Nga Robert Badendieck, Associated Press
Nën një diell përvëlues, turistët enden nëpër shesh-xhirimet që kanë rikrijuar kështjellat e epokës osmane dhe bizantine. Ata bëjnë selfi me aktorët e veshur me kostume tradicionale osmane dhe kundrojnë galopimet e tyre me kuaj. Në mesin e tyre është Riia Toivanen, 22 vjeçe, një fanse e zjarrtë e serialeve turke, e cila udhëtoi enkas në Stamboll nga Finlanda së bashku me nënën e saj për të thelluar njohuritë mbi shfaqjet televizive më të dashura për të.
Rreth 12.800 kilometra larg, në anën tjetër të globit në Villa Carlos Paz në Argjentinë, mësuesja 66-vjeçare në pension Raquel Greco po sheh episodin e radhës së një komedie romantike turke, e rrethuar nga kujtimet e bukura nga udhëtimi i saj pak kohë më parë në Stamboll, ku ajo vizitoi monumentet që i njihte paraprakisht nga vitet e shikimit të serialeve turke në TV.
“Më dukej sikur isha në ëndërr. Nuk po mundesha ta besoja se po përjetoja në realitet atë që shihja çdo ditë në seriale”- thotë ajo për vizitën e kryer në prill të këtij viti.
Popullariteti global i serialeve televizive turke – ose dizi në turqisht – e ka vendosur Turqinë në pozitën e eksportueses kryesore të shfaqjeve televizive, duke e forcuar shumë imazhin ndërkombëtar të vendit dhe duke tërhequr miliona shikues dhe turistë në mbarë botën në vendet e saj historike dhe kulturore, të cilat janë sfondi i shumë prej këtyre serialeve.
Suksesi i tyre i madh ka nxitur zhvillimin e një industri në rritje miliarda dollarëshe, e cila vazhdon të zgjerohet në tregje të reja, thonë ekspertët. Popullariteti i këtyre serialeve po rrit njëkohësisht shumë edhe fuqinë e butë të Turqisë në shkallë globale.
Gjatë viteve 2020-2023, kërkesa globale për serialet turke u rrit me 184 për qind, duke e pozicionuar Turqinë si një nga eksportueset më të mëdha të shfaqjeve televizive në mbarë botën, thekson Parrot Analytics, një kompani kërkimore në këtë fushë. “Ne arrijmë të kemi mbi 400 milionë shikues çdo natë në mbarë botën”– thotë Izzet Pinto, kreu i Global Agency, që eksporton serialet turke në tregjet botërore.
“Fuqia e butë që krijojmë me këto seriale, as që mund të krahasohet me atë që mund të prodhojë politika”- shton ai. Edhe pse “Zemër e çmendur” ishte seriali i parë turk që u eksportua – fillimisht në Kazakistan në vitin 2001 – ishte seriali romantik i vitit 2005 “Gymysh”, ai që nisi t’i jepte një famë globale serialeve turke.
Seriali që përshkruan jetën e një gruaje e ardhur nga një zonë rurale, dhe që i përshtatet jetës urbane, u bë tepër popullor në Lindjen e Mesme. “Një mijë e një net”, një dramë romantike e vitit 2006 e bazuar në koleksionin e përrallave popullore të Lindjes së Mesme dhe e vendosur në Stambollin e sotëm, e magjepsi audiencën në Ballkan.
“Sulejmani i Madhërishëm”, i bazuar në jetën e sulltanit të famshëm të shekullit XVI-të, udhëhoqi rrugën drejt prodhimit të serialeve të tjera me tema historike.
Dikur një importuese e telenovelave të Amerikës Latine, tani Turqia po eksporton serialet e saj në këtë rajon.
Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro vizitoi në vitin 2018 shesh-xhirimet e serialit dramatik historik “Ertugrul”, duke treguar popullaritetin e madh të këtij seriali në vendin e tij.
Haley Uganadi, themeluesja e platformës së fansave të serialeve televizive turke “Dizilah”, thotë se popullariteti i këtyre serialeve vjen nga temat që fokusohen tek familja, miqësia dhe dashuria, zakonisht të vendosura në sfondin e stileve të jetesës luksoze në Stamboll apo në historinë shumë të pasur të Turqisë.
“Ato ofrojnë diçka për të gjithë, pavarësisht se nga jeni. Duke parë serialet turke, unë shoh reflektime të nënës sime, vetes dhe vëllezërve të mi”- thotë Uganadi.
