nga Dr. Hasan BELLO, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë – Tiranë
Në fjalën e hapjes së Parlamentit të parë osman, Sulltan Abdylhamidi II (1876-1909) premtoi se, në kuadër të reformave që do të realizonte, do të hapte një shkollë për përgatitjen e kuadrove të lartë dhe se brenda një viti do të sillte në Parlament një rregullore të re mbi arsimin.[1] Ndërsa në Kushtetutën e parë osmane, e cila hyri në fuqi në vitin 1876, lidhur me arsimin kishte dy nene (15 dhe 16).[2] Kjo tregonte seriozitetin dhe vëmendjen që burrat e shtetit osman, tani e tutje, do t’i kushtonin problemeve të arsimit. Në elitën drejtuese të Perandorisë Osmane përhapja e institucioneve arsimore shihej edhe si një mjet, i cili do të përmirësonte gjendjen ekonomike të shtetit osman. Por, mbi të gjitha, ata e kishin kuptuar se zbatimi i reformave dhe modernizimi i Perandorisë kërkonte kuadro të specializuar. Kjo u vu re edhe në diskutimet që u zhvilluan në Parlament lidhur me legjislacionin e vilajeteve dhe bashkive. Zbatimi i këtyre ligjeve, sipas shumicës së deputetëve, ishte i kushtëzuar nga nëpunësit e shkolluar dhe nga populli që dinte shkrim e këndim. Këto diskutime nxorrën në pah gjendjen e mjeruar që ekzistonte në mbarë Perandorinë. Kështu, deputeti i Ajdënit, Ahmet Efendiu, ngriti shqetësimin se në zonën që ai përfaqësonte, me përjashtim të imamëve, nuk kishte njerëz që dinin të lexonin.
Një fjalim po aq të zjarrtë lidhur me këtë problem, më 14 janar 1878, mbajti me cilësinë e deputetit të Janinës edhe Abdyl bej Frashëri. Ai e filloi diskutimin e tij duke shtruar pyetjen: “Cili është vallë shkaku i prapambetjes dhe i moszhvillimit të Perandorisë Osmane, i mbarë viseve që ajo zotëron në Europë, në Azi dhe në Afrikë? Sipas disa hamendësive tre janë shkaqet kryesore: shkaku i parë është injoranca, shkaku i dytë despotizmi dhe shkaku i tretë është paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren ose me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit”.[3]
Abdyl bej Frashëri mbajti një qëndrim kritik ndaj mos zbatimit me konsekuencë të reformave të Tanzimatit lidhur me përmirësimin e arsimit. Sipas tij, bazat e një shteti dhe e një populli ishin arsimi, ligjet e drejta dhe zbatuesit e tyre. Por, këto tre elemente në Perandorinë Osmane kishin mangësi. Që shteti osman të qytetërohej, ishte detyrë parësore që një orë e më parë të përqendrohej në zgjidhjen e tre shkaqeve të mësipërme.Çdo begati dhe lulëzim që kishte lidhje me qytetërimin, sipas Abdyl beut, ishte arritur me anë të arsimit. Pa arsim asnjë popull nuk kishte përparuar, por kishte rënë poshtë nga dita në ditë derisa ishte ballafaquar me gjithfarë fatkeqsish. “Që na mungon arsimi, – vijonte më tej ai, – dhe në fakt na mungon shumë, besoj se të gjith jemi në gjendje ta vërtetojmë. Në këtë fushë, jo vetëm nuk është bërë sa duhet, por nuk është bërë asnjë grimë përpjekje…Përveç disa medreseve të zakonshme, çfar shkollash të tjera kemi në popull? Disa kohë më parë u hap një universitet, por ende pa filluar mirë edhe ai u mbyll. Pastaj u hap Liceu i Gallatasarajt, por edhe kësaj shkolle ende nuk ia kemi parë frutat. Po në provincë si është gjendja? Përveç disa qyteteve që kanë shkolla plotore, ku mësimet zhvillohen pa plan dhe pa program, në qytetet e tjera dhe sidomos në fshatra nuk ka jo vetëm plotore, por as fillore, madje as foshnjore. Edhe pse nuk e njoh Anadollin mendoj se atje nuk ka ndonjë dallim nga Rumelia ose, për shembull, nga Shqipëria, ku nuk ka shkolla në asnjë fshat…Nëse banorit fatkeq të këtyre viseve do t’i kërkohet një dokument me shkrim, ai nuk është në gjendje, për shkak të mos arsimimit, të paraqesë asgjë tjetër përveç letërnjoftimit. Të kemi mëshirë…Si do të qytetërohemi me këtë padituri? Si do të përparojmë? Kur do të zgjohemi nga ky gjumë i rëndë shekullor? Pastaj, përveç dy shkollave për femra që janë hapur tani vonë në Stamboll, në provinca nuk ka asnjë shkollë për to. Çfar të bëjmë? Mos duhet t’i përzemë femrat nga rendi shoqëror? Ne duhet të interesohemi edhe për edukimin e tyre. Nuk duhet të harrojmë se edukata e burrave është në varësi të edukatës së vajzave. Në qoftëse nëna është e paditur, ju e kuptoni se në ç’shkallë të ulët do të mbetet fëmija pa edukatë, pa moral, pa karakter.”[4] Për të dalë nga kjo situatë emergjente dhe për të përmirësuar dhe zgjeruar sistemin arsimor Abdyl beu propozoi që të merreshin këto masa:
