Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Kurthe ndaj shqiptarëve që s’i dorëzonin armët, Titoja i përgjuar

Ndaj shqiptarëve që s’i dorëzonin armët u përdorën kurthe si për shembull paraqitje e dëshmive të rrejshme në rastin konkret të ndonjë deklarate të sajuar dhe të hedhur në letër që i vihej përpara refuzuesit të dorëzimit të armës. Përkundër rezultateve dhe efekteve pozitive të aksionit, disa përfaqësues të lartë të Kosovës gjithnjë e kundërshtuan aksionin dhe rezistuan kundër dhe në këtë drejtim veçmas u dallua Fadil Hoxha. Anash rastit të Kosovës, është koha kur Titoja përgjohej nga shërbimet e ngritura prej Aleksandar Rankoviqit

“Pashë Kuranin mos i dorëzoni armët!”

“Organet e sigurisë e njihnin mirë thuajse çdo fshat të Kosovë, apo ‘njerëzit kryesorë’ në fshat, qoftë si aktivistë politikë, qoftë si armiq politikë! Kështu në stacionet e milicisë ftoheshin të gjithë meshkujt e moshës së rritur për të cilët dihej apo pandehej se kishin armë dhe prej tyre kërkohej që menjëherë t’i sillnin dhe t’i dorëzonin armët! Njëkohësisht nëpër fshatrat e Kosovës mbaheshin tubime politike ku potencohej dorëzimi i armëve. Mirëpo një numër i të ftuarve në stacionet e milicisë refuzonin t’i dorëzonin armët, prandaj u liruan përkohësisht me vërejtjen se ‘duhet të mendoheshin mirë’ dhe njëkohësisht me refuzimin e tyre që t’i dorëzonin armët, organet e sigurisë e fillonin mbledhjen e informacioneve për personat përkatës! Ndaj këtyre këmbëngulësve u përdorën kurthe si për shembull paraqitje e dëshmive të rrejshme në rastin konkret të ndonjë deklarate të sajuar dhe të hedhur në letër që i vihej përpara refuzuesit të dorëzimit të armës, duke e bindur atë se ajo ishte shkruar prej mikut të tij të ngushtë që me sy ia kishte parë armën atij. Mirëpo kishte edhe prej të tillëve që nuk i dorëzuan armët dhe ata rezistuan deri në fund, madje ata kërkonin edhe prej të tjerëve që të mos e bënin këtë. Njëri prej tyre ishte një hoxhë në rrethinat e Shtimjes. ‘Pashë Kuranin mos i dorëzoni armët!’ iu kishte drejtuar hoxha bashkëfshatarëve të tij. Agjitatorët e tillë janë rrahur, burgosur dhe janë dënuar për vepra penale. Kështu si pasojë e rrahjes në Pejë pati edhe një rast vdekjeje”,  ka shkruar Vojin Llukiq (1919 –  1997) në librin “Plenumi i Brioneve – qërimi i hesapeve me Aleksandar Rankoviqin” të botuar në vitin 1990. Në vitet 1953 – 1962 ai ushtroi funksionin e sekretarit shtetëror të Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Serbisë, ndërsa në vitet 1963 – 1965, ishte po ashtu sekretar por tashmë i qeverisë federale.

Me rastin e marrjes në pyetje nga Komisioni Ekzekutiv, ai ka dëshmuar edhe për rastin e cekur më lart të vdekjes së një shqiptari si pasojë e rrahjes.

Rezultatet e aksionit dhe rezistenca e përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës

Përkundër që organizatorët dhe ideatorët e “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë japin shifra mjaft të sakta të armëve të mbledhura, megjithatë rreth numrit të tyre duhet pasur qasje kritike në mungesë të materialeve të plota arkivore, sepse çfarëdo ndryshimesh në shifrat e ofruara të armëve të mbledhura, mund të jenë përdorur si justifikim apo si mohim të përdorimit të dhunës, vrasjeve nga ana e aparaturës rankoviqiane. Kështu për dallim prej Aleksandar Rankoviqit, Vojin Llukiq e minimizon numrin e armëve të mbledhura nga 26 000 në 12 000! Prandaj nuk duhet harruar edhe rrëfimet e dëshmitarëve të gjallë kosovarë për shitjen me disa herë të një arme në Kosovë dhe ky ndryshim kaq i madh vjen pikërisht nga fenomeni i lartpërmendur.

“U morën 12 000 pushkë, me qindra mitralozë dhe mitralozë të rëndë, disa minahedhës, disa mijëra revole”, ka shkruar Llukiq duke potencuar se “midis armëve të mbledhura kishte të vjetra e të përdorura, por kishte edhe armë të reja dhe ato zakonisht ishin pushkë sovjetike që ishin sjellë në Kosovë nga Shqipëria. Armët e reja bile iu lanë në dispozicion milicisë”, ka thënë më ironi ai, por, sipas kryesekretarit famëkeq “Aksioni i mbledhjes së armëve” në Kosovë pati efekt të rëndësishëm politik dhe pas 11 vjetësh, shteti i ri Jugosllavia socialiste për herë të parë pas çlirimit ia doli që ta impononte dhe ta verifikonte autoritetin e pakontestueshëm shtetëror në Kosovë, por përkundër rezultateve dhe efekteve pozitive të aksionit, disa përfaqësues të lartë të Kosovës gjithnjë e kundërshtuan aksionin dhe rezistuan kundër dhe në këtë drejtim veçmas u dallua Fadil Hoxha (1916 – 2001). Ai dhe disa të tjerë erdhën në forumet më të larta të republikës dhe federatës duke këmbëngulur dhe kërkuar që aksioni të ndalej menjëherë! Kështu në Plenumin e Gjashtë të KQ të LK të Serbisë “Aksioni i mbledhjes së armëve në Kosovë’ u paraqit si manifestim i nacionalizmit serb, si terror i Rankoviqit dhe UDB-së mbi popullin shqiptar, bile edhe si gjenocid” – është ankuar Llukiq, ndërsa pas qasjes në lëndën që është shtjelluar në këtë tekst, do të mund të themi se Kosova ishte vendi ndër të vetmit në Evropën e atëhershme që nuk u çlirua në vitin 1945, por në verën e vitit 1966.

Fadil Hoxha (1916 – 2001)

Kronologjia e ndërprerjes së përkohshme të terrorit dhe politikës hegjemoniste

Duke e lënë përkohësisht anash Kosovën, në vijim jemi përqendruar në ngjarjet rreth eliminimit nga skena politike e Aleksandar Rankoviqit. Në njërin prej materialeve arkivore përveç tjerash thuhet se “duke u mbështetur në fakte gjatë punës së Komisioni i Komitetit Ekzekutiv të KQ të LK të Serbisë ka konstatuar se monopolin mbi politikën kadrovike në Organet e Punëve të Brendshme dhe fjalën kryesore në vendosjen e funksionarëve në vendet udhëheqëse për njëzet vjet me radhë e kanë pasur Aleksandar Rankoviq dhe Svetisllav Stefanoviq – Qeqa”. Pra, duhet të nënkuptohet se duke nisur nga strukturat lokale e deri në ato shtetërore në Kosovë, por edhe në viset shqiptare të ish- Jugosllavisë, emërimi si për shembull i kryeshefave të stacioneve lokale të milicisë së atëhershme, është bërë vetëm me direktiva të personaliteteve të lartpërmendura dhe të dëshmuara si antishqiptarë. Por, në vorbullën e ngjarjeve janë disa momente që ndoshta në fakt kanë qenë edhe paralajmërime për zhvillimet në vijim dhe nëse analizohen disa detaje apo deklarata atëbotë të kreut jugosllav Tito, atëherë “hija e dyshimit mbi UDB-në” kishte nisur të bjerë qysh në pranverën e vitit 1964, por që në këtë kohë asnjë ngjarje në asnjë aspekt nuk ndërlidhet me Kosovën apo shqiptarët! Si dëshmi për këtë janë edhe disa deklarata të Titos që janë publikuar në shtypin ditor të kohës. “Gjatë gjithë periudhës së kaluar unë e kam përcjellë punën tuaj”, ishte deklarata e Titos në njërin prej manifestimeve të përvjetorit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB) në majin e vitit 1964. Veprimi i radhës që kreu shtetëror i Serbisë e pranoi me shumë rezerva ishte zëvendësimi i kuadrit serb, zbatuesit të politikës rankoviqiane – antishqiptare Vojin Llukiq nga pozita e sekretarit Federativ të Punëve të Brendshme dhe emërimi në vend të tij të përfaqësuesit nga Kroacia. Ky ndërrim ndodhi në fillim të vitit 1965. Ndërsa kulminacioni arriti nga mesi i vitit 1965 dhe fillimi i vitit 1966, kur Josip Broz Tito e bëri publik informacionin se në rezidencën e tij në “Uzhiçka 15” në Beograd, ishte konstatuar prezenca e mjeteve të përgjimit edhe pse kundër reagimet e para të Sigurimit Shtetëror në krye me Rankoviqin, ishin të menjëhershme dhe në to thuhej se “për sigurinë e rezidencës ishte përgjegjës Shërbimi i Kundërzbulimit të Ushtrisë  apo siç ish njihej KOS e jo UDB-a”. Por, megjithatë vërehet njëfarë strukjeje e qarqeve serbe përkundër reagimeve, sepse mungon ndërmarrja e ndonjë fushate anti-Tito, karakteristikë beogradase e përcjellë me poteren e zakonshme. Mirëpo, për çudi ankesa e ish-udhëheqësve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, madje edhe në Kosovë është se pse shkarkimi i funksionarëve të Punëve të Brendshme dhe të Shërbimit të Sigurisë më vonë u bë në mënyrë brutale!
“Shkarkimi dhe marrja e detyrës nga ana e të funksionarëve të rinj u bë në mënyrë të befasishme dhe në shpejtësi. U kërkua që të mëparshmit menjëherë t’i dorëzonin çelësat e kasave, kartotekat, lëndët dhe dosjet e personaliteteve që UDB-ja i kishte hapur duke i vlerësuar ata si njerëz të rrezikshëm. Kjo ngjau në javët e para të korrikut të vitit 1966” , ka kujtuar Vojin Llukiq.

