Hulumtuesi i radhës, historiani dhe filologu Lobomir Miletiç (Любомир Милетич, 1863 – 1937) – i angazhuar edhe ky nga administrata ushtarako-politike bullgare në ekipin e hulumtuesve dhe ekspeditës trup e tërthor viseve shqiptare që nisi në gjysmën e parë të korrikut dhe zgjati deri në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1916 – përveç që është marrë me gjendjen e nacionalizmit shqiptar në tokat shqiptare, ka lënë dëshmi edhe për urinë që kishte pllakosur zonat shqiptare, sidomos ato të Maqedonisë së sotme të Veriut.
“Në Maqedoni në anën tjetër të Vardarit, me disa përjashtime, një uri e përgjithshme stihike i përfshiu qytetet dhe të gjitha fshatrat, me përjashtim të fshatrave fushore të Prilepit, Kumanovës, Preshevës dhe pjesërisht të zonës së Manastirit, fushës së Kërçovës dhe të Tetovës. Numri masiv i viseve malore apo i rretheve të ashtuquajtura kurbetqare, zakonisht mbillnin vetëm misër, që në kohët normale do të mjaftonte për ushqim të këtyre zonave në kohëzgjatje së paku për tre muaj, por tani ato sasi mezi që të mjaftojnë për dy muaj”, ka shkruar Miletiç, duke përshkruar në detaje gjendjen e urisë dhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar banorët e atëhershëm të viseve shqiptare në kërkim të bukës.
“Të rinj dhe të moshuar, disa me bagëti, disa vetëm me një çantë mbi supe, janë në kërkim të blerjes së ushqimeve – misrit dhe shumica e tyre t’i hedhin ato sasi të blera në shpinë, duke ecur në distanca të gjata, zakonisht 50-100 dhe madje deri në 150 kilometra! Teprica e vogël nga korrja e drithit, në rajonet e sipërpërmendura fushore, nuk është aspak e mjaftueshme për t’i kënaqur nevojat e popullsisë urbane, sepse kohët e fundit sasi të mëdha të kësaj teprice janë blerë nga ushtria me një çmim të shtrenjtë. (Edhe pse autori shkruan se ushqimi është blerë prej ushtrisë, e vërteta është ndryshe, sepse në të shumtën e rasteve ushtria i ka rekuizuar për nevojat e veta të mirat materiale, ushqimin, kafshët duke i marrë ato nga banorët vendas, thjesht duke i plaçkitur. Për këtë ekzistojnë dokumente të mjaftueshme. Madje edhe vetë Miletiçi në vijim flet për rekuzimin bile ndoshta për këtë ai padrejtësisht i akuzon edhe trupat gjermane – S. L.) “Me stoqet e disponueshme në treg dhe me nevojat e mëdha, sigurisht që çmimet e grurit në treg do të rriten vazhdimisht…! Shkaqet e urisë janë të qarta dhe të njohura. Në kohë paqeje, zonat e ‘kurbetçinjve’ e blejnë bukën e tyre, e cila ishte me çmim të lirë, sepse në ara mbilleshin shumë më tepër drithëra… Pas 1 tetorit 1915 e deri në fillim të shkurtit të këtij viti (1916), kur hekurudha ishte përsëri në funksion, Armata e Parë e jona dhe trupat gjermane, ushqeheshin pothuajse ekskluzivisht me ushqime të rekuzituara në Maqedoni. Si pasojë e kësaj gjendjeje, uria ishte masovike dhe ajo u shfaq në formën e saj më të mprehtë në fillim të pranverës”.(të vitit 1916, S. L.)
Ditë pazari në Prishtinë, 1915
Shqiptarët dhe nacionalizmi i tyre
Para se ta paraqesim përshkrimin e gjendjes së nacionalizmit te shqiptarët që Lobomir Miletiç i ka kushtuar vëmendje të posaçme, duhet kujtuar se në prag të Luftës së Parë Ballkanike, qarqe të diplomacisë dhe politikës bullgare ishin të interesuara që të krijonin marrëdhënie bashkëpunimi me shqiptarët, mirëpo politika zyrtare e Sofjes ra në grackën e politikës së Beogradit dhe përkundër marrëveshjes së arritur në kuadër të Aleancës Ballkanike, siç e kemi përmendur më herët Bullgaria u tradhtua keq, sidomos rreth çështjes së Maqedonisë së sotme të Veriut. Ndërsa sa u përket kufijve, ky autor flet në frymën e vendosjes së përhershme të shtetit bullgar në Maqedoni, prandaj nuk duhet të habit fakti se ai si fqinjë të parë të Bullgarisë i sheh shqiptarët dhe tokat e tyre!
