Categories: ART

Dikur të këqijtë e Holivudit ishin rusë ose kinezë, tani jemi ne – njerëzit nga Ballkani

Nga: Ana Schnabl, shkrimtare dhe kritike sllovene
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Së fundmi pashë filmin e ri dedikuar audiencës mashkullore, Wolfs. Nëse mund të arsyetoj veten: isha e sëmurë dhe kisha mungesë të imagjinatës. Nuk më josh kombinimi Brad Pitt-George Clooney, as gjërat tipike “mashkullore” – vërtitjet me xhaketa lëkure, ngasja e makinave (me shpejtësi), batutat egomaniake kuazi-ironike. Sikur të mos ishte portretizimi i “shqiptarëve” dhe “kroatëve” dhe i mafieve të tyre rivale, mund të kisha rënë në gjumë.

Shqiptarët futen në film si një grup tipash të mëdhenj dhe me armë; mbarojnë shpejt, për më pak se një minutë. Kroatët, nga ana tjetër, paraqiten më hollësisht në një skenë më të gjatë të një dasme kroate.

Filmi është një realizim që lehtë harrohet; megjithatë, shfaq diçka po aq të vjetër sa vetë Holivudi dhe këtë nuk duhet neglizhuar. Pas shumë viteve të portretizimit “të të tjerëve” përmes amerikanëve autoktonë, afro-amerikanëve, japonezëve, kinezëve, meksikanëve, rusëve dhe të tjerëve (me qëllim), Holivudi tani ka vendosur të shënjestrojë njerëzit e Ballkanit.

Shqiptarët dhe kroatët janë zgjedhur sepse, për Holivudin, ata nuk janë të bardhë ose nuk janë mjaftueshëm të bardhë. Ajo që konsiderohet si “jo mjaftueshëm të bardhë” lidhet ose me historinë e kolonializmit ose me historinë e regjimeve komuniste; ndonjëherë, siç është rasti i shqiptarëve dhe kroatëve, historia e tyre përfshin të dy këto kushte.

Besoj se, në Holivud, historia e Ballkanit kuptohet ashtu siç e kupton psikologu kanadez dhe mendimtari konservator, Jordan Peterson. Në një aktivitet në Lubjanë në vitin 2018, ai deklaroi se ishte hera e parë që mbante leksion në një vend që dikur ishte “i izoluar prapa Perdes së Hekurt”. Përveçse ishte tërësisht e gabuar – Sllovenia nuk ishte asnjëherë prapa asaj që quhej Perdja e Hekurt – deklarata e Petersonit ishte simptomë e perceptimeve perëndimore për historinë e sistemeve komuniste dhe socialiste. Për Perëndimin dhe zërin e tij më të fuqishëm, Holivudin, komunizmi dhe socializmi janë të barasvlershëm me Luftën e Ftohtë dhe me stalinizmin.

Historia e Jugosllavisë, e federatës së dikurshme së cilës i përkiste Sllovenia, rrallë kuptohet siç duhet. Jugosllavia ishte socialiste, por jo staliniste. Në fakt, Jugosllavia u shkëput nga sfera e ndikimit sovjetik në vitin 1948 dhe u bë një nga themelueset e Lëvizjes së të Painkuadruarve. Por, kjo nuk ka rëndësi për industrinë amerikane të filmit, pasi komunizmi dhe socializmi janë dy fenomene që ajo thjesht pëlqen t’i urrejë.

Kjo bazë ideologjike – dhe besimi perëndimor se ish-vendet komuniste janë të pushtuara nga kriminelët – e bëri të lehtë dhe logjike paraqitjen e shqiptarëve dhe kroatëve në Wolfs si të egër të paparashikueshëm dhe për këtë arsye si terroristë/armiq/keqbërës të rrezikshëm.

Megjithatë, diku gjatë gjysmës së filmit, etnitë e zgjedhura duhej të përkufizoheshin. Kështu, të gjitha paragjykimet e stisura për njerëzit nga Ballkani, të cilët kryesisht konsiderohen sllavë, u përfshinë në skenarin, kostumet dhe ambientin e filmit. Në sytë e Holivudit, sllavët zakonisht shihen ose duke kërcyer në gjunjë ose duke vallëzuar në rreth, ose janë të dehur, të zhurmshëm apo melankolikë, pastaj agresivë në aspektin verbal ose fizik dhe, sigurisht, të korruptuar.

Për më tepër, në Wolfs, të “tjerët” paraqiten si njerëz të së kaluarës, njerëz me tradita të stisura. Prandaj, në dasmën e tyre do të ketë vetëm burra që vallëzojnë në rreth, ku babai do të jetë një patriark i vërtetë dhe nusja një grua e brishtë që ka nevojë për mbrojtje. Jam e kënaqur që asnjë nga të ftuarit e dasmës nuk valëviti flamurin kroat; të paktën shikuesit u kursyen nga paragjykimi se, mbi të gjitha, sllavët janë nacionalistë të thekur.

Mos më keqkuptoni. Nuk ishte zemërimi që më shtyu të shihja filmin Wolfs, por ishte habia. Ky nuk është vetëm një produkt tipik i Holivudit, por gjithashtu një që tregon ashiqare se si funksionon në të vërtetë korrektësia politike neoliberale e Holivudit.

Industria amerikane e filmit ofron njohje dhe përfaqësim të padëmshëm vetëm për ato grupe që kanë arritur – përmes aktivizmit politik ose social – të vendosen në hartën e saj perëndimore. Më pas, ajo ua shet këtë përfaqësim këtyre komuniteteve dhe mburret me përparimin dhe përfshirjen që bën. Nëse një komunitet – si shqiptarët, kroatët, sllovenët ose maqedonasit – nuk kanë një zë të fortë në Perëndim, Holivudi mund të bëjë çfarë të dojë me të. Askush nuk do ta dëgjojë ankesën e këtij komuniteti të përshkruar gabimisht.

Korrektësia politike neoliberale nuk është shprehje e mendimit kritik, por shprehje e frikës nga humbja e reputacionit dhe nga largimi i audiencës, klientëve dhe votuesve. Është thjesht një transaksion, ndërsa për Holivudin ne njerëzit e Ballkanit nuk jemi pjesë e këtij transaksioni. Po të mos ishte aq e fuqishme antipropaganda e Holivudit, do të konsideroja se jemi me të vërtetë me fat. Në anën tjetër, ndoshta jemi me fat. Ndoshta sepse ende nuk i kemi hyrë Holivudit në zemër, ne mund ta shohim industrinë amerikane të filmit ashtu siç është në të vërtetë. /Telegrafi/

admin admin

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

11 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

12 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

12 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

13 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

13 hours ago