Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga Çamëria dhe pasojat e kolonizimit serb

Dr. Selman Sheme

Shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërruese për strukturën demografike të gjeohapësirës së Çamërisë kanë filluar para 100 vitesh, kur me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë nën sundimin grek.

Popullsia në gjeo hapësirën e Çamërisë, deri në vitin 1945 përbënte një bashkësi territoriale krahinore me natyrë sedentare, me vendbanime të përhershme dhe të qëndrueshme, me jetë ndjesore e kushtëzuar nga mënyra e sigurimit të burimeve ekonomike për të jetuar me shtëpi dhe prona tokësore të patjetërsueshme. Degët kryesore të ekonomisë ishte bujqësia, blegtoria, frutikultura, vreshtaria, jeta zejtare dhe veprimtaritë tregtare të shkëmbimit të mallrave me vendbanimet fqinje. Me gjithë zhvillimet e mëdha politike që kanë ndodhur në Epir (Çamëri), herë duke pushtuar krahinat përreth e herë duke u pushtuar nga popuj të tjerë (romakë, sllavë, turq, grekë etj), popullsia shqiptare e Çamërisë ka arritur të ruajë dhe të zhvillojë më tej tiparet etno-kulturore, traditat e lashta etnike, duke mbetur në të gjitha periudhat historike një popullsi kompakte me gjuhë, zakone dhe tradita kulturore të veçanta. Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112 619 banorësh, nga të cilët vetëm 20 200 ishin grekofonë, ndërsa 92 419 banorë ishin shqiptarë. Popullsia shqiptare, sipas besimit, përbëhej nga 59 419 shqiptarë të krishterë dhe 33 000 shqiptarë myslimanë. Siç shihet, Çamëria deri në prag të Luftës së Dytë Botërore ishte një rajon me përbërje etnike homogjene, ku mbi 82% të popullsisë e përbënin shqiptarët (viti 1937). Shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërruese për strukturën demografike të gjeohapësirës së Çamërisë kanë filluar para 100 vitesh, kur me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë nën sundimin grek. Ky proces u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet e vitit 1944-1945. Më 27 qershor 1944, në rajonin e Paramithisë ndodhi masakra më çnjerëzore ndaj popullsisë shqiptare myslimane të Çamërisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane greke (EDES), të gjeneralit Napolon Zervas, hynë në qytet dhe vranë afro 600 shqiptarë myslimanë gra, burra e fëmijë, shumë prej të cilëve të përdhunuar dhe torturuar para se të vriteshin. Gjatë fushatës greke të spastrimit etnik të Çamërisë, nga 27 qershori 1944 deri në mars 1945 u vranë gjithsej 2771 civilë. Gjatë kësaj periudhe u plaçkiten dhe më pas u dogjën edhe 68 fshatra dhe 5800 shtëpi. Si pasojë e këtij gjenocidi, mbi 35 000 shqiptarë të fesë myslimane u shpërngulen nga vatrat e tyre dhe u vendosën në Shqipëri. Gjatë emigracionit, 2400 vetë kanë vdekur si rezultat u mungesës së ushqimit dhe nga sëmundjet e ndryshme. Dëshmi për këtë është varreza masive çame në fshatin Kllogjer të rrethit të Sarandës.

Disa nga rrjedhojat më të dukshme e të evidentuara të shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare myslimane nga gjeohapësira e Çamërisë dhe të vendosur në shtetin amë, janë:

Së pari, këto migrime sollën me vete riskun e ngushtimit etnik të trojeve shqiptare. Trojet e trungut etnik të rretheve të Filatit, Gumenicës, Paramithisë, Margëlliçit etj, të populluar me shumicë nga popullsitë shqiptare, janë zëvendësuar pjesërisht ose tërësisht nga kolonë grekë dhe vlleh. Për këtë qëllim, në gjysmën e dytë të shek XX dhe deri në ditët tona politika për helenizimin e krahinës u fokusua në dy drejtime:

Në intensifikimin e procesit të helenizimit të shqiptarëve të krishterë nëpërmjet shkollës, kishës dhe administratës

Kolonizimi i krahinës me emigrantë greke dhe vlleh të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë, kryesisht nga rajoni i Pindeve dhe Atika. Në disa nga fshatrat e rajonit të Filatit u vendosën kolonë grekë dhe vlleh të ardhur nga malësia e Murganës. Kështu, në Smarte u vendosën PALABIT, SHEN NIKOLIT E SARAKACANE (vlleh), në Verselë dhe Galbaq u vendosën VORTOPIT dhe banorë nga fshatra të tjera të Murganës Qendrore. Në Spatar vendosen KSEHORIT dhe PALABIT, në Dolan, VLLEH dhe PIGALUDHIOT, në Sklavi u vendosën PALIOHORIT dhe VILIOTE. Fshatrat Lops, Shqefar, Sollopi etj u rrënuan krejtësisht dhe nuk u ripopulluan me imigrantë. Hapësira rurale e tyre u shndërrua në tokë bujqësore.

