Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Dardanët, xehetarë të zotë shumë kohë para romakëve

Me nga dy seanca të historisë dhe folkloristikës e etnomuzikologjisë ka përmbyllur punimet edicioni i 15-të i “Javës së Albanologjisë” organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. “Xehetaria dhe aktivitetet minerare në Kosovë – refleksione historike”, ka qenë tema bosht e Sesionit të Historisë. Arkeologu Naser Ferri ka thënë se xehetaria ka ekzistuar në territorin e Dardanisë Qendrore shumë kohë para ardhjes së romakëve dhe nuk është ndërprerë fare. “Trashëgimia gojore e muzikore në arkiva: tekstet, zërat dhe tingujt e arkivuar para mundësive të reja teknologjike”, ka qenë tema e sesionit të folkloristikës e etnomuzikologjisë

Xehetaria është aktivitet i moçëm në hapësirën e sotme të Kosovës. Mbi njëzet historianë kanë prezantuar të dhëna e hipoteza për historinë e xehetarisë këtë anë prej parahistorisë e deri në shekullin e kaluar. E në anën tjetër, folkloristë e etnomuzikologë kanë folur për sfidat e arkivimit të zërave dhe tingujve si trashëgimi kulturore. Kumtesa e diskutime të tilla janë shpalosur në ditën e fundit të “Javës së Albanologjisë”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Të mërkurën janë mbajtur sesionet e historisë dhe të folkloristikës e etnomuzikologjisë.

Arkeologu Naser Ferri nëpërmjet kumtesës “Xehetaria dhe guroret antike në Dardani Qendrore”, ka thënë se xehetaria ka ekzistuar në territorin e Dardanisë Qendrore shumë kohë para ardhjes së romakëve dhe nuk është ndërprerë fare, për çka dëshmojnë gjetjet e mbetjeve të minierave pararomake e romake si ato të tuneleve, galerive ku bëhej seleksionimi i xehes, furrave për shkrirjen e xehes, deponive të skorieve minerare, almiseve e të tjera.

Sipas tij, xehetaria kishte qenë një nga degët dominuese të ekonomisë te dardanët në kohën pararomake, e ashtu kishte vazhduar të jetë edhe në kohën pas pushtimit romak.

“Në territorin e Dardanisë Qendrore romakët i kishin gjetur dy rajone kryesore minerare: atë të Ibrit (Kopaoniku e Rogozna) me seli në Municipium DD, që ishte një nga pjesët më të pasura në Ballkan në pjesën veriore,  dhe tjetrin me seli në Ulpianë. Pas pushtimit të Mbretërisë Dardane romakët kishin riorganizuar dhe adaptuar sipas nevojave të veta thuajse çdo segment të jetës, përfshirë edhe xehetarinë”, ka thënë ai. Sipas Ferrit, nga shekulli 2 i erës sonë veprimtaria minerare ishte intensifikuar dhe, meqë xeherorët ishin patrimonium apo pasuri personale e perandorëve, emërtimi zyrtar për disa distrikte xeherore në kohën e Trajanit ishte “Metalli Ulpiani”,  kurse ky titull gjatë kohës së sundimit të Mark Aurelit ishte shndërruar në “Metalli Aureliani” dhe më këto miniera udhëhiqnin “procuratores metallarum” që ishin zakonisht skllevër ose skllevër të liruar perandorakë.

Ai ka përmendur lokalitetet arkeologjike të vendit dhe është ndalur në historinë e xehetarisë në to. Është bazuar në gjetje të shumta e mbishkrime.

“Mjeshtrit gurgdhendës me përvojë dhe ata me njohje të gjuhës latine pa dyshim që kanë ardhur nga jashtë Dardanisë, por derisa në Ulpianë kemi legjenda për mjeshtrit gurgdhendës të ardhur nga Bizanti, Florin e Lavrin dhe mësuesit e tyre Maximus dhe Proculus, në rajonin e Pejës, por as në madenët e tjerë të gurit në territorin e pjesës qendrore të Dardanisë, për fat të keq, së paku deri tash, nuk ka të dhëna as për udhëheqësit e madenëve të gurit e as të punëtorive gurgdhendëse”, ka thënë Ferri.

Historian e arkeolog të tjerë kanë shpalosur kumtesat e tyre si Ylber Hysa me kumtesën “Andrea Izati-Argjendari kotorras”, Lulëzim Lajçi me kumtesën “Trepça në kohën antike”, e Zana Hoxha me kumtesën “Ndikimi i xehetarisë në zhvillimin e arkitekturës në Dardani gjatë Perandorisë së Justinianit”.

Ajo është ndalur te ndikimi i xehetarisë në zhvillimin e arkitekturës në rajonin e Dardanisë midis viteve 527 dhe 565.

“Gjatë kësaj periudhe, Justiniani ndërmori një fushatë të gjerë ndërtimesh për të forcuar infrastrukturën e perandorisë, e cila përfshinte ndërtimin dhe rindërtimin e kalave e qyteteve. Rajoni i Dardanisë, i pasur me burime natyrore, veçanërisht minerare, u bë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe strategjike”, ka thënë ajo. Është ndalur te analiza e strukturave të zbuluara në Dardani, të cilat përfaqësojnë një kombinim të teknikave tradicionale lokale dhe ndikimit nga Perandoria e po ashtu ka folur edhe për pasuritë minerare dhe organizimin ekonomik të Dardanisë, që ndikuan në formësimin e peizazhit arkitekturor të rajonit gjatë Perandorisë së Justinianit.