Ai e mbylli fjalën duke kërkuar që këto masa emergjente për arsimin të mos liheshin për vitin tjetër, por një orë e më parë të silleshin në parlament për t’u miratuar. Gjatë kohës që Abdyl beu mbante diskutimin, disa deputetë që nuk e kuptonin siç duhej këtë problem, në shenjë refuzimi, kishin braktisur sallën, ndërsa shumica e të pranishmëve e duartrokiti fort në shenjë miratimi. Sadi efendiu, deputeti i Halepit (Siri), vuri në dukje se fjalimi i Abdyl beut duhej rregulluar dhe plotësuar në disa vende, sidomos në lidhje me viset e Anadollit, për të cilat sipas tij, Abdyl beu nuk kishte thënë asnjë fjalë. “Ndoshta nuk më dëgjuat me kujdes, – ndërhyri Abdyli, – nuk fola për Anadollin mbasi nuk e njoh aq mirë, kurse Rumelinë, e sidomos Shqipërinë, e njoh fare mirë. Ajo është më poshtë se errësira”. Ndërsa kryetari i Parlamentit, Ahmet Vefik Pasha, për të zbutuar situatën, meqenëse në sallë ishin të pranishëm edhe përgjegjësit e vërtetë të kësaj gjendjeje, theksoi se shpirti i një kombi ishte arsimi dhe komentoi se qëllimi i Abdyl beut ishte nxjerrja në pah e mangësive të sistemit arsimor dhe jo mohimi tërësor i tij. Ai i kërkoi Abdyl beut që diskutimin, i cili, sipas tij, kishte pamjen e një parashtrese, t’ia dorëzonte komisionit të posaçëm të çështjeve arsimore. “Ddakord, – iu përgjigj Abdyl beu dhe pastaj shtoi: – Do të jetë mirë sikur atë ta shqyrtojnë njerëz të aftë. Besoj se midis anëtarëve të komisionit ka njerëz të tillë. Pakujdesia nganjëherë është më e keqe se padituria, prandaj ne nuk përparojmë. Se nga anon më tepër burimi i së keqes sonë, nga paaftësia apo nga padituria, kjo nuk dihet. Megjithatë, nga çdo anë që të peshojë, për ne njësoj është”.[5] Kësaj çështjeje Abdyl beu iu rikthye edhe një herë në diskutimin që mbajti mbas dhjetë ditësh. Kështu, më 24 janar 1878, kur iu desh të mbronte parashtresën që kishte mbajtur një ditë më parë, deputeti shqiptar Mehmed Ali Vrioni, lidhur me organizimin e vilajeteve, zërave kundërshtues iu drejtua me këto fjalë: “Do t’u jap një përgjigje diskutantëve që kundërshtuan Mehmed Aliun. Ata nuk pranojnë se ne jemi të paditur. Ne, pohojnë ata, jemi me qytetërim të përkryer, ne jemi një popull që kemi dalë nga kombi arab. Natyrisht, – vazhdoi ai, – ne jemi të qytetëruar dhe ashtu siç e morëm ne qytetërimin nga grekët e lashtë, ashtu edhe europianët e morën qytetërimin nga ne, me ndryshimin se ata e morën në një mënyrë të tillë sa nuk na lanë neve asgjë. Ne kemi mësuar histori dhe e dimë se si ishte gjendja e kaluar e perandorisë dhe në ç’shkallë është sot. Dje foli Haxhi Ahmed efendiu për mungesën e shkollave tek ne dhe për gjendjen e keqe të medreseve. Këto fjalë nuk i pranuan ato katër a pesë deputetë që po kundërshtojnë edhe sot Mehmed Aliun. Por fjalët që ai tha dje mbi arsimin dhe ato që thashë edhe unë disa ditë më parë, po i përsëris: te ne nuk ka asnjë shkollë që të jetë me të vërtetë shkollë”. Kjo deklaratë ngjalli reagime të forta në Parlament dhe bëri që disa deputetë të brohorisnin në formë kundërshtimi se shkolla kishte kudo. “Unë, – deklaroi Abdyl beu, – përkundrazi, po dëshmoj se nuk ka. Edhe në Shqipëri edhe në Arabi nuk ka shkolla. Dikur, 600 vjet, madje edhe 1000 më parë, në Damask dhe në Bagdad, kishte shkolla ku mësoheshin shkencat, kurse tani nuk ka mbetur asgjë, sepse po të kishte shkolla për të qenë, nxënësit që dalin nga medresetë tona, do të ishin në një nivel tjetër. Të themi të drejtën, te ne nuk bëhet asnjë punë për të qenë. Çdo gjë që bëjmë ne, e bëjmë për provë. Prandaj, nuk shohim asnjë rezultat prej tyre. Ne duhet të heqim dorë nga kjo praktikë. Ne vetë nuk jemi në gjendje të realizojmë gjësendi. Në qoftë se duhen bërë reforma, duhet që ato sende që europianët i morën nga Azia dhe i përkryen, ne tani t’i marrim prej tyre dhe t’i zbatojmë në vendin tonë”.[6] Ky fjalim brilant dhe realist i Abdyl beut në heshtje gjeti miratimin e shumicës së deputetëve.