Titoja – Rankoviqit: Do të punojmë ende bashkë!

“Në mbledhje unë fola menjëherë pas fjalës hyrëse të Titos. Në fjalimin e Titos u paraqit teza për ekzistencën e një lufte fraksioniste grupore që lufton për ta marrë pushtetin”, por Titoja e potencoi se nuk është fjala vetëm për individët dhe se ata individë të caktuar nuk mund të jenë përgjegjës”, i ka kujtuar diskutimet e para  me Titon vetë Rankoviqi, pra në fazën e para Plenumit të Brioneve. Por, kryepolici famëkeq prapë i është kthyer diskutimit të Titos pasi ka potencuar se kjo njëherësh ishte biseda e tij e fundit me kryetarin e ish-Jugosllavisë, kroatin Josip Broz Tito. “Para se të shkoja në Brione, pra në prag të Mbledhjes së Katërt të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, jam takuar me Titon dhe aty bile ka qenë edhe Ivan Goshnjak zëvendëskomandant i Forcave të Armatosura të Republikës Federative të Jugosllavisë. Kur unë e kam përdorur shprehjen fushatë (që nënkupton se është ndërmarrë fushatë kundër meje) Titoja reagoi ashpër duke ma tërhequr vërejtjen se diçka e tillë do të ishte e padrejtë dhe e palejueshme. Unë e ndjeva njëfarë mirëkuptimi nga ana e tij, në veçanti kur ai tha se do ta mbante fjalën hyrëse dhe më pastaj shtoi: ‘Ne ende do të punojmë bashkë!’ Ndërsa unë nuk e kisha ndërmend që të kërkoja prej Titos ndonjë deklarim apo premtim. Përpjekjet e mia më të mëdha ishin që ta bindja Titon se akuzat ishin të pabaza dhe pas kaq vitesh të angazhimit të përbashkët dëshiroja të ndahesha mirë me të!”

Megjithatë nëse Aleksandar Rankoviq e dëshironte një ndarje të tillë me Titon, ky i fundit duket se ishte i bindur që përgjithmonë ta hiqte qafe atë, pasi tashmë e kishte humbur besimin tek ai!
“Më duhet të them se në këto tridhjetë vjet të angazhimit të përbashkët në punën e partisë dhe në udhëheqësi, ndodhi që për herë të parë Titoja të më pranojë ftohtë, me rezerva dhe pa vullnet. Ai ishte krejtësisht i pa interesuar për çfarëdo bisede rreth gjërave thelbësore. Në një moment më pyeti se çfarë është duke ndodhur në Burgun e Goli Otokut dhe menjëherë shtoi se personalisht kishte informacione se aty bëhet kontrabandë me duhan, më pastaj se një vajzë e re ka bërë vetëvrasje në lidhje me këtë tregti të paligjshme. I sqarova se ka kohë që nuk i përcillja çështjet e atij resori, pos që e dija se shumë institucione të republikave të Jugosllavisë janë duke u marrë me kontrabandë të organizuar. Gjakftohtësia e Titos buronte nga fakti se rasti im për të tashmë kishte marrë fund. Kështu për herë të parë e pata të qartë se pse nuk jam ftuar dhe as që do të ftohesha që të përgjigjesha para ndonjë komisioni të caktuar enkas…”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 

admin admin

Recent Posts

Publikohet letra e rrallë, e nënshkruar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu

  Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…

3 hours ago

Zbulohet mbishkrimi i lashtë për emrin e Shkodrës

  Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…

3 hours ago

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

5 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

21 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

22 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

23 hours ago