Një palë tjetër që ishte e interesuar të përdorte shqiptarët për interesat e veta dhe për t´i larguar ata nga ideja e autonomisë, ishin xhonturqit në Vilajetin e Kosovës, të cilat filluan të bëjnë propagandë anti-austriake, duke e paraqitur aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës në tetor 1908 nga Austro-Hungaria si rrezik për shqiptarët. Pra, qëndrimi anti-austriak i kosovarëve shihej si një avantazh për xhonturqit. Në këtë situatë, Vjena dërgoi një qarkore që pohonte se politika e saj ndaj shqiptarëve nuk ka ndryshuar dhe se ajo nuk kishte qëllime të pushtonte territore shqiptare. Për më tepër, Vjena siguronte shqiptarët se nuk do të lejonte që shtetet e tjera të rrëmbenin territore në dëm të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë konfirmonte se do të kundërshtonte ndarjen e territorit shqiptar në rast se do të mbahej ndonjë konferencë.
Tri rryma midis shqiptarëve
Por, sipas ambasadorit të Gjermanisë në Stamboll, Marshall, një luftë e Serbisë dhe e Malit të Zi, e mbështetur nga Rusia, kundër Perandorisë Osmane nuk përjashtohej, në rast se ajo do të pranonte aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës, ndaj së cilës kishte pretendime Serbia.
Më 29 korrik, sipas një letre të konsullit Oskar Prohaska në Prizren, Kuvendi i Shqiptarëve të Ferizajt, njëri prej tubimeve më të mëdha brenda disa shekujve, mund të konsiderohet se urdhëresa për mbajtjen e kuvendit kishte ardhur prej vetë Shemsi Pashës, i cili ka marrë urdhra për këtë drejtpërsëdrejti prej pallatit mbretëror. Kështu midis shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës ekzistonin tri rryma, të cilat kishin qëllime krejtësisht të kundërta nga njëra-tjetra. Përkrahja dhe entuziazmi më i madh manifestohej për formimin e Shqipërisë autonome. Këtë gjë e konfirmon në raportin e tij edhe konsulli i Serbisë nga Prishtina, ku thotë: “Ndërmjet shqiptarëve është përhapur mendimi rreth formimit të Shqipërisë autonome, e cila do të përfshijë të gjitha viset e Turqisë evropiane, ku jetojnë me shumicë shqiptarë”. Por, në tubimin e Ferizajt mbizotëroi rryma e Turqve të Rinj, të cilët me premtime të ndryshme mundën t’i bënin shqiptarët për vete për një luftë të përbashkët kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për shpalljen e Kushtetutës.
Megjithatë, nuk u plotësuan të gjitha pritjet e autoriteteve osmane që shqiptarët eventualisht të përdoreshin kundër lëvizjes xhonturke, pasi liderët e këtij Kuvendi, të influencuar sidomos nga përfaqësuesit e Shkupit, dolën gjithashtu në mbështetje të shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit) të vitit 1876.
Pra, në mbledhjen e Ferizajt oficerët revolucionarë xhonturq ia arritën të bënin për vete shumicën e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë dhe krahun konservator. Si arritën xhonturqit të sigurojnë përkrahjen e myslimanëve konservatorë të Kosovës? Xhonturqit duhet të jepnin zotimin se do të merrnin parasysh kërkesat e veçanta të shqiptarëve, të respektonin privilegjet e vjetra dhe sulltan Abdyl Hamitin ta linin të pacenuar në fron. Gjendje të padrejta duhet të zgjidheshin në frymën e sheriatit dhe shqiptarët të gëzonin të drejtën e bartjes së armëve të tyre.
Por, në këtë mes është i diskutueshëm roli i Isa Boletinit, sidomos pas përfundimit të Kuvendit të Ferizajt, kur ai, sipas gjeneralmarshall August Urbanski, asokohe shef i Misionit të Oficerëve Austro-hungarezë në Vilajetin e Kosovës, Isa Boletini, njëri nga udhëheqësit më të fuqishëm shqiptarë dhe që vazhdimisht kishte marrë subvencione nga Porta e Lartë, me të drejtë frikësohet se do t´i shteren burimet nga Qeveria konstitucionale.
“Në ditën e shpalljes së Revolucionit ai së bashku me 2000 përkrahës të tij qëndronte në afërsi të Shkupit i gatshëm për të ndërhyrë në këto zhvillime.
“Lëvizja e re në Turqi është blerë me para austriake…”
Edhe në natën e 25 korrikut agjitatorët serbë në kampin e tij ishin shfaqur te osmanët dhe i blenë shqiptarët: “Lëvizja e re në Turqi është blerë me para austriake: udhëheqësit e xhonturqve janë korruptuar nga Austria për ta rrëzuar Sulltanin. Qysh tani Austro-Hungaria po armatoset për të ndërhyrë në Novi-Pazar dhe brenda pak javësh austriakët do t’i pushtojnë territoret shqiptare, për të shtypur lirinë e juaj me gjendje të jashtëzakonshme, ashtu siç kishin bërë para 30 vjetësh në Bosnjë. A dëshironi të mbroni të drejtat e Juaja, liritë e Juaja? – atëherë: për në Shkup për ta zhdukur kundërshtarin! Isa Boletini shkëmbente shtrëngim duarsh dhe puthje vëllazërore me agjitatorët serbë, dhe menjëherë iu drejtua Sharrit lakmitar të Vardarit përgjatë Shkupit”, shkruan August Urbanski, te “Die Jungtürkische Revolution 1908 und der Weltkrieg”. Atje ata donin t’i dëbonin oficerët austro-hungarezë.