Por përpjekjet e këtij personaliteti për përmirësimin e sistemit arsimor në vilajetet shqiptare vijuan të ishin në qendër të veprimtarisë së tij politike. Kështu, më 13 tetor 1880, në memorandumin që i drejtoi Sulltan Abdyhamidit II mbi çështjen shqiptare, trajtoheshin tre problematika kryesore:
***
Një personalitet tjetër me origjinë shqiptare, që ka lënë gjurmë në historinë politike dhe në mendimin pedagogjik osman është edhe Dr. Ibrahim Temo.
Në një memorandum që Dr.I.Temo dhe atdhetarët e kolonisë shqiptare të Bukureshtit i dërguan qeverisë osmane në korrik të 1896, protestohej ashpër kundër propagandës së Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, të cilat, duke shtuar vazhdimisht shkollat dhe kishat e tyre në viset shqiptare synonin të asimilonin popullsinë vendase. Kisha dhe shkolla, që në Shqipërinë e Poshtme (në Toskëri) funksiononin në greqisht, kurse në Maqedoninë e Sipërme dhe në Gegëri në sllavisht, – shkruhej në memorandum, – u shërbenin interesave të huaja politike, Greqisë dhe shteteve sllave, që synonin të errësonin shpirtin e shqiptarëve dhe t’i bënin ata për vete, t’i asimilonin e t’i shkombtarizonin. Për të penguar këtë politikë antikombëtare, shqiptarët e Bukureshtit i kishin parashtruar Patriarkanës protesta të njëpasnjëshme, ku i kërkonin që kisha të mos përdorej si mjet për helenizimin e shqiptarëve ortodoksë, që nuk kishin asnjë lidhje me grekët as nga gjaku as nga kombësia. Për t’i dhënë fund dhunës dhe arbitraritetit politik në Shqipëri dhe veprimtarisë antishqiptare të shteteve ballkanike, e cila sipas patriotëve shqiptarë lejohej edhe nga vetë sulltani, ata kërkonin që:
Një nga bashkëhartuesit e Memorandumit të mësipërm, Dr. I. Temo, në thirrjen “Bashkatdhetarë shqiptarë” të hartuar në vitin 1897, pasi përshkruante gjendjen e mjeruar të popullsisë shqiptare në Perandorinë Osmane, si shkaktar kryesor për situatën e krijuar ai akuzonte regjimin e Abdylhamidit II, valinjtë dhe funksionarët osmanë. Sipas tij, projektet për reforma që ata i kishin dërguar qeverisë osmane, kishin shkuar kot dhe nuk kishin marrë asnjë përgjigje. Padishahut, – shkruante ai, – as që i shkonte ndërmend të plotësonte dëshirat e shqiptarëve për zhvillimin e arsimit dhe të ekonomisë së vendit. Ndërkohë që vazhdonte t’u bënte lëshime serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve, të cilët, duke patur mbështetjen e Rusisë po ndërhynin hapur në Vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, duke punuar për të helmuar ndërgjegjen e shqiptarëve dhe për t’i përçarë ata. Ky ishte edhe “shpërblimi” për shërbimet që shqiptarët i kishin bërë Perandorisë Osmane, duke derdhur gjakun në shkretëtirat e Arabisë dhe Afrikës.[14]
Dr. I. Temo ishte nga të parët intelektualë shqiptarë që ngriti zërin dhe vuri në dukje rrezikun që i kanosej vendit nga shkollat e huaja. Në një artikull që botoi në revistën “Albania” të Faik Konicës me titull “La Bulgarisation de l`Abanien” (“Bullgarizimi i Shqipërisë”), ai fliste hapur mbi zgjerimin e ndërhyrjes së Bullgarisë dhe të shteteve të tjera ballkanike. Sipas tij, këto shtete, në saj të lëshimeve që u kishte bërë Porta e Lartë kishin krijuar kishat dhe shkollat e tyre në një pjesë të madhe të Shqipërisë. Më tej, ai e vinte theksin në rrezikun e madh që përbënin këto shkolla në drejtim të shkombëtarizimit dhe të sllavizimit të territoreve dhe popullsisë shqiptare. Përpjekjet e këtyre shteteve për të rikrijuar “Bullgarinë e madhe” apo perandoritë e tjera mesjetare greke e serbe, ai i quante qesharake dhe pjellë të një fantazie të shfrenuar. Megjithatë, Dr. I. Temo nuk harronte të paralajmëronte qarqet shoviniste ballkanike se veprimtaria e tyre propagandistike në fushën e arsimit do të çonte, pa e kuptuar edhe ata vetë, në shpërthimin e ndjenjave nacionale shqiptare, në një aksion të dhunshëm dhe në një revansh të tmerrshëm kundër tyre.[15]