“Duke e pasur parasysh se brenda kufijve tanë gjendet elementi shumicë shqiptare dhe pas nesh në perëndim shtrihet një pjesë e madhe e Shqipërisë, ne tani duhet të interesohemi fuqishëm edhe për të ardhmen e Shqipërisë”, ka shkruar Miletiçi idealist i cili në vijim flet për viset shqiptare që ai i ka vizituar.
“Në rrugëtimin tim përgjatë kufirit shqiptar dhe mes shqiptarëve, u përpoqa të kuptoja më mirë se cilat janë aspiratat e tyre për të ardhmen dhe si manifestohen ato në rrymat e tyre politike, rryma këto që janë formuar deri më tani. Nga njerëzit tanë, që e njohin mirë çështjen shqiptare, madje edhe nga vetë shqiptarët, arrita të kuptoj në përgjithësi gjendjen faktike dhe aktuale, andaj ndoshta nuk do të jetë krejtësisht e tepërt që këtë gjendje ta paraqes në vijim. Po e bëj këtë, sepse bazuar në literaturën politike ekzistuese për këtë temë, njeriu nuk e ka të lehtë të orientohet prej së largu për çështjen shqiptare, sidomos kur merren parasysh rezultatet e ngjarjeve të mëdha të vitit 1912, që drejtpërdrejt e prekën edhe Shqipërinë. Mund të themi se aspiratat politike shqiptare kanë evoluar shumë dhe tani nën ndikimin e ngjarjeve të fundit në Gadishullin Ballkanik ato po ndryshojnë akoma. Unë mendoj se për ne është shumë e rëndësishme që t’i kuptojmë në veçanti aspiratat e Shqipërisë së Mesme, pasi jemi në kontakt më të ngushtë me këtë zonë, ndërsa tani për tani mund të themi se Shqipëria e Mesme e përfaqëson elementin më kompakt – elementin turkofil mysliman, i cilin akoma nuk e ka pranuar idenë e një Shqipërie të pavarur! Bile shqiptarët e Shqipërisë së Mesme janë edhe arsyeja kryesore që Shqipëria, nuk është në gjendje të bëjë një jetë unike dhe të pavarur! Kur e lëmë anash numrin e parëndësishëm të shqiptarëve grekofilë në Epirin e Jugut, atëherë mund të themi se deri në shpërthimin e luftës së përgjithshme, midis popullit shqiptar u shfaqën qartë dy rryma kryesore politike: ajo nacionaliste me idealin e krijimit të një shteti të pavarur e të bashkuar shqiptar dhe rryma turkofile, që është konservatore dhe është në favor të një bashkimi të ngushtë shtetëror me Turqinë! Shqiptarët më të ndërgjegjshëm në rrafshin kombëtar gjenden në Shqipërinë e Veriut dhe ata në Epir. Janë dy qendra kulturore të nacionalistëve që veçohen dhe ato janë: Shkodra në veri dhe Korça në jug. Ndërsa në Shqipërinë Veriore ka shumë nacionalistë të ndritur por ata gjenden vetëm nëpër qytete, përkundrazi, në Epir ndërgjegjja kombëtare është e zhvilluar edhe nëpër fshatra. Por, siç e cekëm edhe më lartë, qendrat kryesore të turkofilëve janë Elbasani dhe Tirana! Përveç shqiptarëve katolikë, në radhën e nacionalistëve shqiptarë të veriut bëjnë pjesë kryesisht edhe shqiptarët myslimanë nga Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Dibra. Në Shqipërinë e Veriut ekziston vetëdija e lartë kombëtare dhe kjo është arritur si pasojë e zhvillimit të lëvizjeve revolucionare shqiptare – si Kryengritja e Dibrës dhe Kryengritja e Malësorëve”.
“Kosova nuk mund të copëtohet!”
Edhe pse prof. Miletiç nuk e ka shpalosur ndonjë plan të copëtimit të tokave shqiptare, megjithatë në rastin e Kosovës që e quan Shqipëri e Veriut, ai e sheh të pamundur që kjo krahinë shqiptare të vendoset apo të copëtohet duke u vendosur nën administrime të ndryshime! Përveç Kosovës ai ka shkruar edhe për nacionalizmin shqiptar në Epir.
