Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Botimi i parë i përkthimit të Kuranit në shqip dhe Ibrahim Rugova

Përkthimi bie në duar të lexuesit shqiptar në qershorin e vitit 1985, por qëndron edhe fakti se në vitin 1984 unë e kisha përfunduar përkthimin. Vazhdonte procedura e radhës, redaktura gjuhësore, konsultime profesionale, procedura e lejes për botim, botuesi, vendi etj., që të gjitha këto më shtynë që këtë fletë ta shpalos tash, në qershor të vitit 2024, kur bëhen 120 vjet pas vdekjes së Sami Frashërit. Kjo ngërthen lidhjet: Sami Frashëri – Ibrahim Rugova – Botimi i parë i përkthimit komplet të Kuranit

Në kujtim të 40-vjetorit të botimit të parë

Në “Hatllat e mia” ka shumë qershore: Nga ai i vitit 1964, 1967, 1968, etj., por këtë herë shpalosen kujtimet: 40-vjetori i përkthimit të Kuranit, 80-vjetori i lindjes së përkthyesit dhe 120-vjetori i vdekjes së Sami Frashërit. Kjo ndodh për shkak se mbizotëron përvjetori i Sami Frashërit (120-vjetori i vdekjes, përvjetori i 80-të i lindjes së përkthyesit, dhe 40 vjetori i botimit të parë), që shoqërohet me botimin e katërt të përkthimit të Kuranit në gjuhen shqipe.

Përkthimi bie në duar të lexuesit shqiptar në qershorin e vitit 1985, por qëndron edhe fakti se në vitin 1984 unë e kisha përfunduar përkthimin.

Vazhdonte procedura e radhës, redaktura gjuhësore, konsultime profesionale, procedura e lejes për botim, botuesi, vendi etj., që të gjitha këto më shtynë që këtë fletë ta shpalos tash, në qershor të vitit 2024, kur bëhen 120 vjet pas vdekjes së Sami Frashërit.

Kjo ngërthen lidhjet: Sami Frashëri – Ibrahim Rugova – Botimi i parë i përkthimit komplet të Kuran Kerimit.

“Kurani duhet lexuar me kravatë”, më tha Ibrahimi në vitin 1984

Me Ibrahim Rugovën njiheshim prej vitit 1973, kur ai punonte asistent në Institutin Albanologjik, tek ato barakat e vjetra të studentëve, ku gjendet tash Biblioteka Kombëtare e Kosovës, kurse unë kisha filluar punën në Entin e Historisë së Kosovës – tash Instituti i Historisë. Kur kalova në Fakultetin Filozofik – Degën e Orientalistikës, shiheshim më shpesh, kurse në vitin 1982 Sami Frashëri me romanin “Dashuria e Talatit dhe Fitnetit”, na afroi edhe më shumë.

Arsyeja ishte se Mehdi Polisi e kishte përkthyer romanin e Sami Frashërit dhe duhej ndjekur procedurën e botimit. Ia shpalosa këtë dr. Ibrahim Rugovës, me lutjen që ai t’i hedhë një sy përkthimit dhe të vazhdojë procesi për shtyp. Romani i Sami Frashërit, “Dashuria e Talatit dhe Fitnetit” e kishte entuziazmuar kritikun letrar Ibrahim Rugova dhe kur u takuam për këtë çështje, në Institut, më tha: “Këtë, Feti, duhej lexuar me kravatë”.

I kërkova sqarim për këtë shprehje dhe ai ma shpjegoi.

Ai ma përmendi me emër një shkrimtar botëror, që nuk e kujtoj dot, dhe rrëfimin e tij. “E kishte blerë një libër, kalimthi, dhe kur shkoi në shtëpi, u përgatit për çlodhje dhe filloi ta shfletojë librin e posablerë. Lexoi disa faqe dhe brofi në këmbë! U vesh me kostumin që shkonte në punë, lidhi kravatën, dhe i tha vetes: veprat si kjo nuk lexohen në pozitë të shtrirë!” Veprën e Samiut, e lexova, jo me kravatë por edhe i shtrirë jo. I madh ka qenë dhe i madh mbetet Samiu, më tha.

Në vitin 1984 doli nga shtypi romani edhe vepra 7, (Kamusu-l-a`lam) e Sami Frashërit dhe kur ia dhashë, pasi më uroi më pyeti edhe për çështjen e përkthimit të Kuranit.

Ai e dinte se jam duke punuar në këtë përkthim. Kishim biseduar edhe më parë lidhur me këtë. Ai kishte lexuar përkthim të Kuranit në gjuhën frënge, kishte nxjerrë disa përfundime me interes dhe kishte vlerësim të lartë për këtë. I tregova se e kam përfunduar dhe tash është në lekturë dhe ia shfaqa dëshirën time me propozimin tim, që pas lekturës, t’ia jap për një lexim me sy të estetit – Ibrahim Rugova ishte kritik letrar dhe estet i dalluar – por nuk e pranoi. M’i përmendi disa arsye dhe unë nuk e ngushtova më shumë.