Përpjekjet e bëra nga Sulltan Abdylhamidi II për ta rikthyer në Stamboll, ai i shfrytëzoi për t’i parashtruar kërkesa në favor të çështjes shqiptare. Në shtator të vitit 1899, Dr. I. Temo i dorëzoi funksionarit të lartë osman gjeneral Ahmet Xhelaledin Pashës një Promemorie prej 8 faqesh. Kjo Promemorie përmbante kërkesa me karakter arsimor dhe kulturor, të cilat do ta ndihmonin popullin shqiptar për të afirmuar identitetin e tij kombëtar dhe për të parandaluar politikën asimiluese të shteteve fqinje.[16] Sipas Dr. I. Temos, shqiptarët myslimanë, që përbënin edhe shumicën e popullsisë, ishin të bashkuar me këto kërkesa me vëllezërit e tyre të krishterë dhe po mbronin kombësinë, moralin dhe nderin e tyre kundrejt rrezikut të sllavizimit, greqizimit dhe latinizimit. Ai kritikonte funksionarët osmanë, nga qeveritarët më të lartë e deri te drejtorët e arsimit në vilajete, për shkak se ata i shikonin me indiferentizëm propagandat e huaja dhe nuk shqetësoheshin aspak ndaj rrezikut të shkombëtarizimit që u kanosej shqiptarëve. Mungesa e shkollave shqipe nga njëra anë dhe përhapja e shkollave e kishave sllave e greke në Vijaletin e Kosovës, Manastirit dhe Janinës nga ana tjetër, kishin krijuar sipas Dr. I. Temos një gjendje të rëndë për popullsinë shqiptare. Për ta ilustruar këtë situatë, ai sillte si shembull pozitën e një njeriu, të cilit i kishin vendosur shkelmin në bark dhe po i zinin frymën. Dr. I. Temo i bënte thirrje Sulltan Abdylhamidit II dhe qeverisë së Stambollit se dobësimi i lidhjeve midis shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane kishte ndodhur pikërisht për shkak të kësaj politike. Prandaj, në qoftë se qeveria osmane do të hapte në çdo anë të Shqipërisë shkolla shqipe, jo vetëm që do t’u pritej rruga propagandave të huaja, por do të forcoheshin njëherazi edhe lidhjet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane. Ai kundërshtonte me forcë të gjithë ata fuksionarë konservatorë osmanë, të cilët, duke njohur rolin e shkollave në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, kishin frikë se hapja e tyre do të çonte në shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Shqiptarët, sipas Dr. I. Temos, e kishin pasur gjithmonë të zhvilluar ndërgjegjen kombëtare. Për ta vërtetuar këtë, ai i sugjeronte funksionarëve osmanë që të pyesnin ndonjë shqiptar për kombësinë e tij. Me bindje të plotë, ai shkruante se nga nënpunësi më i lartë e deri te shqiptari më i thjeshtë, qoftë ky mysliman ose i krishterë, do t’u thonte se, “Lavdi Zotit, jam shqiptar”, duke u lavdëruar me kombësinë e tij. Dr. I. Temo i bënte thirrje sulltanit se për të forcuar lidhjen e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, Stambolli duhet të zbatonte një politikë tolerante dhe më të drejtë ndaj shqiptarëve, sidomos në drejtim të hapjes së shkollave dhe lëvrimit të gjuhës shqipe. Kjo do të ndihmonte në forcimin e unitetit jo vetëm mes shqiptarëve myslimanë dhe Perandorisë Osmane, por edhe me shqiptarët ortodoksë. Si shembull ai sillte qëndrimin e tyre në Luftën Greko-Turke (1897), të cilët nuk kishin rënë në kurthin e propagandës dhe shoqërive greke që veproninin në Shqipërinë e Jugut, por përkundrazi bashkërisht me forcat osmane u ishin kundërvënë ushtrisë pushtuese greke kur ajo kishte sulmuar Vilajetin e Janinës.