Megjithëse fshatrat e Çamërisë në përgjithësi u kolonizuan me emigrantë grekë dhe vlleh, popullsia e vendbanimeve ka njohur një rënie drastike. Kështu, Spatari më 1913 kishte 499 banore, ndërsa në 2010 kishte vetëm 268 banorë, Picari më 1940 kishte 397 banorë, ndërsa në 2001-shin vetëm 149 banorë, Versela më 1913 kishte 482 banorë, ndërsa me 2001 vetëm 280 banorë, Koska më 1913 kishte 768 banorë, ndërsa 1951 kishte 202 banorë. Galbaqi në 1913 kishte 517 banorë, ndërsa 1951 vetëm 202 banorë. Siç shihet, rajoni i Çamërisë pas shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare është në një proces të shpopullimit masiv dhe për pasojë, mjedisi natyror është degraduar dhe dezertifikuar.

Së dyti, këto shpërngulje të dhunshme kanë dëmtuar vitalitetin e kombit, i cili përcaktohet edhe nga hapësira territoriale nga komunikimi i gjerë mes krahinave periferike dhe të skajshme me rajonet qendrore. Në kushtet e fragmentizimit të periferive tona territoriale, të faktorizimit politik, kulturor dhe ekonomik, globalizimit dhe integrimi europian është një alternative që do të krijonte kushte adekuate për tejkalimin e reminishencave nacionaliste dhe zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare shqiptare. Së treti, këto migrime të përdhunshme sollën çrregullime demografike, pasi u shoqëruan me vrasje dhe shfarosje të mbi 5000 personave dhe shpërnguljen e gjithë popullsisë myslimane shqiptare, që përbënte edhe pjesën më vitale të krahinës. Duke u mbështetur në regjistrimin grek të vitit 1951, i fundit në të cilin jepen të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare, del se numri i popullsisë shqiptare etnike në Greqi ishte 22 736 banorë. Sipas të dhënave të De Agostinit (kalendarit gjeografik të Novarës) të vitit 2006, rezulton se numri i popullsisë shqiptare etnike në Greqi arrin në 165 000 banorë.

Në dhjetëvjeçarët e fundit, shtimi natyror i popullsisë në Epir ka qenë mjaft i ulët, me një shtim mesatar vjetor prej 1400 banorësh. Ndërsa në vitin 2007 në krahasim me vitin 2001 ka një saldo negative të shtimit vjetor të popullsisë me një vlerë prej minus 5300 banorë. Këta tregues të shtimit të popullsisë janë pasoje e ritmeve të ulëta të shtimit të popullsisë dhe veçanërisht janë të lidhura me dukuritë e eksodit rural dhe të emigracionit të jashtëm. Gjatë kësaj periudhe janë shpopulluar rreth 347 fshatra, të cilat janë krejtësisht të braktisura. Për rrjedhoje, dendësia mesatare e popullsisë është e ulët, rreth 38 banorë për km² (2007), ose 2.4 herë më e ulët se dendësia mesatare e Greqisë dhe rreth 3 herë më e ulët se dendësia e Shqipërisë.

Në këto kushte, sipërfaqe të mëdha të tokës që dikur kanë qenë të kultivuara ose kullota për blegtorinë janë degraduar apo dezertifikuar. Së katërti, me shpërnguljen e popullsisë çame në trojet e veta u dëmtuan traditat kulturore kombëtare e krahinore. Shpërbërja e fshatrave dhe e qendrave urbane solli edhe humbjen e një pjese të thesareve të kulturës materiale me vlera kombëtare e krahinore.

Në peizazhin rural të Çamërisë ruhen disa dëshmi të palëvizshme të këtij rajoni, dikur të populluar në formën e shtëpive të shkatërruara, xhamive, kullave dhe ndërtesave të vjetra të cilat kanë mbetur të izoluara në kodra apo skuta të fshehura nën tokë nga erozioni dhe shkatërrimi në rrethinat e vendbanimeve të reja. Këto ndërtesa të vjetra përbëjnë një nga zonat më të rëndësishme gjeografike të monumenteve historike të periudhës veneciane dhe osmane në Europën Juglindore. Përveç teatrit të Dodonës dhe Nikopolit, qyteteve të lashta të Pasaronit, Kastricës, Tekmonit, Ilinoit, Ozdinës etj, ka mjaft fortifikime ilire të cilat më vonë u bënë themelet e kështjellave të mëdha veneciane. Ekzistojnë edhe një numër i konsiderueshëm monumentesh islame si xhamia e bukur në Liqenin e Janinës, xhamia e Margëlliçit, e Koskës, xhamia e Çaparenjve në Luarat, ura e mrekullueshme e Artës etj.