Çezma pranë Kalasë së Elbasanit, 1916
“Në përgjithësi shqiptarët e veriut e kanë zhvilluar një jetë unike kombëtare, prandaj është shumë vështirë që shqiptarët e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës dhe deri diku edhe ata të Dibrës të copëtohen dhe të vendosen nën administrata të ndryshme shtetërore! Gjithashtu nacionalistë të mirë janë edhe shqiptarët katolikë, por ata janë aq të mësuar me idenë e mbështetjes nga Austria, sa që nuk munden t’i hedhin bazat e një organizimi kompakt me vëllezërit e tyre mysliman të Shqipërisë së Veriut, e cila më pastaj do ta përbënte një forcë të frikshme kundër qendrës konservatore të Shqipërisë së Mesme…”, është shprehur Miletiç që siç duket organizimin e kapaciteteve kombëtare të shqiptarëve e ka parë me shumë pesimizëm!
Vetëdija kombëtare në Epir
Megjithatë prof. Lobomir Miletiç është më i qartë në përshkrimin e gjendjes së nacionalizmlit shqiptar në viset jugore, se sa në viset veriore shqiptare. Ai më tej e ka përsëritur se “vetëdija kombëtare është më e fuqishme te shqiptarët e Epirit të Jugut, për shkak të nivelit më të lartë të arsimimit por edhe të vetëdijes kombëtare ndër masat e popullit. Tridhjetë vjet më parë në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, ku u miratua alfabeti latin, i cili përdoret sot nga shqiptarët e krishterë në Epir, që janë popullsi shumicë dhe nuk duhet harruar fakti se shqiptarët e krishterë jetojnë në harmoni me shqiptarët myslimane, bile kur një shqiptar i krishterë në Korçë shkon në shtëpinë e një fshatari mysliman, gratë e shtëpisë së nikoqirit nuk mbulohen para të krishterit! Kështu, nacionalistët e krishterë dhe myslimanë në Epir, janë të frymëzuar njësoj dhe kanë urrejtje të madhe kundër grekëve. Arsyeja është se më herët Patriarkana Greke, në mënyrë të fuqishme e ka penguar hapjen e shkollave shqipe dhe vetë patrikana i persekutonte gjithnjë shqiptarët. Kohët e fundit (1913-1914) si Epiri por kryesisht edhe Korça, pësuan shumë nga ‘andartët grekë (banda të organizuara greke)’. Gjatë sulmeve të këtyre të fundit, Korça u rrënua dhe u plaçkit dy herë radhazi por u dogjën edhe fshatra të tëra shqiptare. Kështu si pasojë e propagandës por edhe e luftës antishqiptare të patrikanës dhe të bandave greke, tani shqiptarët e Epirit me të madhe janë kundër grekëve. Ata na simpatizojnë neve (bullgarëve) pasi janë të bindur se ne do t’u ndihmojmë atyre në realizimin e idealeve kombëtare! Në Epir, shqiptarët tashmë i kanë të organizuar njerëzit e tyre të armatosur, dhe përfundimisht ata mendojnë se është koha që duhet bërë diçka për kauzën e tyre, bile derisa lufta është akoma duke u zhvilluar, ata përpiqen që më në fund të çlirohen prej grekëve. Por, në rast të ndonjë përplasjeje me Greqinë, këto forca shqiptare janë të gatshme të na ndihmojnë edhe neve. Më lejoni të përmend se më herët gazetat shqiptare dilnin në Korçë, por tani që kur grekët sundojnë atje, nuk shtypet asgjë në shqip, pasi vetë grekët e kanë marrë përsipër që ato gazeta t’i bëjnë vetëm në gjuhën greke! Përveç tjerash, grekët i marrin shqiptarët e krishterë ushtarë, ndërsa fëmijët janë të detyruar që të shkojnë në shkollat greke. Edhe shqiptarët myslimanë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë! Edhe në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e në Himarë ka shumë shqiptarë të ngritur e inteligjentë, mes tyre shumica janë mjekë dhe të gjithë ata janë nacionalistë të mirë. Në pjesën e Epirit të pushtuar nga Grekët, shqiptarët myslimanë janë kryesisht nacionalistë, ndërsa shqiptarët e krishterë në Epirin e Jugut deklarohen si grekë!…Duhet theksuar se në Epirin e Veriut, nga kufiri i sotëm grek deri në Berat dhe Fier, nuk ka shqiptarë që deklarohen si grekë, madje në këtë pjesë nuk ka as shqiptarë turkofilë, prandaj mund të konstatohet se e tërë popullata e Epirit të Veriut janë nacionalistë të pastër shqiptarë! Shqiptarët kanë edhe udhëheqës të ngritur e inteligjentë dhe ata janë nga Epiri i Jugut. Ndër më të njohurit në Berat është Islam Bej Vrioni. Ai flet frëngjisht dhe është njeriu më i kulturuar dhe i emancipuar në ato zona…”.