Në Promemorien e Dr. I. Temos paraqitet edhe një projekt-reformash që Perandoria Osmane duhet të zbatonte në vilajetet shqiptare. Me interes për studimin tonë është sidomos pika tre, ku ai shkruan se të huajt, duke shfrytëzuar dokrinën fetare, i kishin kthyer shkollat dhe kishat në vegla të tyre. Ata emëronin në to mësues dhe priftërinj grekë në Toskëri dhe bullgarë e serbë në Gegëri. Për t’u dhënë fund ndërhyrjeve të tilla, ai sugjeronte se duheshin plotësuar dy kërkesa të popullit shqiptar: së pari, të krishterëve shqiptarë t’u lejohej që në liturgjinë kishtare të fusnin gjuhën shqipe dhe që Patrikana greke të mos i persekutonte priftërinjtë shqiptarë; së dyti, qeveria osmane të hapte në viset shqiptare shkolla shqipe, ku nxënësit shqiptarë të mësonin edhe gjuhën turke. Dr. I. Temo në këtë promemorie deklaronte haptazi se me bashkimin e shkollave shqiptaro-osmane të katër vilajeteve shqiptare do t’u jepej fund propagandave greko-sllave, si dhe pretendimeve të tyre territoriale në Shqipëri e Maqedoni. Për ta paralizuar krejtësisht ndikimin e shteteve ballkanike, ai ishte i mendimit se qeveria osmane duhet të hapte shkolla edhe për kombësitë e tjera joshqiptare. Kjo strategji do të kishte efekt pozitiv dhe do të bënte që kombësitë në fjalë t’i ndërprisnin lidhjet e tyre me Athinën, Beogradin, Sofjen, Bukureshtin dhe Moskën.[17]
Në tetor 1902 – prill 1903 Dr. I. Temo, pasi dha dorëheqjen si mjek nga një spital i Rumanisë, shkoi në Paris për të vijuar specializimin në fushën e okulistikës. Atje ai vendosi kontakte me miq dhe bashkëpunëtorë, personalitete të njohura të lëvizjes xhonturke. Gjatë kësaj kohe, me kërkesë të Dr. I. Temos, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Ahmet Rizait[18] ku morën pjesë drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje. Në kujtimet e tij, ai shkruan se në mbledhje kishte parashtruar nevojën e hartimit të një programi, mbi bazën e të cilit duhet të punonin të gjitha degët e partisë “Bashkim dhe Përparim”. Ky program do të shërbente si një platformë për qeverisjen e vendit, kur kjo parti të vinte në fuqi. Dr. I. Temo i tërhoqi vëmendjen drejtuesve të lëvizjes se ata nuk duhet të kufizoheshin vetëm me kritika drejtuar regjimit të Sulltan Abdylhamidit II, sepse po të vazhdohej kështu, kur të merrnin frenat e shtetit në dorë, nuk do të ishin në gjendje për ta drejtuar atë. Duke marrë në konsideratë këto propozime, pjesëmarrësit ranë dakord për të përpiluar një program të hollësishëm për të gjitha degët. Dr. I. Temo mori përsipër që të hartonte pjesën mbi politikën arsimore dhe reformat që partia “Bashkim dhe Përparim” do të ndërmerrte kur të vinte në pushtet. Ai e vlerësonte arsimimin e popullit si treguesin themelor të qytetërimit të një kombi. Vendi që zinte një shtet në botën e qytetëruar, sipas tij, përcaktohej nga pesha numerike e numrit të banorëve që dinin të shkruanin e lexonin në raport me popullsinë e përgjithshme. Prandaj, reformimin e sistemit arsimor në Perandorinë Osmane ai e quante si diçka të domosdoshme. Programi arsimor që Dr. I. Temo paraqiti në mbledhjen e radhës përbëhej nga këto pika:
Për shkak të kërkesës së fundit, e cila duhet theksuar se ishte një kërkesë e guximshme për kohën, ai filloi të thirrej nga bashkëpunëtorët xhonturq me nofkën “Latinisti”.[20]
Në të vërtetë programi i hartuar nga Dr. I. Temo në pjesën më të madhe të tij ishte aplikuar nga vetë administrata e Sulltan Abdylhamidit II,[21] çka tregon se ai për shkak të viteve që kishte kaluar në emigracion, ishte shkëputur disi nga realiteti. Gjatë polemikës që zhvilloi me Ahmet Rizain, kur paraqiti programin për organizimin e sistemit arsimor në Perandorinë Osmane, ai e vuri theksin te nevoja e mbrojtjes së fëmijëve të krishterë, që ishin po aq atdhetarë sa ata myslimanë, nga rreziku i shkombëtarizimit. Ndalimin e shkollave të huaja dhe futjen e mësimit të gjuhës amtare për fëmijët e kombësive joturke, ai e konsideronte si një masë që do t’i priste rrugën procesit të asimilimit të të rinjve të krishterë shqiptarë. Ky program i Dr. I. Temos lidhur me organzimin e arsimit nuk u miratua, për shkak se asnjë koleg i partisë “Bashkim dhe Përparim” nuk e kishte hartuar pjesën e vet.[22] Gjithsesi, tashmë ai ka hyrë në analet e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik osman si programi arsimor i partisë “Bashkim dhe Përparim”, i hartuar nga Dr. I. Temo.
