Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Kuvendi i Pejës dhe i Ferizajt larg Shqipërisë autonome

Mbështetur në dokumentet arkivore dhe në analizën e rrethanave të atëhershme ndërkombëtare, mund të konstatojmë se tubimi i kryengritësve në Ferizaj më tepër shkonte në favorin e Sulltanit dhe të Perandorisë Osmane sesa në avancimin e pozicionit të shqiptarëve apo edhe dobësimin e ndikimit hegjemonist rus drejt Ballkanit dhe kursit të saj ekspansionist me të cilin ajo synonte shtrirjen e ndikimit në pjesën juglindore të kontinentit evropian. Kjo më së miri do të mund të shihej në fund të punimeve të Kuvendit të Ferizajt, kur Isa Boletini dhe pasuesit e tij u bënë pre e agjitatorëve serbë

Ashtu si në Kuvendin e Pejës (1899), edhe në Ferizaj (1908) nuk dominoi ideja e Shqipërisë autonome apo të pavarur, madje as bashkimi i katër vilajeteve me shumicë shqiptare në një tërësi administrative. Krejt çka donin ata, ishte ruajtja e pushtetit të sulltanit, e drejta për armë, çështja e taksave dhe pak gjëra më shumë se kaq. Ideja e autonomisë ende nuk kishte mbështetje të gjerë në Kosovë. Që këndej, nga ideja e autonomisë filloi të merrte hov bashkë me revolucionin e xhonturqve, ndonëse nuk ishin të paktë shqiptarët që e përkrahnin regjimin e sulltan Abdyl Hamitit, cili që nga përfundimi të Krizës së Lindjes (1876-1878), shqiptarët i konsideronte si shtyllën e pranisë osmane në Evropë. Ai dhe këshilltarët e tij përpiqeshin të ndërtonin besnikërinë ndaj pushtetit osman dhe islamit në mesin e “myslimanëve shqiptarë”.

Nathalie Clayer tashmë ka theksuar se si e njëjta politikë nuk u zbatua në të gjitha pjesët e asaj që shihej si Shqipëri për shkak të shumëllojshmërisë së situatave dhe faktit që gjërat funksiononin më shumë sipas realiteteve rajonale dhe solidaritetit.

Elita shqiptare dhe shpresat te xhonturqit

Në anën tjetër, elita më përparimtare shqiptare i kishte varur shpresat te xhonturqit, të cilët kishin premtuar reforma të thella dhe një përmirësim të ndjeshëm të të drejtave të tyre. Nga vitet 1906-1907 e tutje, kur si grupet xhonturke, ashtu edhe ato shqiptare vendosën të mobilizonin pjesë më të gjera të popullsisë në Ballkan, të dy rrjetet filluan të zhvilloheshin përmes komiteteve të fshehta dhe/ose grupeve guerile. Kur KBP vendosi të zgjerojë aktivitetin e saj në Maqedoni, një emisar i xhonturqve i ngarkuar me propagandën midis oficerëve dhe popullatës vendase në kufirin osmano-serb shpërndau thirrje për veprim të përbashkët kundër rrezikut të ndërhyrjes dhe ndarjes së huaj. Për të mobilizuar shqiptarët në këto rajone, drejtuesit e KBP-së thirrjen e Kongresit të Turqve të Rinj e bënë në disa gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Ndryshimi i kësaj strategjie nga Komiteti i Turqve të Rinj përfundimisht bëri që figura të rëndësishme të shqiptarizmit si Midhat Frashëri, i cili ishte gjithashtu kundër ndërhyrjes së huaj, iu bashkuan lëvizjen së xhonturqve. Në këtë mënyrë ata u nxitën të përmbysnin regjimin despotik, duke bërë thirrje për një Parlament dhe Kushtetutë, të cilat më pas do të bëhen edhe kërkesat qendrore të tubimit të madh të shqiptarëve në Ferizaj.

