Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Vëllavrasja pas Marrëveshjes së Mukjes/ Lufta civile mes shqiptarëve dhe kërkesa e gjeneralit Wilson për Enver Hoxhën më ‘44: Me armët tona mos vrisni njëri-tjetrin!

Nga: Uran Butka

Pjesa e dytë

Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, paraqiti këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindëse “Ja vdekje, ja liri”

2. Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike .

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.

Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.”

E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pas luftës sipas vullnetit të popullit të Kosovës dhe të kombit shqiptar për bashkim, në bazë të parimit universal të vetvendosjes së kombeve Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, pas luftës, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.

Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë. Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkëreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.

Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Thoma Orollogai, Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Omer Nishani, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.

Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra-tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shembull i mendimit e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat politike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore. Mukja ishte triumfi i shqiptarizmit mbi nacional shovinizmin dhe internacionalizmin proletar, i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar mbi atë antikombëtar, i drejtimit progresist perëndimor mbi atë lindor, aziatik e bizantin, i platformës thellësisht demokratike mbi atë totalitare, fashiste apo komuniste.

Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.

Proklamatë

“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi morën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej QafëShtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë-Shtamës.

Plot në orën 7.10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.

Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një material kolosal. Të numëruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitraloza të rëndë komplet me municione, 10 mitraloza të lehtë dhe mjaft municione për to,160 armë lufte, 7 radio fushore marrësedhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, materjal sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme . Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”

Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë

[1] Kjo luftë, dy ditë pas Mbledhjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E. Hoxhës – binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, “por ishte një lidhje bese në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë “formale “ e një “grackë “ – siç thoshte E. Hoxha, po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.

Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.

Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave , të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazez në Kosovë, M. Popoviçit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copëcopë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.

Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brëndshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH, M. Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes “.

E. Hoxha, nën diktatin e M. Popoviçit, me të cilin ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili kishte nënshkruar me B. Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm NÇL, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të “

Vendimi zyrtar i PKSH për prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe nisjen e luftës së armatosur kundër Ballit Kombëtar, u mor në Konferencën e Labinotit 4-8 shtator 1943. Më 9 shtator Enver Hoxha nisi urdhrin për luftë të pamëshirshme dhe pa kompromis kundër “armiqve e tradhtarëve”, me të cilët kishin nënshkruar një muaj më parë marrëveshjen e Mukjes. Si u shndërruan papritur brenda disa ditëve partnerët patriotë ballistë të marrëveshjes në armiq e tradhtarë, zoti Marenglen? Ishte e kundërta. PKSH dhe E. Hoxha e tradhtuan Marrëveshjen e Mukjes. Kjo është e vërtetuar katërcipërisht me dokumente arkivore shqiptare e të huaja, madje edhe me dëshmi të disa përfaqësuesve të NÇ, si Ymer Dishnica, Abas Kupi etj.

Shkak kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendi min e përbashkët të Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Ndërkohë M. Kasmi thotë se marrëveshjen e Mukjes e prishi Balli Kombëtar! dhe se nuk ka pasur luftë civile.

Luftën civile e ka pohuar edhe vetë E. Hoxha: “Në Veri, parulla “O me ne, o kundër nesh “ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatitnin terrenin jo për marrëveshje por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të Partisë dhe ushtrisë… Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin edhe anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.

Lufta civile ndërmjet shqiptarëve e dobësoi dhe e shmangu luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në qarkun e Vlorës, Mallakastrës, Korçës, Matit, Dibrës, Kukësit, Lumës, Shkodrës, Mirditës etj. Vetëm në Malësinë e Madhe lufta frontale ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe malësorëve të Kelmendit vazhdoi një muaj e gjysmë, me viktima të shumta nga të dy palët ndërluftuese. Vetëm kur brigadat NÇ u futën nga Jugosllavia dhe me ndihmën e Jugosllavëve, atëherë u thye rezistenca ne Malësinë e Madhe.

Edhe misionarët e huaj ushtarakë e kanë vëzhguar dhe raportuar luftën civile sipas optikës dhe interesave të tyre, po të gjithë e kanë pranuar si një realitet të hidhur.

“Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita dhe këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj “ – i thotë Gjenerali Dejvis E. Hoxhës.”

“Komunistët vendosën të zhduknin çdo rival të mundshëm, para se të ndodhte zbarkimi i pritshëm i Aleatëve, – konstatonte britaniku Xhuliano Emeri. – Për këtë arsye ata i drejtuan të gjitha energjitë e tyre kundër Ballit Kombëtar, pjesëtarët e të cilit ishin natyrisht armiqtë e tyre të klasës. Ballistët, nga ana e tyre, reflektuan në pranimin e kësaj ndeshjeje dhe marrëdhëniet ndërmjet dy organizatave u keqësuan shpejt, deri në fillimin e përleshjeve të armatosura.”

Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo që nuk bashkoheshin me ta.” –shkruante britaniku Deivid Smajl.

Edhe gjenerali Uilson, komandanti suprem i ushtrisë Aleate të Mesdheut, kërkonte nga E.Hoxha: “Më duhet t’ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllime pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”.

Lufta civile në Shqipëri, që nisi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe vazhdoi përgjatë tre muajve të fundit të vitit 1943, kulmoi në vitin 1944. Viti 1944 ishte viti i përgjakshëm i luftës civile ndërmjet shqiptarëve, që shkaktoi me mijra viktima, shkatërrim të plotë të vendit, ekonomisë dhe të jetës, ndarjen nga Perëndimi dhe kyçjen në Perandorinë komuniste të Lindjes.

Udhëheqësia doktrinore e PKSH, dënoi për tradhti edhe delegatët e saj kryesorë në Kuvendin e Mukjes, edhe pse Këshilli i Përgjithshëm NÇ i kishte autorizuar me kompetenca të plota për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E. Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe mandej me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacionalçlirimtares. Gjithashtu i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi mësymjen e armatosur për asgjësimin e tyre.

Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të Luftës civile vazhduan për gjysmë shekulli komunizëm, por ndjehen e dhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare. Shqipërisë i duhet një Mukje tjetër, që t’i bashkojë shqiptarët në përpjekjen e tyre për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike, për integrimin brenda vetes dhe integrimin në familjen e madhe Evropiane

Mesazhi i Mukjes është aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit, dhe jo ndarjen dhe armiqësinë, interesat personale dhe luftën e paprinciptë politike. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.

admin admin

Recent Posts

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

19 minutes ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

45 minutes ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

21 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

22 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

22 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

23 hours ago