Një super-kontinent mund ta bëjë planetin Tokë të pabanueshëm pas 250 milionë viteve.
Sipas gazetës britanike “The Guardian” ky është paralajmërimi i shkencëtarëve bazuar në analizat e tyre mbi super-kontinentet, që janë masa gjigante tokësore, vendformimi i të cilave mund të ndikojë në mënyrë dramatike në klimën e planetit tonë.
Studimi i realizuar nga Zyra Meteorologjike e Britanisë dhe Universiteti i Bristolit tregon se formimi i super-kontinenteve do të çojë në zhdukje masive të shkaktuar kryesisht nga “stresi i nxehtësisë“.
Ky do të jetë rezultat i një aktiviteti më të madh vullkanik që do të prodhonte dy herë më shumë dioksid karboni në atmosferë sesa nivelet e sotme, e do të “plakte” diellin tonë duke bërë që ai të lëshonte më shumë rrezatim.
Punimi, i botuar në revistën “Nature Geoscience”, është i pari që përpiqet të formojë një model që mund të tregojë se sa ekstreme mund të bëhet klima nga ky rirregullim gjeologjik.
Duke përdorur një model klimatik të Zyrës Metorologjike në Mbretërinë e Bashkuar dhe superkompjuterin e Universitetit të Bristolit, simulimi siguroi gjithashtu të dhëna tektonike për ngjarjet e kaluara dhe të dhëna që mund të jenë të dobishme për astronomët, të cilët kërkojnë planetë të tjerë të banueshëm.
Në epokën e superkontinentit “Pangea Ultima” që pritet të formohet kur të gjitha kontinentet aktuale të bashkohen në të ardhmen e largët, ekstremet e temperaturës mund të bëhen dramatike, me më shumë lagështi përgjatë brigjeve dhe kushte jashtëzakonisht të thata në shkretëtira.
Në këtë botë, temperaturat globale mund të rriten me 15 gradë Celsius (deri në 30 gradë Celsius) mbi nivelet para-industriale, gjë që do ta kthente planetin në nxehtësinë ekstreme të përjetuar në periudhën Permian-Triasic, para 260 milionë viteve, kur më shumë se 90% e specieve u zhdukën.
Në studimin britanik theksohet se periudhat e zgjatura të nxehtësisë mbi 40 gradë Celsius do të tejkalojnë nivelet e qëndrueshmërisë së shumë formave të jetës.
Gjitarët kanë qenë historia e madhe e suksesit evolucionar që pas zhdukjes së dinozaurëve, por aftësia e gjitarëve për t’u përshtatur me nxehtësinë mund të jetë e ngadaltë. Këtu përfshihen njerëzit, të cilët kanë qenë në Tokë për një kohë relativisht të shkurtër.
Përveç efekteve të menjëhershme të të nxehtit, do të kishte probleme serioze me furnizimin me ushqim për shkak të kolapsit të bimësisë. Studimi vëren se shumica e bimëve stresohen në temperatura mbi 40 °C dhe prishen plotësisht nëse ekspozohen në 60 °C për periudha të gjata.
Autori kryesor i studimit, Alexander Farnsworth nga Universiteti i Bristolit, foli për mundësinë e një tjetër zhdukjeje si epoka e akullnajave apo dinozaurëve, por që këtë herë përfshin njerëzit.
“Toka ka një mjedis shumë të ndryshueshëm. Njerëzit janë shumë me fat për atë që kemi tani dhe ne nuk duhet ta shtyjmë klimën tonë përtej klimës më të ftohtë ku kemi evoluar. Ne jemi specia dominuese, por Toka dhe klima e saj vendosin se sa do të zgjasë kjo”, tha ai.
Autorët e studimit pranojnë se parashikimi i tyre ka një nivel të lartë pasigurie për shkak të kornizës kohore jashtëzakonisht afatgjatë, megjithatë, ata shpresojnë që studimi, i cili filloi gjatë bllokimit të pandemisë, do të japë informacion të dobishëm për ngjarjet e mëparshme të zhdukjes masive dhe planetët e tjerë potencialë që mund të jenë të banueshëm.
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…