Në se Fishta, mundi me përpilue nji epopé të pa shoqe në letërsín shqiptare, kjo, nuk ka burue vetëm nga talenti poetik i tij. Aj, po prej këtij populli ka qenë i ndikuem. Prandej, në qoftë se na jemi mirënjoftësa të Fishtës me admirim në lâmen letrare, edhe Aj, pá dyshim, ka qenë mirënjoftës i këtij populli.
Po të mos ishin shprehjet e gjalla heroike të këtij populli, si kishin me shkrepun në fantazín e Poetit, ato përshkrime të mrekulluesheme trimnije e burrënije?
Po të mos kishte shkrimë, Oso Kuka, vehten në kullë të barutit dhe po të mos e kishte kângëtue populli kët gjest sipërtrimnuer me qiteli, si do t’ishin përftue vargjet:
“Se s’ke paa shqiptár me sy,
Qi djeg vehten edhe ty!…”
dhe
“Te del dielli e prendon hâna
Oso Kukë, maâ, nuk bân nâna!…”
Asimja, sall ajo vetëm, kishte me mjaftue dhe me teprue, për të simbolizue nderëshëmenín dhe trimnín e grues shqiptare. Meriton nji përmendore:
“Prit me mot e prit me vjet,
Pushka e Lilit, s’po kërset!”
Ndodhinë historike e gjatë në Kosovë…Asaj, i kishin dhunue nderin. Priti qi i shoqi, si burrë, t’ishte hjedhun për me ia çue nderin ne vend. Kur paa se aj, i kishte shtimë veshët në lesh e nuk interesohej për kët çështje, atëherë, i përvol krahët vetë dhe i zbardhi faqet e veta, tue ia mbushun barkun me plumba dhunimtarit shtazarak.
Poeti populluer, Asimes i dha të drejtën e meritueshëme, tue e naltsue në kupë të qiellës. Edhe të shoqin, Lil Begracën e krodhi në shtatë palë tokë thellë për sjelljen e tij të poshtër.
Po për dashnorë e dashnore?
Të jemi krejt të sigurtë se, edhe në kët pjesë të jetës, përgjithësisht shqiptarët, qi ndodhen ndën sundimin e Jugosllavís, nuk kanë shka marrin uhá prej krahinave tjera të Shqipnís. Të gjitha ato, qi duhen, i zotnojnë vetë. Shqiptarët në Jugosllaví, të bâshëm e të páshëm për shtat, të bukur për ftyrë e gjymtyrë, të rritun në klimë të mirë e të pastër, të zhvilluem në begatí ushqimi dhe të shëndoshë sá me iu pasun lakmí, nuk kanë asnji fije nevojë për udhëzimin e tjerëve në lâmën e “amore”-s…
Ky popull, âsht aj, qi ka vargjazitun:
“Zek Ajdini nji zog sokoli,
Pak pá vdekë nji fjal’e foli:
– Amanet mori komshi,
Bajnma vorrin n’at çeli,
Të vijë Rrushja, të m’qajë përmbi.
Qaj mori Rrushe, qaj me mend,
Emnin t’em mos m’a përmend,
Kah jem kanë çoban me dhen,
Kah jem’ kanë e kem’ kërkue,
Hije n’hije, krue n’krue…”
* * *
“Shkurta e Hokrrit sýn e zi,
Lidh medisin me shami,
Plasua zemrën djelve t’ri…”
Le të më ndiejnë lexuesat e dashtunë. Nuk po due me hymë ndepër lluga në kët moshë të kohnueme. Mund të mbetem mbrenda… Sá ka fund dashunija, aq kanë mbarim kângët e buta. Le t’i grahin ata, qi janë mâ të rij e ma të ngéshëm… Unë, mundem me thânun se, përshkrimet e dashunís në popullin shqiptar, qi ndodhen mbrenda kufijve të Jugosllavís, janë si deti i pá fund.
Në përpjestim me ndiesinat e tyne trimnore e dashunore, vijnë vallet mahnitëse të burrave e të grave, kângët darsmore, vajtimet e përmortëshëme dhe zotsíja e ligjërimit në kuvend. Na duhet me e pohue se, kjo pjesë e shqiptarëve, âsht mâ e pasuna në zakone, në tradita, në folkloristikë dhe në çdo lâmë të vlerave kombtare. Kosova, lodron në kalë të shalës mâ tepër se çdo vend tjeter në Shqipní. Kosovari, zê vendin mâ të dalluem për bujarí, si bukëdhâne e mikpritës. Âsht mâ sedrari në veshje, në mbathje e në mbajtjen e armës. Përmbi pushkën e tij, nuk âsht kollaj qi të vehet ndonji pushkë tjetër. Aj, din me përgëdhelun e din edhe me u acarue. Gjithashtu, simbas nevojës, din edhe me lavdue e me çupue.
Në se Kosova – kur thom Kosova, kam për qellim të gjitha vendet e banueme prej shqiptarësh – ka mbetun jashta kufijve të Shqipníse, kjo, nuk ka rrjedhun për fajin, ose për të mêtën e Kosovarëve. Kjo, ka ndodhun nga padrejtësíja e shteteve të mëdhaja imperialiste, qi, n’ate kohë, tue mos zbatue parimet e vetvendosjes, i krijuen botës nji flakada, ku mâ vonë edhe vetë, u zharritën në ‘tê mbrenda.
Nuk ia panë turinin as Kosovës, as Kosovarit
Në qoftë se disá prej nesh, nuk e njofin Kosovën, si duhet, nuk âsht as faji i ynë, as i Kosovarëve. Nuk po i ngucim këto dregëza të kohës së kalueme. Kemi asish, qi kërkimin e Kosovës e kanë quejtun shovenizmë dhe Kosovën nuk e kanë pamë fare. S’kanë denjue qi të vénë e t’a shofin kët vend të bukur e të begatshëm, qi na e lanë kastërgjyshat t’onë. S’kanë denjue qi të vénë e t’i shofin vëllazënt e tyne në gjuhë, në gjak, në kostume e qi zbritshin prej njij trungu të përbashkëtë.
Edhe prej nacionalistave kemi asish, qi, sod, kanë monopolizue të drejtën me dirigjue Shqipnín. Kurse dje, e kishin në dorë me e njoftun s’afërmi Kosovën dhe Kosovarin. Nuk u treguen kureshtarë për të njoftun se ç’ishte ky vend dhe ç’ishin banorët e tijë. Nuk ia panë turinin as Kosovës, as Kosovarit.
Kushdo qoftë, le te qendroje krye për krye me përgjegjësín e vet morale e materiale. Krye për krye me ndërgjegjen e vet të lëngueme.Tekembramja, edhe këta, janë bashkue, tash, me opinionin e përgjithëshëm shqiptár, për sa i përket kësaj çâshtjeje. Mâ mirë vonë se kurr!…Mbassi i ka ardhun shteku, këtu, do të lejohem me shenue nji çashtje me rândësí historike, të cillën mâ shpaloi nji personalitet shqiptár, qi mêrret ngushtas me historí. Aj më tha:
“Disá, qi mêrren me historí, pretendojne se, shqiptarët, janë vendosun në Kosovë, mbas pushtimit të saj dhe të Shqipnís prej perandorís Osmane.” Janë dunun, thonë ata, nga malsinat dhe kanë ramë në fusha të gjâna e pjellore. Pikëpamja e tyne, âsht krejt gabim. Nuk e kanë studjue çâshtjen rrânjësisht. Unë, n’arkivën e kryeministrís turke në Stamboll, kam gjetun nji defter të madh (Defter-i Kebir) të hartuem në kohën e Fatihut, të Mehmetit të II-të. Fatihu, paska pasë urdhnue dhe në Kosovë qenka bâmë regjistrimi i përgjithëshëm i popullsís. Në kët defter ka plot emna sllavësh, si Jovan, Stanko e tjerë. Dhe në rubrikën e posaçme të vrejtjes, janë vûmë shenime “arbanas, arbanas”. Kjo, tregon se popullsíja e Kosovës, edhe para se të merrej Kosova prej Osmanllive, ka qenë e origjinës shqiptare. Por, kanë pasë pranue fén ortodhokse pravosllave dhe si përfundim, kanë përvetue emnat sllavisht. Edhe sod, shumica dërmuese e banorëve të Kosovës dhe të Shqipnís – po flas për elementin mysliman -, emnat i kanë arabisht. Me gjithë ketë, na, nuk kemi asnji farefisní me kombin arap.
E hapëm lâmen e bisedimit tékëz. Kërkoj ndiesë. Prá, tue iu hullun (afrue) themës, do të ngulmoj: Shqiptarëve në Jugosllaví nuk iu mungon kurrgjâ, për sá i përket shqipes.
Ç’mund të ndodhë për shqiptarët në Jugosllaví me gjuhën e unjisuar?
“… me gjuhën e unjisuar a?” “Mund të ndodhin shum gjâna!”
Si dihet, gjuha, mâ para mësohet në shtëpí, tue e ndigjue fëmija prej prindve e prej rrethit familjár. Mbasandej, mësohet, tue ardhun në mârrëdhânje me shokét, me banorët e lagjes e me banorët e katundit. Shtrihemi, mandej, në rreth e në qark. Kështu, vjen e skaliset në trû të fëmijve, shprehja e vendit të vet në kuptim të gjânë. Prâ, njeriu, mâ para, mëson shprehjet e vendit të vet. Shkolla, vjen në shkallën e dytë.
Kur të mbërrije fëmija me cillësue, me përshkrue, me përpilue dhe me paraqitun nji gjâ, ose nji send, ndodhet përpara ndikimeve t’atyne shprehjeve, qi i ka mësue në rrethin e vet. Me këto do të hidhet në sheshin e shfaqjeve. Nuk mund të pretendohet e kundërta. Tash, prá, nji i rí, ose e ré, kur të dojë me paraqitun dishka, ose duhet me ia fillue me shprehjet e veta, me të cillat âsht stërvitun qysh në lirek, pá e përziem toskënishten; ose duhet me përdorë toskënishten, tue lânun mbas dore shprehjet e veta.
Tash, na vjen ndërmend nji pyetje tjetër: “Shqiptari i Kosovës, vallë, a mund t’i ketë tretun deritash, si duhet, shprehjet e vendit të vet?” Nuk më besohet. Nuk e besoj, për shkak se, shkolla shqipe atje, si moshë, âsht krejt e ré. Atëherë, prá, pyesim: “Shqiptari në Jugosllaví, kurse nuk e ka tretun, si duhet, shprehjen e vet, si ka për t’a honepsun dialektin e Jugut, të cillin përpiqet me e mësue vetëm me sy – nga libri -, pá ndihmën e veshëve?” Âsht nji ândërr, kjo. Po kuej do t’i drejtohet toskënisht intelektuali Kosovár me fletore, me revista, me romana e, përgjithësisht, me shkrimet e veta?
Popullit shqiptar në Jugosllaví! Apo jo? Sigurisht, aj, sod për sod, nuk i drejtohet Shqipnís së Jugut!… Po përse intelektuali shqiptár në Jugosllaví, të mos i drejtohet popullit të vet me gjuhën e vet, qi âsht nji shqipe e kullueme e atij populli? Për ç’farë arsyeje aj, detyrohet me iu drejtue popullit të vet me nji shprehje, qi ky, nuk e din dhe nuk e kupton? Përfundimi llogjik, na del prosup!… Shifet nji gabim i madh në llogarín, qi âsht bâmë. Shqiptari në Jugosllaví, nuk ndodhet i shtërnguem me përdorun format “është”, “verë”, “vrësht”, “që” e tjera. Aj ka format e veta mâ të mira: “âsht”, formë të cillën e ka përpunue, tue e këthyem dhe në trajtën “â”, kur don me i ramë për s’shkurti, ose kur ia këshillon masa dhe rima, simbas nevojës. “verë”-n aj, e kupton nji prej katër stinave të motit, d.m.th. Qershorin, Korrikun dhe Gushtin. Asaj, qi pimë i thotë “venë”, sikurse âsht me n- në të gjitha gjuhët motra, të cillat, janë dega dhe rrema të sanskritishtes. Nuk e kupton as “bahar”-in persisht. Këtij i thotë “pranverë”. “qi” si fjalëz lidhore, ose shpaluese, ose si fjalës, qi në disá rasa, zavendoson përemnat vehtorë, po në kët formë përdoret në persishte edhe në turkishte.
“Ankes ki nedaned ve nedaned ki nedaned,” “Der cehl-i murekkeb ebedüddehri bimaned” dhe “Onlar ki verir aleme laflarla nizamat,” “Bin türlü teseyyüb bulunur hanelerinde.
”Prá, nji popull, qi përban 3/4 e shqiptarëve, përse të shtërngohet me e lânun të veten dhe me përdorun formën “që”? Përse përdoret në Jugë, apo? Pata ndigjue prej Shpend Bardhit, dritë pastë, se formen “qi” e paskanë pasë kritikue studentët e shkollës së Kristo Dakos: Sá kritikë e bukur (!). Sigurisht leçitun kryekëput, nuk do t’a kenë. Por, po habitem se ato kanë kalue në heshtje nji plotsim tjetër: “Mish i dhirtë”, qi në të njejtën kohë, përdoret edhe për meze!
Mâ shkurt, ata, qi duen me shkrue drejt e mâ drejt, format “vreshtë” dhe “vrësht” për “vëneshtë” nuk i pranojnë. Nuk i pranojnë sepse janë të pa justifikueshëme.
* * *
Këto, janë arsyet, qi na disá, format arbitrare nuk mund t’i quejmë “gjuhë e unjisuar”. Ata, qi e imponojnë dhe ata, qi e pranojnë, ndoshta, nuk e kanë shprehjen popullore: -“Shit qen e blej klysh”.
Shqiptarët në Jugosllaví, qoftë në prozë, qoftë në poezí, le t’i grahin me gegënishten e tyne të pastër e të pasun, tue zgjedhun format, qi vlejnë për armonizimin e dy dialekteve. Kur t’a kenë përbluejtun mâ s’miri shprehjen gegënisht, atëherë, vetiu iu hapet rruga për të kapërcyem mâ përtej e për të përdorun edhe toskënishten, simbas zellit e zotsís.
Nji njerí, qi gëzon talent poetik në Mitrovicë, nuk mund të jetë i penguem për klishénat e Ali Asllanit, ose të ndonji poeti tjetër prej Jugut. Aj, gufon, grafllon dhe merr flakë me landën e vendit të vet. Përse t’i thotë “Hanko Halla” në vend qi me i thanun “Hanka Halla”?
Më ka ramë me lexue shkrime shqiptarësh në Jugosllaví, qi kanë imitue toskënishten. Prap, me shprehjen proverbiale të Kosovës do t’i cillësoj këto shkrime: – “Prish shpi e ndreq kolibe”.
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…