Platforma e saj grumbullon rreth 1.5 milionë shikues çdo muaj, me fansa nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Greqia, India dhe Pakistani.
Ndërkohë Pinto thotë se pika më e fortë e tyre është orientimi drejt vlerave të familjes. “Nuk ka lakuriqësi, sharje apo fjalë të këqija. Nuk ka shumë urrejtje. Prandaj këto seriale mund të shihen nga e gjithë familja”- shpjegon ai.
Ndërsa industria po rritet me shpejtësi, po zgjerohen edhe temat e serialeve, si për shembull “Trëndafilat e Kuq”, që eksploron dinamikat midis një familjeje laike të orientuar drejt Perëndimit dhe një pjesës tjetër të fisit besimtarë praktikantë të islamit.
Gjatë një pushimi të shkurtër në shesh-xhirim, aktori Ozcan Deniz, i cili më parë ka luajtur në seriale të suksesshme si “Konaku me hardhishtë” dhe “Nusja e Stambollit”, thotë se ky diversifikim ishte thelbësor për lulëzimin e kësaj industrie.
“Vendet që nuk kanë qenë në gjendje të transformohen në një zhanër tjetër, kanë mbetur prapa në eksportin e serialeve. Turqia e ka kapur këtë moment. Por nëse nuk do të jetë e aftë të diversifikojë ofertën, nëse nuk mundet të tregojë gjëra të ndryshme, edhe bumi i saj në këtë fushë rrezikon të përfundojë“- thotë Deniz.
Toivanen dhe nëna e saj vizituan “Bozdag Film Studios”, një kompleks i madh në veri të Stambollit, ku janë xhiruar filmat me temë historikë që i referohen epokës osmane si “Ertugrul” dhe “Themelimi Osman”. Toivanen thotë se në Stamboll e solli pasioni i saj i madh për dramat romantike “Dashuri e zezë” dhe “Dashuri e pafundme”.
“Më pëlqen shumë kultura turke. Serialet turke janë shumë të këndshëm, dhe në to ka shumë dramë”-thekson ajo.
Episodi i parë i “Ertugrul”, pati mbi 157 milionë shikime në kanalin e YouTube të televizionit shtetëror turk TRT, thotë producenti dhe skenaristi Mehmet Bozdag, i cili ka krijuar edhe seriale historikë të tjerë, po aq popullorë, që përshkruajnë jetën e udhëheqësve dhe heronjve osmanë.
“Themelimi Osman” u transmetua në mbi 110 vende, thotë ai. Sipas Parrot Analytics, gjatë shfaqjes së tij “Ertugrul” arriti në majin e vitit 2020 kulmin si seriali i katërt më i kërkuar në mbarë botën, me një kërkesë 68 herë më të madhe se sa mesatarja botërore.
Dr.Deniz Gurgen Atalay, asistent profesor i filmit dhe televizionit në Universitetin Bahçesehir në Stamboll, thotë se kjo industri gjeneroi një miliardë dollarë fitime vitin e kaluar, vetëm nga shitja e të drejtës së transmetimit jashtë vendit, dhe ajo ka një ndikim të rëndësishëm në turizëm, veçanërisht në Stamboll.
“Sektori i serialeve televizive ka një peshë të madhe në këtë aspekt. Imazhi i Stambollit i prezantuar nga serialet, ushqimet dhe pijet që konsumohen në to, muzika, standardi i jetesës dhe kultura këtu, ofrojnë një vend shumë të këndshëm vlerësimi në kuadër të serialit”- thotë Atalay.
Mert Yazicioglu, një tjetër yll i serialit “Trëndafila të kuq”, sezoni i dytë që mezi pritet, do të shfaqet në fund të shtatorit, ishte veshur me veshjen e personazhit të tij, anëtar i një sekti islam, kur mori leje për të ndërprerë pak xhirimet për të biseduar me ne. Seriali e ka bërë shumë të famshëm 31-vjeçarin, teksa sot mediat turke e ndjekin çdo hap. “Ne e kemi prezantuar dhe reklamuar kulturën turke jashtë vendit. Dhe kjo na bën shumë të lumtur”-thotë ai i veshur me pantallonat e gjera dhe jelekun ngjyrë bezhë të personazhit që luan në këtë serial.
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…