vaj por përjetim për të cilin poeti popull tregon dhe e ruan brenda ndërgjegjes se vet bëmat dhe veprimtarinë e kapedanëve të tij, të cilët po nga gjiri i tij kanë dalë.

Në këto vargje shumë domethënëse thuhet :
“Njëri Rjekë tjetri Cetinjë
Për të mbrojtur kufinë”
Në të njëjtën periudhë kur fqinjët lakmiqarë të jugut, rrëmbenin pjesë Shqipërie ndihma për vëllezërit e tyre gegë kurrësesi nuk mund të mungonte. Asokohe territoreve arbërore ishin sulur të gjitha shtetet shovinste fqinje që e rethonin atë, për të rrëmbyer sa më shumë pjesë. Kur bëhet fjalë për të mbrojtur atmëmëdheun vëllazërimi i shqiptarëve bëhej pa dallim krahine dhe besimi fetar, pa dallim shtrese shoqërore apo politike pa dasi përçarëse e bëheshin një, vetëm një si heronjtë mitik për ta ruajtur atë, atëmëmëdheun, të pacënuar. Dhe kapedanët e jugut krahëpërkrahë me kapedanët gegë luftonin për ti mbrojtur ato. Kufijtë e arbërisë nga veriu në jugë dhe nga lindja në perëndim duheshin mbrojtur pa as më të voglin hezitim. Me çfardolloj sakrifice edhe sikur humbjet të ishin të mëdha. Duheshin mbrojtur që të vazhdonte jeta, të bëhej vazhdimësia të cilën shekuj e shekuj me radhë armiqtë e saj nuk kishin mundur dot ta zhbënin.
Poeti vazhdon e i drejtohet Labërisë, vatanit të tij dhe shkruan si më poshtë :
“Çke që qan moj Këndrevicë
E larta mbi male gjithë”

Duke ju drejtuar malit më të lartë të Labërisë, krahasuar me majat po të larta te maleve që e rrethojnë, pra i drejtohet Olimpit me pyetje retorike, e poeti popull të le të kuptosh që po i drejtohet qiellit, e më lartë, Zotit vetë. I drejtohet malit më të pamposhtur të vendlindjes së tij. Këndrevica që lartësohet drejt qiejve e papërkulshme e lirë dhe krenare, poeti i drejtohet të mos heshtë për bijtë e saj, pa dallim, prijësa dhe luftëtarë, bij të gjallë të cilës i dalin për zot.
Poeti vazhdon e bënë tregimin tij duke ju përgjigjur pyetjes po vetë, si më poshtë.
“Qaj për trimn e Shqipërisë
I shkreti Hodo Nivicë
Bën dyfek në Podgoricë
Bam ja bëjnë e dot se vrisnë”

Labëria qan për trimin e Shqipërisë, pra biri saj tashmë nuk ishte vetëm i Labërisë. Trimin që me vlerat, virtytet veprimtarinë patriotike atdhetare e vuri si qëllimin e jetës së tij, mbrojtjen e saj në planin e pare, për Shqipërinë e trashëguar nga të parët e tij. Trimi që luftoi heroikisht në mbrojtje të kufijvë që i rrezikoheshin atëmëmëdheut. Pa bërë asnjë hap mbrapa e sidoqë armët armike shkreheshin me breshëri drejtim tij por “dot se vrisnë“. Batare pushkësh shkreheshin kundër tij e prap dot se vrisnë. Më bukur nuk thuhet. Kënga labe është e lashtë sa vetë Labëria. Ajo është dëshmi e gjallë e një kulture që i ka kënduar si i vetmi instrument muzikor të gjitha halleve gëzimeve dhe trimerisë të trevës po edhe me gjerë. Janë ndikimet shoqërore, natyrore, historike që e kanë zhvilluar në shekuj këtë dukuri, duke e fiksuar si një kulturë me tipare të ngritje uljes e forcës së zërit e si model mbarë labe. Kënga labe të emocionon e të frymezon.

Por virtuoziteti i Hysen Rukos të bënë ti ndjesh thellë këtë mori ndjenjash gëzimi dhe krenari për krijuesin e kësaj vjershe tradite. Brilanti Hysen Ruka përveç ndjesisë që të jep teksti, me mënyrën e të kënduarit të tijë, duke e dëgjuari këngën me qetësi, të dhuron njëherësh kënaqsi të hareshme. E do të jetë thesar i Trashëgimisë sonë Kulturore shpirtërore. Përjetësia ta dhuron këtë kënaqsi edhe sot mbas 170 vjetëve, të cilën e arrinë vetëm populli, poeti “Unë” !

admin admin

Recent Posts

Zbulohen kulla kripe në tabanin e Detit të Vdekur

Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…

13 hours ago

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve në Pakistan…

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…

17 hours ago

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hit’leri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…

17 hours ago

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…

17 hours ago

Letrat e Jeronim De Radës për inteligjencën shqiptare

Më 19 nëntor të vitit 1814 lindi ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim de Rada. De…

17 hours ago

Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh

  Lagështia e grumbulluar në dritare kur temperatura e brendshme është më e ngrohtë se…

2 days ago