E para, tha, kam shumë angazhime në Institut – ishte duke përfunduar veprën “Kritika letrare Shqipe” – në Shoqatën e Shkrimtarëve, etj., madje ma përmendi atë rastin e atij shkrimtarit: “Këtë duhet lexuar me kravatë!”

Kur i thashë se botues, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Bashkësia Islame, më la këtë porosi: Ata do të kërkojnë leje për botim në Sekretariatin Krahinor për Informata, ku vepron Komisioni për botime, sapo ta dërgojnë kërkesën për leje, të më informosh menjëherë.

Do të kërkoj sa më shpejt mbledhjen e Komisionit për botime që kjo procedurë të mos vonohet. Unë nuk e dija se Ibrahimi ishte në përbërje të atij organi me peshë në Sekretariatin Krahinor. Kështu i lame fjalët dhe kështu veprova. Në shkurt të vitit 1985 e informova për këtë procedurë dhe Bashkësia Islame mori lejen e botimit, ashtu që në mars a prill filloi procedura e shtypit në shtypshkronjën “Rilindja”.

Në qershor të vitit 1985 Kurani shkoi në duar të lexuesit shqiptar.

Kur doli nga shtypi, në shenjë mirënjohje, Ibrahim Rugovës ia dhashë një kopje me një lutje. Nëse ke mundësi ta lexosh me laps në dorë – për ndonjë ribotim – më bën nder edhe mua edhe Kuranit të përkthyer në shqip. Ekzemplarin e lexuar me laps do ta zëvendësoj me një ekzemplar tjetër, i thash. Këto ishin përpjekjet tona, pa obligim, që ribotimi të jetë në shkallë më të lartë nga këndvështrimi letrar dhe estetik.

Koha eci në binarë të tjerë dhe me Ibrahimin kam pasur edhe dy raste që i kujtoj shpesh. Kur erdhi delegacioni i shkrimtarëve të Algjerisë – në vizitë Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – kur ai kërkoi ndihmën time për gjuhën arabe, për ligjëratën që mbajti kryetari i delegacionit algjerian, As-saihi, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe një takim i shkurtër, në vitin 1991, kur i përcolla një porosi nga Sarajeva.

Ai ishte destinuar të udhëheqë popullin e Kosovës drejt Kosovës shtet i pavarur, por edhe lejen për botimin e përkthimit të Kuranit e realizoi ashtu siç më pati premtuar.

Ribotimet e këtij përkthimi kanë ndjekur rrugë të ndryshme: Prishtinë-Shkup-Stamboll-Prishtinë, dhe në vitin 2024 del botimi i katërt me përkrahjen financiare të Shoqatës Zajazi në Zvicër, me çka Shoqata Zajazi, me këtë rast vlerëson punën e bashkëvendësit të tyre, përkujton 40-vjetorin e përkthimit dhe botimit të parë të Kuranit, të plotë, në gjuhën shqipe, që bie në 80-vjetorin e lindjes së përkthyesit, Feti Mehdiut.

Është privilegj i rrallë kur përjetoj këso momentesh të jetës, dhe ndjej obligim e kënaqësi, dhe nuk munda ta kaloj pa e përkujtuar atë lidhjen: Sami Frashëri – Ibrahim Rugova, botimi i parë i përkthimit të Kuranit, ku këta kanë hisen e vet në këtë rrugëtim. Duken të rastësishme, por Sami Frashëri me romanin e parë “Dashuria e Talatit dhe Fitnetit”, fortifikoi lidhjen: Kuran-Feti-Ibrahim dhe unë të gjithëve u jam mirënjohës për tëra çka kanë bërë. Kur do i gjithëpushtetshmi, edhe shkakun e krijon edhe suksesin e garanton.

Montreal, 11 maj 2024 

admin admin

Recent Posts

Vendi ku është ende viti 2016

Më 11 shtator, etiopianët do të festojnë fundin e një viti dhe fillimin e një…

13 hours ago

Lythat në lëkurë duken si nishane, por nuk janë: Ato mund të tregojnë kolesterinë të ngritur

Shihni se si lythat në lëkurën tuaj mund të lidhen potencialisht me disa gjendje shëndetësore…

13 hours ago

Kisha ortodokse Mesia e greqizimit të Epirit

Nga Besnik Imeri, Vlorë 24 Mars 2022 Dalja e Kishës Lindore, fillimisht Patriarkanës dhe pastaj…

17 hours ago

Antibakterial, antiviral dhe shërues: Për çfarë shërben propolisi?

Insektet e përdorin atë për të përforcuar zgjuan, për njerëzit është shumë i dobishëm. Njihuni…

1 day ago

Si të shmangni kafshimin e gjarprit? Thjesht bëni këtë dhe helmuesi do të ikë me shpejtësi

Nëse gjeni një gjarpër të ngordhur dhe dëshironi ta merrni për ndonjë arsye, jini të…

1 day ago

Mos hani kurrë dredhëza që nuk janë larë mirë! Një bakter i rrezikshëm fshihet në to

Mjekja paralajmëron për simptomat e infeksionit Dredhëzat shpesh trajtohen me pesticide për t’i mbrojtur nga…

1 day ago