Shqipëria e Mesme si turkofile dhe ndikimi i Austrisë
Në përmbyllje, prof. Lobomir Miletiç sërish i është kthyer gjendjes në Shqipërinë e Mesme, ndoshta për faktin se në sytë e tij kjo pjesë e Shqipërisë do të ishte më lehtë e manipulueshme! Ai ka shkruar se “në Elbasan, Tiranë dhe Durrës, shqiptarët në përgjithësi janë myslimanë. Këtu ka pak të krishterë. Dialekti i tyre i quajtur elbasanishtja njëherësh është pranuar edhe si gjuhë letrare. Niveli i shkollimit këtu është ndoshta më i ulëti në viset shqiptare… Në Shqipërinë e Mesme, nacionalistët shqiptarë mund të hasen vetëm në Elbasan, Durrës dhe në 5-6 shtëpi të Tiranës! Popullsia rurale, me shumë pak përjashtime është turkofile, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur që kryengritja kundër Princ Vidit gjeti përkrahje mu në këto qendra. Mund të thuhet se në Shqipërinë e Mesme, nacionalistë shqiptarë ishin vetëm bejlerët e mëdhenj, ndërsa bejlerët e vegjël dhe popullsia fshatare ishin turkofile, pa ndonjë nivel të theksuar të vetëdijes kombëtare. Pra ashtu edhe siç pritej bejlerët e mëdhenj në Shqipërinë e Mesme, si nacionalistë shqiptarë e mbështetën Princ Vidin. Portreti i tij ishte kudo në shtëpitë e tyre. Udhëheqësit e Lëvizjes Shqiptare pra bejlerët, që ishin kundër princit Vid, ishin myftinjtë, hoxhallarët, ish-zyrtarët turq dhe shumë aventurierë të ardhur nga Kostandinopoja…Në rrjedhën e ngjarjeve midis tjerash një akt i veçantë i autoriteteve austriake u ka lënë përshtypje të fuqishme nacionalistëve shqiptarë… Kur trupat tona marshuan drejt Elbasanit, atëherë Ahmed Beu i familjes Zogolli, që e sundonte Matin i armatosi njerëzit e tij dhe për të rivendosur Shqipërinë e pavarur me 2000 vullnetarë ai po ashtu marshoi drejt Elbasanit. Ahmed Beu, fillimisht ishte me ne, por kur austriakët zbritën poshtë, pa humbur kohë u rreshtua në anën e tyre! Madje ai kishte arritur që në këto zona të ngrinte administratën dhe ta hapte edhe një postë. Duke e pasur parasysh atë që u tha për ndarjen e përmendur midis nacionalistëve në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj Austrisë, megjithatë nuk ka dyshim se të gjithë nacionalistët shqiptarë do të pajtoheshin me një zgjidhje tjetër, domethënë, në rast se nuk mund të krijohet një shtet shqiptar, atëherë ata do të pranonin të ishin nën Austrinë, por me kusht që nën të përfshihej e tërë Shqipëria, pra brenda kufijve shqiptar duhet të përfshihen Dibra, Prishtina dhe Prizreni…”, ka përfunduar historiani dhe filologu Lobomir Miletiç, i cili e ka dorëzuar punimin e tij më 5 tetor të vitit 1916.
Në mjeksinë popullore është i njohur rekomandimi i kurës nga çaji i gështenjës, në…
Pavarësisht se sa përvojë keni në kuzhinë, ushqimi i djegur lë njolla kokëforte në…
‘Verbëria e borës’ ose fotokeratiti, është dhimbje dhe parehati e përkohshme e syve pas…
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…