Në një Promemorie tjetër të shkruar në vitin 1904 dhe që zyrtarisht Perandorisë Osmane i është dërguar në emër të një Komiteti të kombësive të ndryshme,[23] Dr. I. Temo si autorë i saj parashtron si zgjidhje më të përshtatshme për çështjen kombëtare shqiptare dy alternativa:
Krahas këtyre alternativave propozoheshin edhe disa masa me karakter administrativ, ku me interes për objektin tonë të studimit është pika katër, sipas së cilës nga qeveria osmane kërkohej që shkollat e huaja të hiqeshin nga duart e klerit dhe të vendoseshin nën kontrollin e shtetit, sepse ato ishin bërë burim përçarje midis popujve të ndryshëm të Perandorisë. Kjo masë sugjerohej edhe për grekët e bullgarët, të cilët financonin dhe kishin nën kontroll një pjesë të madhe të këtyre shkollave.[24] Të njëjtin problem ai e shtroi edhe në një letër që i dërgoi ministrit të Brendshëm, Ebu Mukbil Kemal beut, e cila faktikisht kishte trajtën e një promemorie dhe që indirekt i drejtohej vetë sulltanit. Në letër ai shkruante se Madhëria e tij ishte në dijeni se në gjykimin e Europës, Perandoria Osmane kishte mbetur prapa dhe për të mos prishur harmoninë e qytetërimit evropian, turqit duheshin dëbuar sa më parë nga Europa. Këto projekte drejtoheshin kundër turqve si myslimanë dhe ishin mbeturinë e kohës së kryqëzatave. Por edhe periudha e zbatimit të këtyre mendimeve, sipas tij, nuk do të ishte e largët. Në këtë parashtresë ai ndalet edhe në politikën e Bullgarisë ndaj Turqisë Europiane. Bullgaria, sipas Dr. I. Temos, po tregohej shumë aktive dhe rrezikonte më shumë se çdo shtet ballkanik popujt e saj. Bullgarët ishin duke punuar me anë të shkollave dhe të kishave, që vetë qeveria osmane i kishte lejuar zyrtarisht, për të përgatitur truallin për pushtimin e vilajeteve shqiptare dhe maqedonase. Ata ishin duke pritur shkatërrimin përfundimtar të Perandorisë Osmane, me qëllim për të realizuar projektet e tyre. Por, sipas tij, që tani ende pa ndodhur kjo, ata po përpiqeshin që me “butësi” të shkëpusnin diçka.[25]
Në një shkrim të titulluar “Mbi intrigat e fqinjëve në Shqipëri dhe në Maqedoni”, i cili sipas studiuesit Kristaq Prifti i takon fundit të vitit 1904, Dr. I. Temo denoncon botërisht përpjekjet që qarqet politike të Athinës, Beogradit dhe Sofjes ishin duke bërë për të shkombëtarizuar popullsinë shqiptare e veçanërisht brezin e ri, me anë të shkollave dhe kishës. Ai e trajtonte veprimtarinë e tyre si një prelud të copëtimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht bënte thirrje se nëse shqiptarët nuk ngriheshin qysh tani, fqinjët ballkanikë do të rrëmbenin pjesët më të mira të atdheut. Dr. I. Temo i ftonte shqiptarët që të shfrytëzonin situatën dhe të përfitonin nga ashpërsimi i kontradiktave midis Fuqive të Mëdha për shkak të çështjes së Lindjes dhe Luftës Ruso-Japoneze të 1904-1905-sës.[26]
Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, ashtu si tek të gjithë shqiptarët edhe te Dr. I. Temo u ngjallën shpresa të mëdha për të ardhmen e Perandorisë e të popullit shqiptar. Pikëpamja e partisë “Bashkim dhe Përparim” (“Ittihat ve Terakki”), lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës ishte: në shkollat fillore shtetërore mësimi përveçse në turqisht do të zhvillohej edhe në gjuhën që flitej nëpër vilajete; në shkollat e ndërmjetme zhvillimi i mësimit në gjuhën turke ishte i detyrueshëm, ndërsa gjuha lokale do të lihej me zgjedhje; hapja e shkollave private do të ishte e lirë, me kusht që ato të ishin nën kontrollin e shtetit.[27] Ndërsa në Kushtetutë këto të drejta sanksionoheshin në nenin 15 ku thuhej: “Mësimet janë të lira. Çdo qytetar osman ka të drejtë, brenda kufijve të ligjit, të hapë shkolla publike apo private”. Ndërsa sipas nenit 16: “Të gjitha shkollat janë nën kontrollin e shtetit”; “Turqishtja është gjuhë shtetërore; nëpunësi i shtetit është i detyruar të dijë turqisht” (neni18). Kjo politikë që në fillim hasi në kundërshtimin e plotë të popujve myslimanë (arabët, shqiptarët, kurdët, etj.,) dhe jomyslimanë (grekët, armenët, bullgarët, rumunët, etj.). Ajo u perceptua dhe u konsiderua si një politikë nacionaliste, e cila synonte haptazi turqizimin e kombësive joturke.[28] Situata u acarua sidomos pas vendosjes së detyrueshme të gjuhës osmane në shkollat e ciklit të ndërmjetëm. Ky akt, nga etnitë e ndryshme u perceptua si faza e parë e procesit të turqizimit dhe shkaktoi një valë të madhe zemërimi.[29]
Pavarësisht shenjave jo të mira që kishin filluar të shfaqeshin, në kuadër të ndryshimeve që ishin duke ndodhur pas Revolucionit, Dr. I. Temo hartoi një Projektligj mbi reformimin e sistemit arsimor osman, të cilin do t’ia paraqiste për miratim Parlamentit. Dorëshkrimi i këtij Projektligji nuk ka datë, por ne i përmbahemi mendimit të studiuesit Kristaq Prifti, i cili shkruan se ai mund të jetë hartuar në verën e vitit 1909, pas ngjarjeve kundërrevolucionare të prillit të atij viti.[30] Në hyrje të tij, ai shkruan me nota vlerësuese për sistemin arsimor austro-hungarez dhe duke marrë parasysh që edhe Perandoria Osmane ishte një shtet multietnik ashtu si Austro-Hungaria, e paraqiste atë si shembull që mund të ndiqej edhe për organzimin e sistemit arsimor osman.[31] Projektligji i hartuar nga Dr. I. Temo përmbante këto pika:
Me këtë Projektligj, Dr.I.Temo, mendonte se do të arriheshin dy objektiva kryesorë: përparimi me hapa të shpejtë i Perandorisë Osmane dhe zhdukja e mosmarrëmeshjeve ndërmjet popujve të ndryshëm të saj. Futja e gjuhës amtare në shkollat osmane, sipas tij, ishte një kusht i domosdoshëm për zbutjen e konfliktit ndërnacional në vend, ndërsa po të veprohej ndryshe shteti osman do të futej në kaos dhe do ta përfshinte një fatkeqësi e përgjithshme.[33]
[1]. Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi (Birinci Meşrutiyet ve İstibdad Devirleri 1876-1907), c. VIII, Türk Tarih Kurumu, Ankara 1995, s. 380; Uğur Ünal, “Sultan II. Abdülhamidin İlk Osmanlı Meclisini Açış Konuşması (20 Mart 1877)”, Gazi Eğitim Fakültesi Dergisi, 29, Ankara, 2009, s. 22.
[2]. E. Ziya Karal, Osmanlı Tarihi …, s. 379-380.
[3]. Hakkı Tarık Us, Meclis-i Mebusan 1293-1877, C.II, Istanbul, 1954, s. 144-148.
[4]. Po aty.
[5]. H.Tarık Us, Meclis-i Mebusan…, s. 145-146; E. Ziya Karal, Osmanlı Tarihi …, s. 382.
[6]. H. Tarık Us, Meclis-i Mebusan…, s. 210-211.
[7]. Selda Kılıç, “Bir Osmanlı Aydınının Arnavutluk`a Dair Görüş ve Düşünceleri”, OTAM (Ankara Üniversitesi, Osmanlı Tarihi Araştırma ve Uygulama Merkezi Dergisi), sayı: 19, 2006, s. 263.
[8]. Po aty, s. 265-266.