Isa Boletini dhe pasuesit e tij – pre e agjitatorëve serbë

Mbështetur në dokumentet arkivore dhe në analizën e rrethanave të atëhershme ndërkombëtare, mund të konstatojmë se tubimi i kryengritësve në Ferizaj më tepër shkonte në favorin e Sulltanit dhe të Perandorisë Osmane sesa në avancimin e pozicionit të shqiptarëve apo edhe dobësimin e ndikimit hegjemonist rus drejt Ballkanit dhe kursit të saj ekspansionist me të cilin ajo synonte shtrirjen e ndikimit në pjesën juglindore të kontinentit evropian. Kjo më së miri do të mund të shihej në fund të punimeve të Kuvendit të Ferizajt, kur Isa Boletini dhe pasuesit e tij u bënë pre e agjitatorëve serbë dhe marshuan kundër misionit të oficerëve austro-hungarezë në Shkup. Natyrisht, kjo zhvendosje e fokusit të kërkesave të shqiptarëve dhe kthimi i tyre kundër pranisë austro-hungareze në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, gjithsesi shkonte në favor të Serbisë, pasi në këtë mënyrë minohej mundësia e fuqizimit të ndikimit austro-hungarez në Kosovë dhe me këtë krijohej një terren më i përshtatshëm për ndërhyrjen e saj në zhvillimet politike në hapësirën shqiptare. Njëkohësisht, ky fakt dëshmon se serbët po shfrytëzonin fanatizmin fetar dhe prapambetje kulturore e të njerëzve në Kosovë për ta kontrolluar lëvizjen shqiptare dhe për ta kthyer atë në një lëvizje kundër Austro-Hungarisë, rivales kryesore të ekspansionit territorial serb drejt Kosovës dhe rajoneve të tjera në Ballkanin Jugor. Po kështu, ky pozicion dëshmon se liderët shqiptarë ndodheshin jashtëzakonisht në periferi të zhvillimeve ndërkombëtare dhe të përçarë mes vete, për shkak të interesave personale dhe rajonale, derisa në planin diplomatik ndërkombëtar Vjena zyrtare orvatet për avancimin e pozicionit të shqiptarëve me qëllim të stopimit të ekspansionit serb e rus drejt Adriatiku. Në këtë kontekst, rivaliteti midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë mori tiparet e një konflikti krejt të hapur, derisa diplomacia vjeneze mbështeste forcimin e elementit shqiptar, ajo ruse angazhohej për shtrimin e influencës së saj edhe përmes elementit sllav, para së gjithash atij serb.

Faktet dëshmojnë se Isa Boletini dhe pasuesit e tij u bënë pre e agjitatorëve serbë dhe marshuan kundër misionit të oficerëve austro-hungarezë në Shkup

Dy qëllimet e Serbisë: Dalja në Adriatik dhe aneksimi i Kosovës

Në fakt, Serbia ndiqte dy qëllime: daljen në Adriatik përmes pushtimit të Shqipërisë Veriore dhe aneksimin e Kosovës, si dhe të disa pjesëve të pellgut të Vardarit, prej nga mund të kontrollohej i gjithë Ballkani. Politika e monarkisë dualiste ndaj Ballkanit dhe veçanërisht ndaj çështjes shqiptare akoma përpara revolucionit xhonturk shprehte dhe përputhej me planet e saj për ta mbajtur sa më larg ndikim rus, përkatësisht serb në Ballkanin jugor. Kjo politikë u shpreh edhe në luftën doganore në mes të Serbisë dhe Austro-Hungarisë më 1906, e cila tregoi forcimin e rretheve nacionaliste antisllave. Me mbështetjen e Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, në skenën politike dolën në fund të vitit 1906 dy personalitete: Aerenthal, i cili zuri drejtimin e Ballhausplatzit, dhe Konrad von Hetcendorf që u bë shef i shtatmadhorisë.

Shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë austro-hungareze, gjenerali Konrad fon Hëcendorf, thoshte: “Rreziku që t’i shihte duke u rritur Serbinë dhe Malin e Zi në një entitet shtetëror, i cili – po ashtu duke pasur dalje në Adriatik – monarkisë austro-hungareze do t’ia bllokonte rrugën drejt Lindjes, do ta rrezikonte ekzistencën e saj nëpërmes aspiratave të njohura serbomëdha dhe gjithmonë ajo të përbënte një aleat për kundërshtarët e saj, më tej protektoratin mbi katolikët shqiptarë, për të cilin kishte punuar gjatë, dhe në fund shpresa për të gjetur te Shqipëria një aleate të ardhshme, e detyroi Austro-Hungarinë që të angazhohet për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar”

Në fund të janarit 1908, Aehrenthali shpalli kërkesën e Austrisë për të zgjatur vijën hekurudhore nga Uvaci në Mitrovicë. Ky hap i Vjenës në kabinetet e Fuqive të Mëdha u prit me dyshime, veçanërisht kjo u shpërfaq në shtypin francez, anglez, italian dhe rus, i cili planin e hekurudhës së Sanxhakut të Aehrenthalit e cilësoi si plan ekspansionist. Në fakt, Monarkia danubiane, që prej vitit 1896, ndiqte projektin e mëkëmbjes së një kombi shqiptar në rast të shembjes së Perandorisë Osmane, për t’ua pamundësuar serbëve daljen në Adriatikun Jugor. Kjo ishte arsyeja përse Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Ballkan gjente përkrahej më së shumti nga Austro-Hungaria, e cila ndodhej në rivalitet me rusët dhe francezët në luftën për trashëgiminë e Perandorisë Osmane, e cila, në fakt, po zhvillohej rreth çështjes shqiptare. Veçanërisht, marrëdhëniet austro-hungareze-ruse i acaronte në radhë të parë çështja e hekurudhës së Sanxhakut kundër së cilës Rusia ngriti menjëherë projektin e hekurudhës danubiane deri në Adriatik. Qëllimi i këtij projekti ishte: të hedhë në erë linjën hekurudhore të planifikuar nga Austro-Hungaria, respektivisht të bie mes përmes linjës Uvac-Selanik. Para së gjithash, duhej të siguronte linjën e dëshiruar të Serbisë për Adriatik dhe ta bënte të pavarur nga varësia e deriatëhershme.

Rezistenca e Rusisë kundër politikës austro-hungareze në Ballkan

Rezistenca e Rusisë kundër politikës austro-hungareze në Ballkan shpjegohet me orientimin e Petersburgut drejt Antantës, nga politika ekspansioniste e saj në Ballkan, e cila u forcua me marrëveshjen e Revalit midis Eduardit VII dhe Nikollës II më 9 qershor 1908, marrëveshje që Wilhelmi II e cilësoi si “grupim antigjerman si përpara luftës shtatëvjeçare. Me këtë lëvizje politike iu dha fund edhe paktit të Mürzstegut dhe idesë së pajtimit të interesave austro-hungareze dhe ruse në Ballkan. Gjithashtu, Italia u rreshtua në anën e Rusisë në varrosjen e paktit të Mürzstegut (Programi Mürzsteger 1904), për shkakun se monarkia habsurgiane e kishte përjashtuar me atë pakt dhe tani ajo tentonte të përfitonte koncesione.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Një version më i shkurtër i këtij studimi ishte botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” edhe në gusht-shtator të vitit 2018

admin admin

Recent Posts

10 njerëzit më të pasur në historinë botërore!

  Sipas listës së miliarderëve botërorë të Forbes 2024, Bernard Arnault është personi më i…

11 hours ago

4 sekte Amerikane që vra.në shumë njerëz

  Botët utopike të sekteve u bënin njerëzve premtime të ndryshme në emër të lirisë.…

11 hours ago

Si filloi festimi i parë i ditëlindjes në histori?

  Ditëlindjet festohen me shumë emocione në shumë kultura. Tortë, qirinj, veshje të bukura, familje,…

12 hours ago

Ja për çka shërben pambuku në shishet e barnave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka propozuar që pambuku të eliminohet, sepse përmban lagështi brenda shishes.…

12 hours ago

Lansohet platforma “KulTur 02”, platforma që gërsheton kulturën dhe turizmin në rajonin e Mitrovicës(Foto)

  Organizata për Hulumtime dhe Vetëdijësim Shoqëror Trungu, përmes një njoftimi në faqet e saj…

12 hours ago

Çfarë nuk shkon me shëndetin tuaj nëse keni dhimbje pas koke?

Dhimbja në pjesën e prapme të kokës shpërthen si pasojë e tensionit, stresit ose lodhjes.…

13 hours ago