Sipas autorit të lartpërmendur, gjakderdhja midis trupave shqiptare dhe oficerëve austro-hungarezë në Shkup u evitua në momentet e fundit, pas intervenimit të valiut osman në Shkup, i cili ndërhyri duke ofruar në dispozicion të organeve të reformës austro-hungareze rreth 300 oficerë, duke marrë kështu përsipër një obligim që ishte i paraparë edhe në bazë të marrëveshjes midis Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha. Sipas Peter Bartl, theksohet se situata ishte e mundur të qetësohej me anën e bisedimeve duke u betuar që të mos ndërmerrte asgjë kundër regjimit të ri. Për këtë duhej ndërprerë ndërtimi i rrugës Uvac-Mitrovicë deri në një vendim përfundimtar të parlamentit, oficerët austro-hungarezë të tërhiqeshin nga pjesa evropiane e Perandorisë Osmane dhe shoqata shqiptare si komitetet xhonturke të merrnin pjesë në administrim. Gjithsesi përpjekja e fuqive evropiane për zbatimin e reformave në vilajetet osmane të Kosovës, Janinës dhe Manastirit, të populluara me shumicë të madhe shqip-folëse, gjeti terren të përshtatshëm në mesin e popullatës katolike dhe ortodokse, e cila gëzonte mbështetjen e vendeve ballkanike, në rend të parë të Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Në këtë situatë specifike gjeopolitike të rajonit, shqiptarët ose ishin an-bllok kundër reformave ose ishin të parapërcaktuar lidhur me çështjen e reformave, pasi në njërën anë hapej shtegu për ndërhyrjen e shteteve ballkanike dhe shtohej shqetësimi për rrezikun e copëtimit të territoreve shqiptare, dhe në anën tjetër ishte regjimi absolutist i Abdyl Hamidit, i cili nuk ishte i interesuar për zbatimin e reformave sipas Programit të Mürzstegut dhe për këtë nxiste rezistencë në mesin e popullatës lokale. Për më tepër, autoritetet osmane shpesh argumentonin se ndërsa shtetet fqinje ishin një kërcënim për tërësinë territoriale të Arnautllëkut (Shqipërisë) dhe vetë ekzistencën e shqiptarëve, ishin autoritetet osmane që vepronin si garantues të tyre.
Formësimi i idesë së autonomisë
Por, siç pohon edhe Nathalie Clayer, pas ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në Maqedoni nga viti 1903 e tutje, u ngjall interesi midis autorëve osmanë në atribuimin e një identiteti shqiptar në territore të caktuara në mënyrë që të kufizohej kontrolli i tyre nga Fuqitë e Mëdha.
Në të njëjtën kohë, Serbia nuk ishte e lumtur që misioni i oficerëve austro-hungarezë ishte vendosur në kryeqendrën politike, diplomatike dhe ekonomike të Vilajetit të Kosovës, në Shkup. Dhe për këtë të gjitha palët provonin të gjenin aleatët e tyre brenda radhëve të shqiptarëve dhe elitës së tyre. Sa i përket disa liderëve shqiptarë, për shembull, është i njohur fakti se ata kishin pozicion të veçantë ndaj sundimit hamidian. Mbështetësit e tij, siç ishte rreshtimi i Isa Boletinit e të tjerëve, kryesisht i atyre që vinin nga rajonet veriore kufitare të Vilajetit të Kosovës, gëzonin një status të veçantë, që nënkuptonte mospagimin e taksave të caktuara apo edhe privilegjeve të tjera. Gjithashtu, shtrirja dhe mjetet e integrimit në administratën osmane ishin krejtësisht të ndryshme nga rajoni në rajon. Por, pavarësisht konfigurimeve gjeopolitike dhe shoqërore shumë të larmishme në skajin perëndimor të zotërimeve osmane në Ballkan, ideja e autonomisë po formësohej gradualisht. Në këtë kontekst, shqiptarët e moderuar i kishin varur shpresat te xhonturqit, të cilët kishin premtuar reforma dhe njohjen e të drejtave të tyre kombëtare.
Dirigjimi i shqiptarëve kundër Austro-Hungarisë
Për këtë qëllim ishin formuar komisione të përziera që anëtarët e komitetit për “Bashkim dhe Përparim” dhe nga paria shqiptare që duhej të nxiste popullsinë që të betohej për besnikëri ndaj regjimit të ri. Por, në kundërshtim me liberalët osmanë, xhonturqit donin ta ndërtonin një shtet rreptësisht të centralizuar.
Natyrisht, atmosfera kundër depërtimit ekonomik dhe politik të Austro-Hungarisë nga pjesëmarrësit shqiptarë në tubimin e Ferizajt ishte e dirigjuar nga krerët kryesorë të këtij tubimi, pasi përmes tyre Perandoria Osmane dhe Serbia synonin t´i krijonin vështirësi të mëdha politikës austro-hungareze dhe në këtë mënyrë të pamundësohej realizimi i projektit më strategjik për Vjenën, ndërtimi i hekurudhës së Sanxhakut (prej Jeni Pazarit deri në Selanik), pasi kjo kishte rëndësi jetike për influencë ekonomike dhe politike në Ballkan e më gjerë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Një version më i shkurtër i këtij studimi ishte botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” edhe në gusht-shtator të vitit 2018
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…