Kanë mundur t’i mbijetojnë ngjarjeve të dhunshme dhe tragjike të rajonit edhe mijëra shtëpi të thjeshta, shumica të pabanuara. Mjaft shtëpi janë pushtuar nga pronarë të paligjshëm grekë ose emigrantë grekë të ardhur nga krahinat e tjera të vendit Greqisë). Afër kufirit me Shqipërinë ka një numër të konsiderueshëm të shtëpive të vjetra shqiptare të tipit kullë me vlera të mëdha arkitektonike, që kanë mbijetuar mes pyjeve dhe zonave me shkurre. Monumentet më të rëndësishme urbane janë Paramithia, Margelliçi dhe disa qendra më të vogla si Parga, Arpica (Perdika), Vola (Sivota) etj.

Qyteti i Pargës

Pjesë e strategjisë së helenizimit të Çamërisë, në aspektin urban dhe arkitektonik, ka qenë lejimi i një procesi të ngadalshëm dhe tepër të fshehur të erozionit të historisë dhe të trashëgimisë etno-kulturore çame. Kohët e fundit ky proces shkatërrimi ka marrë përmasa alarmante nga i cili Europa po humbet një pjesë mjaft të rëndësishme të së kaluarës së saj osmane.

Amfiteatri i Dodonës

Së pesti, pas shkëputjes së Çamërisë nga trungu etnik dhe pushtimi i saj nga Greqia, proceset natyrore të zhvillimit ekonomik u ndërprenë. Ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë, shpërnguljet në masë etj., ndikuan negativisht në zhvillimin ekonomik të krahinës, veçanërisht në gjysmën e dytë të shek XX. Në bazë të ligjit absurd të luftës, mbahen në “sekuestro konservative” dhe u është dhënë në përdorim toka kolonëve grekë të pamotivuar për zhvillimin e ekonomisë. Sot Epiri është rajoni më i prapambetur dhe më i izoluar në Greqi, me lidhje të pakta me rajonet e tjerë. Rajoni qendror i Athinës dhe rajoni verior i Selanikut, që përbëjnë dy polet më të zhvilluar ekonomik të Greqisë dhe qendrat gravituese të saj, i kanë kthyer shpinën Epirit. Në këto rrethana, një nga rrugët e zhvillimit të rajonit është riatdhesimi i popullsisë çame prej 300 000 banorësh, që banojnë në shtetin amë, në trojet e veta në Çamëri si dhe kthimi i pronave të tyre. Ky proces do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të ishin shumë të motivuar për zhvillimin dhe prosperitetin e krahinës dhe do të kishin vullnetin për të arritur këto qëllime. Ata do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore-gjeografike të punës dhe do të kontribuonin edhe në rregullimin e ekuilibrave të zhvillimit hapësinor, lokacional, në raportet qendër-periferi.

Sfidat e zhvillimit rajonal dhe ndër-rajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi europian e bëjnë të domosdoshme bashkëpunimin ndërkufitar, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor. Forma më e njohur dhe më e mirë e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është padyshim eurorajoni. Në kuadrin e këtij procesi janë institucionalizuar dhe konkretizuar eurorajonet Morave-Pcinje-Strume (Maqedoni – Serbi – Bullgari), bashkëpunimi eurorajonal Danub – Drava – Sava (Hungari – Kroaci-Bosnjë), eurorajoni i Adriatikut (Shqipëri – Mal i Zi – Kroaci-Itali) etj. Bashkëpunimi ndërkufitar në një mjedis me kufij të hapur midis rajonit të Çamërisë (Epirit), Rajonit Jugor (Vlorë-Sarandë-Gjirokastër), dhe Politi Industrial i Rajonit të Pulias (Itali) apo më gjerë, Eurorajonit të Jonit do të mbështeste fuqimisht zhvillimin ndërkufitar në këto hapësira periferike, kryesisht rurale të Shqipërisë dhe Greqisë dhe do t’i integronte ato në proceset e zhvillimet ndër-rajonale, duke ridimensionuar ndarjen shoqërore gjeografike të punës në hapësirat e Ballkanit.

admin admin

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

18 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

20 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

1 day ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago