4. “EDHE KUR KUJTESA”
Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…
5. “PER KOSOVEN”
E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.
Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.
Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.
Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.
U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.
Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.
S’ kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’ histori u kthyet vetë.
6. “NE PARKUN QE MBULUAN FLETET”
Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.
Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park që e kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.
Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.
Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap,
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.
Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që te kjo botë të vije ti.
7. “TI DHE HENA”
Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.
Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.
8. “E DIEL E PASHKËVE NË PARIS”
Helenës
Kambanat qenë të gjitha brenda meje.
Megjithatë krejt i tmerruar brofa
Nga shtrati.
Timpani gati po më çahej.
Në shtratin ngjitur flinte ime shoqe
E qete krejtësisht. Ndihej që s’kishte
Asgjë ndërgjegjeshpuese që ta trembte:
Blasfemi, vjersha, britma në plenume,
Dhe deklarata kundër fesë.
Ato po më shurdhonin… Megjithatë,
Me zë të ulët, me një mënyrë të vjetër
(Mënyrë e vjetër, e harruar, ah plot mall),
I thirra: “Ngrehu, ime zonjë, se mesha ka filluar”
Kështu u ngritëm, ajo e qetë, unë i çakërdisur.
Në metro “Motte Piquet”, thellë nën dhe të errët.
Në Konkord ndërruam stacion.
Nëpër nëntokë,
Porsi Virgjili, treni elektrik na udhëhiqte.
Kambanat plot qortim po më shurdhonin.
(Plot pesë shekuj kishin shkuar që kur arbëreshët
Mbi supe i kishin mbartur, ndërsa iknin
Nga vendi i tyre, të ndjekur krejt prej turkut.)
Por hija e tyre m’e rëndë se bronzi qe
Mbi shpinën time sot, në metro të Parisit.
Kështu, gati, më dysh i kërrusur, dola
Në tokë, mu në këmbë të Notre Dame.
Atje qirinjtë digjeshin pa fund.
E midis tyre, midis mijërave prej tyre,
M’u bë se pashë flakëzën e zbehtë
Të të humburit, dikur të krishterit, shpirtit tim.
Paris, prill 1987
9. “KINEMA E VJETËR”
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.
Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.
T’i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra.
Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.
Bota fund s’kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t’i marr me vete.
10. “PRITJA”
Telefoni po merr nje sy gjume para ardhjes sate
Abazhuret varen te heshtur mbi pritjen
Perbindeshat mbi qilimin e dhomes dremitin te qete
Ora kaloi
Ti u vonove
Drita e abazhureve u be e keqe
Si i vrare telefoni ka rene permbys e s’merr fryme
Tani perbindeshat filluan te levizin
Ja, po zgjohen me leshra te kerleshura mbi qilim
Ti do vish patjeter te qetesosh gjithcka
Huazuar nga Saimir Kadiu
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…