[9]. Kristaq Prifti, Doktor Ibrahim Temo – Jeta dhe Vepra 1865-1945, Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Kosovës, 1996, f. 13.
[10]. Për më shumë lidhur me rolin e Dr. Ibrahim Temos në lëvizjen xhonturke shih: Sina Akşin, Jön Türkler ve Ittihat ve Terakki, Ankara: IMGE kitabevi, 2014; Ahmet Bedevi Kuran, Osmanlı İmparatorluğunda İnkılâp Hareketleri Millî Mücadele, İstanbul: Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, 2012; M. Şükrü Hanioğlu, Bir siyasal örgüt olarak Osmanlı Ittihad ve Terakki Cemiyeti ve Jon Türklük (1889-1902), Istanbul: Iletişim yayınları, 1987.
[11]. Ibrahim Temo`nun Ittihad ve Terakki Anıları, Istanbul: Arba yayınları, 2000.
[12]. Epistolari dhe dokumentacioni personal i Dr. Ibrahim Temos që nga viti 1960 ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai iu dhurua shtetit shqiptar nga familja dhe bashkëshortja e tij Nafije Temo, sipas porosisë së bashkëshortit.
[13]. Arkivi Qendror i Shtetit (më tej: AQSH), Fondi (më tej: F) 19, Dosja (më tej: D) 18, fl. 1. Memorandum i Ibrahim Temos dhe i patriotëve të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit drejtuar sulltanit, korrik 1896.
[14]. AQSH, Fondi 19, dos. 21, fl. 36. Pamfleti “Bashkatdhetarë shqiptarë”, 1897.
[15]. Ibrahim Temo, “La Bulgarisation de l`Abanien”, Albania, nr. 4, 15-31.7.1898, f. 63-64.
[16]. K. Prifti, Doktor Ibrahim Temo…, f. 162.
[17]. AQSH, Fondi 19, dos. 31, fl. 97-99. Promemorie e Ibrahim Temos paraqitur Ahmet Xhelaledin Pashës, shtator 1899.
[18]. Ibrahim Temo`nun Ittihad ve Terakki…, s. 157.
[19]. Po aty, s. 158-159.
[20]. Po aty, s. 159.
[21]. Për këtë shih: Bayram Kodaman, Abdülhamid devri eğitim sistemi, Ankara: Turk Tarih Kurumu, 1991; Yahya Akyüz, Türk Eğitim Tarihi (Başlangınçtan 2001`e), Istanbul: ALFA, 2001, s. 206-240; Hasan Ali Koçer, Türkiye de Modern Eğitimin Doğuşu ve Gelişimi: 1773-1923. İstanbul: M.E.B. Yayınları, 1991.
[22]. Ibrahim Temo`nun Ittihad ve Terakki…, s. 160.
[23]. K. Prifti, Doktor Ibrahim Temo…, f. 193-194.
[24]. AQSH, F. 19, D. 18, fl. 91-93. Promemorje e hartuar nga Ibrahim Temo drejtuar Portës së Lartë, 1904.
[25]. AQSH, F. 19, D. 31, fl. 75-79. Promemorje e hartuar nga Ibrahim Temo drejtuar ministrit të Brendshëm të Perandorisë Osmane, 1904.
[26]. K. Prifti, Doktor Ibrahim Temo…, f. 199.
[27]. Julius Richter, A History of Protestant missions in the near East, Edinburgh: Oliphant, Anderson & Ferrier, 1910, p. 180; Tarık Zafer Tunaya, Türkiye`de Siyasal Partiler, c. I, İstanbul: İletişim Yayınları, 1998, s. 34-35; E.Ziya Karal, Osmanlı Tarihi…, s. 129.
[28]. Ilay Ileri, “Batı Gözüyle Meşrutiyet Döneminde Osmanlı Hükümetlerinin Dil ve Eğitim Politikalarına Karşı Tepkiler”, OTAM (Ankara Üniversitesi, Osmanlı Tarihi Araştırma ve Uygulama Merkezi Dergisi), sayı: 18, 2005, s. 214.
[29]. Mustafa Ergün, II. Meşrutiyet Devrinde Eğitim Hareketleri, 1908–1914, Ankara: Ocak Yayınları, 1996, s. 483-484.
[30]. K. Prifti, Doktor Ibrahim Temo…, f. 254.
[31]. AQSH, F. 19, D. 24, fl. 23-28. Projektligj mbi reformimin e sistemit arsimor osman i hartuar nga Ibrahim Temo, 1909; K. Prifti, Doktor Ibrahim Temo…, f. 254.
[32]. Po aty.
[33]. Po aty.
Nxënës të shkollës Idadije në Selanik, mes te cilëve është dhe Dervish Hima (Foto Arkivi i Shtetit, Tiranë).
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…