Nga: Myles Burke / BBC
Në fillim, Otto Frank nuk mund të përballonte leximin, e lëre më të publikonte ditarin e vajzës së vet i cili u publikua 77 vjet më parë në këtë javë. Në vitin 1976, shkoi në programin e BBC-së, Blue Peter, për të shpjeguar se pse këtë e bëri. “Mësova ta njoh tamam vetëm përmes ditarit të saj”, i rrëfeu Otto Frank gazetares Lesley Judd, teksa ia tregonte shkrimet personale të vajzës së ndjerë e të dashur Anne.
Më 12 qershor 1942, Otto ia kishte dhënë vajzës së vet të zgjuar një libër të autografeve – si dhuratë për ditëlindjen e saj të trembëdhjetë. Por, Anne pothuajse menjëherë vendosi ta përdorte si ditar dhe nisi t’i shënojë mendimet më të thella, duke shkruar thuajse po zbulonte sekretet te një shoqe e ngushtë. “Shpresoj se do të jem në gjendje të të besoj, tërësisht, siç nuk kam qenë në gjendje t’i besoj askujt tjetër më parë”, lexoi Otto nga ditari i parë i Annes, në programin televiziv për fëmijë. “Dhe, shpresoj se do të jesh mbështetje dhe ngushëllim i madh për mua”.
Pas suksesit të nazistëve në zgjedhjet federale gjermane dhe kur Adolf Hitlerit u emërua kancelar i Rajhut, me familjen e vet Otto largohet nga Frankfurti – ku Anne kishte lindur – për të shkuar në Amsterdam më 1933. Por, siguria të cilën e ofronte kryeqyteti holandez, ndaj kërcënimit të nazistëve, do të ishte vetëm një pushim i përkohshëm për familjen. Në vitin 1940, pasi kishte marrë pushtetin dhe shpallur veten Firer, Hitleri pushtoi Holandën. Me pushtimin gjerman erdhi një valë e masave antisemite. Hebrenjve iu ndalua të kenë biznese, u detyruan të mbanin yje të verdhë identifikues dhe u përballën me shtetrrethim.
Otto, si shumë hebrenj të tjerë ishte përpjekur – që nga viti 1938 – që të emigronte në ShBA, por mungesa e një politike azili dhe procesi i gjatë për të marrë vizën, bënë që dokumentet të mos përfundonin para se nazistët të mbyllnin zyrat konsullore të ShBA-së, në korrik 1941, në të gjitha territoret e pushtuara nga gjermanët.
Një muaj pas ditëlindjes së Annes më 1942, vajza më e madhe e Ottos, Margot, merr njoftimin për t’u paraqitur në një kamp pune në Gjermani. Për t’iu shmangur autoriteteve, e gjithë familja u zhvendos në një aneks sekret të cilin Otto e kishte zbuluar mbi ambientet e biznesit të tij në Amsterdam. Për dy vitet e ardhshme, familja Frank u fsheh në atë hapësirë, së bashku me një familje tjetër dhe një mik familjar. Të kufizuar në aneks, të gjithë që jetonin atje detyroheshin të rrinin të heshtur gjatë ditës dhe nuk mund të përdornin tualetin deri në natë kur zyra pastrohej – nga frika se mos dëgjoheshin. Ushqimi dhe furnizimet u futën kontrabandë nga një grup i vogël i ndihmësve të besuar.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Anne vazhdoi të shkruante fshehtas mendimet e veta në ditar. Për shkak të dëshirës së saj për miqtë e moshës, shpiku personazhe të trilluara, si Kiti, të cilëve ajo u shkruante. Ankthi, aspiratat dhe mërzia e saj, së bashku me zhgënjimet e përditshme të jetesës në hapësirë të ngushtë me njerëzit e tjerë, që të gjitha paraqiteshin në faqet e ditarit të saj.
Pjesa e fundit është më 1 gusht 1944. Mëngjesin e 4 gushtit, Gestapoja u fut në strehë dhe të gjithë banorët u arrestuan. Arsyeja e zbulimit të tyre mbetet ende temë e diskutueshme.
Familja Frank u dërgua në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau ku Otto u nda nga gruaja e Edith dhe nga vajzat Margot dhe Anne. Nuk do t’i shihte kurrë më. Të tri ato vdesin në kamp. Anne, e cila së bashku me të motrën u transferuan përfundimisht në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, vdiq nga tifoja në mars 1945 – vetëm disa javë para se kampi të çlirohej.
Otto ishte i vetmi anëtar i aneksit i cili mbijetoi. Pas luftës, u kthye në Amsterdam për të kërkuar familjen e vet, por u shkatërrua kur mori vesh për fatin e tyre. Ditari dhe letrat e Annes shpëtuan nga streha e plaçkitur – nga miqtë Miep Gies dhe Bep Voskuijl, të cilët ia dhanë ato pas kthimit. Por, në pikëllimin që kishte, nuk mundi t’i shikonte. “Nuk kam forcë t’i lexoj”, i shkruante nënës së vet në Zvicër, më 22 gusht 1945.
Kur Otto më në fund mundi të hapte ditarët, shkrimet ishin zbulim i ri për të. Ia ofruan atij dritaren për në mendjen e vajzës së zgjuar adoleshente, të pambrojtur dhe ekspresive, teksa lundronte në kompleksitetin e adoleshencës në rrethanat më të tmerrshme. Me tone të pazbukuruara, detajohen përplasjet me nënën dhe pakënaqësitë ndaj motrës, shqetësimet për reputacionin dhe ndryshimin e trupit të saj. Gjithashtu, tregohet se sa shtypëse ishte mbyllja dhe heshtja e aneksit dhe se irritohej me njerëzit me të cilët jetonte. Shkroi për izolimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të tmerrshëm për zbulimin e tyre. Ndihej si “një zog këngëtar të cilit i janë prerë krahët dhe i cili në errësirë të plotë përplaset për grilat e kafazit”.
Por, Otto mëson edhe për momentet e saj të vogla të hareshme: natyrën të cilën e shikonte nga dritarja dhe romancën me Peter van Daanin, me djalin që gjithashtu jetonte në aneks.
Shkroi për ëndrrat e saj për patinazh në Zvicër dhe ambiciet për botim; mendimet e saj për identitetin dhe marrëdhëniet me miqtë janë reale dhe të imagjinuara.
Nisi të kuptonte mendjen komplekse dhe imagjinative të Annes teksa ndryshonte dhe piqej. “Nuk do të mund të shkruaja më një gjë të tillë”, shkroi për një nga shënimet e mëparshme në ditar. “Tani që rilexoj ditarin tim, pas një viti e gjysmë, jam e befasuar me pafajësinë time fëmijërore. Thellë në vete e di që nuk mund të jem më kurrë aq e pafajshme, sado që do të doja të isha”.
Mbi të gjitha, Otto e vlerësoi dhuntinë e Anës si shkrimtare dhe guximin dhe humanizmin e jashtëzakonshëm që kishte përballë terrorit të paepur të rrethanave. “Pasi e lexova ditarin, e kopjova dhe një kopje ia dhashë miqve tanë që na njihnin që të gjithëve”, tha ai për Juddin e BBC-së më 1976. “Njëri prej tyre ishte i punësuar në një kompani botuese dhe tha se ‘ti nuk ke të drejtë ta mbash ditarin si pronë private; se është dokument njerëzor dhe se duhet ta publikosh’”.
Më 25 qershor 1947, u botua Aneksi sekret, libër i përpiluar nga shënimet dhe shkrimet e ditarit të Annes. Përveç korrigjimit të disa gabimeve gjuhësore, Otto e pastroi disi duke redaktuar disa përshtypje kritike të Annes për martesën e tij, pasazhet rreth seksualitetit të saj dhe ndonjëherë portretizimet e egra për njerëzit që njihte.
Libri doli të jetë sukses i menjëhershëm: një vajzë e vetme tregonte fytyrën e tmerrit dhe madhësinë pothuajse të pakuptueshme të gjenocidit nazist. Në vitin 1952 u botua në anglisht me titullin Ana Franku: Ditari i një vajze të re. U inskenua në shfaqjen që fitoi çmimin Pulitzer më 1956 dhe në film tre vjet më vonë. Fjalët e Annes e kanë tejkaluar jetën e saj të shkurtër; ato janë përkthyer në më shumë se 70 gjuhë dhe vazhdojnë të kenë jehonë te lexuesit në mbarë botën.
I pyetur nga Judd, në Blue Peter, nëse kishte rezerva kur u pajtua për të publikuar dhe zbuluar mendimet më private të vajzës, Otto Frank tha: “Nuk u pendova, sepse Anna shkroi në një nga ditarët e saj, ‘Dua të vazhdoj të jetoj pas vdekjes’, dhe përmes ditarit të saj ajo në njëfarë mënyre po jeton në shumë zemra”.
Përzierja e disa ilaçeve të caktuara kundër dhimbjes nuk rekomandohet as nga mjekët dhe…
A keni kujtuar ndonjëherë diçka me siguri të plotë, për ta zbuluar më vonë se…
Gratë shqiptare kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e kombit tonë, duke u…
Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…
Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…