Kurse në Sesionin e Folkloristikes dhe atë të Etnomuzikologjisë është folur për sfidat e arkivimit. Etnomuzikologu Albin Sadiku ka treguar përvojën personale me aparat të incizimit të interpretimeve të ndryshme. Ai ka thënë se teknologjia po përparon, por rreziku që incizimit t’i humbin vlerat është i madh. Ka pasur edhe një thirrje. “Në Institut duhet të kemi një të punësuar profesionist i cili merret me arkivimin e materialeve dhe kujdeset për ruajtjen e tyre”, ka apeluar Sadiku. Në këtë rast ka ngjallur diskutim për mundësinë ose pamundësinë e angazhimit të përhershëm të një profesionisti. Studiues të ndryshëm kanë folur për sfidat e arkivimit, kurse Visar Munishi është ndalur te “Mbledhja e këngëve të luftës së fundit në Kosovë: Probleme dhe ide”.

Sipas tij “Këngët për çlirimin e Kosovës” do të ishte emërtimi i duhur të paktën për fazën ideore dhe atë të realizimit. Ka thënë se edhe pas luftës së vitit 1999 kishte krijime që lidheshin me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rënë për lirinë e Kosovës, e kjo vazhdoi deri në shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008, periudhë kjo kur cikli i krijimeve të kësaj tematike kishte filluar të rrallohej por jo të pushojë plotësisht.

“Prandaj, në këtë kontekst mund të shprehemi lirisht së ‘Këngët për Çlirimin e Kosovës’ kishin një periudhë krijimi të pandërprerë për të paktën 50 vjet. Te gjitha këto periudha krijimi të cilat bazohen në ato historike, natyrshëm krijojnë grupime, ku përveç tematikave të veçanta që lidhen me ngjarjet e asaj periudhe ato edhe muzikalisht kanë veçoritë dhe e marrin karakterin e tyre muzikor. Pra,  ‘Këngët për Çlirimin e Kosovës’ mund të ndahen në ato të viteve ‘68, ato të viteve ‘81, ato të pas viteve ‘89, këngët e luftës në Kosovë të cilat kapin vitet ‘97, ’98, ‘99, këngët e pasluftës në Kosovë dhe këngët për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai. Ka folur për vlerat e tyre e faktin se shtrihen në shumë zhanre.

“Ideja nis realizimin e saj me funksionalizimin modern të arkivit të Institutit Albanologjik, pra me krijimin e një databaze zanore ku mblidhen të dhënat të cilat ngarkohen në mënyrë fizike përmes cd, usb ose ndonjë formë tjetër çfarëdo qoftë ajo, do të pranonim edhe bobina ose kaseta me shirita të ndryshëm. Gjithashtu, Instituti ynë duhet ta krijojë mundësinë që ato të ngarkohen edhe online, përmes platformave dhe mënyrave moderne të mbledhjes së materialit”, ka thënë ai. Sipas Munishit,  mbledhja e këngëve ka filluar qysh herët me blejtë e Institutit Albanologjik. Ka marrë shembull botimin “Këngët Historike”

“Në këta blej gjejmë numër të madh të këngëve të grupimit tonë dhe këto këngë janë lehtë të vërejtshme. Duke qenë se këngët e interesimit tonë i hasim në formë të teksteve në blejtë e sipërpërmendur, sigurimi i tërësishëm i këngës, pra si tekst, melodi e performancë i këngëve respektive do të ishte shumë më i lehtë”, ka thënë ai. Sipas tij, studiuesit para vetes kanë një listë të gjerë të teksteve të këngëve dhe duhet të konsiderojnë se është një punë kolosale e kolegëve të cilët kanë përgatitur të gjashtë vëllimet.

“Gjithashtu duhet të them se edhe bashkëngjitja zanore e këtyre këngëve, por edhe e atyre të zhanreve të tjera të cilat nuk janë pjesë e këtyre vëllimeve do të ishte një dokumentim me mjaft interes dhe i rëndësishëm për traditën tonë etnomuzikore në veçanti dhe atë kulturore në përgjithësi”, ka thënë ai.

Në fjalët mbyllëse janë falënderuar të pranishmit për kontributet e tyre. Sidomos në ditën e fundit, ngjarja ka qenë e varfër sa i përket publikut. Numri i të pranishmëve rrallë ka kaluar atë të atyre që kanë lexuar kumtesat. Madje shpesh as kolegët nuk i kanë dëgjuar kolegët e tyre.
Edicioni i 15-të i “Javës së Albanologjisë” për tri ditë ka tubuar në Prishtinë gati 100 studiues nga trevat shqiptare.

 

admin admin

Recent Posts

Skënderbeun e helmuan osmanët me venedikasit në bashkëpunim

  Nga Fahri Xharra Që 550 vjet jetojmë me një mashtrim të madh turko-venedikas se…

12 hours ago

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

    Nga dosja e CIA-s thuhet se Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në…

12 hours ago

Në telefonin tuaj iPhone ndizet papritur një dritë e vogël portokalli ose e gjelbër, zbuloni kuptimin e saj

  Ju ka shkuar ndonjëherë në mend se çfarë fshihet pas pikës së gjelbër dhe…

13 hours ago

Zhur, Prizren, 1971: Pamje të një dasme në fshatin Zhur të Prizrenit në vitin 1971 (VIDEO)

  https://www.facebook.com/watch/?v=901191661545165&t=0

13 hours ago

Sekretet e jetëgjatësisë së peshkaqenit të Groenlandës

Shkencëtarët realizojnë hartën e plotë gjenetike, mund të jetojnë mbi 400 vjet Realizohet harta e…

13 hours ago

Së shpejti do të mund t’i hamë këta gurë dhe arsyeja është shumë serioze

  Sipas këtij studimi të ri, çarjet dhe thyerjet e pranishme në këta shkëmbinj janë…

14 hours ago